Çfarë duhet të bëjë muslimani për të arritur mirësitë e natës së Kadrit?

Çfarë duhet të bëjë muslimani për të arritur mirësitë e natës së Kadrit?

Për të arritur mirësitë dhe begatitë e kësaj nate, muslimani duhet të fokusohet në dy adhurime:

  • Të shtojë namazin e natës.

Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.”[1]

  • Të shtojë lutjet.

Duke qenë se nata e Kadrit është ajo natë në të cilën zbresin vendimet hyjnore për vitin në vijim, kjo e bën atë një mundësi të mirë për njeriun që t`i lutet Zotit që gjatë atij viti t`i japë  nga të mirat e Tij të panumërta dhe ta mbrojë nga të këqijat.

Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar lutjes të cilën Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) na e ka mësuar enkas për këtë natë. Aisheja –radiallahu anha- tregon  se e ka pyetur Profetin (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!): O i Dërguari i Allahut! Nëse do ta dija se kur është nata e Kadrit çfarë lutje të them? Ai e mësoi të thotë:
“Allahume ineke afu’un tuhibul afue fe`afu  ani!”[2]

       O Zot, Ti je Mëkatfalës, e do faljen, prandaj më fal mua!

[1] E transmeton Buhariu me nr. 35 dhe Muslimi me nr. 760.

[2] E transmeton Tirmidhiu me nr. 3513, Ibn Maxheh me nr. 3113, etj. Hadithi është vlerësuar i saktë nga Neveviu në el Edhkar me nr. 247, Ibnul Kajjimi në I`lamul muveki’in 4/249 dhe Albani në “Sahihu Tirmidhi” me nr. 3513.