Besimi në të dërguarit e Allahut

February 17, 2023

Ai është besimi i prerë se Allahu ka dërguar në çdo popull të dërguar i cili u bënte thirrje të adhuronin Allahun, të Vetëm e të Pashok, dhe të mohonin çdo gjë e cila adhurohet përveç Tij. Ai përfshin besimin se të gjithë ata janë së sinqertë, pohues (të shpalljes së Allahut), të virtytshëm, të urtë (në mendje), të nderuar, të ndershëm, të devotshëm, të besueshëm, të udhëzuar, udhëzues, dhe se ata kanë transmetuar të gjitha shpalljet e Allahut.

Besimi në të dërguarit përfshin besimin se Allahu mori për të dashur Ibrahimin dhe Muhamedin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem; se i ka folur Musait realisht; se e ka ngritur Idrisin në një pozitë të lartë; se Isai është robi dhe i dërguari Tij dhe se ai është fjala e Tij që e ka hedhur mbi Merjemen dhe shpirt prej Tij.

Ai përfshin besimin se Allahu i ka ngritur në grada disa të dërguar mbi disa të tjerë dhe se Muhamedi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është zotëriu i njerëzimit në ditën e gjykimit pa treguar krenari.

Ai përfshin besimin se thirrja e tyre prej të parit e deri tek i fundit përputhet në bazën e fesë, e ajo është njësimi i Allahut në Uluhijeh, Rububijeh dhe emrat dhe cilësitë e Tij.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Padyshim se feja (e vërtetë dhe e pranuar) tek Allahu është Islami.” |Ali Imran: 9|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe kushdo që kërkon fe tjetër përveç Islamit ajo kurrë nuk do t’i pranohet, dhe në botën e pastajme do të jetë prej të humburve.” |Ali Imran: 85|

Allahu i Madhëruar ka përcjellë fjalën e Nuhut, alejhis-selam, duke thënë: “Unë jam urdhëruar të jem prej muslimanëve (prej atyre që i nënshtrohen vullnetit të Allahut).” |Junus: 72|

Gjithashtu, ka treguar fjalën e Musait, alejhi selam: “Dhe Musai tha: O populli im! Në qoftë se ju keni besuar në Allahun, atëherë i vini shpresat tek Ai, nëse jeni muslimanë (ata që i nënshtrohen vullnetit të Allahut).” |Junus: 84|

Gjithashtu, na ka njoftuar për Sulejmanin se çfarë i tha Belkisa: “Ajo tha: Zoti im! Me të vërtetë që e paskam dëmtuar veten, dhe tani bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut, Zotit të botëve.” |Neml: 44|

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ai ka urdhëruar për ju atë fe të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed), dhe që e pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përcani në të! Por për idhujtarët është e rëndë ajo në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për Veten e Tij atë që do dhe udhëzon drejt Tij atë që i kthehet me pendim dhe nënshtrim.” |Shura: 13|

Numri i të dërguarve është 315, ndërsa i pejgamberëve 124.000. Kjo është transmetuar në rrugë të saktë në hadithe prej të Dërguarit të Allahut, salAllah alejhi ue selem, nga hadithi i Ebu Umames dhe hadithit të Ebu Dherrit (shiko librin “Zinxhiri i haditheve të sakta” të dijetarit të madh Muhamed Nasirudin el Albani 6/358, nr. 2668.

Ndryshimi mes të dërguarit (resul) dhe pejgamberit (nebij) është se pejgamberi është ai që i shpall Allahu dhe ai e përcjell atë shpallje. Ai quhet i dërguar nëse dërgohet tek një popull që kundërshtojnë urdhrin e Allahut, me qëllim që të përcjellë mesazhin e Tij (Allahut). Pejgamber është ai që punon me legjislacionin e atij që është dërguar para tij dhe nuk dërgohet te dikush për t’i përcjellë mesazhin. Ai nuk është i dërguar (shiko librin “Profecitë” te Shejhul Islamit, fq. 255).

Ka thënë Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë: “Pejgamber (nebij) është ai që i flitet dhe i shpallet dhe nuk dërgohet.”

Duke u bazuar në fjalën e tij dalim në përfundimin se; çdo i dërguar është pejgamber dhe jo çdo pejgamber është i dërguar.

Allahu i Madhëruar na ka përmendur disa prej tyre, si: Ademin, Nuhun, Idrisin, Hudin, Salihun, Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin, Jusufin, Lutin, Shuajbin, Junusin, Musain, Harunin, Iljasin, Zekerijën, Jahjën, Eljesein, Dhulkiflin, Daudin, Sulejmanin, Ejubin, dymbëdhjetë bijtë e Jakubit pa emra, Isain dhe Muhamedin, salAllahu alejhim ue seleme exhmeijn.

Allahu i Madhëruar nga ka njoftuar aq sa na mjafton nga lajmet dhe tregimet e tyre si mësim dhe këshillë. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ka të dërguar që Ne t’i kemi përmendur më parë, ka edhe të dërguar që nuk t’i kemi përmendur,- dhe Musait Allahu i foli drejtpërdrejtë me fjalë.” |Nisa: 164|

I besojmë të gjithë. Ata që janë përmendur i besojmë me hollësi, ndërsa ata që janë përmendur në përgjithësi i besojmë në mënyrë të përgjithshme.

Gjithashtu, besojmë se gjithë të dërguarit janë njerëz të krijuar e nuk meritojnë asnjë nga cilësitë e rububijes (cilësitë e Zotit – Krijuesit). Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (o Muhamed): Unë jam vetëm një njeri si edhe ju, (por) mua më është frymëzuar e më është shpallur se i adhuruari juaj është Një i Adhuruar i Vetëm, Allahu. Kështu pra, kushdo që shpreson për takimin me Zotin e tij le të punojë mirësi e drejtësi dhe të mos i shoqërojë askënd për shok në adhurim Zotit të tij.” |Kehf: 110|

“Të Dërguarit u thanë atyre: Ne nuk jemi veçse qënie njerëzore si edhe ju, por Allahu dhuron mëshirën e Tij mbi atë që do nga robërit e Tij. Nuk është për ne që t’ju sjellim ndonjë fuqi bindëse ose provë të qartë, por veçse me lejen dhe vullnetin e Allahut dhe tek Allahu le të mbështeten e t’i varin shpresat besimtarët.” |Ibrahim: 11|

“Dhe Ne asnjëherë nuk çuam para teje (o Muhamed) ndonjë të dërguar, veçse edhe ata të hanin ushqime dhe të shëtisnin në tregje. Dhe Ne i kemi bërë disa prej jush sprovë për të tjerët. A do të keni durim? Zoti yt i sheh të gjitha.” |Furkan: 20|

“Thuaj (o Muhamed): Unë nuk ju them se kam thesaret e Allahut, as që e di gajbin (të fshehtën, të panjohurën); nuk ju them as edhe se jam melek. Unë vetëm ndjek çfarë më shpallet me frymëzim hyjnor. Thuaju: A janë njësoj si i verbëri si ai që sheh? Atëherë, a nuk do të kuptoni pra?” |Enam: 50|

“Thuaj (o Muhamed): “Unë nuk kam asnjë fuqi përfitimi ose dëmtimi për veten time,  por vetëm si  të dojë Allahu. Po të kisha dijen e gajbit (të së fshehtës) do të kisha shumëfishuar e shtuar për veten time begatitë dhe asnjë e keqe nuk do të më prekte. Unë jam vetëm një këshillues dhe përgëzues për popullin që beson.” |A’raf: 188|

Ne besojmë se ata janë robër prej robërve të Allahut dhe Allahu i ka nderuar me mesazhin e Tij. Ai i ka cilësuar me të qënurit robër të Tij në pozitat më të larta dhe atëherë kur i ka lavdëruar.

Gjithashtu, besojmë se Allahu i Madhëruar i ka përfunduar shpalljet me shpalljen e Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai e ka dërguar për të gjithë njerëzit dhe xhindët. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (o Muhamed): O njerëz! Vërtet që unë jam sjellë tek ju të gjithë si i Dërguar i Allahut të Cilit i takon sundimi i qiejve dhe i tokës.” |A’raf: 158|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse si përkujtim mëshire për gjithë botët.” |Enbija: 107|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe Ne të kemi dërguar veçse si përgëzues dhe këshillues për gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” |Sebe: 28|

Allahu i Madhëruar i ka marrë premtimin pejgamberëve se nëse do ta arrinin kohën e pejgamberit tonë Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, do ta pasonin atë. Ky është një argument i qartë se shpallja e Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është shpallja e fundit dhe se është shfuqizuese e çdo shpalljeje para saj. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe (përkujto) kur Allahu mori premtimin e pejgamberëve, duke u thënë: Merrni gjithçka që ju kam dhënë nga libri dhe nga dituria se mes jush do të vijë një i dërguar (Muhamedi) që të vërtetojë çfarë keni në duar, (dhe atëherë) ju duhet ta besoni dhe duhet ta ndihmoni atë. (Më pas Allahu u) Tha: A pajtoheni me këtë dhe a do ta përkrahni premtimin Tim (të cilin po e vendos me ju)? Ata thanë: Pajtohemi. Ai u tha: Atëherë dëshmoni dhe Unë jam me ju prej dëshmuesve (për këtë). Kushdo që shmanget nga e vërteta pas kësaj, ata do të jenë mëkatarë.” |Ali Imran: 81-82|

Të dërguarit, salauatuLlahi ue selemuhu alejhim exhmeijn, kanë përgëzur (popujt e tyre) për shpalljen e Muhamedit. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe (kujto) kur Isai, biri i Merjemes tha: O bijtë e Israilit! Unë jam i dërguari i Allahut tek ju duke vërtetuar Teuratin që ka ardhur para meje, dhe jam përgëzues i një të dërguari që do të vijë pas meje emri i të cilit do të jetë Ahmed. Por kur ai (Muhamedi) erdhi tek ata me argumente të qarta, ata thanë: Kjo është magji e qartë.” |Saff: 6|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe na urdhëro për mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër. Vërtet që të jemi kthyer Ty. Ai (Allahu) tha: (Sa për) Ndëshkimin Tim, Unë godas me të kë dua Unë, ndërsa mëshira Ime përfshin gjithçka. Këtë (mëshirë) do ta përcaktoj për ata që janë të devotshëm dhe që japin zekatin, dhe për ata që besojnë në ajetet Tona. Ata të cilët ndjekin të dërguarin, pejgamberin që s’di as të shkruajë e as të lexojë (Muamedin), të cilin e gjejnë të shkruar në Teuratin që e kanë në duart e tyre dhe në Inxhil ” |A’raf: 156- 157|

Transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Kushdo që dëgjon për mua prej këtij umeti, qoftë hebre apo i krishterë, pastaj vdes duke mos besuar atë që jam dërguar me të do të jetë prej banorëve të zjarrit.”

Ai që përgënjeshtron se shpallja e Muhamedit i drejtohet të gjithë njerëzve ka mohuar gjithë të dërguarit, qoftë edhe të dërguarin e tij që pretendon se ai e beson dhe e ndjek. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Populli i Nuhut i përgënjeshtroi të dërguarit.” |Shuara: 105|

Allahu i Madhëruar e konsideroi përgënjeshtrues të të gjithë të dërguarve, edhe pse nuk ishte dërguar askush para Nuhut.

Gjithashtu besojmë se nuk ka pejgamber pas Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai që pretendon pejgamberllëkun pas tij ka dalë nga Islami. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “… por ai ështe i dërguari i Allahut dhe i fundit i pejgamberëve.” |Ahzab: 40|

Transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, nga i Dërguari  i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, se ka thënë:

“Më është dhënë prioritet mbi pejgamberët me gjashtë gjëra:

1- Më është dhënë përmbledhja e fjalëve (përdorimi i pak fjalëve me shumë kuptim – sh.p.).

2- Jam ndihmuar me frikën (para se të sulmonte një vend banorët e tij i zinte paniku para se të vinte i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

3- Më është lejuar plaçka e luftës.

4- Toka më është bërë vendfalje dhe pastrim (pra lejohet namazi kudo në të dhe merret tejemum –përdorja e dheut- në vend të abdesit në rastet e nevojës – sh.p.).

5- Jam dërguar për të gjitha krijesat.

6-Nuk ka pejgamber pas meje.”

Ai që përgënjeshtron shpalljen e ndonjërit prej pejgamberëve dhe të dërguarve ka dalë nga Islami me unanimitetin e muslimanëve. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Sigurisht, ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij, dhe që duan të bëjnë dallime mes besimit në Allahun dhe në të dërguarit e Tij (duke e besuar Allahun dhe duke mos i besuar të dërguarit) duke thënë: Ne besojmë disa prej tyre por i mohojmë të tjerët. Dhe që duan të bëjnë për vete një rrugë të ndërmjetme, këta në të vërtetë janë mosbesimtarë dhe për mohuesit Ne kemi përgatitur ndëshkim poshtërues. Dhe atyre të cilët besojnë në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij dhe nuk bëjnë dallim mes asnjërit prej tyre (të Dërguarve), Ne do t’iu japim shpërblimet e tyre dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.” |Nisa: 150-152|

 

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: Abdus-Selam ibën Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...