Amaneti që Allahu ua ofroi qiejve, tokës dhe maleve

February 24, 2022

Cili është amaneti që Allahu “ua ofroi qiejve dhe tokës, por ata refuzuan t’a mbajnë atë dhe u frikësuan prej tij, por njeriu e mbajti atë. Vërtet, ai ishte i padrejtë (me vetveten) dhe injorant (për rezultatet).”

Falënderimi i takon Allahut!

Allahu i Lartësuar ua ofroi bindjen ndaj Tij, kryerjen e obligimeve dhe qëndrimin në kufijtë e Tij qiejve, tokës dhe maleve në atë mënyrë që nëse veprojnë mirë do të shpërblehen, por nëse i neglizhojnë këto detyra dhe obligime do të ndëshkohen. Ata refuzuan t’a mbajnë këtë nga frika se mund të mos e bëjnë atë që u ishte urdhëruar, por njeriu e mbajti këtë përgjegjësi dhe këtë amanet, Ai me të vërtetë ishte i padrejtë (me vetveten) dhe injorant (për rezultatet e saj).

Ky është shpjegimi i ajetit në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ne ua ofruam qiejve (amanetin ose përgjegjësinë morale, ose ndershmërinë dhe të gjitha detyrat që Allahu i ka caktuar) tokës dhe maleve, por ata nuk pranuan t’a mbajnë atë dhe u frikësuan prej saj (nga dënimi i Allahut). Por njeriu e mbajti. Vërtet, ai ishte i padrejtë (me vetveten) dhe injorant (për rezultatet).” [El-Ahzab 33:72]

Interpretimi i amanetit si referim ndaj detyrave legjislative është mendimi i Ibn Abasit, Hasen el-Basriut, Muxhahidit, Sa’id ibn Xhubejrit, ed-Dahak ibn Muzahim, Ibn Zejdit dhe shumicës së komentuesve të Kuranit.

Shih: Tefsirin e Taberiut, 20/336-340; Tefsirin e Ibn Kethirit, 6/488-489; El-Xhami’ li Ahkam el-Kur’an, 14/252-253; “Fet’hul Kadir” 4/437.

Katade ka thënë: Amaneti është feja, detyrimet dhe kufijtë e caktuar nga Allahu.

Gjithashtu, kanë thënë se ajo që nënkuptohet këtu me amanetin është ajo që njerëzit i besojnë dikujt diçka.

Disa thanë se i referohet guslit (larjes së trupit) në rastin e xhunubllëkut.

Zejd ibn Eslem ka thënë: Amaneti ka për qëllim tri gjëra; namazin, agjërimin dhe guslin në rastin e xhunubllëkut.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Nuk ka asnjë kontradiktë midis këtyre mendimeve, por përkundrazi, ata janë të gjithë në harmoni dhe i referohen përgjegjësisë dhe pranimit të urdhërave dhe ndalesave në bazë të gjendjes së tyre. Nëse bëjnë mirë do të shpërblehen dhe nëse neglizhojnë do të ndëshkohen. Njeriu e pranoi këtë amanet përkundër dobësisë, injorancës dhe padrejtësisë (në vetvete), përveç atyre që Allahu i udhëzon.  Tefsir Ibn Kethir, 6/489.

Taberiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Më i sakti nga këto mendime është ai i atyre që thanë se ajo që nënkuptohet këtu me amanetin, është gjithçka që i është besuar njeriut në lidhje me përkushtimin fetar dhe gjërat që i janë besuar nga njerëzit dhe i janë lënë në amanet. Kjo për shkak se Allahu nuk ka specifikuar ndonjë lloj të veçantë amaneti kur tha: “Vërtet, Ne e kemi ofruar amanetin.” Tefsiri i Taberiut (20/342).

El-Kurtubi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Fjala amanet ka kuptim të përgjithshëm dhe përfshin të gjitha detyrat e Islamit sipas mendimit të saktë. Ky është këndvështrimi i shumicës. “El-Xhami’ li Ahkam el-Kur’an” (14/252).

Es-Sa’di (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Çdo gjë që Allahu i ka urdhëruar robit të Tij është amanet dhe robi duhet t’a zbatojë atë në kuptimin e plotë. Këtu përfshihen edhe gjërat që i janë besuar dikujt nga njerëzit, si pasuria, sekretet dhe të ngjashme. Njeriu duhet t’u kushtojë vëmendje të dyja çështjeve dhe t’i përmbushë të dy llojet e amaneteve (besueshmërisë). “Vërtet! Allahu urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u takojnë ato.” [En-Nisa: 58]. Tefsir es-Sa‘di, fq. 547.

Shenkiti (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Në këtë ajet Allahu i Lartësuar na thotë se qiejve, tokës dhe maleve ua ka ofruar amanetin. Kjo është marrja e detyrave dhe pasojat e shpërblimit apo dënimit, por ata nuk pranuan t’a mbartin dhe kishin frikë prej saj. Me fjalë të tjera, ata ishin të frikësuar nga pasojat e marrjes së këtij amaneti, që kjo të mos çonte në dënimin dhe zemërimin e Allahut. Kjo ofertë, ky refuzim dhe kjo frikë ka ndodhur në kuptimin e vërtetë. Allahu i krijoi qiejt, tokën dhe malet me sens të të kuptuarit, natyrën e të cilave e di vetëm Allahu dhe ne nuk e dimë. Kështu, ata e kuptuan kur u ofrua ky amanet, dhe e refuzuan dhe u frikësuan prej mbartjes së tij. “Edua el-Bejan” (36/139).

Për t’a përmbledhur: Amaneti i përmendur në këtë ajet të cilin Allahu ua ofroi qiejve, tokës dhe maleve, por që refuzuan t’a mbajnë atë dhe u frikësuan prej tij ndërsa njeriu e mori përsipër, janë detyrimet islame, qofshin ato detyrime ndaj Allahut ose detyrimet ndaj robërve të Tij. Ai që i kryen detyrimet e tij ndaj Allahut dhe ndaj robërve të Allahut do të shpërblehet, por ai që neglizhon detyrimet ndaj Allahut dhe ndaj robërve të Tij meriton dënimin.

Allahu e di më së miri!

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...