Teuhidi Rrububije – Njësimi i Allahut në qenien e Tij Zot dhe gjithçka lidhet me këtë.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit.
Me të vërtetë falënderimet i takojnë Allahut, vetëm Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë prej të keqes së punëve dhe vetveteve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbasë dhe atë që e humbet nuk ka kush ta udhëzojë përveç Tij. Dëshmoj e deklaroj se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.
Vëllezër musliman! Përmendëm në xhumanë e shkuar se : Akidja është baza e besimit dhe se besimi ndahet në:
1) pranim me zemër
2) shqiptim me gjuhë
3) veprim me gjymtyrë. Sshtohet me vepra të mira e pakësohet dhe bie me veprat e këqija. Kemi thënë gjithashtu se: Ne nuk gjykojmë për ndokënd se ka dalë nga Islami për shkak të ndonjë gjynahu që vepron përderisa nuk e lejon atë gjynah në zemrën e tij, por nuk themi se gjynahu nuk e dëmton besimin e atij që e vepron gjynahun. Kemi thënë gjithashtu se: Akidja e saktë ndërtohet mbi gjashtë shtylla, të cilat janë : Besimi në Allahun, në Engjëjt, në Librat, në të Dërguarit, në Ditën e Gjykimit dhe në Caktimin e Allahut, të mirin dhe të keqin.
Dhe me lejen e Allahut sot do të fillojmë të flasim për shtyllën e parë të besimit e cila është:
“Besimi në Allahun”
Besimi në Allahun e ka kuptimin se: Është detyrë për cilindo prej muslimanëve të njësojë Zotin e tij, në qenien e Tij Zot, në meritën që ka për tu adhuruar, si dhe në Emrat e Cilësitë e Tij. Këto janë tre pjesët e teuhidit (njësimit) të Allahut. Pra i pari
1. Teuhidi Rrububije (të njësuarit e Allahut në të qënurit e Tij Zot dhe në gjithçka lidhet me këtë pikë)
2 . Teuhidi Uluhije (të njësuarit e Allahut në adhurim)
3 . Teuhidi Esmai ue Sifat (njësimi i Allahut në Emrat dhe Cilësitë e Tij).
Pra, sot do të flasim për llojin e parë i cili është Teuhidi Rrububije, prej të cilit kuptojmë se: “Është detyrë për çdo musliman të besojë me zemrën e tij me bindje dhe me besim të plotë se Allahu i Madhëruar është Zoti i gjithçkaje, se Ai është Krijuesi i gjithçkaje, Ai është Mbreti dhe poseduesi i gjithësisë, Ai është Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe Marrësi i saj, në Dorën e Tij është dëmi dhe dobia, tek Ai kthehen të gjitha çështjet! Ka thënë i Madhëruari : ““و إليه يرجع الأمر كله “dhe tek Ai kthehet çdo çështje”
Ky besim duhet të gjendet në zemrën e cilitdo musliman.
Vëllezër musliman! Këtë besim e kemi të bazuar në Librin e Allahut të Madhëruar, i Cili na ka treguar në Të se është Zoti i gjithçkaje; Ai ka thënë: ““الحمد لله رب العالمين “Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve” [Fatiha : 2].
Dhe ka thënë : “Thuaj : – A të kërkoj Zot veç Allahut, e Ai është Zot i gjithçkaje, ndërsa dëmi i çdo personi është kundër vetes së tij. Askush nuk do të mbartë barrën e tjetrit. Mandej, kthimi juaj është tek Zoti juaj; e Ai do t’ju njoftojë për përçarjet tuaja” [EnAmë: 164].
Gjithashtu Ai na ka lajmëruar në Librin e Tij se është Krijuesi i gjithçkaje; ka thënë : “Ai (Allahu) është që krijoi qiejt dhe tokën, (e duke qenë i tillë) si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo gjë e krijoi Ai, dhe është më i Dijshmi për çka ka krijuar!” [EnAmë: 101-102].
Dhe ka thënë: “Thuaj : – Kush është Zoti (Krijuesi) i qiejve e i tokës? Thuaj : – Allahu! Thuaj : A keni pranuar veç Tij Zota që nuk kanë mundësi ti sjellin as dëm e as dobi vetvetes? Thuaj : A është i barabartë i verbri me atë që sheh, ose, a janë të njëjta errësirat me dritën?a mos i bënë Allahut shokë (idhuj) e edhe ata zotat krijuan si krijoi Ai dhe atyre u është bërë i ngjashëm (i paqartë) krijimi (e nuk po dinë se cili është krijim i Zotit, e cili i idhujve)? Thuaj : Allahu është krijues i çdo gjëje, Ai është i Vetmi, Ngadhënjyesi” [Rra’d : 16].
Ai ka treguar se është Mbreti dhe Poseduesi i gjithçkaje : “Thuaj : “O Allah, Sundues i çdo gjëje, Ti ja jep pushtetin atij që dëshiron, dhe ia heq atij që dëshiron, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet Ti ke mundësi për çdo gjë!” [Ali Imranë : 26].
Ka lajmëruar se është Furnizuesi i çdo gjallese: “Allahu është Furnizues i madh, Ai është Fuqiploti” [Dharijatë : 58].
Ai ka treguar se Vetë Ai është që posedon dobinë dhe dëmin : “Nëse Allahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush që ta largojë atë veç Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i gjithëfuqishëm për çdo gjë!” [EnAmë : 17].
Madje na lajmëron në Librin e Tij se Ai është që jep jetë dhe vdekje; thotë i Madhëruari : “Si e mohoni Allahun, e dihet se ju ishit të vdekur, e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e më pas tek Ai do të ktheheni” [Bekare : 28].
Dhe se Ai Drejton çështjet e krijesave, ka thënë i Lartësuari: “Vërtetë Zoti juaj është Allahu, i cili krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditëve, e pastaj qëndroi mbi Arsh; Ai rregullon gjendjen. Ndërmjetësues nuk do të ketë vetëm nëse Ai lejon. Ky pra është Allahu Zoti juaj, prandaj adhurojeni Atë. A nuk po merrni mësim?” [Junus : 3].
Madje Allahu na tregon se çdo çështje i takon vetëm Atij, “Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të tokës, çdo çështje i kthehet (në kompetencë) vetëm Atij, pra adhuroje Atë, mbështetu tek ai se Zoti yt nuk është i panjohur për atë që veproni” [Hud : 123].
Vëllezër besimtarë! Kjo gjithësi në të cilën jetojmë është e mbushur me argumente të qarta që tregojnë për çka përmendëm, në mënyrë që njerëzit të mos kenë argument kundër Allahut për mosbesimin e tyre. Allahu i Madhëruar të ka nderuar ty o njeri, Ai të dha ty mendje me të cilën mediton, të dha dëgjimin për të dëgjuar e shikimin për të parë, por, sa keq na vjen kur shikojmë shumë prej njerëzve që bien në gjendjen e bagëtive, madje më poshtë se ato, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur, të tillët janë të pavëmendshmit!” [A’rafë : 179].
Allahu i Madhëruar e urdhëron njeriun që të vëzhgojë qiellin që të njoh se kush e krijoi atë dhe e bëri të qëndrojë pa shtyllë mbështetëse?! Të vëzhgojë tokën mbi të cilën ecën për të njohur Atë që e shtroi dhe e bëri të qëndrueshme! Pra le të vëzhgojë njeriu edhe Diellin dhe Hënën që secili prej tyre ecën drejt një caku të afatizuar! “As dielli nuk mund të arrijë hënën, e as nata nuk e paraprinë ditën, dhe të gjithë notojnë në gjithësi” [Jasin: 40].
Njeriu është urdhëruar që të meditojë në ushqimin e tij me të cilin ushqehet, në mënyrë që të kuptojë se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu i Madhëruar: “Njeriu le të shikojë ushqimin e vet. Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës. Dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra. Edhe rrush e perime. Edhe ullinj e hurma. Edhe kopshte të dendura. Dhe bimë e kullota. Si mjete gjallërimi për ju e për bagëtitë tuaja!” [Abese: 24-32].
Madje le të shikojë edhe në vetvete për të gjetur në të argumente për njësimin e Allahut: “dhe në vetët tuaja, a nuk shikoni?!”. Dhe thotë: “Le të shikojë njeriu se prej çfarë është krijuar. Ai është krijuar prej një uji që hidhet fuqishëm. E që del nga kurrizi i shpinës dhe dërrasa e gjoksit. E s’ka dyshim se Ai ka fuqi ta rikthejë në jetë atë!” [Tarik : 5-8].
Allahu i thërret njerëzit për të medituar për gjithçka i rrethon në mënyrë që të njohin Zotin e tyre, thotë Allahu i Madhëruar: “Vërtetë, zoti juaj, Allahu, është Ai që krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh, Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe dielli, edhe hëna, edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar është , Zoti i botëve” [A’rafë : 54] Dhe thotë: “Vërtetë Zoti juaj është Allahu, i cili krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditëve, e pastaj qëndroi mbi Arsh; Ai rregullon gjendjen. Ndërmjetësues nuk do të ketë vetëm nëse Ai lejon. Ky pra është Allahu Zoti juaj, prandaj adhurojeni Atë. A nuk po merrni mësim?” [Junus: 3].
Nëse një i logjikshëm vështron në çfarëdo krijese do të kuptojë dhe do të bindet se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu. Në çdo gjë ka argument që tregon se Ai është Një!
Por, në këto kohëra të habitshme dëgjojmë qen që lehin e thonë se nuk ka Krijues të kësaj gjithësie e as Furnizues! A nuk e dëgjoni se si ateistët mohojnë ekzistencën e Krijuesit dhe thonë se çdo gjë është krijim i natyrës?! “Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, ata nuk thonë veçse gënjeshtra” [Kehf: 5].
Robër të Allahut!
Mohuesit të cilët e mohuan Zotin duke adhuruar të tjerë përveç Tij, e dinë dhe janë të bindur se Krijuesi është Allahu, Furnizuesi është Allahu, Dhënësi i jetës dhe Marrësi i saj është Allahu! Ai ka thënë: “Dhe nëse i pyet ata: – Kush i krijoi qiejt dhe tokën dhe i nënshtroi diellin dhe hënën? Ata do të thonë: – Allahu! Atëherë, si ktheni shpinën?” [Ankebutë : 61].
Dhe ka thënë: “Edhe nëse i pyet ata se : – Kush ju ka krijuar juve? Ata do të përgjigjen: – Allahu! Atëherë, pse i ktheni shpinën?” [Zuhruf : 87].
Dhe ka thënë: “Thuaj : – Kush ju furnizon juve nga qielli dhe nga toka? Kush e zotëron dëgjimin dhe shikimin? Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli, dhe kush i drejton çështjet? Ata me siguri do të thonë: – Allahu! Thuaj: – Atëherë, a nuk frikësoheni?!” [Junus: 31].
Ata e pranojnë dhe dëshmojnë se Krijuesi është Allahu, madje nuk kemi dëgjuar kurrë në histori se dikush ka pretenduar se ka krijuar qiejt, apo ka krijuar tokën! Allahu na ka lajmëruar për Nemrudin se kur Ibrahimi {paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} i tha se: “Zoti im është që jep jetë dhe vdekje!” atëherë, Nemrudi u përgjigj me injorancën e tij : “edhe unë jap jetë dhe vdekje!”. Atëherë Ibrahimi nuk deshi të polemizonte me të por i tha: “Allahu e sjell diellin nga lindja, sille ti atë nga perëndimi nëse mundesh! {kështu}U shtang ai që kishte mohuar!” [Bekare : 258].
Ndërsa sot, ateistët pretendojnë se nuk ka Krijues, edhe pse ata me natyrën e tyre e dinë se gjithësia ka Krijues. Pra në vetvete e pranojnë por ata mohojnë për shkak të mendjemadhësisë dhe injorancës.
Vëllezër muslimanë!
Bariu i bagëtive në male nëse mediton do ta njoh të vërtetën. Thotë njëri prej tyre: – Plehu në tokë tregon për kafshën, gjurmët tregojnë se dikush ka kaluar, atëherë, qielli plot me yje, toka plot me lugina, detet plot me dallgë, a nuk tregojnë të gjitha këto për të Dijshmin, të Gjithëpushtetshmin?!
Por edhe ateistët kur përballen me vështirësi të pakapërcyeshme, e harrojnë mohimin e tyre dhe i drejtohen Zotit! Kjo histori e njohur, që ndoshta të gjithë e kemi dëgjuar, na tregon për një avion që ishte i mbushur me ateistë e jobesimtarë, që po festonin kthimin e tyre në shtëpi duke sharë fenë e duke pirë alkool. Avioni ishte disa kilometra mbi tokë dhe filloi të lëkundej dhe të vinte rrotull për shkak të një defekti të rrezikshëm! Ishin çaste të vështira, të gjithë u bindën se do të vdisnin! Nuk mund ta ndiejë frikën dhe tmerrin që kalon dikush në këto raste veçse ai që ndodhet aty! As piloti e as pasagjerët nuk mund të bënin diçka! Ishin çastet e fundit, kur, papritur zemrat iu drejtuan Zotit të tyre, papritur e pa menduar gjuhët shqiptuan Emrin e Zotit dhe i kërkuan ndihmë Atij! Secili prej tyre thoshte: – “O Zot”!!! E, pas kësaj, avioni u rregullua dhe ata zbritën shëndoshë e mirë në tokë por, pasi zbritën, i harruan çastet e tmerrit dhe u kthyen përsëri në gjendjen e mëparshme! Pra, u bënë përsëri ateistë dhe e mohuan Zotin! “Qoftë mallkuar, njeriu, sa mohues i fortë është ai!” [Abese : 17].
Kjo ndodhi tregon se si ata e njohën Zotin në çastet e vështira, ashtu siç Allahu përmend në Librin e Tij: “Ai (Allahu) jua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, derisa kur jeni në anije që lundrojnë me udhëtarë me anë të një ere të lehtë dhe janë të lumtur me të (me erën e lehtë), ia beh një erë e fortë dhe nga të gjitha anët rrethohen nga valët dhe binden se janë të shkatërruar, e lusin Allahun pa përzier aspak idhujt në këtë lutje (duke thënë) : nëse na shpëton nga kjo (katastrofë) ne do të jemi gjithnjë falënderues…… “ [Junus : 22-] pra, pasi i shpëtoi, ata përsëri bënë shirk, dhe kjo është gjendja e njeriut kur zemra e tij nuk është e mbushur me akide (besim).
Kuptuam se jobesimtarët e pranojnë këtë lloj teuhidi, pra, teuhidin rrububije, ashtu siç e dëgjuat më lartë: “Dhe nëse i pyet ata : – Kush i krijoi qiejt dhe tokën? Ata do të thonë: – Allahu” por, nëse ata vdesin duke besuar vetëm këtë pjesë të teuhidit (njësimit) dhe duke mos e adhuruar Allahun, ata nuk do ta ndiejnë erën e Xhenetit e as do të hyjnë në të, madje do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit. Allahu i Madhëruar thotë : “Dhe shumica e tyre nuk besojnë në Allahun veçse duke i bërë atij ortak (në adhurim)” [Jusuf : 106].
Besimi i tyre është kur thonë se Krijuesi është Allahu, dhe Furnizuesi është Allahu …… ndërsa shirku që bëjnë është se ata adhurojnë zota të tjerë! Pra, ata besuan dhe bënë shirk, njohën Krijuesin dhe Furnizuesin, por adhuruan të tjerë përveç Tij!
Vëllezër muslimanë!
Dikush mund të pyesë dhe të thotë: – Muslimanët anembanë botës theren, vriten e burgosen, ndërsa ne vazhdojmë të merremi me akiden?! Themi: – Po, do merremi me akiden dhe do flasim për të sepse ajo zë vendin e parë! Pse? Sepse me këtë akide do të arrijmë të jemi krenarë dhe të bashkojmë zemrat! Ndërsa Allahu i Madhëruar ka premtuar, dhe premtimi i Tij është i padyshimtë, se: “Allahu u ka premtuar atyre që besuan prej jush dhe që punuan vepra të mira, se do ti bëjë ata zotërues të tokës, ashtu siç bëri ata që ishin para tyre, dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua dhe nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë njerëzit e prishur” [Nur: 55]. Këta njerëz janë ata që mbartin akide të saktë!
A ka mes muslimanëve individë që bëjnë shirk në këtë lloj të teuhidit? A ka mes nesh njerëz që besojnë se Krijuesi është Allahu, Furnizuesi është Allahu ..etj, pastaj ti bëjë ortak Atij në këtë pikë?! Atëherë le të mendojmë dhe mos të habitemi, sepse ndoshta ka të tillë mes nesh, por dera e pendimit është e hapur plotësisht për ata që pendohen!
A nuk ka prej muslimanëve që therin kurban për Allahun, por me gjakun e kurbanit ata lyejnë themelet e shtëpive, makinat etj duke menduar se ky gjak do ti ruajë ato nga syri i keq, nga hasedi dhe nga përplasjet?! Besim i prishur dhe shirk! Kur e pyet këtë person : “kush është Ai që bën dobi dhe dëm?! Thotë: – Zoti! Atëherë, a beson se ky gjak, apo ky veprim ndalon syrin e keq? Pra, akidja duhet së pari!
Shikon tek shumë prej atyre që thonë se janë muslimanë, dikush var një hudhër në makinën e tij. Dikush tjetër var një këpucë apo një patkua! A i keni parë këto gjëra apo jo? Besim i shtrembër. Kur i pyet se kush ka mundësi të të bëjë dëm apo dobi? Thotë: – Allahu! Atëherë pse kjo hudhër apo ky patkua? Dhe më e habitshmja është se ka prej tyre që mbartin edhe tituj shkencorë dhe respektohen në mesin e njerëzve si njerëz të mëdhenj, por kur shikon në shtëpitë apo makinat e tyre gjen këto sende qesharake! Por mos u habisni, sepse popujt e tjerë mund të kenë përparuar më shumë në shkencë, por i gjen ata adhurues të gjërave të ndryshme! A nuk janë indianët të përparuar në shkencë, por në çështjen e besimit ata adhurojnë lopët?! A nuk janë krishterët dhe jehudët shkencëtarë në çështje të dynjasë, por besojnë se Isai i biri i Merjemes dhe Uzejri janë bijtë e Allahut?! Besim i shtrembër dhe shirk në rrububije! Por më e keqja është se ka prej muslimanëve në vendet islame individë që bëjnë tauaf rreth varreve të njerëzve të mirë, ashtu siç bëhet tauaf në Qabe, madje u luten atyre dhe kërkojnë prej tyre siç kërkohet prej Allahut! Madje ka prej tyre që thonë: “Kur të jesh në vështirësi drejtoju njerëzve të mirë në varre (teqeve, vendeve të mira, etj)” sa gjë e keqe! Ne jemi të Allahut e tek Ai do të kthehemi!
Profeti ynë {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} i drejtohet Ibnu Abasit {Allahu qoftë i kënaqur me të}dhe i thotë: “Kur të lutesh, lutju Allahut, edhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoi Allahut …” [Sahihul Xham’i : 7957].
Vëllezër muslimanë!
Ka edhe muslimanë që u frikësohen xhinëve! Argument për këtë është se ata besojnë se Ai që bën dëm dhe dobi është vetëm Allahu, por çuditërisht këta njerëz kur ndërtojnë ndonjë shtëpi të re, therin ndonjë kurban tek themelet e saj apo mbi tarracën e saj në mënyrë që këto pjesë të shtëpisë të preken nga gjaku i kurbanit, me besimin se kjo gjë do e ruajë shtëpinë nga xhinët! Por ky besim është i keq, ashtu edhe e therura është haram dhe nuk lejohet të hahet prej saj. Madje ai që e vepron këtë ka bërë shirk në teuhidin rrububije. Ndërsa, nëse dikush ndërton një shtëpi të re, nuk ka problem të therë diçka dhe ta shpërndajë mishin e saj tek të varfrit, sepse ajo që ka bërë është mirësi prej Allahut dhe duhet ta falënderojë Atë për këtë mirësi.
Ka njerëz që frikësohen edhe nga magjistarët, madje më shumë sesa frikësohen nga Allahu dhe mendojnë se magjistari ka mundësi të bëjë dëm e dobi. Por jo për Zotin, edhe sikur të mblidhen njerëzit dhe xhinët për të të bërë ndonjë dobi, nuk do të bëjnë veçse atë që të ka caktuar Allahu, madje edhe nëse ata të gjithë mblidhen për të të dëmtuar, nuk do të dëmtojnë veçse nëse Allahu ka caktuar diçka kundrejt teje, sepse lapsat që shkruajnë Caktimin e Allahut nuk shkruajnë më dhe fletëve mbi të cilat është shkruar Caktimi tashmë u është tharë boja!
Shikojmë gra që vrapojnë për tek magjistaret kur mendojnë se bashkëshorti i tyre nuk i do! Mendojnë se duke i bërë atij ndonjë magji ai do ta dojë më shumë! Akide e prishur!
Shikojmë çifte njerëzish që nuk lindin fëmijë, që vrapojnë për tek magjistarët duke besuar se magjistari do tua largojë këtë fatkeqësi. Besim i kotë! A nuk e lexoni Kuranin?! Zoti ynë thotë në Kuran: “E Allahut është mbretëria e qiejve dhe e tokës, krijon çfarë të dëshirojë. Ai kujt të dëshirojë i dhuron {fëmijë} femra, dhe kujt të dëshirojë i dhuron meshkuj! Apo i përzien ata meshkuj e femra, madje kë të dëshirojë e lë pa fëmijë. Ai është i Gjithëdijshëm, i Plotfuqishëm” [Shura : 49-50]. I Gjithëdijshëm për gjendjen e robërve të Tij, i Plotfuqishëm për ti dhënë dikujt e për të privuar dikë tjetër. Por, sikur të besonim se të gjitha çështjet janë në Dorën e Allahut, nuk do ti vepronim këto ndalesa!
Pra, ky shirk në rrububije ndodh në mesin e muslimanëve, prandaj është detyrë për këdo që vepron diçka prej këtyre veprimeve të ndaluara që të pendohet tek Allahu, e të kthehet para se të mos ketë më mundësi.
Vëllezër muslimanë! Akidja duhet së pari!
O Allah, na bëj ta shikojmë të vërtetën siç është dhe na bëj rrizk pasimin e saj, e na mundëso ta shikojmë të kotën siç është dhe na bëj rrizk largimin prej saj!
Marrë nga libri me hutbe i shejhut të nderuar
Salih bin Taha Abdul Uahid ( Ebu Islam)
Nxënës i shejh Albanit Allahu e mëshiroftë.
“El Akidetu Euelen” 1/76-83
Përktheu:
Mirandi Shehaj
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve