Besimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit rreth Sahabeve të Nderuar – pjesa e dytë

 

 

 

 

 

 

Besimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit rreth Sahabeve të Nderuar – pjesa e dytë

 

 

Ai e transmeton këtë hadith edhe prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) e cila thotë: Një burrë pyeti profetin -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: Kush janë njerëzit më të mirë? Ai tha: “Brezi në të cilin kam qenë unë, pastaj i dyti, pastaj i treti”.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë prej hadithit të Ebi Sejd el Khudrij (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “Do të vijë një kohë kur disa njerëz do të robërojnë disa të tjerë e do tu thonë: A ka në mesin tuaj prej atyre që kanë shoqëruar të dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të)? Do të thonë: Po. Dhe do të lihen. Do të vijë një ditë te njerëzit kur disa do të pushtojnë disa të tjerë, e do t’u thuhet: A ka në mesin tuaj prej atyre që kanë shoqëruar të dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të)? Do të thonë: Po. Dhe do të lihen. E më pas do të vijë një kohë te njerëzit kur disa do të pushtojnë disa të tjerë, e do t’u thuhet: A ka në mesin tuaj prej atyre që kanë shoqëruar ata të cilët shoqëruan shokët e të dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahu qoftë mbi të)? Do të thonë: Po. E do të lihen.”

Transmeton Ibnu Batta me sened të saktë sikurse përmendet në librin “Minhexhus-Sun-neh” të Ibnu Tejmijes, prej Ibn Abasit i cili thotë: Mos i fyeni shokët e Muhamedit (paqja dhe mëshira e Allahu qoftë mbi të) sepse ndenja e tyre një pjesë kohe me të është më e mirë se puna juaj dyzet vjet. Kurse në transmetimin e Uki’ë ka ardhur: Është më e mirë se puna e ndonjërit prej jush gjatë gjithë jetës. Thotë Seid ibn Zejd (Allahu qoftë i kënaqur me të), një nga dhjetë personat e përgëzuar me Xhennet: Pasha Allahun, një qëndrim i njërit prej tyre me të dërguarin e Allahut, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, në të cilin i pluhurosej fytyra është më e mirë se puna e ndonjërit prej jush edhe nëse mbijeton sa mosha e Nuhut alejhi selam.

Prej Xhabir bin Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “I thashë Aishes: Disa njerëz i qëllojnë me gjuhët e tyre shokët e profetit, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, po kështu edhe Ebi Bekrin dhe Umerin. Ajo tha: Sa çudi! Atyre iu ndërpre puna, mirëpo Allahu nuk do që t’u ndërpritet shpërblimi”.

Ibn Ethiri në librin e tij “Xhemiul Usul” përmend hadithin e saktë i cili dëshmon për këtë, ku profeti, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, thotë: “Vërtet i falimentuar prej popullit tim është ai që vjen në Ditën e Kijametit me namaz, agjërim dhe zekat, ndërkohë që ka sharë njeriun, ka shpifur kundrejt tjetrit, ka ngrënë pasurinë e këtij, ka derdhur gjakun e atij e një tjetër e ka rrahur, atëherë do t’i japë këtij dhe atij prej të mirave që ai ka. E nëse i mbarojnë të mirat para se t’i dëmshpërblejë ato që ka vepruar, do të merret prej të këqijave të tyre dhe do t’i shtohen atij e pastaj do të hidhet në zjarr.”

Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Ebu Sejd el Khudri (Allahu qoftë i kënaqur me të), se i dërguari, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, ka thënë: “Mos i shani shokët e mi! Sepse nëse ndonjëri prej jush do të japë sadaka me flori sa mali i Uhudit, s’ka për ta arritur sa grushtin e dorës aë ndonjërit prej tyre (mundin) (njësi peshe e barabartë me dy funta, një funt është i barabartë me pesëqind gramë) e ndonjërit prej tyre, madje as gjysmën e tij.”

Gjithashtu e transmeton Muslimi në Sahihun e tij, prej Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili thotë: Ka thënë i dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Mos i fyeni shokët e mi! Mos i fyeni shokët e mi! Se pasha Atë në dorë të Cilit është shpirti im, nëse ndonjëri prej jush do të japë sadaka me flori sa mali i Uhudit, s’ka për ta arritur sa grushtin e dorës aë ndonjërit prej tyre, madje as gjysmën e tij.”

Gjithashtu transmeton Imam Muslimi prej hadithit të Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ku thotë: Ndodhi diçka mes Halid bin Uelidit dhe Abdurrahman bin Auf ku Halidi i foli keq Abdurrahmanit. Atëherë, i dërguari i Allahut, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, tha: “Mos shani asnjë prej shokëve të mi! Sepse nëse ndonjëri prej jush do të japë sadaka me flori sa mali i Uhudit, s’ka për ta arritur as edhe sa masa e një grushti të ndonjërit prej tyre, madje as dhe gjysmën e tij.”

Nëse “shpatës së Allahut” – Halid bin Uelidit dhe te tjerëve që pranuan Islamin pas Hudejbijes, nuk u krahasohen veprat e tyre të shumta me punën e vogël të Abdurrahman bin Aufit apo ndonjë tjetri që kishin hyrë në Islam më parë, edhe pse të gjithë janë të nderuar si shokë të profetit, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-, si do të jetë gjendja e atij që nuk ka pasur nderin të jetë në shoqëri me profetin, -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-!? Po në krahasim me më të mirët e sahabëve!? Atëherë kontrasti është edhe më i theksuar. Distanca është akoma më e madhe dhe mjaft larg; aq larg sa është toka prej yjeve! Bile aq sa është largësia e tokës së shtatë me qiellin e shtatë!

Kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë. e mirësia e Tij është madhështore.

Këto ishin disa ajete Kuranore dhe hadithe profetike që argumentojnë mirësinë e këtyre njerëzve të dalluar. Si ata nuk ka pasur e as nuk do të ketë, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Vazhdon . . .

BESIMI I EHLI SUNETIT UEL XHEMA’A

RRETH SAHABËVE TË NDERUAR

Autor: Muhadithi i njohur Abdul Muhsin bin Hamed el Abbad el-Bedr
pedagog në Universitetin Islamik të Medines dhe ligjërues në xhaminë e profetit, -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-.

Përktheu: Bledar Ali