Bindja ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimit e Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin (alejhis-selam), familjen e tij dhe për të gjithë shokët e tij!
Dëgjuam –më herët- ligjëratën e begatë, e cila kishte të bënte me një temë shumë të rëndësishme. E ajo është: “Obligueshmëria e bindjes ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”.
Bindja ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është e lidhur me bindjen ndaj Allahut. I Lartësuari thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.” En-Nisa, 80
“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” En-Nisa, 59
Bindja ndaj të Dërguarit është e njëjtë si bindaj ndaj të dërguarve të tjerë. Të gjithë të dërguarit, çdo i Dërguar i thoshte popullit të tij: “prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni!” Al Imran, 50
Allahu Lartmadhëruar thotë: “Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre.” En-Nisa, 64
Bindja ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është prej kushteve të dëshmisë se “Ai (Muhamedi) është i Dërguari i Allahut”.
Në lidhje me këtë dijetari dhe imami Muhamed bin Abduluehab (Allahu e mëshiroftë!) thotë se: Kuptimi i “Esh’hedu enne Muhameden rasulullah – Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut” është: Besimi ndaj tij në gjërat që urdhëron, besimi i tij në ato që ka lajmëruar, largimi nga ato që ai ka ndaluar dhe mos të adhurohet Allahu veçse me atë që është ligjësuar. Ky është kuptimi i dëshmisë: “Esh’hedu enne Muhameden rasulullah – Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut”.
Ndërsa –thjesht- shqiptimi se ai (Muhamedi) është i Dërguari i Allahut nuk majfton, sepse duhet patjetër që t’i bindesh atij dhe të ecësh sipas metodologjisë së tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Ndërsa –thjesht-shqiptimi dhe besimi se ai (Muhamedi) është i Dërguari i Allahut duke mos e pasuar atë dhe duke mos ia bindur atij, kjo nuk bën aspak dobi.
Jobesimtarët e njihnin se ai ishte i Dërguari i Allahut. Allahu Lartësuar thotë: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata…” El-Enam, 33.
Ata e dinin se ai është i Dërguari i Allahut “por keqbërësit po mohojnë shpalljet e Allahut.” El-Enam, 33
Ata (jobesimtarët) e lanë bindjen ndaj tij edhe pse dëshmonin se ai është i Dërguari i Allahut, porse i ndaloi ata mendjemadhësia, i ndaloi pasimi i dëshirave siç thotë i Madhëruari: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë ndjekës të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” El-Kasas, 50
Pra, bindja ndja të Dërguarit është në gjërat që ai urdhëron dhe në gjërat nga të cilat ai ndalon. Pra, largimi nga gjërat që ka ndaluar i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe mos të kufizohet bindja ndaj tij vetëm në gjërat që ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem urdhëron. Por, duhet patjetër që personi të largohet nga gjërat që ai ka ndaluar prej mëkateve, bidateve dhe shpikjeve në fe. Të gjitha këto përfshihen në bindjen ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Allahu e ka përmendur bindjen ndaj të Dërguarit bashkë me bindjen ndaj Tij dhe po ashtu ka përmendur vetëm bindjen ndaj tij. Allahu thotë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.” En-Nisa, 80
I Madhëruari thotë: “E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë.”. En-Nur, 54.
I Lartësuari thotë: “dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut!” En-Nur, 56
Bindja ndaj të dërguarit është (përmendet) bashkë me bindjen ndaj Allahut po ashtu është (përmendet) bindje vetëm ndaj tij, sepse ai është kumtues (i Shpalljes) nga Allahu i Madhëruar: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë shpinën, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.” En-Nisa, 80
Kujtdo që i arrin Suneti i të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ai duhet ta pasojë atë nëse dëshiron shpëtim për veten e tij dhe t’i lërë bidatet, shpikjet dhe çdo gjë që kanë shpikur njerëzit. Të pasojë vetëm të Dërguarin alejhis-selam, sepse ai është shmebulli që duhet pasur dhe jo të tjerët.
Nuk pasohet askush tjetër përveç të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, sepse ai është shembulli që duhet ndjekur nga të gjithë njerëzit. Për shkak se Mesazhi i tij është i përgjithshëm për të gjithë njerëzit.
Prandaj vetëm atij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i duhet bindur, duhet pasur, duhet dashur dhe madhëruar duke mos e tepruar dhe mëngësuar. Kjo është prej të drejtës së të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tek ne dhe mirësi për vetet tona. Ngase bindja ndaj të Dërguarit përmban mirësi për ne, në të ka dobi për ne dhe është në të mirën tonë.
“E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë.”. En-Nur, 54.
“dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut!” En-Nur, 56. Pra, dobia kthehet tek ne.
Ndërsa i Dërguari alejhis-selam e ka përcjellur qartë Shpalljen dhe e la umetin e tij në qartësi. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ju këshillojë të kapeni fort pas sunetit tim dhe sunetit të prijësve të drejtudhëzuar pas meje. Unë po u lë juve atë, që nëse do të kapeni pas tij nuk do të humbni kurrë pas meje, Librin e Allahut dhe sunetin tim.” Kjo është ajo, e cila është detyrë për ne.
Në formë të përgjithshme ajo që përmendi dhe ligjëruesi -Allahu e ruajtë- është: “Lënia e bidateve” në përgjithësi.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush shpik në këtë çështjen tonë diçka që nuk është prej saj ajo është e refuzuar”. Pra, atij i refuzohet dhe nuk i pranohet.
Në një transmetim tjetër: “Kush vepron një vepër e cila nuk është në përputhje me çështjen tonë ajo është e refuzuar”.
“Ju këshillojë të kapeni fort pas sunetit tim dhe sunetit të prijësve të drejtudhëzuar pas meje. Kapuni pas tij dhe shtrëngojeni atë me dhëmbë dhe ruhuni prej gjërave të shpikura, sepse çdo shpikje është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarr”.
Nëse dëshiron xhenetin, nëse dëshiron të arrish kënaqësinë e Allahut dhe t’i bësh dobi vetes tënde, atëherë bindju të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe pasoje atë e mos paso askënd tjetër përveç të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Mos ndiq dëshirat e njerëzve dhe traditat e tyre.
Prej këtyre është dhe shpikjet që bëhen në muajin Rexheb. Muaji Rexheb është një prej muajve të shenjtë. Katër janë muajt e shenjtë në të cilat Allahu ka ndaluar luftën: Në Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharram. Këto janë tri muajt e shenjtë, të cilët janë rresht dhe i katërti i tyre është muaji Rexheb. Këto muaj janë prej muajve të shenjtë. Por që të shpiket në to diçka prej adhurimeve duke mos pasur asnjë argument, kjo konsiderohet bidat “çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarr”.
Ky muaj është njësoj si muajt e tjerë. Kushdo që ka vepruar vepra të mira dhe adhurime le të vazhdojë bërjen e tyre si në muajin Rexheb ashtu dhe në muajt e tjerë. Por që të veçohet muaji Rexheb ndaj muajve të tjerë me adhurime, ky është bidat i qartë dhe humbje për atë që i vepron. Atij nuk i pranohet asgjë prej tyre sado që ta lodh veten e tij, sepse nuk ka mirësi veçse në pasimin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe nuk ka sherr veçse në kundërshtimin që i bëhet atij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Po ashtu bashkë me bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij është dhe bindja ndaj prijësit. Allahu e ka afruar bindjen atë me bindjen ndaj Tij dhe bindjen ndaj të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
I Madhëruari thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” En-Nisa, 59. D.m.th. prej muslimanëve.
Nuk lejohet kundërshtimi ndaj prijësit musliman përveç rastit kur urdhëron për mëkat ndaj Allahut, sepse “nuk ka bindje ndaj krijesës në mëkatin që bëhet ndaj Krijuesit”. Në të kundërt është detyrë bindja ndaj tij.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush i bindet prijësit ai më është bindur mua dhe kush e kundërshton atë ai më ka kundërshtuar mua”.
Është detyrë njohja/mësimi i saj, të punuarit me të dhe të kapurit fort në të, sepse kjo është rruga e shpëtimit për secilin që dëshiron shpëtimin. Allahu na dhëntë sukses të gjithëve në gjërat që Ai do dhe është i kënaqur! Salavatet e Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij!
Shejhu i nderuar Salih el-Feuzan (Allahu e ruajttë!)
Takim i mbajtur në qytetin Taif-it
Përktheu: Unejs Sheme