Besimi në Ditën e Fundit

Njerëzit në këtë dynja klasifikohen në vepër-mirë dhe vepër-keq. Ata vdesin dhe ndodh që ndonjëri prej tyre nuk e merr shpërblimin e punës së vet. Prandaj patjetër duhet vendbanimi tjetër (Bota Tjetër) ku do të gjykohet me drejtësi ndërmjet njerëzve dhe secili prej tyre do të marrë shpërblimin e veprës së vet.

Besimi në Ditën e Fundit është një prej shtyllave të besimit, siç tregon për këtë Kurani në shumë ajete. Herë përmend besimin në të dhe herë e përmend në mesin e gjashtë shtyllave të besimit, të cilat janë: besimi në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij dhe në Ditën e Fundit. Siç gjendet në hadithin e Umerit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – në pyetjet që Xhibrili – paqja qoftë mbi të – ia drejtoi Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

I Madhëruari thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا لَا تُبْطِلُوا صَدَقَاتِكُمْ بِالْمَنِّ وَالْأَذَى كَالَّذِي يُنْفِقُ مَالَهُ رِئَاءَ النَّاسِ وَلَا يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآَخِرِ

O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim, siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson Allahun dhe as Botën Tjetër.” (El Bekare: 264)

Allahu e ka quajtur këtë Ditë me disa emra për shkak të rëndësisë së madhe të saj, si paralajmërim për njerëzit, që të frikësohen prej saj. Ai e ka quajtur atë: “El Jeumul Ahir” (Dita e Fundit) ngase ajo është pas dynjasë dhe pas saj nuk ka ditë tjetër.  E ka quajtur: “Jeumul Kijjameh” (Dita e Kiametit) ngase në këtë Ditë njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të tyre. E ka quajtur: “El Uakia” (Ndodhia),  “El Hakkah” (E vërteta, Momenti i katastrofës së përgjithshme), “El Kariah” (Krisma e Kiametit),  “Er Raxhifeh” (Dridhja),  “Es Sakhatu” (Ushtima),  “El Azifeh” (Dita e afërt),  “El Fezeul Ekber” (Frika e madhe),  “Jeumul Hisab”  (Dita e llogarisë),  “Jeumud Din” (Dita e gjykimit),  “El Ua’dul hakk” (Premtimi i vërtetë) etj.

Të gjithë këta emra tregojnë për madhështinë e kësaj Dite, për tmerrin e madh të saj dhe se çfarë do të përjetojnë njerëzit në këtë Ditë prej vështirësive dhe tmerreve. Ajo është Dita në të cilën do të shtangen shikimet dhe zemrat do të dalin/lëvizin prej vendit të tyre derisa të arrijnë në fyt: “Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë secilin njeri e preokupon çështja e vet.” (Abese: 34-37)

Dita kur qielli të bëhet si kallaji i shkrirë. Kodrat të bëhen si leshi i shprishur.Dhe asnjë mik nuk pyet për mikun. Edhe pse ata shihen ndërmjet veti (edhe njihen, por ikin prej njëri-tjetrit). Krimineli  dëshiron sikur ta kishte shpaguar dënimin e asaj dite me bijtë e vet, apo me gruan e vet dhe me vëllanë e vet, me të afërmit e vet (farefisi) tek të cilët mbështetej, dhe me krejt çka ka në tokë, vetëm të kishte shpëtuar!” El (Mearixh: 8-14)

Besimi në këtë Ditë e shtyn njeriun për punë të mira dhe të përgatitet për të. Siç ka thënë i Madhëruari: “E kush  shpreson takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të mira dhe në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd.” (El Kehf: 110)

I Madhëruari thotë:

وَاسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ وَإِنَّهَا لَكَبِيرَةٌ إِلَّا عَلَى الْخَاشِعِينَ (45) الَّذِينَ يَظُنُّونَ أَنَّهُمْ مُلَاقُو رَبِّهِمْ وَأَنَّهُمْ إِلَيْهِ رَاجِعُونَ

Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz. Vërtet, ajo është e madhe (e vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin). Të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e vet dhe se ata do t’i kthehen Atij.” (El Bekare: 45-46)

I Madhëruari thotë:

يُوفُونَ بِالنَّذْرِ وَيَخَافُونَ يَوْمًا كَانَ شَرُّهُ مُسْتَطِيرًا (7) وَيُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَى حُبِّهِ مِسْكِينًا وَيَتِيمًا وَأَسِيرًا (8) إِنَّمَا نُطْعِمُكُمْ لِوَجْهِ اللَّهِ لَا نُرِيدُ مِنْكُمْ جَزَاءً وَلَا شُكُورًا (9) إِنَّا نَخَافُ مِنْ رَبِّنَا يَوْمًا عَبُوسًا قَمْطَرِيرًا (10) فَوَقَاهُمُ اللَّهُ شَرَّ ذَلِكَ الْيَوْمِ وَلَقَّاهُمْ نَضْرَةً وَسُرُورًا (11)

Ata janë që i zbatojnë premtimet e tyre dhe i frikësohen një dite, dëmi i së cilës ka përmasa të mëdha. Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. (U thonë) : ‘Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut. Nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një Ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë.’ Dhe Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh.” (El Insan: 7-11)

Po ashtu besimi në këtë Ditë të bën të qëndrueshëm në takimin me armikun dhe të duruar gjatë fatkeqësive. Siç thotë i Madhëruari në historinë e Talutit dhe ushtrisë së tij, kur u përballën me armikun e tyre, i cili ishte më i madh në numër, pasi kaluan lumin e sprovës ku nuk shpëtuan prej tyre (pa pirë prej tij) vetëm se një pakicë. I Madhëruari thotë:

فَلَمَّا جَاوَزَهُ هُوَ وَالَّذِينَ آَمَنُوا مَعَهُ قَالُوا لَا طَاقَةَ لَنَا الْيَوْمَ بِجَالُوتَ وَجُنُودِهِ قَالَ الَّذِينَ يَظُنُّونَ أَنَّهُمْ مُلَاقُو اللَّهِ كَمْ مِنْ فِئَةٍ قَلِيلَةٍ غَلَبَتْ فِئَةً كَثِيرَةً بِإِذْنِ اللَّهِ وَاللَّهُ مَعَ الصَّابِرِينَ

E kur ai (Taluti) e kaloi atë së bashku me ata që ishin besimtarë, thanë: ‘Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij’ Por ata që ishin të bindur se do ta takonin Allahun thanë: ‘Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e Allahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha?!’ Me të vërtetë, Allahu është me durimtarët.” (El Bekare: 249)

Shkëputur nga libri “El Irshad ila sahihi el itikad” (Udhëzuesi për në besimin e saktë)

Shejhu i nderuar Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!)

Përktheu: Unejs Sheme.