Çdo festë në të cilën nuk ka namaz ajo nuk është festë e jona

Çdo festë në të cilën nuk ka namaz ajo nuk është festë e jona

Festa javore – dita e xhuma – ka namazin e xhumasë.

Festat vjetore – Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami – kanë namazin e Bajramit. I pari është pas përfundimit të një prej shtyllave të Islamit, agjërimit të muajit të Ramazanit. Po ashtu edhe i dyti lidhet me një prej shtyllave të Islamit, kryerjen e Haxhit.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush kryen një vepër e cila nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, ajo është e refuzuar.” Transmeton Muslimi.

Çdo adhurim si namaz, lutje, etj. i cili nuk përmban teuhid, ai nuk pranohet dhe s’ka lidhje me fenë e pastër Islame. Besimi në Allahun e Lartësuar përfshin të tre llojet e teuhidit; teuhidi er-rububijeh, teuhidi el-uluhijeh (teuhidi i adhurimit), dhe teuhidi el-esmau ues-sifat (emrat dhe atributet e Allahut).

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Buhariu dhe Muslimi.

Këto hadithe tregojnë qartë për kotësinë e të gjitha bidateve (risive në fe) dhe se personi konsiderohet gjynahqar dhe nuk shpërblehet.

Pse? Ngase ai ka shpikur (ka shtuar) në fenë e Allahut diçka që nuk është prej saj.

Po ashtu, hadithet janë kundërpërgjigje ndaj çdokujt që pretendon se në fe ka edhe bidate të mira. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në një hadith tjetër thotë: “Me të vërtetë që çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat të çon në humbje.”

“Vërtetë dëshironi të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?!” El-Bekare, 61.

Përgatiti: Unejs Sheme