Çfarë e trondit akiden – pjesa e pestë dhe e fundit –

February 21, 2008

Si kjo që përmendëm është dhe fjala e disa rafidive, të cilët thonë se dymbëdhjetë imamllarët e tyre dinë të fshehtën. Kjo është kufër (mosbesim), humbje dhe braktisje e Islamit në bazë të fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë:


“Thuaj: Askush në qiell dhe në tokë nuk e di gajbin (të fshehtën, të panjohurën) veç Allahut.” | En Neml: 65.


Nëse festohet (mevludi) me leximin e jetëshkrimit të pejgamberit, përmendja e gjërave që kanë ndodhur në lindjen e tij, luftërat e tij dhe gjëra të tjera të kësaj natyre të cilat ndodhin në ceremonitë që ata i organizojnë, atëherë kjo vepër që bëjnë në këtë formë është bidat (risi) në fe që e bën të mangët atë por nuk e bën të pavlefshme.


Prej këtyre bidateve është dhe ideologjia që kanë disa injorantë për muajin Sefer, kur thonë se në këtë muaj nuk bën të udhëtohet sepse në këtë muaj është një kafshë që quhet Sefer e cila e dëmton barkun. Ata bëhen pesimist për shkak të kësaj. Kjo ideologji e tyre është injorancë dhe humbje. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë:

”Nuk ka molepsje dhe nuk ka shenja ogurzeza.


Kjo sepse besimi në molepsjen, parandjenjën, të lidhurit me vendbanimet e hënës (sh. p.: numri i tyre është njëzet e tetë dhe çdo natë zbret një nga ato vendbanime). Allahu i Lartësuar thotë:


”Edhe hënës Ne i përcaktuam dhe i matëm asaj vendbanime (faza që t’i përshkojë).” | Jasin: 39.


Arabët ia atribuonin shiun këtyre vendbanimeve ose gogolit (lloj shejtani), dhe që të gjitha këto janë prej çështjeve të kohës së injorancës dhe janë gjëra që e tronditin fenë. Pretendimi se ekziston molepsje është pretendim i kotë. Mirëpo duhet pasur parasysh se Allahu ka bërë që përzierja me disa të sëmurë të jetë shkak për ndodhjen e sëmundjes tek ai që është i shëndoshë, por molepsja nuk ndodh vetë me natyrën e saj. Një nga arabët kur dëgjoi fjalën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që tha: “Nuk ka molepsje…”, – tha: O i dërguar i Allahut! Devetë qëndrojnë në rërë sikur të ishin diba (lloj kafshe), e nëse hyn tek ato zgjebarakja ua ngjit zgjeben atyre. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: ”Po kush e zbriti zgjeben (ose sëmundjen ngjitëse) në fillim?” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.


E gjithë çështja është në dorën e Allahut të Lartmadhëruar. Nëse Ai do ia ngjit zgjeben për shkak të kësaj zgjebje (që ndodhet tek zgjebarakja), dhe nëse nuk do nuk ua ngjit zgjeben atyre. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: ”Të mos prezantojë ai që ka deve të sëmura tek ai që ka deve të shëndosha‘.’ Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kuptimi i hadithit është: Mos i sillni devetë e sëmura tek ato deve që nuk janë të sëmura, por i vendosni në një vend të veçantë dhe të tjerat në vend tjetër. Pra kjo bëhet për t’u ruajtur nga e keqja dhe për t’u larguar nga rrugët që të çojnë tek ajo, sepse siç dihet gjërat janë në dorën e Allahut dhe nuk mund ta vendos dikush molepsjen prej natyrës së vet por kjo është në dorën e Allahut.


“Thuaj: Kurrë nuk do të na ndodhë gjë neve përveç çfarë Allahu ka caktuar për ne.” | Et Teube: 51.


Përzierja me dikë është prej shkaqeve që gjendet sëmundja prandaj nuk duhet të ndodh kjo përzierje. Zgjebaraku (ose dikush që ka sëmundje molepse) të mos përzihet me të shëndoshin (që nuk është i sëmurë).


Kështu na ka urdhëruar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Kjo bëhet për shkak të ruajtjes dhe të mbrojtjes prej shkaqeve të së keqes. Mirëpo kjo nuk do të thotë se nëse ai përzihet me dikë ka për ta molepsur! Jo, ai mund të moleps (t’ia ngjit sëmundjen) dhe mund të mos moleps. Kjo gjë është në dorë të Allahut te Lartësuar, prandaj Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Kush e zbriti zgjeben (ose sëmundjen ngjitëse) në fillim?” Nga hadithet që kanë lidhje me këtë temë është dhe fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ku thotë:
Arratisu nga i lebrosuri ashtu siç arratisesh nga luani.” Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij dhe Buhariu ta’likan (me zinxhir transmetimi të shkëputur), por Ibën Haxheri tha se Ebu Nuajmi e transmetoi me zinxhir transmetimi të plotë prej rrugës së Ebu Daud Tajalisini dhe zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë. Po ashtu përmendi se edhe Ibën Huzejme e transmetoi me zinxhir transmetimi. Bagauiu pasi e vendosi në librin e tij “Sherhus-suneh” tha se hadithi është i saktë.


Pesimizmi që ndodhej tek njerëzit e kohës se injorancës me molepsjen, shenjat ogurzeza, me shpirtin e të vdekurit të cilëve u dukej sikur fluturonte rreth varrit të tij si zog prej të cilit bëheshin pesimist, që të gjitha këto janë gjëra të kota dhe nuk kanë asnjë bazë. Shpirti i të vdekurit është peng në xhenet ose në zjarr. Shenjat ogurzeza, pesimizmi me gjërat që i shikon dhe që i dëgjon janë prej punës së kohës së injorancës (xhahilijes). Ata bëheshin pesimist kur shikonin diçka që nuk i pëlqente si korbin, gomarin e zi ose me bisht të prerë dhe gjëra të tjera si këto. Kjo ndodhte për shkak të injorancës dhe humbjes së tyre. Allahu i Lartësuar u kundërpërgjigjet atyre duke u thënë:
“Kini mendjen! Me të vërtetë që shenjat ogurzeza janë vetëm tek Allahu (si të dojë Ai).” | El A’raf: 121.


Dëmi dhe dobia, dhënia dhe pengimi janë në dorë të Allahut, ndërsa shenjat ogurzeza nuk kanë origjinë. Ajo është diçka që ata e parandiejn dhe e gjejnë në gjokset e tyre që në të vërtetë nuk është asgjë. Ajo është diçka e kotë prandaj dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Nuk ka shenja ogurzeza.” Prandaj nëse shikon atë me të cilën bëhet pesimist, të mos kthehet prej qëllimit për të cilin është nisur por të vazhdojë. Nëse është nisur për udhëtim dhe papritur shikon një gomar që nuk e pëlqen ose shikon një burrë që nuk e pëlqen e të tjera të kësaj natyre, të mos kthehet por të vazhdojë punën e tij dhe të mbështetet tek Allahu. Nëse ai kthehet atëherë kjo është shenjë ogurzezë, dhe shenja ogurzezë e trondit akiden por nuk arrin shkallën e shirkut të madh, pra është shirk i vogël.


Të gjitha bidatet e tronditin akiden por nuk arrijnë gradën e kufrit përderisa ato nuk shoqërohen me kufër. Bidatet si: bidati i mevludit, ndërtimi mbi varre, ndërtimi i xhamive mbi varre, namazi i regaibit (të cilin disa e kryejnë të enjten e parë të muajit Rexheb, për të cilën ibën Tejmija dhe shumë dijetarë të tjerë thonë se nuk e ka falur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe asnjë nga të parët. Hadithet që kanë ardhur në lidhje me të janë të shpikura dhe gënjeshtra dhe të gjitha këto janë bidate. Po ashtu edhe festimi i natës së Isras dhe Miraxhit të cilën e përcaktojnë në datën njëzet e shtatë të muajit Rexheb, edhe kjo është bidat që nuk ka origjinë.

Disa njerëz festojnë natën që është në mes të muajit Shaban duke bërë në këtë natë punë për t’u afruar tek Allahu me to. Ndoshta ndonjë prej tyre falet gjithë natën ose e agjëron atë ditë të saj duke pretenduar se kjo që bën e afron tek Allahu. E gjithë kjo që bëjnë ata nuk ka origjinë dhe hadithet që kanë ardhur në lidhje me të nuk janë të sakta, madje ajo është prej bidateve.


Fjala e përgjithshme (që është si rregull) në lidhje me këtë çështje është se çdo gjë prej adhurimeve të cilat i kanë shpikur njerëzit dhe çdo gjë të cilën nuk e ka urdhëruar i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem apo nuk e ka vepruar, ose që nuk e ka aprovuar është bidat. Ky gjykim del se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kush shpik diçka të re në çështjen tonë çfarë nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Përsëri thotë: “Kush vepron një vepër e cila nuk është në çështjen tonë, ajo është e refuzuar.” Ai thoshte në ligjëratën e ditës së xhuma: “Gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura (në fe) dhe çdo bidat është humbje.” Ai i paralajmëronte njerëzit që të ruheshin prej bidateve dhe i ftonte ata të kapeshin me sunet.


Është detyrë për muslimanët që ta kapin fort Islamin dhe të ecin me të pa u lëkundur. Nëse e bëjnë këtë atëherë kjo u mjafton atyre dhe me këtë do arrijnë përsosmërinë. Ata nuk kanë nevojë për bidate. Allahu i Lartësuar thotë:


“Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha Islamin si fe.” | El Maide: 3.


Pra, Allahu e përsosi dhe e plotësoi fenë me falënderimin dhe lavdërimin e Tij. Njerëzit nuk kanë nevojë të sjellin bidate kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Detyrë për ju është që të merrni Sunetin tim dhe Sunetin e halifëve të drejtë e të udhëzuar pas meje. Kapini fort ato dhe kafshojini me dhëmballë.” Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.


Njerëzit nuk kanë nevojë për bidatet e Zejdit dhe të Amrit (emra të rastësishëm). Detyrë për ta është që të kapen me atë që ka bërë ligj Allahu, të ecin në rrugën e Allahut, të qëndrojnë tek kufijtë që Ai ka vendosur dhe t’i lënë ato që kanë shpikur njerëzit, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar duke i nënçmuar bidatet dhe bidatçinjtë:


“Apo kanë ata shok e të barabartë me Allahun (zota të rremë të tyre) të cilët kanë themeluar e caktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e caktuar Allahu?” | Esh-Shura: 21.


Allahu u dhëntë sukses të gjithëve për atë që është më e mirë, e përmirësoftë gjendjet e muslimanëve, u dhëntë sukses që të kuptojnë fenë e tyre dhe i largoftë ata nga shkaqet e devijimit, humbjes dhe deformimit. Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen dhe mbi shokët e tij!

 

Shkëputur nga broshura: “Çfarë e trondit akiden”.

(Origjina e kësaj broshure është një ligjëratë e shejhut të nderuar.)

Autor: Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz

Përktheu: Bledar Aliu

Dosje: ,

Loading...