Mund të përshkruhet gjendja e disa lexuesve si një lloj “etjeje për lexim”.
🔸 Ibën Tejmije ishte njëri nga të pasionuarit pas leximit. Ai lexonte më shumë sesa hante, flinte ose kryente veprimtari të tjera jetësore. Nxënësi i tij, Ibën Kethiri, thotë për të: “Kur ulej për të lexuar libra i përpinte me etje të madhe, dhe kur ulej për të dhënë mësim dituria e tij rridhte si lumë.”
🔸 Gjithashtu, nxënësi tjetër i tij Ibën Kajim el Xheuzije, transmeton për pasionin e tij ndaj librave.
🔸 Es-Sujuti i njohur për enciklopedizmin e tij, ishte një lexues i përditshëm dhe i zellshëm. Ky pasion i tij për lexim solli një mori veprash të rëndësishme.
🔸 Nga bashkëkohësit, letrari Ali Tantavi e kalonte shumicën e ditës së tij që nga koha kur mësoi të lexonte në bibliotekën e tij mes librave. Ai e përmbledh eksperiencën e tij me këto fjalë:
“Mesatarisht kam lexuar 100 faqe në ditë, që nga viti 1340 H deri në vitin 1402 H (62 vite). Numëroni ditët dhe shumëzojini me 100 për të kuptuar sa faqe kam lexuar. Kam lexuar për çdo temë, madje edhe për tema shkencore, artistike etj. Kjo përveç gazetave dhe revistave që kam shqyrtuar.”
🔸 Abas el Akad ishte ndoshta një nga më të dalluarit ndër ata që jetonin me librin dhe lexonte për gjithçka.
Kur e pyetën: Pse nuk udhëton për të vizituar vendet e botës? – ai u përgjigj:
“Nuk ka vend në botë për të cilin nuk kam lexuar dhe kështu ndihem sikur i kam vizituar!”
Në një intervistë të vjetër me gazetaren Amani Nashid ai foli për pasionin e tij ndaj insekteve, dhe përmendi se kishte 100 libra mbi këtë temë.
🔸 Jean Paul Sartre, lideri i ekzistencializmit, thotë për veten:
“Lexoja gjithçka… librat që gjeja në bibliotekë: letërsi, filozofi, madje edhe libra që nuk i kuptoja. Mendoja se leximi ishte mënyra e vetme për të bërë diçka në jetë.”
🔸 John Stuart Mill përshkruan fëmijërinë e tij kështu: “Babai im më detyronte të lexoja dhe të mendoja mbi gjithçka që lexoja që nga mosha tre vjeçare. Nuk më linte kohë për lojëra, dhe çdo moment i imi i ishte dedikuar leximit dhe analizës.”
🔸 Nga bashkëkohësit është përmendur se disa kanë arritur deri në 15 orë lexim në ditë, si shembulli i dijetarëve El Emin esh-Shenkiti, Ebu Abdurrahman bin Akil edh-Dhahiri dhe Abdullah el Hedhlak.
✍ Gustave Flaubert e përmbledh këtë pasion duke thënë: “Lexo për të jetuar.”
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: lexo