Çështje që cënojnë durimin (pjesa e shtatë dhe e fundit)

– Çështje që cënojnë durimin –

Durimi, siç kemi thënë, është të tregohesh i përmbajtur gjatë hidhërimit, ta frenosh gjuhën nga ankesat dhe t’i ndalësh duart nga goditja e fytyrës dhe shqyerja e teshave gjatë fatkeqësive. Nisur nga kjo themi se sa herë që njeriu nuk tregohet i përmbajtur në ndonjërën prej rasteve të mësipërme, ai në këtë mënyrë ka lënë mangët diçka prej durimit duke humbur kështu një pjesë të mirë të sevapit dhe shpërblimit.

Në vijim, do të sjellim shkurtimisht disa nga çështjet që cënojnë durimin dhe pakësojnë shpërblimin:

  1. Ankesat e panevojshme duke kërkuar ngushëllim tek njerëzit për ndonjë fatkeqësi që e ka goditur.

Nuk i ka hije besimtarit të qahet e të ankohet tek krijesat e Zotit për fatkeqësitë dhe brengat me të cilat Zoti i Madhëruar e ka sprovuar. Të qahesh tek krijesat për diçka me të cilën Krijuesi të ka sprovuar do të thotë të ankohesh ndaj Zotit, i Cili është më i mëshirshëm për robin sesa nëna për foshnjën e saj. Kjo ngase po ankohesh tek ata të cilët as nuk munden të të mëshirojnë e as që janë në gjendje të ta largojnë fatkeqësinë. Ankesat e tepërta e të panevojshme janë tregues për diturinë e pakët dhe besimin e dobët.

Tregohet se njëri nga muslimanët e hershëm kishte parë se si një varfanjak po i qahej një pasaniku për gjendjen e vështirë ekonomike që po kalonte. Ky e kishte kritikuar sjelljen e tij duke i thënë: O njeri! A po ankohesh ndaj Atij që të mëshiron tek ai që nuk të mëshiron?! – Pastaj i thuri këto vargje:

Nëse të godet e keqja bëj durim,

Ashtu siç i ka hije robit që tek Zoti i tij shpreson.

Birit të Ademit (njeriut) mos iu qaj për ndihmë,

Mos u anko ndaj Atij që mëshiron tek ai që nuk mëshiron!

Nuk bie ndesh me durimin nëse dhembjen dhe hidhërimin tënd ia paraqet Allahut. Kështu veproi profeti Jakub (alejhi selam) kur e goditën fatkeqësitë, i cili kërkoi ndihmë dhe strehim tek Zoti i tij:

قَالَ إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّهِ

“(Jakubi) tha: Unë dhimbjen dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut.” Jusuf: 86.

Po ashtu, nuk bie ndesh me durimin nëse shqetësimin tënd ia shpreh dikujt prej njerëzve të cilët janë në gjendje të të vijnë në ndihmë. I tillë është rasti kur i sëmuri i tregon mjekut për problemet e tij shëndetësore, apo kur dikujt i është bërë padrejtësi dhe kërkon ndihmë tek ata që mund t’ia largojnë padrejtësinë.

  1. Ndër çështjet që e cënojnë durimin dhe bien ndesh me të është veprimi i atyre njerëzve të cilët kur i godet fatkeqësia vajtojnë, shqyejnë teshat në shenjë zemërimi, godasin faqet, gërvishtin trupin me thonj apo shkulin flokët.

Disa të tjerë përplasin duart, dëmtojnë sendet që gjejnë pranë dhe ulërijnë e mallkojnë. Të gjitha këto veprime konsiderohen të shëmtuara dhe nuk lejohen. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka njoftuar se këto veprime të shëmtuara nuk kanë asnjë lidhje me fenë Islame.

Nuk bie ndesh me durimin nëse fatkeqësia përjetohet me lot dhe pikëllim, por pa ngritur zërin me vajtim dhe pa thënë fjalë të pahijshme. Allahu i Madhëruar duke përshkruar pikëllimin e madh që kishte kapluar Jakubin (alejhi selam), thotë:

وَابْيَضَّتْ عَيْنَاهُ مِنَ الْحُزْنِ فَهُوَ كَظِيمٌ

“Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim.” Jusuf: 84.

  1. Ndër çështjet që e cënojnë durimin dhe e pakësojnë shpërblimin është edhe shfaqja e mërzisë dhe të folurit për fatkeqësinë vend e pa vend.

Njerëzit e urtë kanë thënë: “Prej moralit të mirë të njeriut është fshehja e fatkeqësisë, e sëmundjes dhe e sadakasë (lëmoshës që i jep nevojtarit).” Gjithashtu kanë thënë: “Fshehja e pikëllimit është esenca e durimit.”

  1. Ndër çështjet që e cënojnë durimin është shfaqja e panikut dhe tronditjes së thellë në rastin e fatkeqësive.

E ngjashme me këtë është edhe shprehja e ngazëllimit të papërmbajtshëm kur i ndodh diçka e gëzueshme. Ndërsa, cilësi e besimtarëve të mirë është që të tregohen të matur në të dyja rastet. Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّ الْإِنسَانَ خُلِقَ هَلُوعًا إِذَا مَسَّهُ الشَّرُّ جَزُوعًا وَإِذَا مَسَّهُ الْخَيْرُ مَنُوعًا

إِلَّا الْمُصَلِّينَ الَّذِينَ هُمْ عَلَىٰ صَلَاتِهِمْ دَائِمُونَ

“Vërtet që njeriu është krijuar i brengosur; kur atë e godet e keqja ai ligështohet fort, por kur i bie e mira ai bëhet koprrac. Përjashtim bëjnë ata që falen e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre…” Mearixh: 19-23.

Nuk bie ndesh me durimin keqardhja dhe dhimbja që ndien njeriu në rast fatkeqësie dhe as lotët që rrjedhin prej syve, pasi kjo është diçka e natyrshme. Por muslimani duhet të tregohet i matur dhe i durueshëm dhe nuk duhet të mendojë keq për Zotin e tij. Muslimani nuk thotë fjalë të pahijshme dhe nuk bën veprime të pamatura, pasi ai ka bindjen se ajo fatkeqësi që i ka ndodhur është caktim nga Allahu dhe sprovë. Ai ka bindjen se Allahu nuk e braktis robin e Tij dhe nuk e humb atë.

Lus Allahun e Madhëruar, Zotin e gjithësisë, të na japë durim dhe të na bëjë prej durimtarëve!

Lutja jonë e fundit është: Paqja, mëshira dhe bekimet e pashtershme qofshin mbi të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij fisnikë, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhën e tij deri në ditën e fundit!

 

Përgëzoji durimtarët!   – pjesa e shtatë dhe e fundit –

Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad.

Përshtati në gjuhën shqipe: E. Ajdini.