Besimi shtohet dhe pakësohet

August 23, 2017

Besimi shtohet dhe pakësohet!

Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre të cilëve njerëzit[1] u thanë: “Njerëzit[2] janë mbledhur për t’ju luftuar, prandaj frikësohuni!”[3] Por kjo ua shtoi edhe më shumë besimin[4] dhe ata[5] thanë: “Neve na mjafton Allahu e Ai është Mbrojtësi më i mirë![6]”Al-Imran: 173.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Nga ky ajet përfitohet argumenti për shtimin e besimit dhe pakësimin e tij, bazuar në fjalën e Tij: “Atyre të cilëve njerëzit u thanë: “Njerëzit janë mbledhur për t’ju luftuar, prandaj frikësohuni!Por kjo ua shtoi edhe më shumë besimin dhe ata thanë: “Neve na mjafton Allahu e Ai është Mbrojtësi më i mirë!” Ky është argument se besimi shtohet dhe pakësohet.

Besimi është; fjalë, vepër, bindje, shtohet me kryerjen e veprave të mira dhe pakësohet më kryerjen e mëkateve, siç tregohet në këtë ajet dhe në ajete të tjera. Si p.sh. fjala e Allahut të Lartësuar: “… e t’u shtohet besimi atyre që besojnë.” El-Mudethir: 31.

Dhe fjala e Tij: “Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe gëzohen.” Et-Teube: 124.

Dhe fjala e Tij: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve kur përmendet Allahu fërgëllojnë, dhe kur u lexohen shpalljet e Tij u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” El-Enfal: 2. Argumentet në lidhje me këtë temë janë të shumta.

 

“Min Ahkamil-Kuran” vëll. 1.

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————-

[1] Disa njerëz të zonave përreth të porositur nga Ebu Sufjani, me qëllim që të frikësonin muslimanët.

[2] Ebu Sufjani me ushtrinë kurejshite që luftuan në Uhud.

[3] Ruajuni ballafaqimit me ta, sepse ju nuk mund t’u dilni para atyre dhe nuk mund t’u bëni ballë.

[4] Tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe tek premtimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij.

[5] Të vendosur e të bindur në rrugën drejt arritjes së kënaqësisë së Allahut, me besim tek Allahu dhe të mbështetur tek Ai.

[6] Duke ia dorëzuar kështu çështjen Allahut, i Cili i rregullon më së miri çështjet e robërve të Tij.

Loading...