Çfarë është namazi i Bajramit dhe si falet ai?
Namazi i Bajramit është ai ku imami prezanton dhe i udhëheq njerëzit në faljen e dy rekateve. Umeri ka thënë: “Namazi i Fitër Bajramit është dy rekate dhe namazi i Kurban Bajramit është dy rekate, të plota dhe jo të shkurtëra. Kështu është thënë nga goja e Pejgamberit tuaj. Ndërsa ai që trillon gënjeshtra është i shkatërruar.” Transmeton Nesaiu 1420 dhe Ibn Huzejme. Hadithi është klasifikuar si sahih nga shejh Albani në librin “Sahih en-Nesai”.
Ebu Seidi ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dilte në ditën e Fitrit dhe Kurbanit në vendin e namazit, dhe gjëja e parë që bënte ishte namazi.
Transmeton Buhariu me nr. 956.
Si ta falim namazin e Bajramit?
Në rekatin e parë imami merr tekbirin fillestar, duke thënë “Allahu Ekber” për të filluar namazin. Pas këtij tekbiri ai duhet të thotë edhe gjashtë apo shtatë tekbire të tjera bazuar në hadithin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Tekbiret e namazit të fitrit dhe të Kurbanit janë shtatë tekbire në rekatin e parë dhe pesë tekbire në të dytin, përveç tekbirit të rukusë.” Transmeton Ebu Daudi. Ndërsa shejh Albani e ka klasifikuar si sahih në librin “Irvaul galil” 639.
Pastaj imami duhet të lexojë suren El Fatiha, dhe pas saj është mirë të lexojë suren Kaf në rekatin e parë.
Në rekatin e dytë ai ngrihet duke thënë tekbirin, dhe kur të jetë i ngritur plotësisht duhet të thotë edhe pesë tekbire të tjera, pastaj të lexojë suren El Fatiha, dhe më pas pëlqehet të lexohet surja El Kamer.
Çfarë duhet lexuar në namazin e Bajramit?
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lexonte suren Kaf dhe suren El Kamer gjatë dy Bajrameve. Përndryshe mund të lexojë suren El Ala në rekatin e parë dhe suren El Gashijeh në të dytin, sepse është transmetuar nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ai e lexonte edhe suren El Ala dhe El Gashijeh në namazin e Bajramit.
Imami është mirë ta ringjallë Sunetin duke i recituar këto sure, në mënyrë që muslimanët të njihen me traditën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Mbajtja e hutbes pas namazit të Bajramit.
Pas namazit imami duhet t’iu drejtohet njerëzve. Një pjesë e hutbes duhet t’iu drejtohet posaçërisht grave, duke u treguar atyre për gjërat që duhet të bëjnë dhe duke u tërhequr vërejtjen për gjërat që duhet të shmangin, siç bënte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Shih librin “Fetaua erkan el Islam” nga Shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin, fq. 398, dhe “Fetaua el-lexhneh ed-daimeh” 8/300-316.
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Bajramet
Të Ngjashme
- Prej Dispozitave të Sadakasë së Fitrit Dr. Fatmir Strumi
- Reflektim rreth Ngjarjeve që Ndodhin në Vendet Muslimane Dr. Fatmir Strumi
- Pozita e Namazit të Sabahut dhe 10 shpërblimet e tij Udha e Besimtarëve
- Përgatitja para hyrjes së muajit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi
- Nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban – nata e Beraetit Dr. Fatmir Strumi