✍ Nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kushdo që përfiton (mëson) një degë nga astrologjia parashikuese e yjeve, ai ka përfituar një degë prej sihrit (magjisë); sa më shumë që shton (nga astrologjia), aq më shumë shton (mëkat në sihër).”
📋 Hadith Sahih – Transmeton Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Ahmedi.
✅ Shpjegimi i Hadithit:
Profeti ﷺ sqaron se kushdo që mëson dhe merr njohuri nga astrologjia parashikuese e yjeve dhe horoskopi, duke u bazuar në lëvizjet e tyre, hyrjen dhe daljen e tyre për të parashikuar ngjarjet tokësore – si vdekja e dikujt, jeta e tij, sëmundja e tij apo gjëra të ngjashme që do të ndodhin në të ardhmen – ai person ka mësuar një pjesë të magjisë (sihrit). Sa më shumë që njeriu shton njohuritë në këtë fushë, aq më shumë shton pjesët e magjisë në llogarinë e tij.
🔹 Dobitë e Hadithit:
1- Ndalimi i Astrologjisë (Tenxhim): Është haram njoftimi për të ardhmen duke u bazuar në pozicionet e yjeve, sepse kjo llogaritet pretendim për njohjen e të fshehtës (Gajbit), të cilën e di vetëm Allahu.
2- Lidhja me Sihrin: Astrologjia e ndaluar është një lloj magjie që bie ndesh me Teuhidin (Njëshmërinë e Allahut). Kjo ndryshon nga (astronomia) vëzhgimi i yjeve për të njohur drejtimet, Kiblen, apo fillimin e stinëve dhe muajve, gjë e cila është e lejuar (mubah).
3- Shtimi i mëkatit: Sa më shumë që njeriu thellohet në mësimin e astrologjisë parashikuese, aq më shumë thellohet në degët e magjisë.
4- Tri dobitë e yjeve: Sipas Kuranit, Allahu i ka krijuar yjet për tri qëllime:
– Bukuri (stoli) për qiellin.
– Shenja për t’u orientuar (në udhëtim).
– Mjet për goditjen e shejtanëve.
📚 “Ed Durar es Senije”
✅ Analizë e rëndësishme shtesë:
Është e domosdoshme të bëhet dallimi mes dy gjërave që shpesh ngatërrohen:
🔸 Astronomia | Ilm el-Hej’e: Studimi i yjeve për llogaritjen e kohës, muajve dhe orientimit gjeografik. Kjo është diçka e lejuar.
🔸 Astrologjia | Ilm et-Tenxhim|: Pretendimi se yjet ndikojnë në fatin e njeriut ose parashikimin e së ardhmes. Haram/Shirk.|
🔹 Mësimi: Ky hadith na mëson që të kemi kujdes nga mashtrimet e horoskopit dhe parashikuesve të fatit, duke na kthyer te besimi i pastër se vetëm Allahu është Drejtuesi i çdo gjëje në këtë gjithësi!
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: astrologjia, Besimi
Të Ngjashme
- Besimi i muslimanëve rreth Isait (Jezusit) Udha e Besimtarëve
- Pse nuk mund ta thotë kushdo fjalën “La ilahe il-la Allah” para vdekjes? Udha e Besimtarëve
- A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Udha e Besimtarëve
- La ilahe il-lAllah – garancia e shpëtimit Udha e Besimtarëve
- A do jenë fëmijët e jobesimtarëve të gjithë në xhenet? Shehul-Islam Ibn Tejmije