Çështja e katërt: Përcaktimi i nijetit në agjërim.

August 10, 2010

Çështja e katërt:

Përcaktimi i nijetit në agjërim.

Transmetohet nga Umer bin el Hatabi radijAllahu anhu se ka thënë: E kam dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Vërtetë veprat konsiderohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që ka patur për qëllim. Kush bën hixhret për të arritur diçka nga kjo dunja (nga pasuritë dhe kënaqësitë e saj) ose për t’u martuar me një femër, hixhreti i tij vlerësohet sipas asaj për të cilën bëri hixhret (nuk meriton nga ky hixhret gjë tjetër veçse atë që kishte për qëllim)”. Transmeton Buhariu dhe Muslimi[1] .

Ky hadith tregon se çdo vepër ka nijetin (qëllimin) e saj të veçantë prandaj ky hadith është argument për obligueshmërinë e përcaktimit të nijetit për atë vepër. Më këtë hadith është argumentuar ai grup dijetarësh që thonë se është detyrë  përcaktimi i nijetit në agjërim, që do të thotë: të besojë (të jetë i bindur) se ai nesër do të agjërojë Ramazanin apo kazanë e ditëve të mbetura prej tij ose agjërim kefareh (shlyerje gabimi), ose agjërim nedhri (zotimi) ose diçka tjetër.

Ky mendim është medhhebi i Malikut [2], i Shafiut sipas mendimit më të njohur në medhhebin e tij[3] dhe mendimi i Ahmedit sipas njërit transmetim nga ai[4]. Ndërsa Ebu Hanifeja ka mendimin se agjërimi i Ramazanit dhe i zotimit (nedhrit) të përcaktuar lejohet të agjërohet me nijet të përgjithshëm (Sh.p.: domethënë: thjesht bën nijetin për të agjëruar pa e përcaktuar se ç’lloj agjërimi) ose me nijet nafile[5], ky mendim gjithashtu është një nga transmetimet nga imam Ahmedi[6].

Thashë: Hadithi duket qartë që është argument për atë grup dijetarësh të cilët janë me mendimin e obligueshmërisë së përcaktimit të nijetit.

Mbi këtë çështje bazohet një çështje tjetër, ajo është: Kushtëzimi i nijetit në agjërim, domethënë: a lejohet të bëjë nijetin duke thënë: Nëse nesër është Ramazan atëherë unë jam agjërueshëm ose përndryshe jo?

(Ibn Tejmijeh ka thënë): E vërteta rreth kësaj çështjeje është se nijeti është në varësi të dijes prandaj nëse ai person e di që nesër patjetër është Ramazan atëherë në këtë rast duhet patjetër ta përcaktojë nijetin. Nëse në këtë rast e bën nijetin për agjërim të papërcaktuar ose agjërim nafile, atëherë ai nuk e ka kryer obligimin sepse Allahu e ka urdhëruar që të ketë për qëllim me këtë agjërim kryerjen e obligimit që ka: agjërimin e muajit të Ramazanit, të cilin dihet që e ka detyrë, prandaj nëse nuk e kryen atë detyrë nuk e ka hequr përgjegjësinë që ka mbi vete. Ndërsa në qoftë se nuk e di se dita e nesërme është Ramazan atëherë në këtë rast nuk e ka detyrë ta përcaktojë nijetin dhe kushdo që e bën detyrë përcaktimin e nijetit megjithëse personi nuk e di që nesër është Ramazan, s’ka dyshim se ka bërë detyrë  bashkimin mes dy të kundërtave (të cilat është e pamundur që të bashkohen)[7]. Pra nuk e ka detyrë ta kushtëzojë nijetin. Nuk lejohet që të gdhihet agjërueshëm në ditën e dyshimtë, nëse është dita e fundit e Shabanit nuk duhet të agjërojë ndërsa nëse është dita e fundit e Ramazanit duhet ta agjërojë atë ditë.

E ka detyrë që të gdhihet muftir (joagjërueshëm) në ditën e dyshimtë, ndërsa nëse gjatë asaj dite merr vesh se ajo ditë është dita e parë e Ramazanit, atëherë e bën nijetin që në atë moment dhe e përcakton atë (që të jetë për agjërimin e obligueshëm), vetëm kaq ka për detyrë.

Ky mendim përforcohet me pikat e mëposhtme[8]:

  1. 1. Profeti salallahu alejhi ue selem e ka ndaluar që të agjërohet dita e dyshimtë.
  2. 2. E sakta që zgjodhëm është vlefshmëria e agjërimit farz duke e bërë nijetin gjatë ditës nëse nuk ka arritur ta marrë vesh lajmin para agimit, si p.sh.: nëse dëshmohet me fakte gjatë ditës se ka hyrë Ramazani.
  3. 3. Sepse mendimi i saktë që zgjodhëm është se nëse bëhet detyrë agjërimi gjatë ditës me arsye të veçantë si p.sh.: shikimi i hënës gjatë ditës atëherë e agjëron pjesën e mbetur të asaj dite dhe nuk e ka detyrë ta kryejë atë kaza edhe nëse ka ngrënë më parë në atë ditë.

[1] Buhariu në disa pjesë të Sahihut të tij p.sh.: në librin: Fillimi i shpalljes, kapitulli: Si ishte fillimi i shpalljes tek Profeti haidthi nr 1, Muslimi në librin e Udhëheqjes, kapitulli rreth fjalës së Profetit: Veprat konsiderohen sipas qëllimeve hadithi nr 1907. Shiko në librin Xhamiul Usul 11/55

[2] El Kauaninul fikhijeh fq 80, el feuakihu ed-Deuanij 1/355.

[3] El hauij el Kebir 3/421, el Muhedheb 1/244. Shiko: Hiljetul ulema fq 30.

[4] el Mugnij 3/94-95, el Mubdi 3/19-20. Shiko el Ifsah fq 1

[5] El Ihtijar 1/126, Fet-hul Kadijr 2/308. Në el Ihtijar 1/126 thuhet se më e mira është të agjërojë duke e bërë nijetin që natën dhe ta përcaktojë, ashtu që t’i shmanget mospajtimit që kanë dijetarët në këtë çëshjte.

[6] El Ifsah 1/233, el Mugnij 3/65, Mexhmul Fetaua 25/101.

[7] Marrë nga fjala e shejhul islam Ibn Tejmijeh në Mexhmuul Fetaua 25/101.

[8] Këto gjëra përforcuese janë mendimet e zgjedhura nga ana jonë si t ë sakta në këtë libër në disa çështje, prandaj u mjaftova me përmendjen e tyre si pika, pa u zgjatur në argumentimin rreth tyre. Nëse lexuesi i nderuar dëshiron, atëherë le t’i kthehet çdo çështjeje në vendin e saj të caktuar në këtë libër. Allahu është që jep sukses!

Loading...