Ai e transmeton këtë hadith edhe prej Aishes, e cila thotë: Një burrë e pyeti Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: Kush janë njerëzit më të mirë? Ai i tha: “Brezi në të cilin kam qenë unë, pastaj i dyti, pastaj i treti.”
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë prej hadithit të Ebi Seid el Hudrij se ai ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Do vijë një kohë kur disa njerëz do të robërojnë disa të tjerë e do tu thonë: A ka në mesin tuaj prej atyre që kanë shoqëruar të dërguarin e Allahut? Do të thonë: Po. Dhe do të lihen. Do të vijë një ditë tek njerëzit kur disa do të pushtojnë disa të tjerë, e do t’u thuhet: A ka në mesin tuaj prej atyre që kanë shoqëruar të dërguarin e Allahut? Do të thonë: Po. Dhe do të lihen. E më pas do të vijë një kohë tek njerëzit kur disa do të pushtojnë disa të tjerë, e do t’u thuhet: A ka në mesin tuaj prej atyre që kanë shoqëruar ata të cilët shoqëruan shokët e të dërguarit të Allahut? Do të thonë: Po. E do të lihen.”
Transmeton Ibën Batta me sened të saktë sikurse përmendet në librin “Minhexhu es sunneh” të Ibën Tejmijes prej Ibën Abasit, i cili thotë: “Mos i fyeni shokët e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem sepse ndenjia e tyre një pjesë kohe me të është më e mirë se puna juaj dyzet vjet.” Kurse në transmetimin e Uki’a ka ardhur: “Është më e mirë se puna e ndonjërit prej jush gjatë gjithë jetës.” Seid ibn Zejdi një nga dhjetë personat e përgëzuar me Xhenet, thotë: “Pasha Allahun, një qëndrim i njërit prej tyre me të dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në të cilin i pluhurosej fytyra është më e mirë se puna e ndonjërit prej jush edhe nëse mbijeton sa mosha e Nuhut alejhi selam.
Xhabir bin Abdilah thotë: “I thashë Aishes: Disa njerëz i qëllojnë me gjuhët e tyre shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, po kështu edhe Ebu Bekrin dhe Umerin. Ajo tha: Sa çudi! Atyre iu ndërpre puna mirëpo Allahu nuk do që t’u ndërpritet shpërblimi.”
Ibën Ethiri në librin e tij “Xhamiul usul” përmend hadithin e saktë i cili dëshmon për këtë, ku Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Vërtet, i falimentuar prej popullit tim është ai që vjen në ditën e kijametit me namaz, agjërim dhe zekat, ndërkohë që ka sharë njërin, ka shpifur kundrejt tjetrit, ka ngrënë pasurinë e këtij, ka derdhur gjakun e atij e një tjetër e ka rrahur, sepse atëherë do t’i japë këtij dhe atij prej të mirave që ai ka. E nëse i mbarojnë të mirat para se t’i dëmshpërblejë ato që ka vepruar, do të merret prej të këqijave të tyre dhe do t’i shtohen atij e pastaj do të hidhet në zjarr.”
Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Ebu Seid el Hudri, se i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i shani shokët e mi sepse nëse ndonjëri prej jush do të japë sadaka me flori sa mali i Uhudit, s’ka për ta arritur sa grushtin e dorës së ndonjërit prej tyre (mundin) (njësi peshe e barabartë me dy funta, një funt është i barabartë me pesëqind gramë), madje as gjysmën e tij.”
Gjithashtu, e transmeton Muslimi në Sahihun e tij prej Ebu Hurejrës i cili thotë: Ka thënë i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Mos i fyeni shokët e mi! Mos i fyeni shokët e mi! Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, nëse ndonjëri prej jush do të japë sadaka me flori sa mali i Uhudit s’ka për ta arritur sa grushtin e dorës së ndonjërit prej tyre, madje as gjysmën e tij.”
Transmeton imam Muslimi prej hadithit të Ebu Seid el Hudri ku thotë: Ndodhi diçka mes Halid bin Uelidit dhe Abdurrahman bin Aufit ku Halidi i foli keq Abdurrahmanit. Atëherë, i dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Mos shani asnjë prej shokëve të mi sepse nëse ndonjëri prej jush do të japë sadaka me flori sa mali i Uhudit, s’ka për të arritur as edhe sa masa e një grushti të ndonjërit prej tyre, madje as gjysmën e tij.”
Nëse “shpatës së Allahut” Halid bin Uelidit dhe të tjerëve që pranuan Islamin pas Hudejbijes nuk u krahasohen veprat e tyre të shumta me punën e vogël të Abdurrahman bin Aufit apo ndonjë tjetri që kishin hyrë në Islam më parë, edhe pse të gjithë janë të nderuar si shokë të profetit, si do të jetë gjendja e atij që nuk ka pasur nderin të jetë në shoqëri me profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem!? Po në krahasim me më të mirët e sahabëve!? Atëherë kontrasti është dhe më i theksuar. Distanca është akoma më e madhe dhe mjaft larg, aq larg sa është toka prej yjeve madje aq sa është largësia e tokës së shtatë me qiellin e shtatë!
Kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë. e mirësia e Tij është madhështore.
Këto ishin disa ajete Kuranore dhe hadithe profetike që argumentojnë mirësinë e këtyre njerëzve të dalluar. Si ata nuk ka pasur e as nuk do të ketë, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Vazhdon . . .
Autor: Muhadithi i njohur Abdul Muhsin bin Hamed el Abad el Bedr, pedagog në “Universitetin Islamik të Medines” dhe ligjërues në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Përktheu: Bledar Ali
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve