Besimi në librat e Allahut

February 14, 2023

Me të vërtetë që Allahu i Madhëruar i ka zbritur libër çdo të dërguari. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Ne me të vërtetë që kemi sjellë të dërguarit Tanë me tregues e prova të qarta dhe shpallëm me ta shkrimet dhe peshoren (drejtësinë), me qëllim që njerëzimi të mbajë drejtësinë.” |Surja Hadid: 25|

Gjithashtu ka thënë: “Njerëzimi ishte një bashkësi dhe Allahu dërgoi Pejgamberë përgëzues dhe këshillues, dhe bashkë me ta zbriti shkrime (librin) me të vërtetën për të gjykuar mes njerëzve në çështjet e tyre për të cilat ata kishin mendime të ndryshme. Dhe vetëm ata të cilëve u erdhën shkrimet ndryshuan mes tyre me urrejtje mes njëri-tjetrit, pasi u kishin ardhur provat e qarta. Pastaj Allahu me vullnetin dhe autoritetin e Tij i udhëhoqi ata të cilët besuan në të vërtetën të cilën ata e kishin ndryshuar. Dhe Allahu udhëzon atë të cilin Ai do në rrugën e drejtë.” |Surja Bekare: 213|

Ne i besojmë këta libra dhe e dimë se ata janë prej Allahut, duke zbatuar fjalën e Tij: “Ju (muslimanë) thoni: Ne besojmë Allahun dhe atë që na është dërguar, dhe në atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe El-Esbat (dymbëdhjetë bijve të tij). Edhe në atë që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe në çfarë u është dhënë të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre dhe vetëm Atij (Zotit që ata adhuronin) ne i jemi nënshtruar si muslimanë në Islam.” |Surja Bekare: 136|

Gjithashtu ka thënë: “O ju që keni besuar! Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Muhamedin), dhe librin (Kuranin) të cilin Ai ia ka zbritur të dërguarit të Tij, dhe librat e parë të cilët ua zbriti atyre para tij. Dhe kushdo që mohon Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe ditën e fundit, atëherë ai vërtet e ka humbur rrugën tepër larg.” |Surja Nisa,: 136|

“Thuaj: Unë besoj në gjithë ç’ka zbritur Allahu nga libri (hyjnor, gjithë librat e shenjtë; Kurani dhe para tij Teurati, Inxhili, fletët e Ibrahimit e çfarë Ai ka dërguar dhe ashtu siç i ka dërguar).” |Surja Shura: 15|

“Elif, lam, mim. Ky është libri (Kurani) mbi të cilin nuk ka asnjë dyshim, udhëheqje për el-mutekun (që janë njerëz të përkushtuar dhe besimtarë të drejtë të cilët i frikësohen Allahut). Të cilët besojnë në gajb (të fshehtën dhe të panjohurën), kryejnë faljen dhe shpenzojnë nga gjithçka me të cilat Ne i kemi furnizuar. Dhe të cilët besojnë në atë (Kuran dhe sunet) që të është zbritur ty (Muhamed) dhe në çfarë janë zbritur para teje (librat e parë si Teurati, Inxhili etj.). Si dhe besojnë me bindje në botën e përtejme (ringjalljen, shpërblimin për veprat e mira e të këqija, Xhenetin dhe Xhehenemin).” |Surja Bekare: 1-4|

Ne besojmë se këta libra janë fjalë e Allahut të Madhëruar dhe se nuk janë fjala e dikujt tjetër. Besojmë se Allahu ka folur me të vërtetë me këta libra, ashtu si ka dashur dhe në atë formë që ka dëshiruar.

Prej atyre formave është mënyra se si e ka dëgjuar Musai prapa perdes pa ndonjë ndërmjetës. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe kur erdhi Musai në kohën dhe vendin e përcaktuar prej Nesh, dhe atij i foli Zoti i tij.” |Surja A’raf: 143|

Gjithashtu ka thënë: “(Allahu i) Tha: O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi gjithë njerëzit me mesazhet e Mia dhe me të folurit Tim (me ty).” |Surja A’raf: 144|

Gjithashtu prej atyre formave është kur Allahu ia thotë engjëllit të dërguarit dhe e urdhëron që t’ia përcjellë njeriut të dërguar. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Nuk i është dhënë ndonjë qënieje njerëzore që Allahu t’i flasë atij përveçse (të jetë) me frymëzim, ose pas hixhabit (perde, pengesë), ose të sjellë të dërguar që të shpallë me lejen dhe vullnetin e Tij çfarë Ai do. Vërtet që Ai është më i Larti, më i Urti Gjithëgjykues.” |Surja Shura: 51|

Besimi në librat përfshin gjithashtu besimin e të gjitha legjislacioneve që ndodhen në to, dhe se popujve që u janë zbritur këta libra e kanë pasur të detyrueshëm zbatimin dhe gjykimin me ato ligje.

Ai përfshin besimin se këta libra vërtetojnë dhe nuk e përgënjeshtrojnë njëri- tjetrin.

Ai përfshin besimin se librat e parë shfuqizonin njëri- tjetrin ashtu siç janë shfuqizuar disa legjislacione të Teuratit (libri që i është zbritur Daudit alejhi selam) dhe Inxhilit  (libri që i është zbritur Isait alejhi selam). Ka thënë Allahu i Madhëruar për Isain alejhi-selam: “Dhe unë kam ardhur të përforcoj atë që ka qenë para meje nga Teurati, të bëj të ligjshme për ju disa nga ato që kanë qenë të ndaluara.” |Surja Ali Imran: 50|

Ashtu edhe Kurani ka shfuqizuar librat qiellorë para tij. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) librin (Kuranin) me të vërtetën, duke vërtetuar librat e parë që patën ardhur para tij dhe muhejminun (i besueshëm në shkallën më të lartë dhe dëshmues) për ta (librat e parë).” |Surja Maide: 48|

Gjithashtu ka thënë: “Por ai (Kurani) nuk është veçse përkujtues për gjithë alemin (për njerëzit, xhindët, gjithësinë, për gjithë ç’është).” |Surja Kalem: 52|

Besimi në librat duhet të jetë i përgjithshëm aty ku është përgjithësuar (ka për qëllim besimin e librave në përgjithësi), dhe në mënyrë të hollësishme aty ku është sqaruar (ka për qëllim besimin e librave për të cilët jemi lajmëruar).

Allahu i Madhëruar na ka treguar emrat e disa librave. Prej tyre është Teurati që iu zbrit Musait, Inxhili që iu zbrit Isait, Zeburi që iu zbrit Daudit dhe Kurani që iu zbrit Muhamedit. Allahu ka përmendur edhe fletushkat që iu zbritën Ibrahimit dhe Musait, alejhimus-salatu ues-selam.

Pra, i besojmë këta libra në mënyrë të hollësishme.

Allahu i Madhëruar ka përmendur libra të shumtë në mënyrë të përgjithshme pa i përmendur emrat e tyre, dhe ne i besojmë të gjithë ata. Ka thënë Allahu i Madhëruar:

“Thuaj: Unë besoj në gjithë ç’ka zbritur Allahu nga libri (hyjnor, gjithë librat e shenjtë; Kurani dhe para tij Teurati, Inxhili, fletët e Ibrahimit e çfarë Ai ka dërguar dhe ashtu siç i ka dërguar).” |Surja Shura: 15|

Libri i fundit qiellor është Kurani të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit, sal-lAllah alejhi ue sel-lem. Nuk ka libër tjetër pas tij. Ai është shfuqizues i të gjithë librave të mëparshëm dhe është i zbritur për njerëzit dhe xhindët. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Por ai (Kurani) nuk është veçse përkujtues për gjithë alemin (për njerëzit, xhindët, gjithësinë, për gjithë ç’është).” |Surja Kalem: 52|

Ai përfshin çdo gjë për të cilën kanë nevojë njerëzit për fenë dhe jetën e kësaj bote. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe. Por sa për atë i cili shtrëngohet nga uria e madhe pa qëllim për të bërë gjynah (të tillët mund të hanë nga ato që u përmendën më lart), atëherë Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” |Surja Maide: 3|

Askush nuk mund të vijë me një libër të ngjashëm me të. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: Nëse njerëzimi dhe xhindët do të mblidheshin të gjithë bashkë për të nxjerrë ngjasimin e këtij Kurani, ata nuk do ta bënin dot përngjasimin e tij edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.” |Surja Isra: 88|

Gjithashtu ka thënë: “Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” |Surja Fusilet: 42|

Ai është i ruajtur nga shtesa dhe mangësia. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne me siguri do ta ruajmë atë.” |Surja Hixhr: 9|

Loading...