Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka quajtur Ramazanin muaj të begatë. Nga Ebu Hurejrah radijallahu anhu përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
“Ju erdhi Ramazani, një muaj i begatë. Allahu i Lartmadhëruar ua ka bërë detyrë agjërimin e tij. Në të hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe në të prangosen rebelët prej djajve. Allahu ka bërë në të një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga mirësitë e saj, ai është i privuari.”
Transmeton Ahmedi dhe e ka saktësuar Albani në “Sahih sunen en Nesai” 1992, si dhe në vende të tjera.
Begatia apo bereqeti është shtimi, zhvillimi dhe shumëfishimi. Në këtë muaj shtohen sevapet, shtohen mirësitë e Allahut mbi besimtarët, shërohen shpirtrat, zemrat dhe trupat prej sëmundjeve të tyre. Çlirohen njerëz nga zjarri, ngrihen gradët e besimtarëve dhe të atyre që e shfrytëzojnë kohën në këtë muaj.
Allahu i Madhëruar thotë për fjalën e Tij Kuranin:
{وَهَذَا كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ مُبَارَكٌ}
“Ky është një libër që Ne e zbritëm të begatë (me shumë bereqet në të).” Apo: “Ky është një libër i bereqetshëm të cilin Ne e zbritëm.” | El En’am: 92.
Kanë thënë dijetarët: Kurani është i begatë sepse ai tregon për mirësi madhështore, dhe Allahu ja shton bereqetin në dynja dhe ahiret atij që i lexon fjalët e tij dhe punon me të. Prandaj bereqeti është i pandashëm nga leximi dhe kuptimi i tij.
Dhe thotë njëri prej tyre: Është ligj i Allahut të Lartësuar se ai që e studion këtë libër dhe kapet pas tij, do të ketë krenari në dynja dhe lumturi në ahiret. Unë jam marrë me shumë dije por nuk kam arritur për shkak të tyre në dynja atë lumturi që kam arritur për shkak të shërbimit që i kam bërë kësaj dijeje, d.m.th. tefsirit (komentimit të Kuranit).” “Tefsir Ibën Ashur”.
Ky është njëri nga shkaqet e shumta të shtimit të bereqetit në këtë muaj sepse në të shtohet leximi i Kuranit, aq sa ai ka marrë veç emrave të tjerë edhe emrin Muaji i Kuranit.
Prej shkaqeve përse është quajtur i begatë ky libër është dhe ajo që ka përmendur imam Shenkiti: “Çdo shkronjë e lexuar prej tij ka dhjetë sevape.” Pra kur muslimani lexon tre shkronja: ‘Elif, lam, mim’ ka 30 sevape, siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Ndërsa një faqe Kurani ka mesatarisht 500 shkronja që i bie 5.000 sevape vetëm duke lexuar një faqe Kuran arabisht! Po ai që lexon më shumë se një faqe?! Allahu na dhëntë sukses në punë të mira!
Dosje: Kurani
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi