Çfarë e bën natën e Kadrit një natë kaq të veçantë?
Vlera e natës së Kadrit shpaloset në katër veçori madhështore:
1- Në të ka zbritur Kurani.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit.” (Kadr: 1)
Në një ajet tjetër thotë: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në një natë të begatë.” (Duhan: 3)
2- Shpërblimet e veprave të mira shumëfishohen si asnjëherë tjetër, duke e bërë këtë natë më të vlefshme se një mijë muaj adhurim. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (Kadr: 3)
3- Në këtë natë, engjëjt me në krye engjëllin Xhibril zbresin me vendimet hyjnore për çdo gjë që do të ndodhë në Tokë për një vit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) zbresin natën e Kadrit me caktimin e çdo gjëje (për vitin).” (Kadr: 4)
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- transmeton se Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Engjëjt atë natë janë më të shumtë sesa numri i guralecëve në Tokë.”[1]
4- Kush e kalon këtë natë duke u falur dhe duke adhuruar Zotin i falen të gjitha gjynahet e kaluara. Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet që i ka bërë më herët.”[2]
—————————————————
[1] Transmetohet tek Musnedi i Ahmedit me nr. 10734, Ibn Huzejme me nr. 2194. Albani e ka vlerësuar si hadith të mirë në “Silsiletu es Sahiha” me nr. 2205.
[2] E transmeton Buhariu me nr. 35 dhe Muslimi me nr. 760.