Bazat e Besimit Islam -Teuhidi Uluhijeh

 

 

 

 Së dyti:Teuhidi uluhijeh

Teuhidi uluhijeh është njëhsimi i Allahut me të gjitha llojet e adhurimeve. Fjala uluhijeh do të thotë adhurim, ndërsa ilah do të thotë i adhuruar, ndaj ndryshe ky lloj teuhidi quhet dhe teuhidul ibadeh (njëhsimi në adhurim).

Fjala el ibadeh në aspektin gjuhësor do të thotë: nënshtrim, perulje psh thuhet rrugë muabed dmth e shtruar, e shkelur me këmbë nga njerezit dhe kafshet.

Ndërsa kuptimi i fjalës ibadeh në aspektin e sheriatit është përkufizuar nga dijetarët me shprehje të ndryshme por që përmbajtja e tyre është e njëjtë. Një pjesë e dijetarëve e kanë përkufizuar duke thënë: çdo gjë me të cilën sheriati ka urdhëruar pa pasur ndikim zakonor apo rrjedhim logjik.

Disa të tjerë e kanë përkufizuar duke thënë: Dashuria e plotë së bashku me nënshtrimin absolut.

Ndërsa shejhul islam Ibn Tejmijeh e ka përkufizuar duke thënë: Adhurimi është term i përgjithshëm që përfshin çdo gjë që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, fjalë qofshin apo vepra, të dukshme (jashtme) apo të fshehta (të brendshme).

Ky përkufizim është më preciz dhe më përmbledhës, sepse sipas këtij përkufizimi e gjithë feja përfshihet në adhurim.

Ata që e përkufizuan si dashuri dhe nënshtrim e thanë këtë sepse dashuria e plotë e shoqëruar me nënshtrimin absolut sjellin rrjedhimisht bindjen ndaj të dashurit dhe dorëzimin ndaj tij, ndaj i robëruar quhet ai i cili ia kushton dashurinë dhe përuljen të dashurit të tij. Në varësi të dashurisë që robi ka ndaj Zotit të tij aq do jetë dhe bindja ndaj Tij, sepse nënshtrimi ndaj Tij shfaqet me bindje. Dashuria e robit ndaj Zotit të tij dhe nënshtrimi ndaj Tij përbejnë adhurimin që i kushtohet Atij të pa rival. Pra adhurimi përmban në vetvete konceptin e dashurisë dhe të nënshtrimit.

Adhurimi ngrihet mbi tre parime baze: Dashuria, frika dhe shpresa, duhet patjetër që këto të treja të ekzistojnë njëkohësisht sepse kush e adhuron Allahun vetëm me njërën prej tyre nuk është adhurues i vërtetë i Allahut ashtu siç duhet.

Adhurimi i Allahut vetëm me dashuri është rruga e sufistëve, kurse adhurimi vetëm me shpresë është rruga e murxhieve[1], ndërsa adhurimi vetëm me frikë është rruga e havarixheve[2].

Adhurimi i zhveshur nga nënshtrimi nuk mund të jetë adhurim, kush e do diçka dhe nuk i nënshtrohet asaj nuk quhet adhurues si psh dashuria e njeriut per femijën apo shokun e tij, po ashtu nënshtrimi i zhveshur nga dashuria nuk është adhurim si psh kur i nënshtrohesh sundimtarit apo një zullumqari për tiu ruajtur të keqës së tij. Ndaj nuk mjafton njeri koncept pa tjetrin per tu konsideruar adhurim i Allahut, përkundrazi e ka detyrë robi që ta dojë Allahun më shumë se çdo gjë dhe të jetë Allahu më i madhëruari tek ky njeri se çdo gjë tjetër. Adhurimi është gjëja që Allahu do nga robërit e Tij, dhe është i kënaqur me të, dhe ai është qëllimi për të cilin është krijuar njerëzia siç thotë i Lartesuari:

Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për diçka tjetër veçse që të më adhurojnë”.

Për këtë synim janë dërguar profetet siç thotë i Lartesuari:

Vërtetë kemi dërguar në çdo ummet të dërguar (tu thonë): Adhuroni Allahun dhe largojuni tagutit (çdo gjë që adhurohet veç Allahut)”.

Adhurimi ka lloje të shumta të tij siç është namazi, zekati, agjerimi, haxhi, vërtetësia në fjalë, përmbushja e amanetit, mirësjellja me prinderit, mbajtja e lidhjeve farefisnore, zbatimi i marrëveshjeve, urdherimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, luftimi i mosbesimtarëve dhe hipokriteve, bamirësia ndaj jetimëve, të varfërve, të mbeturve në rrugë, shërbëtorëve dhe kafshëve, përmendja e Allahut, leximi i Kuranit, duaja, prerja e kurbanit, zotimi, kërkimi i mbrojtjes dhe i ndihmës nga Allahu, të gjitha këto janë adhurime që duhet t’i kushtohen vetëm Allahut.

Nëse dikush i kushton dikujt tjetër veç Allahut ndonjë lloj adhurimi ai ka bërë shirk te madh dhe ka rënë në gjynahun që Allahu nuk e fal ndryshe veçse me pendim, si psh ai që i lutet dikujt tjetër veç Allahut, ose bën kurban ose zotohet për dikë tjetër veç Tij, ose i kërkon mbrojtje apo ndihmë të vdekurve, apo dikujt në mungesë ose dikujt të pranishëm për diçka që ka mundesi për të vetëm Allahu, pa marrë parasysh se kujt i drejtohet ky adhurim: statuje, peme, gur, profet nga profetët, eulij nga eulijatë, i gjallë qoftë apo i vdekur, siç ndodh sot tek tyrbet e ndërtuara mbi varre.

Allahu nuk pranon që t’i përshkruhet rival në adhurim qoftë engjëll me pozite të lartë, apo profet i dërguar apo eulij nga eulijate. Thotë i Lartesuari:

Allahu nuk fal që t’i përshkruhet shok Atij.”

Dhe thotë:

Mos lutni dikë tjetër së bashku me Allahun”,

dhe thotë:

Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok asgjë”.

E themi me keqardhje të madhe se sot një pjesë e varreve janë shndërruar në idhuj që adhurohen në vend të Allahut nga ata që pretendojnë se janë muslimane. Ka nga ata që i luten dikujt tjetër veç Allahut në çdo vend edhe sikur të mos jetë pranë një varri si psh ata që kur ngrihen në këmbë apo kur tremben papritmas nga dicka thone: O Rasulallah, ose thonë: Ndihmë o Rasulallah, ose ndihmë o filan (për dikë jo të pranishëm). Nëse i qorton ata për këtë do përgjigjen duke thënë: Ne e dijmë që ata nuk kanë asgjë në dorë, por janë njerëz të mirë me pozitë tek Allahu dhe ne lutemi nëpërmjet pozitës dhe ndërmjetesimit të tyre. Këta të gjorë -megjithëse e lexojnë Kuranin- kanë harruar se kjo thënie është vetë pretendimi i idhujtareve dikur, siç na tregon Allahu me fjalën e Tij:

Ata adhurojnë në vend të Allahut diçka që nuk mund tu sjellë dëm e as dobi dhe thonë këta janë ndërmjetesuesit tanë tek Allahu. Thuaj: A po e lajmëroni Allahun me dicka që nuk e ditka në diçka në qiej e në tokë?! I Lartësuar dhe i pastër është nga çfare i bëjnë shok

dhe fjala e Tij:

Vërtetë vetëm Allahut i takon t’i përkushtohet feja sinqerisht. Ata që kanë marrë eulija në vend të Tij thonë: Nuk i adhurojmë për gjë tjetër veçse të na afrojë tek Allahu. Vërtetë Allahu do gjykojë ndërmjet tyre për atë që ata kundërshtohen. Allahu nuk e udhezon atë që është gënjeshtar mohues”.

Është detyrë e dijetarëve ta qortojnë e ta hedhin poshtë këtë shirk të shëmtuar duke ua bërë të qartë njerëzve të vërtetën, gjithashtu është detyre e sundimtareve muslimanë t’i shembin këto idhuj dhe t’i pastrojnë xhamitë prej tyre. Shumë nga dijetarët e mëdhenj përmiresues e kanë kritikuar dhe luftuar këtë shirk, ua kanë tërhequr vërejtjen njerëzve prej tij dhe i kanë qortuar ata.

Nga këta dijetarë përmendim shejhul islam Ibn Tejmije, nxenesi i tij Ibnul Kajim, shejh Muhamed bin Abdul Uehabi, shejh Muhamed bin Ismail es-Sananij, shejh Muhamed bin Alij esh-Sheukani e shumë dijetarë të tjerë si në kohët e hershme ashtu dhe në kohët tona siç shihet qartë në librat e tyre.

Në lidhje me këtë imam Sheukani në librin e tij “Nejlul Eutar” ka thënë:

Sa e sa të këqija i kanë sjellur islamit ndërtimi i varreve dhe zbukurimi i tyre si psh besimi i devijuar që ekziston tek injorantët i cili është i njëjtë me besimin e kafirave tek idhujt e tyre apo dhe me keq duke pretenduar se varret mund tu sjellin të mira dhe tua largojnë të këqijat, duke i shndërruar ato në pikë orientimi për të kërkuar kryerjen e nevojave dhe realizimin e tyre, duke kërkuar prej tyre atë që robërit kërkojnë nga Zoti i tyre, ndërmarrin udhëtime drejt varreve, i fërkojnë ato dhe u kërkojnë shpëtim. Pra në mënyre të përmbledhur mund të themi se këta nuk kanë lënë pa bërë asgjë nga ato që idhujtarët bënin me idhujt e tyre. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Me gjithë shëmtinë e kësaj të keqeje dhe këtë kufr të rëndë pothuajse nuk gjejmë njerëz që zemërohen per hir të Allahut apo të kenë xhelozi për fenë e pastër, qofshin ata dijetarë, nxënësa dije, prijësa, ministra etj. Kemi dëgjuar lajme të shumta që nuk lënë vend për dyshim se shumë nga adhuresit e varreve po tu kërkohet nga pala tjetër që të betohen për diçka ata janë të gatshëm të betohen për Allahun rrejshëm, por nëse u thuhet për të njëjtën gjë betohu për shejhun tënd apo uelijin tek i cili beson atëherë i mbyllet goja, zmbrapset, refuzon të betohet dhe e pranon fajin. Kjo është nga faktet më të qarta që tregojnë se shirku i tyre e ka tejkaluar shirkun e të krishterëve që thonë: Ai është njëri nga të dy, ose njëri nga të tre. O ju dijetarë të islamit, o ju sundimtare muslimane! çfarë e keqe më e madhe mund t’i kanoset islamit sesa kufri?! çfare sprove me e dëmshme mund të jetë për këtë fe se sa adhurimi i dikujt veç Allahut?! çfarë fatkeqësie më e madhe mund t’i godasë muslimanët sesa kjo fatkeqësi?! çfarë e keqe tjetër më e madhe është detyrë të ndryshohet më shumë sesa ky shirk i qartë?! ( mbaroi fjala e Sheukanit).

Kjo bela është shtuar edhe më shumë pas kohës së tij, e nuk ka forcë tjetër veç forcës së Allahut.

Vazhdon . . .

 

 

Marrë nga libri “el Irshadu ila sahihil I’tikad” fq. 12-15.

Autor Salih el Feuzan

Përktheu Shuajb Rexha


[1] Murxhitë janë një grup i humbur ku si moto të tyre kanë se njeriut i mjafton të jetë besimtar edhe sikur të besoj vetëm me zemrën e tij pa e shprehur dhe e vepruar atë, dhe se veprat nuk janë pjesë përbërëse e besimit dhe që nuk ndikojnë fare në të.

[2] Havarixhët janë një grup i humbur dhe janë në të kundërtën e murxhive, si moto të tyre kanë se çdo muslim që bën një gjynah prej gjynaheve të mëdhaja ai ka dal nga feja dhe konsiderohet mosbesimtarë.