Arsyet që i bënë të njohur katër imamët e medhhebeve

July 30, 2017

Fetvaja me numër 1591.

Pyetja: Si u shfaqën katër medhhebet? Si i dhanë vetes të drejtën e ixhtihadit duke ua ndaluar të tjerëve? Cili është argumenti se duhet pasuar një medhheb nga katër medhhebet?

Përgjigje: Lavdërimi i takon vetëm Allahut! Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij, familjen dhe pasuesit e tij!

Dijetarët që bëjnë ixhtihad janë të shumtë, e sidomos në tri gjeneratat e para për të cilat ka dëshmuar i dërguari i Allahut, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të, për mirësinë e tyre. Me kalimin e kohës u shquan katër prej këtyre dijetarëve: Ebu Hanife Numan ibn Beshir në Irak, Ebu Abdilah Malik ibn Enes el Esbahij në Medine, Ebu Abdilah Muhamed ibn Idris Shafi Kureshi, dijetari i Kurejshëve dhe krenaria e tyre në Bagdad e më pas në Egjipt, Ebu Abdilah Ahmed ibn Muhamed ibn Hanbel Shejbani, imami i dijetarëve të hadithit dhe shëmbëlltyra e tyre, si dhe dijetari i fikhut në Irak në kohën e tij.

Shkaqet që i bënë ata të njohur janë të shumta, prej tyre:

-Përhapja e mendimeve të tyre në vendet në të cilat jetonin apo udhëtonin, urtësi e ligjeve universale të Zotit. Si shembulli i Ebu Hanifes dhe Ahmedit në Irak, imam Malikut në Medine, dhe imam Shafiu në Meke dhe Egjipt.

-Puna dhe thirrja që bënë nxënësit e këtyre dijetarëve në vendet e tyre apo në ato vende ku udhëtuan, si dhe ata që ndoqën mendimet e tyre duke u shkolluar mbi bazat që ata ngritën mbi mendimet e tyre. Si shembull Muhamed ibn Hasen dhe Ebu Jusufi (nxënës të imam Ebu Hanifes) në Irak, Ibën Kasim dhe Eshheb (nxënës të imam Malikut) në Egjipt, dhe Suhnuni (nxënës i imam Malikut) në Marok. Rabia ibn Sulejman (nxënës i imam Shafiut) në Egjipt dhe nxënësit e imam Ahmedit në vendet e Shamit, të Irakut etj.

-Përhapja e mendimeve të tyre nga pushtetarët dhe dijetarët që mbanin postet e gjykatësve dhe dhënien e fetvave, si dhe duke ngritur shkolla ku mësoheshin mendimet e tyre dhe duke shpërndarë dhurata dhe vakëfe për ta.

Duhet ditur se askush prej këtyre imamllarëve nuk ka bërë thirrje që njerëzit të ndjekin mendimet e tyre me fanatizëm, si dhe nuk i kanë detyruar të tjerët të punojnë me mendimet e tyre. Përkundrazi, ata bënin thirrje për zbatimin e Kuranit dhe Sunetit duke i shpjeguar këto argumente dhe duke i sqaruar rregullat, nxirnin degëzime prej argumenteve dhe u jepnin përgjigje të tjerëve kur pyeteshin, pa detyruar askënd prej nxënësve apo dikënd tjetër që të merrnin mendimet e tyre.

Madje i qortonin ata që vepronin në këtë mënyrë dhe i urdhëronin ndjekësit që nëse mendimet e tyre hasnin në kundërshtim me ndonjë hadith të saktë, ta lënë mënjanë mendimin e tyre e të zbatonin argumentin. Njëri prej këtyre dijetarëve thoshte: “Nëse hadithi është i saktë ai është medhhebi (mendimi) im”. Allahu i mëshiroftë të gjithë!

Ndjekja e një medhhebi të caktuar nuk është obligim për askënd, përkundrazi, njeriu duhet të mundohet të arrijë tek e vërteta me aq sa ka mundësi. Ose të marrë për ndihmë pas Allahut diturinë voluminoze që kanë lënë të parët prej dijetarëve që i lehtësojnë rrugën për tek kuptimi i argumenteve dhe zbatimi i tyre. E ai i cili nuk arrin që prej argumenteve të nxjerrë rregulla si shkak i ndonjë pengese që mund të hasë, atëherë mund të pyes dijetarët e njohur për diturinë e tyre për rregullat fetare, duke vënë në jetë fjalën e Allahut: “Pyesni ata që dinë nëse ju nuk keni njohuri”. Si dhe të sigurohet duke pyetur ata që janë të njohur me dituri, mirësi, devotshmëri dhe punë të mira.

Suksesi është vetëm prej Allahut! Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen dhe mbi pasuesit e tij!

 

Komisioni i përhershëm i kërkimeve akademike dhe fetvave:

Kryetar: Abdulaziz ibn Baz

Nënkryetar: Abdurrazak Afifi

Antarë: Abdullah ibn Kaud

Antarë: Abdullah ibn Gudejan

Përktheu: Ylli Rama

Loading...