Ehlu suneti nuk ka asnjë dyshim në besimin e ditës së gjykimit dhe asaj çka ndodh në atë ditë, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “… dhe që besojnë me bindje në botën e përtejme.” |Bekare: 4| Gjithashtu ka thënë: “Askush nuk ka të drejtë, nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Atij. Padyshim që Ai do t’ju mbledhë të gjithëve bashkë në ditën e ringjalljes, për të cilën nuk ka pikë dyshimi. Dhe kush mund të jetë më i vërtetë në fjalë se Allahu?” |Nisa: 87| Gjithashtu ka thënë: “Ora e fundit sigurisht që po vjen. Kështu që (O Muhammed) lëri mënjanë me falje e me ndjesë butësie e mëshire (e mos i ndëshko) gabimet e tyre.” |Hixhr: 85|
Në besimin në ditën e gjykimit hyn besimi në ringjalljen. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Do t’i fryhet Surit dhe gjithkush që është në qiej dhe në tokë do të shuhen, përveç atij që do Allahu. Pastaj do t’i fryhet për herë të dytë dhe ja, kur t’i shohësh ata të gjithë të ngritur shikojnë (e presin).” |Zumer: 68| Gjithashtu ka thënë: “… ashtu siç e filluam krijimin e parë Ne do ta përsërisim atë, një premtim që ia kemi detyruar Vetes. Padyshim që Ne do ta bëjmë (rikrijimin) e do ta përmbushim (detyrimin ndaj Vetes).” |Enbija: 104|
Gjithashtu, përfshin besimin në librat e veprave që jepen ose nga e djathta ose prapa shpine ose nga e majta. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Sa për atë të cilit do t’i jepet libri i veprave nga e djathta e tij, do të thotë: ‘Ja! Merreni dhe lexojeni librin tim! Me të vërtetë që besova se do ta takoj llogarinë time!’ Kështu ai do të jetë në jetë të kënaqësisë, në Xhenetin e lartë në të cilin frutat janë në degët e ulura dhe në duar. Hani dhe pini në qetësi për atë që punuat para jush në ditët e shkuara! Por sa për atë të cilit do t’i jepet libri i tij nga e majta, do të thotë: ‘Sa do doja të mos më ishte dhënë libri im dhe se asnjëherë nuk e kam ditur si ka qenë llogaria ime! Ah! Veç të kishte qenë fundi im (vdekja)! Pasuria s’më bëri aspak dobi, fuqia dhe arsyetimet më kanë ikur!’ (Do të thuhet): Kapeni atë dhe lidheni në pranga, pastaj hidheni në zjarrin flakërues. Pastaj lidheni atë me zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë.
Vërtet që ai nuk besoi në Allahun, më Madhështorin, nuk dha e nuk këshilloi për të ushqyer të varfrit. Kështu që asnjë shok nuk ka këtë ditë, as edhe ndonjë ushqim veç pisllëkun nga larja e plagëve. Askush nuk do ta hajë atë veç keqbërësve.” |Hakkah: 19-37|
Besimi në ditën e gjykimit përfshin besimin në peshoret të cilat vendosen në atë ditë. Atë ditë nuk i bëhet padrejtësi askujt. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Pastaj ata peshoja (e punëve të mira) e të cilëve është e rëndë, mu këta janë të fituarit. Ndërsa ata peshoja (e punëve të mira) e të cilëve është e lehtë, mu këta janë që humbin veten e tyre (dhe) në Xhehenem do të banojnë.” |Muminun: 102-103|
Gjithashtu përfshin besimin në ndërmjetësimin në atë situatë. Ndërmjetësimi është disa llojesh:
1- Ndërmjetësimi i madh:
Ai është i veçantë për pejgamberin, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kjo do të ndodhë kur të ndërmjetësohet për ata që e përjetojnë atë situatë në mënyrë që të gjykohet në mesin e tyre.
2- Ndërmjetësimi në kërkimin e hapjes së derës së xhenetit për banorët e tij. Ky ndërmjetësim është i veçantë për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
3- Ndërmjetësimi për lehtësimin e dënimit për atë që e meriton. Ky ndërmjetësim është i veçantë për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem atëherë kur të ndërmjetësojë për xhaxhain e tij Ebu Talibin, për t’iu lehtësuar dënimi në zjarrin e xhehenemit. Ky është shpërblimi i atij që e mbron atë (Muhamedi) dhe zemërohet për të (autori ka për qëllim mosbesimtarët në këtë kontekst).
4- Ndërmjetësimi për ngritjen e gradëve të disa banorëve të Xhenetit. Thuhet se kjo është e veçantë për Muhamedin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe gjithashtu thuhet se nuk është e veçantë për të.
5- Ndërmjetësimi për ata që kanë vepruar gjynahe të mëdha (dhe nuk janë penduar prej tyre):
Ata janë gjynahqarët prej njësuesve të Allahut (ata që nuk kanë adhuruar kënd tjetër përveç Allahut) të cilët kanë hyrë në zjarr si pasojë e mëkateve të tyre. Ndërmjetësohet për ta për të dalë nga zjarri. Në këtë ndërmjetësim marrin pjesë; i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të dërguar të tjerë, engjëjt, njerëzit e devotshëm dhe dëshmorët.
Kurani dhe agjërimi do ndërmjetësojnë në ditën e gjykimit për të zotët e tyre (Kurani për lexuesin e tij dhe agjërimi për agjëruesin – sh.p.). Gjithashtu fëmijët e besimtarëve do të ndërmjetësojnë për baballarët e tyre.
Besimi në ditën e gjykimit përfshin gjithashtu besimin në burimin e pejgamberit tonë, Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti, aroma e tij është më e mirë se misku (një nga llojet më të mira të parfumeve). Ai që pi nga ai burim nuk ka etje kurrë më pas.
Ai përfshin besimin në urën e cila vendoset mbi shpinën e xhehenemit (ura e Siratit). Njerëzit kalojnë mbi të sipas veprave të tyre. I pari prej tyre do ta kalojë atë si vetëtima, pastaj do ta kalojnë si shpejtësia e erës, pastaj si shpejtësia e zogut. Ndërkohë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem qëndron mbi urën e Siratit duke thënë: “O Zot! Shpëto, shpëto (robërit e Tu)!” Do vazhdojë kështu derisa të mos mundet njeriu të eci mbi të përveçse duke u zvarritur si pasojë e pamundësisë së veprave të tyre (nuk kanë vepra të mira të mjaftueshme për ta kaluar). Në dy anët e urës ka çengelë të varur që janë aty të kapin ata që janë urdhëruar të kapin. Ka prej atyre që do çahet nga këta çengelë e do shpëtojë, dhe ka prej atyre që do të hidhen në zjarr. Ne i besojmë të gjitha lajmet dhe vështirësitë që na kanë ardhur në Kuran dhe sunet për atë ditë. Allahu na ruajtë prej tyre!
Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.
Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve