Ehli suneti dhe xhemati beson se Allahu i Madhëruar është i vetmi i Cili krijon, posedon, dhe rregullon çështjet e kësaj gjithësie. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Vërtet që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj isteua (u ngrit lart dhe qëndroi) mbi Arsh (Fronin e Tij madhështor ashtu si i takon Madhështisë së Tij). Ai sjell natën si mbulesë të ditës dhe secila duke synuar tjetrën pandërprerë. Ai krijoi edhe diellin, edhe hënën, edhe yjet të nënshtruar ndaj urdhërit të Tij. Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi. I shenjtëruar dhe i lartësuar qoftë Allahu, Zoti i aleminit (i gjithë botëve, i gjithçkaje që ekziston, i njerëzve dhe i xhinëve).” |A’raf: 54|
“Allahut i përket mbisundimi i qiejve dhe i tokës. Ai krijon çfarë do.” |Shura: 49|
“Ai është që jep jetë dhe sjell vdekje, dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.” |Hadid: 2|
Ky është teuhidi rububijeh. Ai gjendet në zemrat e njerëzve dhe nuk e kundërshton askush, qoftë musliman apo jomusliman, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar për jobesimtarët: “Dhe nëse i pyet ata: Kush i ka krijuar qiejt dhe tokën? Me siguri do të përgjigjen: Allahu.” |Lukman: 25|
Gjithashtu ka thënë në lidhje me ta: “Dhe shumica e tyre nuk e besojnë Allahun veçse duke i bashkuar Atij shokë e ortakë si të barabartë me Të.” |Jusuf: 106|
Muxhahidi ka thënë: Besimi i tyre është fjala: “Allahu na ka krijuar neve, na furnizon (na jep rizkun) dhe na vdes.” Ky është besim i cili përzihet me shoqërimin shok të Allahut në adhurimet e tyre.
Politeistët nuk besonin se zotat e tyre krijonin ashtu siç krijon Allahu. Përkundrazi, ata besonin se vetëm Allahu krijon dhe se zotat e tyra merren si ndërmjetës për tek Ai (Allahu), ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Medoemos se feja e vërtetë (adhurimi, përkushtimi dhe nënshtrimi) është vetëm për Allahun. Ata që zgjedhin për mbrojtës dhe ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): Ne i adhurojmë ata vetëm që të mund të na afrojnë tek Allahu.” |Zumer: 3|
Gjithashtu ka thënë: “Thuaju (o Muhamed): Më thoni, çfarë mendoni për (të ashtuquajturit) zotat – shokë të cilët ju i lutni në vend të Allahut? Më tregoni çfarë kanë krijuar ata nga toka? Apo mos kanë ndonjë pjesë në qiej? Apo mos u kemi dhënë Ne atyre ndonjë libër dhe veprojnë mbi dëshmitë e qarta prej tij? Jo! Përkundrazi, dhalimunët (mosbesimtarët keqbërës) nuk i premtojnë gjë njëri- tjetrit veçse hamendje mashtruese.” |Fatir: 40|
Ndërsa për politeistët e Kurejshëve ka thënë: “Vërtet se kur iu tha atyre: La ilahe il-la Allah (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut), ata u frynë me krenari (duke e mohuar atë). Dhe thanë: A t’i braktisim zotat tanë të adhuruar për shkak të një gënjeshtari të çmendur?” |Saffat: 35-36|
Gjithashtu ka thënë për ta: “A i ka bërë ai (të gjithë) zotat në një Zot?! Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” |Sad: 5|
Allahu i Madhëruar e vendosi këtë lloj të teuhidit (njësimit të Allahut) për përforcimin dhe argumentimin me anë të tij për obligueshmërinë e besimit të teuhidit uluhijeh (njësimit të Allahut në adhurim). Kjo vjen si rrjedhojë e faktit se teuhidi rububijeh përfshin adhurimin e vetëm të Allahut (pa i shoqëruar shok në adhurim). Ka thënë Allahu i Madhëruar: “O njerëz! Adhuroni Allahun, Zotin tuaj, i Cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush që të mund të bëheni të përkushtuar (el muttekun).” |Bekare: 21|
Gjithashtu ka thënë: “I tillë është Allahu, Zoti juaj. I Tij është Mbisundimi. La ilahe il-la huue – Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Atij. Atëherë si jeni larguar?” |Zumer: 6|
“Pra, le të adhurojnë (Allahun) Zotin e kësaj shtëpie (të Qabes në Meke), Atë i Cili i ka ushqyer kundër urisë dhe i ka bërë të sigurt ndaj frikës.” |Kurejsh: 3-4|
Allahu i Madhëruar përmendi se Ai është i Vetmi që i krijon dhe i furnizon, dhe se ata nuk kanë ndonjë dyshim në këtë pikë. Ai (Allahu) e bëri këtë fakt argument kundër tyre në obligueshmërinë e sinqeritetit në adhurimin e Tij, duke mos i shoqëruar shok. Ka thënë Allahu i Madhëruar:
“Thuaj (o Muhamed): Gjithë lavdërimet dhe falënderimet qofshin për Allahun dhe paqja qoftë mbi robët e Tij të cilët Ai i ka zgjedhur (për mesazhin e Tij)! A është Allahu më i mirë apo gjithë ata (zota) që ia mvishni dhe ia barazoni (Atij)?”
A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj), i Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe dërgon ujë nga qielli për ju, dhe Ne me të bëjmë të lulëzojnë kopshte të begata gjithë bukuri e kënaqësi? Nuk është në aftësitë tuaja të sillni rritjen e pemëve të tyre. A ka ndonjë zot tjetër që meriton të adhurohet bashkë me Allahun? Jo, kurrë! Por ata janë njerëz që i përshkruajnë (Atij) shokë si të barabartë me Të.
A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili e ka bërë tokën vendbanim të qëndrueshëm, ka vendosur mes saj lumenj, ka vendosur male të qëndrueshme në të, ka vendosur edhe pengesë të pakalueshme në mes dy deteve. A ka ndonjë zot tjetër që meriton të adhurohet bashkë me Allahun? Jo, kurrë! Por shumica e tyre nuk e dinë.
A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili i përgjigjet të pikëlluarit kur ai i drejtohet Atij, i Cili e largon të keqen dhe u bën trashëgues të tokë brez pas brezi. A ka ndonjë zot tjetër që meriton të adhurohet bashkë me Allahun? Sa pak mendoni!
A nuk është Ai (më i mirë se zotat tuaj) i Cili ju udhëzon në errësirën e tokës e të detit, i Cili dërgon erërat si lajmëtarë të përgëzimit duke paraprirë Mëshirën e Tij (shiun)? A ka ndonjë zot tjetër që meriton të adhurohet bashkë me Allahun? I Lartësuar në Madhështi qoftë Allahu mbi gjithçka që ia mveshin si të barabartë!” |Neml: 59-63|
Në këto ajete Allahu i Madhëruar u tërheq vemendjen politeistëve të cilët e pohojnë se Ai është i vetmi i Cili krijoi qiejt dhe tokën, dhe se Ai është i vetmi i Cili mund të bëjë dobi apo dëm. Ai u tërheq vemendjen duke u bërë të qartë se ky pohim nuk u bën dobi sepse ata morën zota të tjerë bashkë me Të, të cilëve u luteshin ashtu si i luteshin Atij. Ky është tamam kundërshtimi që bie ndesh me fenë dhe mendjen, sepse Ai i cili posedon të gjitha këto çështje siç janë; krijimi, furnizimi (rrizku), ngjallja dhe vdekja, Ai është i vetmi i Cili meriton që t’i drejtohen të gjitha adhurimet. Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar u tërheq vërejtjen duke u thënë: “A ka ndonjë zot tjetër që meriton të adhurohet bashkë me Allahun?” Pra nuk u tërheq vemendjen duke u thënë: “A ka ndonjë krijues tjetër përveç Allahut”, sepse ata nuk kanë kundërshtim në këtë çështje.
Allahu i Madhëruar e ka hedhur poshtë shirkun (shoqërimin shok të Allahut) në rububijeh (të besosh se dikush tjetër mund të krijojë, ngjallë apo vdesë përveç Allahut të Madhëruar sh.p.). Sikur kjo gjë të ishte e mundur do të shkatërroheshin qiejt dhe toka, dhe kjo kuptohet vetvetiu. Ka thënë Allahu i Madhëruar:
“Asnjë fëmijë (pasardhës) nuk lindi Allahu dhe nuk gjendet asnjë ilah (zot) tjetër përkrah me Të. (Po të kishin qenë shumë zota) Atëherë ç’të shihje! Secili zot do të kishte hequr mënjanë çfarë do të kishte krijuar vetë dhe disa do të përpiqeshin të mposhtnin të tjerët! I Lartësuar është Allahu mbi çdo gjë që ata i mveshin dhe ia përshkruajnë Atij!” |Mu’minun: 91|
Gjithashtu ka thënë: “Po të kishte pasur në to (në qiej dhe në tokë) perëndi të tjera përveç Allahut, atëherë padyshim që të dyja do të ishin shkatërruar.” |Enbija: 22|
Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.
Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes El-AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve