Çështja e dhjetë:
Gjykimi i agjërimit nafile për atë person që ka akoma ditë për të shlyer nga Ramazani.
Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe fakte orientuese, dallues i të vërtetës nga e kota. Ndaj kush është i sëmurë ose në udhëtim le t’i kryejë më vonë po aq ditë (sa ka lënë). Allahu do për ju më të lehtën dhe nuk do për ju të vështirën. Në këtë mynyrë e përmbushni numrin e ditëve dhe ta madhëroni Allahun që u ka udhëzuar, në mënyrë që të jeni falënderues”. (Bekareh 185).
Ky ajet Kuranor është argument që tregon se koha për shlyerjen e ditëve kaza është e lirë, e pakufizuar me afat: “Le t’i kryejë aq ditë nga ditët e mëvonshme”.
Prandaj muslimani i cili ka disa ditë për të shlyer nga Ramazani, ndërkohë dëshiron që të shfrytëzojë disa ditë të veçanta për agjërim nafile si për shembull: dita e Arafatit, e Ashurasë, etj, i lejohet që t’i agjërojë këto nafile.
Ky është medhhebi i hanefijve[1], i shafive[2], dhe në një transmetim thënieje nga Ahmedi[3].
Them: Ky është mendimi i zgjedhur, por gjithmonë duke marrë parasysh pikat e mëposhtme:
1. Parimi bazë është që muslimani duhet të shpejtojë për të shlyer obligimin që ka mbi vete, në zbatim të ajetit Kuranor: “Shpejtoni për tek falja e Zotit tuaj” (Ali Imran 123) dhe hadithit Kudsij: “Nuk mund të më afrohet robi Im me diçka më të dashur tek Unë se sa me ato vepra që ia kam obliguar”[4].
2. Theksohet obligueshmëria e shpejtimit për ta shlyer detyrimin e mbetur, nëse afrohet koha e Ramazanit tjetër ose ka frikë se nuk do ketë më mundësi fizike për të agjëruar.
3. Vlera e shpresuar me agjërimin e gjashtë ditëve nga Sheuali nuk arrihet në qoftë se nuk e ka plotësuar agjërimin e Ramazanit, sepse teksti i hadithit thotë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë nga Sheuali, është agjërimi i një viti të tërë”[5].
Ndërsa arsyet që e bëjnë të lejuar agjërimin nafile megjithëse ka ditë të pashlyera nga Ramazani, janë si më poshtë:
1. Nuk ka asnjë argument që e ndalon angazhimin me nafile megjithëse mund të ketë të pashlyer një pjesë të obligimit nga i njëjti lloj vepre (në rastin konkret agjërim).
2. Në obligimin me kohë të shtrirë në kryerjen e tij, lejohet angazhimi me nafile të të njëjtit lloj para kryerjes së atij obligimi, siç është shembulli i suneteve para namazit farz.
Seid bin el Musejebi në lidhje me agjërimin e Ashurasë ka thënë: Nuk është mirë, derisa të fillojë me shlyerjen e Ramazanit[6].
Ibn Haxheri në shpjegim të kësaj fjale ka thënë: Ajo që të lë të kuptohet kjo fjlaë është lejimi i agjërimit nafile për atë që ka ditë të pashlyera nga Ramazani, megjithëse më parësore është të agjërojë fillimisht obligimin e mbetur, sepse dhe fjala e përdorur: Nuk është mirë, tregon qartë që është për orientim për të filluar me gjënë më të rëndësishme dhe më të theksuar[7].
Them (autori): Ajo që kuptohet është se këtë mendim ka dhe imam Buhariu, siç shprehet në titullimin e çështjes: Tema: Kur duhet të kryhet shlyerja e Ramazanit dhe përmendi fjalën e Seid bin el Musejebit. Uallahu ealem.
[1] el Inajeh alel hidajeh 2/355
[2] el Muhedheb 1/252, el Menthuru fil kauaid 3/278.
[3] el Mugnij 3/145.
[4] Transmeton Buhariu nr 6502.
[5] Transmeton Muslimi nr 1164.
[6] Fet-hul Brij 4/188, Ibn Ebi Shejbeh në Musanefin e tij 3/74.
[7] Fet-hul Barij 4/189.