Ato janë krijesa të Allahut që Ai i ka krijuar prej dritës. Krijimi i tyre ka qenë i mëparshëm ndaj atij të njerëzve. Ata janë robër të bindur të Allahut, nuk e kundërshtojnë në asgjë dhe zbatojnë me përpikmëri atë që urdhërohen. Nuk kanë asnjë cilësi hyjnore, asgjë nga cilësitë e Zotit. Ata nuk kanë liri zgjedhje, as epshe dhe dëshira (tundime) e as gjini siç i kanë njerëzit dhe xhinët.
Ato janë disa krijesa të cilat njeriu nuk është ‘programuar’ – apo nuk i është dhënë aftësia dhe shqisa – për t’i parë për sa kohë është në këtë botë. Edhe pse këtu ka disa përjashtime sepse ata i kanë parë disa prej njerëzve përveç profetëve (si p.sh. shokët e Profetit tonë sal lall llahu alejhi ue sel lem por pasi janë shndërruar në njerëz). Njeriut i janë dhënë aftësi dhe shqisa të kufizuara dhe kjo është në të mirë të tij. Është në të mirën e njeriut që të mos dëgjojë dhe shikojë çdo gjë që e rrethon, përndryshe ai nuk do ta shijonte dot jetën. Imagjinoni për pak çaste vetëm këtë: Sikur veshi i njeriut të kishte aftësi të kapte valët që kap aparati i radios, imagjinoni se çdo të ndodhte me këtë njeri që dëgjon vazhdimisht çdo gjë që transmeton aparati i radios. Ai do të ishte çmendur.
Kjo është mëshirë e madhe prej Allahut për njeriun që nuk e ka bërë atë të dëgjojë çdo gjë që ndodh në botë, çdo fëshfërimë të insekteve, zhurmën e gjakut që i lëviz nëpër vena e të tjerë prej tingujve dhe zërave që e rrethojnë. Nga kjo kuptojmë që veshi njerëzor nuk dëgjon veçse ato zëra që janë në një gjatësi vale të caktuar apo në një frekuencë të caktuar zanore, të tjerat nuk i dëgjon dot. E njëjta gjë ndodh me syrin edhe me të gjitha shqisat e tjera të tij dhe kjo s’është aspak e çuditshme, sepse shkencëtarët kanë zbuluar se ka disa kafshë që shohin gjëra që nuk i kap syri i njeriut p.sh. bleta e cila shikon rrezet ultravjollcë. Për këtë arsye ajo e shikon diellin edhe kur është i mbuluar nga retë, apo bufi i cili arrin ta shikojë miun edhe në natën më të errët.
Dobia e besimit në engjëj
Besimi në këto krijesa është bërë pjesë e shtyllave të besimit Islam, sepse kjo e thellon dhe e përforcon besimin e njeriut në një Zot të adhuruar i Cili është Mbisundues absolut mbi këtë krijim. Ai ka vendosur ushtritë e Tij prej engjëjve për t’u kujdesur për punët e ndryshme në këtë gjithësi. Lidhja e engjëjve me njeriun, me formimin dhe mbikëqyrjen e tij, e bën njeriun të kuptojë rëndësinë dhe vlerën që ka dhe largon prej mendjes së tij mendimet se ai është një krijesë e pavlerë, e rastësishme dhe e nënçmuar. Mendo pak! Allahu të ka krijuar me dy duart e Tij dhe të ka rrethuar me engjëj që kujdesen për ty hap pas hapi, stad pas stadi në jetën tënde, të rrethojnë me mirësi dhe të ndriçojnë me mendime të mira, ta bëjnë të dashur të mirën dhe pozitiven. E shikon çfarë nderimi të ka bërë Allahu i Madhëruar i Cili thotë: “Dhe Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit” (i kemi nderuar njerëzit). Kujdes pas kujdesi, nderim prej Krijuesit të gjithësisë! A nuk meriton Allahu falënderim dhe mirënjohje?! A nuk meriton adhurim dhe dashuri madhështore?! Dhe kështu njeriu vlerëson vetveten dhe përpiqet të realizojë misionin madhështor që ka në këtë tokë: adhurimin e Allahut dhe zbatimin e ligjit të Tij në tokë.
Cilësitë e tyre
Allahu i qorton ata që u japin engjëjve gjininë femërore dhe e hedh poshtë këtë pretendim të tyre duke thënë: “Vërtet, ata që nuk besojnë në jetën e përtejme i emërtojnë melekët me emra femërorë! Ata nuk dinë asgjë për këtë. Ata ndjekin vetëm hamendje dhe padyshim se hamendja nuk është asgjë ndaj së vërtetës.” | En Nexhm: 27-28 |
“Dhe engjëjt që janë robër të të Gjithëmëshirshmit ata i quajtën femra! A e dëshmuan ata krijimin e tyre?! Do të shkruhet kjo fjalë e tyre dhe do të pyeten!” | Ez Zuhruf: 19 |
Allahu na njofton për engjëjt që kujdesen për zjarrin e xhehenemit duke thënë: “O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen tuaj nga një zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Mbi të ka engjëj të ashpër dhe të rreptë, të cilët nuk e kundërshtojnë Allahun për çka i urdhëron dhe bëjnë atë që urdhërohen.” | Et Tahrim: 6 |
Kur Allahu ia mundësoi profetit Muhamed – paqja qoftë mbi të – që ta shikonte Xhibrilin (engjëllin e shpalljes), ai tha: “E pashë atë të zbriste nga qielli, dhe madhësia e krijimit të tij mbulonte çka mes qiellit dhe tokës.”[1] Ka thënë gjithashtu: “Mu lejua t’ju rrëfej për njërin nga mbajtësit e Arshit (fronit madhështor të Allahut). Distanca ndërmjet llapës së veshit dhe supit të tij është 700 vjet.” Ndërsa në një transmetim tjetër: “Zogu e përshkon atë për 700 vjet.”[2]
Engjëjt kanë krahë
Allahu thotë në Kuran: “Lavdërimi i takon Allahut, Krijuesit të qiejve dhe tokës, Ai që i ka bërë engjëjt të dërguar me krahë: me nga dy, tre dhe katër palë. Ai shton në krijimin e Tij çfarë të dëshirojë. Padyshim, Allahu ka mundësi për gjithçka.” | Fatir: 1 | Ndërsa Xhibrili ka 600 krahë siç ka ardhur në fjalën e sahabit Abdullah ibën Mesudit që thotë: “E pa Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – Xhibrilin në pamjen e tij, dhe ai kishte 600 krahë.”[3] Këtë fakt e përforcon Allahu në Kuran duke thënë: “Dhe ai e ka parë atë (Xhibrilin) edhe një herë tjetër.” | En Nexhm: 13 | Se si janë këto krahë ne nuk e dimë.
Numri i madh i melaikeve (engjëjve)
Thotë Profeti – paqja qoftë mbi të: “Nuk ka në shtatë qiejt asnjë vend, as sa të vendosësh këmbën, as një pëllëmbë… veçse në të ka një engjëll që qëndron në këmbë (duke adhuruar Allahun), apo të përkulur në ruku, apo të përulur në sexhde.” [4] Ndërsa në një hadith tjetër ka ardhur se Xhibrili i ka thënë Muhamedit, paqja qoftë mbi ata të dy: “Kjo është Bejtul ma’mur (Qabja e qiellit në qiellin e shtatë). Në të falen çdo ditë 70 mijë melaike (engjëj) dhe kur dalin prej saj nuk kthehen më aty.”[5] Pra, çdo ditë hyjnë 70 mijë engjëj të rinj që nuk kanë qenë ndonjëherë aty dhe kjo për çdo ditë! Imagjinojeni vet numrin e tyre të jashtëzakonshëm!
Allahu thotë në Kuran: “Dhe nuk i di ushtritë e Zotit tënd askush përveç Tij, dhe kjo nuk është veçse përkujtim për njerëzit.” | Mudethir: 31 | As engjëjt nuk e dinë sa ushtri ka Allahu nën zotërim, dhe ata janë vetëm një prej këtyre ushtrive nën urdhrat e Tij, urdhra që gjithmonë zbatohen pa më të voglën vonesë.
Vendqëndrimi i tyre është qielli
Allahu thotë në Kuran: “Qiejt gati sa nuk çahen nga sipër (prej madhështisë së Allahut), ndërkohë që engjëjt lavdërojnë e falënderojnë Zotin e tyre.” | Esh Shura: 5 | Ata zbresin në tokë për të zbatuar porositë që u cakton Zoti i tyre: “Dhe ne nuk zbresim veçse me urdhrin e Zotit tënd.” | Merjem: 64 |
Prania (zbritja) e tyre shtohet në raste të veçanta dhe në kohë të begata, si p.sh. në natën e kadrit (një nga netët e muajit Ramazan). “Në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me urdhrin e Zotit të tyre për të caktuar çdo çështje (që do të ndodhë në vitin e ardhshëm).” | Kadr: 4 | Zbresin më shumë se në netët e tjera sepse engjëjt zbresin me bereqetin dhe mëshirën. Ashtu si zbresin kur lexohet Kurani dhe i rrethojnë tubimet ku përmendet Allahu, i rrethojnë me krahët e tyre kërkuesit e dijes në shenjë respekti, vlerësimi dhe kënaqësie ndaj dijes dhe ndaj atyre që merren me dije.[6]
Misionet e tyre janë të ndryshme
Një engjëll është caktuar për të fryrë shpirtin e njeriut pasi ai kalon 120 ditë në barkun e nënës, si dhe shkruan se çdo të bëhet me të. Dy engjëj shkruajnë apo rregjistrojnë dhe ruajnë në regjistra të veçanta punët e tij (njëri të mirat e tjetri të këqijat). Disa engjëj e ruajnë, një engjëll është nxitësi për të mira që qëndron gjithmonë me njeriun, ashtu siç qëndron me të edhe shoqëruesi prej xhinëve.
Ka engjëj që kujdesen për malet, për erërat dhe shiun, për marrjen e shpirtrave të njerëzve, rojtarët e zjarrit të Xhehenemit, për të fryrë në bririn madhështor si shenjë e fillimit të Kijametit, ditës së gjykimit.
Disa prej tyre i njohim me emra
Është detyrë për muslimanin t’i besojë engjëjt në përgjithësi, dhe ata që janë përmendur me emra në argumentet fetare t’i besojë me ata emra. Prej tyre janë Xhibrili dhe Mikaili: “Kush është armik i Allahut, engjëjve të Tij, të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe Mikailit, atëherë le ta dijë se Allahu është armik i pabesimtarëve.” | El Bekare: 98 | Xhibrili është quajtur nga Allahu edhe si shpirti besnik: “Zbriti me të (me shpalljen e Zotit) shpirti besnik në zemrën tënde, që ti (o Muhamed) të jesh prej atyre që tërheqin vërejtjen.” | Esh Shuara: 193-194 | Ai i ka zbritur Merjemes dhe fryu tek ajo shpirtin e Isait paqja qoftë mbi të: “Dhe Ne dërguam tek ajo Shpirtin Tonë.” | Merjem: 17 | Tha ‘Shpirtin Tonë’ në formë nderimi për Xhibrilin.
Israfili është engjëlli që do t’i fryjë bririt kur të bëhet Kiameti.
Maliku është kujdestari i Xhehenemit: “Dhe thanë (banorët e zjarrit): O Malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt (të na bëjë të vdesim)! Ai u thotë: Aty do të qëndroni.” | Ez Zuhruf: 77 |
Munker dhe Nekir. Kanë ardhur hadithe të shumta që i përmendin këta dy engjëj të cilët do t’i pyesin njerëzit në varr.
Haruti dhe Maruti, engjëjt që u dërguan tek beni israilët (paraardhësit e izraelitëve të sotëm) të cilët u mësonin atyre magjinë për t’i sprovuar me të, por nuk ja mësonin askujt magjinë përpara se t’i thoshin: “Ne jemi sprovë për ju, prandaj mos bëni femohim (mos dilni nga feja duke e mësuar magjinë).” Dhe ata e dinin dëmin e saj të madh. Allahu thotë: “Dhe mësonin atë (magjinë) e cila i dëmtonte ata dhe nuk u sillte të mira.” Ai që zgjedh magjinë nuk ka pjesë në botën tjetër. | El Bekara: 102 |
Engjëjt vdesin si të gjitha krijesat
Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe i fryhet Bririt e bie i vdekur kush është në qiej dhe në tokë, përveç atij që do Allahu. Pastaj fryhet në të edhe një herë dhe ja, ata janë në këmbë duke shikuar.” | Ez Zumer: 68 | I fundit që vdes prej tyre është engjëlli i vdekjes, dhe mbetet vetëm i Gjalli përgjithmonë i Cili ishte fillimisht dhe i Cili është i fundit. Ai mbetet në vazhdimësi, dhe në atë rast thotë: “E kujt është mbretëria sot? Kujt i takon pushteti sot?” Këtë e thotë tre herë, pastaj, kur askush nuk përgjigjet sepse të gjithë kanë vdekur, i Lartësuari përgjigjet Vet: “(Pushteti i përket) Allahut, të Vetmit, Mbisunduesit (Ai që ka mbizotëruar gjithçka).” | Gafir: 16 |
Argument tjetër që tregon se engjëjt të gjithë do vdesin kur të vijë urdhri i Allahut është edhe fjala e Tij: “Çdo gjë do shkatërrohet përveç Fytyrës së Tij Fisnike (përveç Allahut).” | Kasas: 88 | A vdes ndonjëri prej tyre përpara fryrjes në Bri? Kjo është një gjë që nuk kemi argument për të, prandaj edhe nuk hyjmë në këtë temë.
Melaiket janë fisnikë dhe punët e tyre janë të tilla, të pastra dhe të ndershme. Fjalët, sjelljet dhe moralet e tyre janë të larta. Ata turpërohen, siç ka thënë Profeti paqja qoftë mbi të: “Si të mos turpërohem nga një burrë (Uthmani) prej të cilit turpërohen melaiket?”[7]
Fuqitë e tyre
Kanë aftësi të shndërrohen në formën e njerëzve si djelmosha të bukur. Kur vinin në formë njerëzish i shikonin edhe shokët e Profetit alejhi selam veç Profetit. Shpejtësia më e madhe e njohur për njeriun sot është ajo e dritës (300 mijë km në sekondë), dhe me këtë shpejtësi njeriut i duhet një miliard vjet që të arrijë disa planete apo yje të universit. Ndërsa engjëjt janë më të shpejtë se kaq. Shpejtësia e tyre nuk mund të matet me standartet njerëzore. Profetit i vinte ndonjë arab dhe e pyeste për diçka që ai s’kishte dije, dhe akoma pa mbaruar ai mirë pyetjen i zbriste Xhibrili me përgjigjen nga Zoti i botëve, mbi shtatë qiejt.
Ata janë të rregullt dhe të disiplinuar
I rregullojnë rreshtat në adhurim. Prej veçorive të pasuesve të Muhamedit – paqja qoftë mbi të – është se ata rreshtohen në faljen e tyre njësoj si engjëjt, i rregullojnë rreshtat në namaz dhe nuk lënë boshllëqe mes tyre: “Janë bërë rreshtat tona si rreshtat e engjëjve.”[8] Dhe ky është privilegjim nga ana e Zotit për këtë popull dhe veçanti e tyre.
Po kështu do të vijnë edhe në ditën e gjykimit: “Dhe vjen Zoti yt dhe engjëjt rradhë-rradhë.” | Fexhr: 22 | Atë ditë ata qëndrojnë të rreshtuar para Allahut dhe nuk flasin: “Ditën kur të qëndrojë Shpirti (Xhibrili) dhe engjëjt në rreshta. Nuk flet prej tyre askush përveç atij që i jep leje i Gjithëmëshirshmi, dhe i cili thotë të vërtetën.” | Nebe: 38 |
Mund të kuptosh rregullin e përsosur që mbizotëron në qiej, rojtarët e portave të të cilëve janë engjëjt, dhe ata nuk lejojnë askënd të futet veçse nëse ka leje nga Allahu. Kjo duket në historinë e Israsë dhe Miraxhit (historia e ngjitjes në qiell të profetit Muhamed sal lall llahu alejhi ue sel lem së bashku me Xhibrilin). Kur gjendeshin para portave të çdo qielli ata pyeteshin nga rojtari i saj: ‘Kush je? Kush është me ty? A i është dhënë leje?’ Dhe duke ditur se engjëjt nuk gënjejnë, kur ata merrnin përgjigjet prej Xhibrilit (i cili është emëruar si ‘besniku’) ua hapnin derën, i lejonin të kalonin dhe i përshëndesnin me ‘selam’ (paqe).
Frika e engjëjve prej Allahut
Duke qenë se dija e tyre për Allahun është e madhe, edhe frika prej Tij është e madhe. Allahu thotë për këtë në Kuran: “I frikësohen Zotit të tyre mbi ta dhe bëjnë atë që urdhërohen.” | En Nahl: 50 |
Dhe thotë Profeti paqja qoftë mbi të: “Natën që u ngjita në qiell kalova pranë engjëjve të lartë, dhe Xhibrili u bë si rrogozi i tretur prej frikës nga Allahu.”[9]
Muslimani është aq i nderuar dhe aq fisnik tek Allahu sa Ai ka caktuar disa engjëj që luten për të. Kjo ndodh kur ai mbaron namazin dhe merret me përmendjen e Allahut, në ato momente engjëjt i luten Allahut: O Zot fale, o Zot mëshiroje!
Po ashtu, Allahu i Lartësuar na tregon në Kuran në suren Gafir në ajetet 6-9, se si luten engjëjt për besimtarin dhe familjarët e tij të udhëzuar.
Njëri prej dijetarëve i tha nxënësit të vet me lot në sy: E shikon o filan sa i ndershëm është besimtari tek Allahu, ndoshta ai është duke fjetur në shtratin e tij dhe engjëjt bëjnë dua për të!
Engjëjt u bëjnë amin lutjeve të besimtarëve
Dhe kështu lutja është më afër pranimit. Në “Sunenin” e Ibën Maxhes ka ardhur hadithi: “Lutja e njeriut për vëllanë e vet në mungesë është e pranuar. Te koka e tij është një melek që i bën ‘amin’ duasë së tij. Sa herë që lutet për të për ndonjë të mirë ai thotë: Amin, edhe ty t’u dhëntë e njëjta gjë.”
Kur lutja që bën besimtari që i bëjnë amin melaiket është afër pranimit, nuk i ka hije atij të lutet kundër vetes së tij me ndonjë lutje të keqe. Tek “Sahihu” i Muslimit ka ardhur fjala e Umu Selemes që thotë: “Mos u lutni kundër veteve tuaja (mos i mallkoni vetet tuaja) por lutuni vetëm për mirë, sepse melaiket u bëjnë ‘amin’ lutjeve tuaja.”
Përktheu: Emin Bilali
————————————————
[1] Tirmidhiu me zinxhir të saktë. Shiko librin “Bota e engjëjve fisnikë” i autorit Umer el Eshkar, fq. 11, botimi i tretë, ‘Mektebetul felah’ 1983.
[2] Shejh Albani në librin “Zinxhiri i haditheve të sakta” 72/1, “Bota e engjëjve” fq. 11.
[3] Thotë Ibën Kethiri në “Bidajeh uen nihajeh”: Zinxhiri i transmetimit të tij është i mirë. “Bota e engjëjve” fq. 11.
[4] “El mu’xhemul eusat” i Taberanit me zinxhir të lidhur, me transmetues të besueshëm.
[5] Muttefekun alejhi. Hadithi i Israsë dhe Miraxhit.
[6] “Tefsiri” i Ibën Kethirit, Suretul Kadr.
[7] E transmetojnë të gjithë autorët e librave të hadithit.
[8] “Sahihul Muslim”, “Bota e engjëjve fisnikë” fq.24.
[9] “Sahihul xhami” 206/5. Shiko “Bota e engjëjve fisnikë” i autorit Umer el Eshkar, Allahu e mëshiroftë!
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve