Duket sikur kanë kaluar vetëm disa ditë dhe jo një vit i plotë, e ja, muaji i begatë i Ramazanit erdhi përsëri. Ashtu sikurse vitet ikin dhe pasojnë njëri- tjetrin, ashtu pa u ndier ikën dhe jeta e njeriut. Shumë nga ata që e përjetuan Ramazanin e kaluar nuk janë më!
Dëshira për ta arritur këtë muaj preokupon zemrat e besimtarëve, dhe ata luten që Allahu t`ua mundësojë agjërimin e muajit të Ramazanit.
Lodhja, etja dhe uria e atëhershme u harruan dhe u depozitua shpërblimi tek Zoti i tyre.
Unë dhe ti jemi nga ata që Allahu na begatoi, na dha jetë, shëndet, forcë, dhe e arritëm këtë muaj të begatë të cilin me dëshirë e presim dhe me përkushtim e përjetojmë.
Momentet e fundit para perëndimit të diellit që lajmërojnë fillimin e Ramazanit, kanë një domethënie tepër të veçantë për besimtarin. Ky muaj është bukuria e vitit dhe një dhuratë e madhe nga Zoti i gjithësisë. Është thesari i njerëzve të devotshëm dhe shkalla në të cilën ngjiten lexuesit e Kuranit. Është muaji për të cilin na ka përgëzuar i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, duke thënë: “Kur vjen muaji i Ramazanit hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen djajtë.”
Në vitin e dytë të hixhretit, pas emigrimit të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në Medine, Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet: “O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm.” | El Bekare: 183.
Dosje: ramazan