Kush është i sëmurë dhe nuk agjëron për shkak të sëmundjes e ka detyrë kompensimin e atyre ditëve pas Ramazanit.
Nëse sëmundja është e vazhdueshme e nuk pritet të shërohet ose është e tillë që as pas Ramazanit nuk mund të agjërojë kurrsesi, atëherë është detyrë kompensimi me ushqime.
Mënyra më e thjeshtë është të shtrojë një iftar me 30 persona dhe kështu ka ushqyer 30 persona (aq sa e ngop njeriun) për 30 ditët që nuk ka agjëruar.
Nëse s’do të shtrojë iftar mund të ushqejë një të varfër çdo ditë në masën gjysmë Sa’a. Sa’a ishte një enë në kohën e Profetit -salAllahu alejhi ue selam- e cila përdorej si njësi matëse. Prej atyre enëve ka akoma sot ne muzeume ose të trashëguara brez pas brezi në disa familje që kanë edhe senedin e trashëgimit.
Prej ushqimeve që i jepen të varfrit në Ramazan dhe pas Ramazanit si sadaka e fitrit nuk është çdo lloj ushqimi, por disa lloje të veçanta, si p.sh. kokrrat, farat, frutat e thata. Këto ushqime peshohen me enë (kaq Sa’a plot me filan kokërr ose fara) dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë, si p.sh.: orizi, gruri, misri, mielli, fasulja etj. Këto ushqime kanë urtësi të shumta në përzgjedhjen e tyre.
Prej këtyre urtësive përmendim: Nëse bëhemi 10 besimtarë bashkë dhe i dërgojmë secili 50 kg miell një familjeje shumë të varfër, atyre i mblidhen 500 kg miell dhe hanë një vit me to. Ndërsa nëse i dërgojmë secili nga 50 kg domate i bëhen 500 kg domate dhe pas një jave janë prishur 490 kg domate.
Ushqimet e zgjedhura për kompensim e sadaka qëndrojnë dhe janë zgjidhje më e mirë. Një pallat ka 20 familje minimumi. Nëse të gjithë japin sadakanë e fitrit p.sh. nga 10 kg miell dhe ja japin një të varfëri që kanë në pallat, ai tashmë ka 200 kg miell. Me të bën bukën për gjashtë muaj. Bereqeti i kësaj dispozite është i mahnitshëm. Një herë në vit e kanë detyrë të nxjerrin aq ushqim sa nuk i dëmton aspak ekonomikisht, por sigurojnë ushqimin e një komshiu të varfër për muaj të tërë.
Po sikur të jenë edhe bamirës përtej asaj që kanë detyrë? Atëherë do të zhdukej varfëria në tokë.
Shejh Ferkusi -Allahu e ruajtë- ka bërë matjen e këtyre ushqimeve me Sa’a origjinale dhe ato i kemi në tabelën e mëposhtme. Ka mbushur Sa’an plot me miell të tipit 0.0 dhe e ka hedhur në peshore atë sasi dhe ka qenë 1.4 kg. Disa ushqime të tjera kanë masë më të vogël, disa më të madhe dhe ka pesha të ndryshme në varësi se sa ushqim e mbush enën Sa’a.
Për zekatin e fitrit pas Ramazanit është detyrë nje Sa’a si në tabelë, ndërsa për ushqyerjen e të varfërve për atë të sëmurë që nuk mundet të agjërojë duhet vetëm gjysmë Sa’a, gjysma e këtyre peshave në tabelën e mëposhtme. P.sh.: 1 Sa’a miell është 1400 gram, ti duhet të japësh vetëm 700 gram si ushqyerje për të varfrit.
Lejohet të bësh 30 ditë x 700 gram miell = 21 kg miell. Mund t’ia çosh këtë 21 kg miell bashkë të gjitha menjëherë një të varfëri, ose t’ua dërgosh 30 të varfërve nga 0.7 kg miell, ose një të varfëri çdo ditë t’i japësh 0.7 kg miell. Por më e mira është të bëhesh bashkë me besimtarë të tjerë dhe t’ua dërgoni të gjithë bashkë një familjeje shumë të varfër, në mënyrë që ai ushqim t’i mjaftojë për kohë më të gjatë, duke i hequr kështu një barrë të rëndë të jetës së tyre edhe pas Ramazanit.
Mund t’i bësh të gjitha miell ose t’i alternosh në mënyrë që i varfëri të ketë larmishmëri ushqimesh, p.sh. 30 ditët t’i ndash në 6 ditsha; 6 ditë miell, 6 ditë fasule, 6 ditë bizele, 6 ditë makarona, 6 dite oriz.
Nga kjo ndarje kemi këtë llogaritje:
Për ushqyerjen me gjysmë Sa’a (gjysmën e peshave ne tabelë):
6 x 700 gram miell = 4.2 kg miell (mund të japësh 4.5 kg ose 5 kg).
6 x 1030 gram fasule = 6.18 kg fasule (mund të japësh 6.5 kg ose 7 kg).
6 x 1120 gram bizele = 6.72 kg bizele (mund të japësh 7 kg).
6 x 1500 gram makarona = 9 kg makarona.
6 x 1150 gram oriz = 6.9 kg oriz (mund të japësh 7 kg).
Ndërsa për sadakanë e fitrit para Bajramit, është detyrë vetëm 1 Sa’a ushqim për një anëtar të familjes tënde. Preferohet të jepet edhe për fëmijën në barkun e nënës, p.sh. një familje me 5 anëtarë jep vetëm 5 Sa’a miell, d.m.th. 5 x 1400 kg miell = 7 kg miell; ose mund t’i kombinosh 1 sa’a miell (1400 gram si në tabelën e mëposhtme ose 1.5 kg ose 2 kg që ta rrumbullakosh), 1 sa’a oriz, 1 sa’a makarona, 1 sa’a bizele, 1 sa’a fasule.
A ka problem nëse familjes së varfër i dërgoj edhe vaj, mish, sheqer etj.? Plotësoji fiks ose me shumë ato që janë detyrim, pastaj shtoja këto të tjerat dhe të shkruhen tek Allahu si sadaka. E ku ka sadaka më të mirë sesa në Ramazan! Në sadakanë e fitrit pasi ke plotësuar saktë sasinë e duhur me ushqimet e duhura shto një pije, një pako karamele ose ndonjë ëmbëlsirë. Gëzoja zemrën asaj familjeje të kenë me se ta presin Bajramin ditën e nesërme. Nëse ke gjendje ekonomike dhe Allahu ka vendosur mëshirë e bujari në zemrën tënde, dhuro ndonjë lodër për fëmijën e asaj familje, ose ndonjë shumë parash, apo çfarëdo që e gëzon zemrën e tyre.