Lutju Allahut që ta arrish muajin e Ramazanit

March 16, 2023

Të parët tanë të mirë (selefët) i luteshin Allahut që ta arrinin muajin e Ramazanit dhe t’iu mundësohej të përfitonin sa më shumë prej mirësive të tij. Ata luteshin duke thënë: Allahumme  sel-limni  li-ramadane  ue  sel-lim ramadane lij ue tesel-lemhu min-ni mutekab-belen!”

“O Allah më mundëso që ta arrij muajin  e Ramazanit, më mundëso që ta shfrytëzoj atë duke bërë vepra të mira dhe pranoji ato!” E transmeton Taberani dhe Ebu  Nuajmi, nga Jahja bin ebi Kethiri.

Muslimani i lutet Allahut të Madhëruar që t’i japë ndihmë dhe sukses për arritjen e mirësive dhe begative, kjo ngase vetëm me mirësitë dhe dhuntitë e Tij bëhet i mundur realizimi i veprave të mira. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kushtoju rëndësi punëve të mira që të bëjnë dobi! Gjithnjë kërkoji ndihmë Allahut dhe mos u dorëzo!” E transmeton Muslimi me nr. 2664.

Agjërimi i ditëve të muajit të Ramazanit është adhurim madhështor, është një nga obligimet më të rëndësishme në jetën e muslimanit, madje është njëra ndër pesë shtyllat bazë të fesë. I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla: …, agjërimi i muajit të Ramazanit.” E transmeton Buhariu me nr. 8, dhe Muslimi me nr. 16.

Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë: “O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, me qëllim që të jeni të devotshëm.” |Bekare: 183|

Agjërimi i muajit të  Ramazanit  është  një nga veprat më të mira që të afron tek Zoti i Madhëruar. I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin duke besuar dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet që ka bërë më herët.” E transmeton Buhariu me nr. 38, dhe Muslimi me nr. 760.

Vërejtje:

Që agjërimi i besimtarit të jetë sa më i begatë preferohet që t’i kushtohet rëndësi ngrënies së syfyrit dhe lutjes të cilën agjëruesi e bën në kohën e iftarit. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ushqehuni në syfyr sepse në të ka bereqet!” E transmeton Buhariu me nr. 1923, dhe Muslimi me nr. 1905.

Gjithashtu ka thënë: “Syfyri është ushqim i begatë prandaj mos e lini atë edhe me një gllënjkë ujë, sepse Allahu i bekon ata që hanë syfyr dhe engjëjt luten për ta.” E transmeton Ahmedi në librin “El-Musned” 3/44, dhe Mundhiri në “Et-Tergib” 2/139. Albani e ka konsideruar hadith të mirë në librin “Sahihu et Tergib” me nr. 1070.

Kur afrohet koha e çeljes së iftarit është e pëlqyeshme që muslimani ta shfrytëzojë për t’u lutur, sepse lutja në atë kohë është e pranueshme nga Allahu i Lartësuar.

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Tre kategorive nuk u kthehen lutjet mbrapsht: Prijësit të drejtë, agjëruesit kur çel iftarin, dhe lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi.” E transmeton Tirmidhiu me nr. 2525. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në librin “Sahihu et Tirmidhi” me nr. 2050.

Gjithashtu, përveç lutjeve të ndryshme që muslimani mund të bëjë në këtë kohë të begatë preferohet të thotë dhe lutjen të cilën na i ka mësuar Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lidhje me çeljen e iftarit: “Dhehebe dhameu, ue bteletil uruku, ue thebetel exhru insha Allah. – U largua etja, u njomën venat dhe u depozitua shpërblimi në dashtë Allahu!” Transmeton Ebu Daudi në “Sunenin” e tij me nr. 2357. Albani e ka vlerësuar hadith të mirë në librin “Sahihu Ebi Daud” me nr. 2066.

Loading...