Çfarë nënkupton dija e Firases (njohjes së dikujt përmes fizionomisë) dhe a ekziston një dije e tillë?
Dikush pyet: A ka dije që quhet dija e Firases dhe çfarë është ajo?
Përgjigja: Po, ka një dije të tillë dhe për të ka folur Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij të njohur ‘Medarixh Es-Salikin’.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- e ndan këtë dije në tre lloje:
1- Firase e besimit.
Me këtë lloj ai ka për qëllim intuitën e dhuruar nga Allahu për shkak të besimit për të dalluar të vërtetën nga e kota, të plotën nga boshja dhe të sinqertën nga gënjeshtra.
Kjo firase u jepet njerëzve besimtarë siç thotë Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë: “Origjina e kësaj dije është prej gjallërisë dhe dritës të cilat ua jep Allahu atyre që do prej robërve të Tij. Për pasojë zemra gjallërohet dhe ndriçohet, dhe kështu gjykimi i tij rrallë herë mund të gabojë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “A është ai i cili ishte i vdekur dhe Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, si ai që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” Suretu El-Enam: 122. Ai ishte i vdekur me mohim dhe injorancë, por Allahu e gjallëroi atë me besim dhe dije. Allahu i dha atij nëpërmjet Kuranit dhe besimit dritë për të parë mes njerëzve rrugën e drejtë, dhe për të ecur me të në errësirë.”
Besimtarët në lidhje me këtë firase janë sipas besimit të tyre, pra ai që është më i fortë në besim është më i mprehtë në firase.
2- Firase ushtrimesh.
Me këtë firase ka për qëllim intuitën e fituar me stërvitje, sepse kur njeriu largon pengesat e fiton atë sipas largimit të tyre. Në këtë firase barazohen besimtari dhe jobesimtari, dhe ajo nuk tregon as për besim dhe as t qënit evlija. Kjo lloj firase është si intuita e udhëheqësve, e komentuesve të ëndrrave apo mjekëve, siç është thënë: Gjysma e mjekësisë është intuita e saktë dhe që shoqërohet nga përvoja.
3- Firase e pamjes.
Me këtë firase ka për qëllim të bazohesh në pamjen e dikujt për të gjykuar për moralin e tjetrit, për shkak të lidhjes së ngushtë që ka mes tyre si rezultat i urtësisë së Allahut.
Ibn El-Kajimi përmend disa shembuj të kësaj firase si p.sh.: Të argumentohesh me kokën e vogël jashtë normales të dikujt se ka logjikë të vogël, apo me kokën e madhe të dikujt se ka logjikën e madhe, apo me kraharorin e gjerë të dikujt se është zemërgjerë, apo me dobësinë e shikimit të tij se ai nuk ka zgjuarsi, apo me të bardhën e theksuar të syrit të përzier me të kuqe se ai është trim, apo me rrumbullakësinë e syrit dhe lëvizjen e shpeshtë të tij se ai është mashtrues dhe dinak etj. Pastaj Ibn Kajimi tregon se këto domethënie më së shumti gjenden te syri sepse ai është pasqyra e zemrës, dhe pastaj te gjuha sepse ajo është përkthyesja e tij.
Dy fjalë rreth origjinës së kësaj dukurie (Firases së pamjes) dhe kujdesi që duhet treguar në gjykime të tilla.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- gjithashtu thekson: “Origjina e kësaj firasje është te pamja e jashtme e rregullt, e cila përkon me rregullsinë e përbërjes së brendshme dhe të shpirtit. Nga rregullsia e tyre rezultojnë rregullsi në morale dhe në vepra, dhe sipas devijimit të tyre nga rregullsia ndodh devijimi në morale dhe në veprime.
Kjo ndodh nëse pamja mbetet në natyrën e saj, sepse ai që ka pamje të rregullt fiton nga shoqërimi dhe jetesa moralet e atyre që shoqëron dhe jeton me ta, qoftë dhe nga kafshët, duke u bërë kështu nga më të këqinjtë e njerëzve në morale dhe në vepra. Pastaj i vuloset ajo natyrë dhe i bëhet e pamundur apo i vështirë largimi prej tyre. Kështu, edhe ai me pamje jo të rregullt fiton nga shoqërimi me njerëzit e përsosur dhe përzierja me ta morale dhe veprime të ndershme të cilat i bëhen si ato të natyrshmet. Kjo ngase praktika dhe veprimi i shpeshtë i jep njeriut aftësi dhe morale.
Le të vërehet me kujdes kjo çështje dhe të mos nxitohet dikush të gjykojë me firase pa e marrë atë parasysh, sepse ai që gjykon pa të do ketë gabime të shumta.”
Çfarë duhet të zotërojë ai që gjykon me firase?
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: Gjykimi mbi bazën e firases ose intuitës varet nga syri, veshi dhe zemra. Syri për të dalluar shenjat, veshi për të dalluar fjalët, dhe zemra për të kaluar nga argumentimi me atë që shihet dhe dëgjohet për tek e brendshmja dhe e fshehta.
Pastaj thotë: Firasja ka dy kushte që duhen plotësuar.
I pari: Cilësia e intelektit, mprehtësia e mendjes dhe largpamësia.
I dyti: Shfaqja e shenjave dhe fakteve te njeriu që kërkon të gjykosh për të.
Nëse tek personi gjenden këto të dyja, atëherë rrallë gabon firasja. Nëse këto të dyja nuk gjenden, atëherë rrallë del e vërtetë firasja. Nëse njëra është dhe tjetra jo, atëherë firasja është mes gabimit dhe të vërtetës.
Këto kushte duhen të jenë tek të gjitha llojet e firaseve e sidomos në lidhje me besimin duhen edhe disa punë të domosdoshme, siç thotë Shah bin Shuxha El-Kermanij -Allahu e mëshiroftë:
“Ai i cili ul shikimin nga harami, frenon dëshirat e tij, mbush të brendshmen e tij me ndjesinë e mbikqyrjes së Allahut dhe të jashtmen me ndjekjen e sunetit, si dhe bën zakon ngrënien e hallallit ai nuk gabon në firase.”
Ky citat është marrë nga libri ‘Hiljet El-Eulija’, dhe këtë e përmendin shpesh sheihul-Islam Ibn Tejmije dhe Ibn El-Kajim në librat e tyre -Allahu i mëshiroftë.
Përfundime dhe udhëzime.
Kjo dije ekziston dhe lejohet të gjykohet me të. Që gjykimi të jetë i saktë duhet të plotësohen kushtet e lartpërmendura të cilat janë dhunti prej Allahut dhe nuk gjenden te çdokush, si dhe duhet të largohen pengesat si ato që përmend Shah bin Shuxha -Allahu e mëshiroftë.
Ndërsa në lidhje me firasen e pamjes e cila po lakohet shpesh kohët e fundit, nuk duhet harruar se gjykimi i bazuar në të nuk duhet t’a anashkalojë situatën, mjedisin dhe shoqërinë ku njerëzit jetojnë. Sepse siç theksonte Ibn El-Kajimi ato ndikojnë shumë tek njeriu, madje nganjëherë e bëjnë ndryshe nga ç’duket.
Ja një rast i një tabiini të njohur me emrin Ata’ bin Ebi Rabah -Allahu e mëshiroftë.
Ibn Sead -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me të thotë: “Kam dëgjuar prej disa dijetarëve se Ata’ bin Ebi Rabah ka qenë zezak, me një sy, hundështypur, i paralizuar (në një dorë), çalaman, dhe më pas u verbua. Ai ka qenë njeri shumë i besueshëm dhe dijetar i madh i fikhut dhe hadithit.” Shih librin ‘Sijer Ealam En-Nubela’ të imam Dhehebiut -Allahu e mëshiroftë.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen