Dhjetë porosi për durim në kohë sprovash

April 18, 2020

Dhjetë porosi për durim në kohë sprovash 

 – BISMILAHI RRAHMANI RRAHIM –

 I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka sjellë një shembull për të ilustruar gjendjen e besimtarit në këtë jetë. Ai ka thënë: Shembulli i besimtarit është si shembulli i një bime të cilën era vazhdimisht e përkul, e kështu besimtarin e godasin fatkeqësitë. Ndërsa shembulli i hipokritit është si shembulli i pemës së Kedrës e cila nuk përkulet derisa të pritet.[1]

Rrënjët e bimës janë të shpërndara në tokë e të kapura fort. Sado që i përkul era nuk i hedh tutje, nuk i thyen e nuk i shkul. Kështu është dhe besimtari; fakeqësitë edhe pse i shkaktojnë dhimbje e mërzi nuk e mundin dot e nuk e dëmtojnë në besimin e tij, sepse besimi në Allahun e mbron prej tyre.

Kjo jetë është e mbushur me ngjarje e me të papritura, me sëmundje e me rrënime. Njeriu sapo gëzohet që ka pranë dikë të rëndësishëm e të dashur, befas tronditet me lajmin e vdekjes së tij. Njeriu ndërkohë është me shëndet të mirë, i shpëtuar e pa shqetësime, me të ardhura të bollshme, kur befas i shfaqet një sëmundje që i turbullon jetën e i jep fund ëndrrave të tij. Ai mund të humbasë pasurinë ose vendin e punës e me to veniten synimet e tij, i prishen planet dhe i humbasin dëshirat.

Kjo jetë është mundësi dhe sprovë, gëzim dhe hidhërim, ëndrra dhe dhimbje. Të jesh përherë në një gjendje është e pamundur. Kthjelltësinë e pason turbullia, gëzimi shoqërohet me mërzi e me ankth. Eh sa e pamundur është të qeshësh e të mos qash, të kënaqesh e të mos vuash, të gëzohesh e të mos mërzitesh në këtë jetë!

Kjo jetë kështu është. Besimtari në të nuk ka tjetër veçse durimin. Ai është ilaçi i helmeve të saj. Për këtë Hasan El Basri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “E kemi provuar dhe e kanë provuar edhe të tjerët e nuk kemi gjetur gjë më të dobishme sesa durimi. Me të mjekohen të gjitha çështjet e atë nuk mund t’a zëvendësojë diçka tjetër, askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë e më e mjaftueshme sesa durimi.”[2]

Çështja e besimtarit mes njerëzve është e çuditshme, sepse: “Kur i vjen diçka e mirë ai falenderon, e kjo është e mirë për të. Kur e godet ndonjë vështirësi duron, e kjo është e mirë për të.”[3]

Allahu na urdhëron të bëjmë durim e atë e ka bërë shkak të përfitimit të ndihmës dhe të përkrahjes Hyjnore. Allahu i Madhërishëm thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (El Bekare; 153). Pastaj na njofton se kjo jetë ka sprova, frikë, uri, pakësim të të ardhurave, pasurisë, njerëzve të afërm dhe fryteve. Përgëzimin Allahu i’a drejton durimtarëve pasi tregon gjendjen e tyre në raste fatkeqësishë dhe pohon shpërblimin për ta.

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, ata janë në rrugën e drejtë.” (El Bekare; 155-157)

Durimi është motivi i mbajtjes gjallë të vendosmërisë, i vazhdimësisë së përpjekjeve e të punës. Çdo njeri nuk arrin perfeksion për shkak të dobësisë dhe pamundësisë për të duruar e për të përballuar sfidat. Çelësi i vendosmërisë është durimi i cili zgjidh çështjet e bllokuara. Arma më e mirë është durimi në vështirësi.

Çfarë na ndihmon të bëjmë durim gjatë fatkeqësive?

Duke parë nevojën e njerëzve për këtë cilësi do të paraqes disa çështje ku do të përmend dhjetë porosi që ndihmojnë muslimanin të bëjë durim në fatkeqësi.

Së pari: Parapërgatitja e vetvetes.

Muslimani duhet t’a parapërgatisë veten e tij me fatkeqësitë përpara se ato t’i ndodhin. Ai duhet t’a disiplinojë veten përpara se të gjendet në to, duhet të punojë për të rregulluar çdo aspekt të saj sepse durimi është gjë e rrallë dhe i çmuar e për çdo gjë të rrallë e të çmuar duhet të ushtrohesh shumë që t’a fitosh.

Duhet të sjellësh ndërmend vazhdimisht zhdukjen e kësaj bote dhe mbarimin e shpejtë të saj. Asnjë krijesë nuk mbetet përgjithmonë mbi këtë botë, sepse ato kanë moshë kalimtare dhe leje që i mbaron afati. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ka ilustruar me një shembull gjendjen e tij në këtë botë: “Si një kalimtar që udhëton në një ditë të nxehtë vere. Ai pushon nën hijen e një peme për një kohë të shkurtër e pastaj ikën dhe largohet prej saj.”[4]

O musliman! Mos u mashtro me të mirat e kësaj bote, mos mbaj shpresë të qëndrojë e njëjtë pa ndryshime, pa përmbysje, pa goditje e pa gjendje pamundësie. Kush e njeh jetën dhe lajmet mbi gjendjet e saj e kalon lehtësisht mirësinë në të. Disa të mençur kanë thënë: Kush bën kujdes nuk tmerrohet, kush vëzhgon nuk e kaplon ankthi, e kush pret diçka nuk ndien dhimbje prej saj. Kush dëshiron jetë të gjatë le të bëjë gati për fatkeqësitë një zemër durimtare.

Së dyti: Besimi në vendimin dhe paracaktimin e Allahut.

Ai i cili beson në vendimin dhe paracaktimin e Allahut, që e kupton se kjo jetë është vendbanim i sprovës dhe i rreziqeve dhe se vendimi i Allahut nuk kthehet dhe nuk shtyhet, është i qetë në vetvete dhe çdo gjë e ka më të lehtë.

Është fakt i njohur dhe i dukshëm se besimtarët janë njerëzit që ndikohen më pak prej fatkeqësive të kësaj jete, me më pak frikë e me më pak çoroditje. Besimi në vendimin dhe paracaktimin e Allahut shërben si garant i sigurisë dhe mbrojtjes për ta – me lejen e Allahut – prej goditjeve psikologjike shokuese.

Ata besojnë atë çka ka thënë i sinqerti i vërtetë (salallahu alejhi ue selem): “Dije se sikur i gjithë umeti të tubohet të ndihmojnë në diçka nuk do munden të ndihmojnë asgjë veç asaj që ka shkruar Allahu për ty. E sikur të tubohen të bëjnë keq me diçka nuk do të dëmtojnë me asgjë veç asaj që ka shkruar Allahu për ty. Për këtë janë ngritur lapsat, e janë tharë fletët e shkruara.”[5]

Mosha dhe të ardhurat materiale të njeriut janë të vendosura e të përcaktuara që kur ai gjendet në barkun e nënës së tij. Nga Enes ibn Malik r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka lënë një melek (engjëll) që kujdeset për mitrën e nënës. Ai thotë: O Zot një pikë uji? O Zot një drockë gjaku? O Zot një copë mishi? Kur Allahu dëshiron t’a plotësojë krijimin e Tij, (engjëlli) thotë: O Zot, mashkull apo femër? I lumtur apo i hidhëruar? Çfarë të ardhurash do të ketë? Çfarë moshe? E të gjitha këto i shkruhen që kur është në barkun e nënës së tij.” [6]

Umu Habibeh, bashkëshortja e Profetit (salallahu alejhi ue selem) një ditë tha: O Allah, më kënaq me jetë të gjatë me burrin tim të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), me babain tim Ebu Sufjanin dhe me vëllain tim Muavijen! I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i tha: “I kërkove Allahut afate të përcaktuara, ditë të numëruara dhe të ardhura (rrizk) të ndara. Asnjëra prej tyre nuk do të ndodhë para afatit të përcaktuar apo pas tij. Po t’i kishe kërkuar Allahut mbrojtje prej ndonjë dënimi në zjarr apo dënimi në varr do ishtë më e mirë e më me vlerë.”[7]

Imam Nevevij (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ky hadith tregon qartë se mosha dhe të ardhurat janë të përcaktuara. Ato nuk ndryshojnë nga ajo që ka përcaktuar Allahu i Madhërishëm dhe e ka ditur që në (ezel) lashtësi pafundësisht, kështu që është e pamundur shtimi apo pakësimi i asaj që ka qenë e vendosur.

Ibnu Dejlemij erdhi tek Ubej ibn Keabi e i tha: Në kraharorin tim seç më ngacmon në lidhje me përcaktimin (kaderin), kështu që më trego diçka ndoshta Allahu m’a largon atë prej zemrës. Ai tha: Dije se nëse Allahu i dënon të gjithë banorët e qiejve e të gjithë banorët e tokës, i dënon ata e nuk është aspak i padrejtë ndaj tyre. E nëse i mëshiron, dije se mëshira e Tij është më e mirë se veprat e tyre. Sikur të shpenzosh në rrugë të Allahut ar aq sa mali i Uhudit, Allahu nuk do t’a pranonte prej teje po të mos besoje në përcaktimin e Tij, të pranoje që ajo që të godet asesi nuk mundet të shpëtoje prej saj dhe ajo prej së cilës ke shpëtuar asesi nuk mund të të godiste. Po të vdesësh ndryshe nga ky besim do të hyje në zjarr. Ibn Dejlemij vazhdon e thotë: Pastaj shkova tek Abdullah ibn Mesudi edhe ai më tha të njëjtat fjalë. Pastaj shkova te Hudhejfe ibnul Jeman edhe ai më tha po ato fjalë. Pastaj shkova te Zejd ibn Thabit e ai më përcolli prej Profetit (salallahu alejhi ue selem) të njëjtat fjalë. [8]

Së Treti: Kujto gjendjen e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) dhe të parëve tanë të mirë.

 I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është model për çdo musliman. Allahu i Madhërishëm thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit, dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab; 21)

Po të meditosh në gjendjen e Profetit (salallahu alejhi ue selem) gjen këshillë, forcë dhe ngushëllim. E tërë jeta e tij ka qenë durim dhe përpjekje. Brenda një kohe të shkurtër i vdiq xhaxhai Ebu Talibi i cili e mbronte ndaj çdo mundimi që i vinte prej idhujtarëve, i vdiq gruaja e tij besnike dhe e duruar Hatixhja e pastaj i vdiqën disa prej vajzave. Vdiq djali i tij Ibrahimi, e pasi i rrodhën lotët nga sytë tha: “Syri loton, zemra mërzitet, por ne nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë. Ne prej ndarjes me ty o Ibrahim jemi të mërzitur.” [9]

I vdiqën shumë prej shokëve që ai i donte dhe e donin, por të gjitha këto nuk i’a prenë krahët e nuk i’a ulën vendosmërinë dhe durimin.

Hidhe vështrimin në historinë e të parëve tanë të mirë (Allahu qoftë i kënaqur me ta) dhe ke për të parë se ata e mbërritën durimin në nivelet e tij më të larta. Allahu a.xh. ka thënë: “Vërtet, ata njerëz janë një shembull i mirë për ju e për këdo që shpreson në Allahun dhe në Ditën e Fundit.” (El Mumtehine: 6)

Imagjnoni gjendjen e Urvetu ibn Zubejr (Allahu e mëshiroftë) kur në një rast të vetëm u sprovua me disa fatkeqësi njëherësh; iu pre këmba dhe i vdiq djali megjithatë ai tha: O Allah, unë kisha shtatë fëmijë. Ti më more një e më le gjashtë. Unë kisha katër gjymtyrë, më more një gjymtyrë e më le tre. Nëse më sprovove tani shumë më ke toleruar, e nëse më more tani më ke lënë mjaft.[10]

Abdul Melik i biri i Umer ibn Abdulazizit vdiq. Pasi e varrosi babai i tij qëndroi mbi varr. Kishte dhe njerëz të tjerë rreth tij, e ai tha: Allahu të mëshiroftë biri im! Ti ishe bamirës e i sjellshëm me babain tënd. Pasha Allahun se kam qenë i gëzuar me ty që kur Allahu të solli në jetë e të bëri dhuratë për mua. Por jo, pasha Allahun, unë do të vazhdoj të jem i gëzuar e me shpresë prej Allahut për fatin tim në lidhje me ty edhe në këtë moment që po të vendos në këtë banesë të cilën t’a caktoi Ai.”

Së katërti: Të kesh ndërmend gjerësinë e mëshirës së Allahut dhe të mirësive të Tij.

 Besimtari i sinqertë në besimin e tij mendon mirë për Zotin e tij. Sikurse lajmëron i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) Allahu ka thënë: “Unë jam ashtu si mendon robi për Mua.”[11] Të jeni të sigurtë në gjerësinë e mëshirës së Allahut ndaj jush, e në realitet vendimet dhe përcaktimet e Tij janë mirësi edhe pse në pamjen e jashtme duken si fatkeqësi të urryera dhe lënduese. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Por mund t’a urreni një gjë ndërkohë që ajo është e mirë për ju, e mund t’a doni një gjë ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El Bekare: 216). I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Është habi me besimtarin, çdo gjë që vendos Allahu ndaj tij është e mirë për të!”[12]

Reflektoni mbi mirësitë dhe mundësitë që ka dashur Allahu t’ju japë, dhe dijeni se belaja në të cilën gjendeni është si një pikë e vogël në detin e madh të mirësive. Kujtoni se po të dojë Allahu sjell fatkeqësi më të madhe dhe ngjarje më të rënda e më të kobshme.

Gjithashtu duhet të kuptoni se fatkeqësitë dhe ngjarjet e rënda që nuk ju kanë goditur janë shumë më shumë se ato që ju kanë goditur.

Kur Hidri vrau një djalë të vogël, Musai reagoi dhe e kritikoi, mirëpo i’u bë e qartë se vrasja e tij ishte bërë për një qëllim të madh për të cilin e sqaroi dhe Hidri. Allahu në Librin e Tij tregon dhe thotë: “Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.” (Kehf; 80-81). I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) lajmëron: “Djaloshi të cilin e vrau Hidri do të ishte mohues, dhe po të jetonte do i mundonte prindërit e tij për të qenë arrogantë e mohues.”[13] Katade ka thënë: Dy prindërit u gëzuan kur ai lindi dhe u hidhëruan kur u vra, mirëpo po të mbetej gjallë do të ishte shkatërrim për të dy prindërit kështu që çdo njeri le të kënaqet me caktimin e Allahut të Madhëruar.[14]

Së pesti: Ngushëllimi me njerëz të goditur me fatkeqësi.

 Ngushëllohuni me njerëzit e tjerë, kujtoni fatkeqësitë e tyre, vështroni ata që janë goditur me fatkeqësi më të rënda se ju, sepse një veprim i tillë është ngushëllues dhe e lehtëson dhimbjen, e pakëson tmerrin dhe frikën. Gjithashtu kujtoni; “kush mundohet të bëjë durim Allahu do t’a bëjë të durueshëm.”[15]

Le të kujtojë ai i cili është prekur nga ndonjë çrregullim fizik apo sëmundje dikë tjetër që është goditur me ndonjë fatkeqësi më të rëndë. Kush befasohet me ndonjë gjëmë në të dashurin e vet, le të kujtojë gjëmën e tjetrit në të dashurit e vet. Kush humbet fëmijën e tij le të kujtojë atë që ka humbur të gjithë fëmijët e tij. Ai i cili ka humbur disa nga fëmijët le të kujtojë atë që ka humbur tërë familjen. Prindërit e brengosur për birin e tyre le të kujtojnë prindër të tjerë të cilët nuk dinë asgjë për fëmijët e tyre, nuk dinë se a janë gjallë që të mbajnë shpresa apo të vdekur që t’i harrojnë.

Jakubi (alejhi selam) humbi birin e tij Jusufin dhe kështu mbeti për vite me radhë. Më vonë, i shtyrë në moshë dhe i dobët humbi edhe një djalë tjetër. Ai nuk tha më tepër se këto fjalë: “Durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju.” (Jusuf; 18). E në rastin e dytë tha: “Unë do të kem durim. Shpresoj se Allahu do të m’i kthejë të gjithë, sepse Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”

Një burrë i verbër e me fytyrë të deformuar hyri tek El Uelid ibn Abdul Melik. Kur e pa gjendjen e nuk vërejti shenja çregullimi, pyeti për shkakun e fatkeqësisë së tij. Ai tha: Unë kisha shumë pasuri e shumë fëmijë. Një natë bujtëm në një luginë. Gjatë natës na morën përpara prurjet e mëdha të luginës dhe aty humba tërë pasurinë dhe fëmijët e mi, përveç një djaloshi të vogël dhe një deveje. Deveja më iku e në dorë kisha djalin. E lashë përdhe dhe shkova të kap devenë, por kur u ktheva pashë ujkun me kokë në barkun e djalit, e kishte ngrënë atë… E lashë djalin aty e pastaj u ktheva të ndjek devenë, e kur e arrita më shkelmoi e ma dërrmoi fytyrën e më mori shikimin. E kështu mbeta pa pasuri, pa fëmijë e pa shikim. Ai tha: Merreni dhe çojeni te Urvetu që të dijë se ka njerëz që u ka rënë fatkeqësi më e madhe se ai.

Së gjashti: Dije se fatkeqësitë janë tregues i vlerës.

Fatkeqësitë janë tregues të vlerave dhe dëshmi të klasit të lartë. E si nuk janë të tilla ndërkohë që Sad ibn Ebi Uekas (radijallahu angu) kur pyeti të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) se cilët njerëz përballen me fatkeqësitë më të mëdha, ai i tha: “Profetët, më shembullori e më shembullori. Personit i vijnë fatkeqësitë sipas nivelit të tij fetar. Nëse fenë e ka të fortë atëherë fatkeqësia është më e fortë, e nëse është i dobët në fe atëherë sprovohet sipas nivelit të tij fetar. Fatkeqësitë nuk i ndahen robit derisa të eci mbi tokë i pastruar prej gjynaheve.”[16]

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu, atij që i do të mirën e godet me fatkeqësi.”[17] Ai (salallahu alejhi ue selem) na lajmëron: “Allahu, kur i do disa njerëz zbret mbi t’a belatë.”[18]

Së shtati: Kujto shpërblimin e mirë.

 Seicili prej nesh të mendojë për shpërblimin e mirë, e kështu do të lehtësohet barra e fatkeqësisë. Shpërblimi vjen sipas mundit, kënaqësitë nuk arrihen me dëfrime, rehatia fitohet vetëm pasi të kalosh mbi urën e lodhjes. Kushdo që përballon vështirësi të momentit atë e bën të marrë fryte të mëvonshme. Durimi ndaj diçkaje të hidhur momentale të mundëson shijimin e ëmbëlsisë më vonë. “Shpërblimi i madh vjen me fatkeqësinë e madhe.”[19]

Ebu Bekri (radijallahu anhu) e pyeti të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) me droje për një paqartësi. Ai tha: O i Dërguar i Allahut, si mund të shpëtojmë pas këtij ajeti: (Shpëtimi në jetën tjetër) Nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj (o muslimanë) e as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Kushdo që bën një të keqe do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë mbrojtës e as mbështetës tjetër në vend të Allahut.” (Nisa:123). Për çdo të keqe që bëjmë do të shpaguajmë? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Allahu të faltë o Ebu Bekër! A nuk sëmuresh?! A nuk mundohesh?! A nuk mërzitesh?! A nuk vuan?! Ai tha: Po. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Me ato shpaguheni.[20]

Kujto se Allahu për të sprovuarit durimtarë ka përgatitur shpërblim e shpagim, falje gabimesh, ngritje gradash dhe kompensim të mirë.

Përsa i përket shpërblimit dhe shpagimit nuk ka më të mirë e më të madh se xheneti, i cili u është premtuar  durimtarëve. Xheneti i qe premtuar gruas që i binte të fikët nëse do të bënte durim. Ata’ ibn Ebi Rabahu tregon se Ibn Abasi një ditë i kishte thënë: A të të tregoj një grua prej banorëve të xhenetit? Unë thashë; po. Ai tha: Kjo grua e zezë erdhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe i tha: Mua më bie të fikët dhe zbulohem, prandaj lute Alalhun për mua. Ai i tha: Nëse dëshiron bëj durim të fitosh xhenetin, e nëse dëshiron i lutem Allahut të të shërojë. Ajo tha: Do bëj durim, por unë zbulohem prandaj lute Allahun të mos zbulohem (gjatë humbjes së vetëdijes). Ai u lut për të të mos zbulohej.[21]

I njëjti premtim i është dhënë atij që humb shikimin. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij dhe ai bën durim, do t’ja kompensoj ata të dy me xhenetin.”[22]

Një premtim i tillë i është dhënë besimtarit që bën durim kur i vdes i dashuri i tij. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu i Lartësuar thotë: “Për robin Tim besimtar që i marr të afërmin e tij të ngushtë në këtë jetë, e ai bën durim dhe shpreson, do ketë shpërblim xhenetin.”[23]

Ai i cili humbet fëmijën në këtë jetë përfiton një pjesë të mirë të përgëzimit me xhenet, për shkak se Allahu e di mirë se sa fatkeqësi e madhe është një e tillë dhe për faktin se Ai është shumë i Mëshirshëm me robërit e Tij.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e përgëzoi një grua të cilës i kishin vdekur tre fëmijë se ajo tashmë kishte një fortesë të fortë që e mbronte prej zjarrit të xhehenemit. Kjo grua erdhi tek i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) e në dorë mbante një fëmijë të sëmurë. Ajo tha: O Profet i Allahut, lute Allahun për të se unë i kam varrosur tre! Ai tha: I ke varrosur tre?! Ajo tha: Po. Ai tha: Paske arritur barrierë shumë të fortë ndaj zjarrit të xhehenemit. [24]

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdo çift muslimanësh që u kanë vdekur tre fëmijë pa mbushur moshën e përgjegjësisë (pjekurisë fetare), ata fëmijë do të jenë për t’a mburojë e fortë ndaj zjarrit.” Ebu Dherri tha: Mua më kanë ikur dy o i dërguar i Allahut! Ai tha: Edhe dy. Ubeji babai i Mundhirit, një prej recituesve më të mirë të Kuranit tha: Mua më ka ikur një o i dërguar i Allahut! I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Edhe një, por kjo është kur duron në goditjen e parë.” [25]

Mahmud ibn Lebid prej Xhabir transmeton se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kujtdo që i vdesin tre fëmijë dhe ai bën durim duke shpresuar shpërblim do të hyjë në xhenet. Ne thamë: O i Dërguar i Allahut, po kur i vdesin dy? Ai tha: Po, edhe dy. Mahmudi tregon se i ka thënë Xhabirit: Unë mendoj se po t’a kishit pyetur edhe për një ai do të thoshte: Po, edhe një. Xhabiri tha: Pasha Allahun, edhe unë kështu mendoj.[26]

Për ju o prindër të përvëluar po paraqesim një hadith tjetër, i cili duhet t’u mjaftojë për ngushëllim e të ndiheni krenar: Kur një robi i vdes fëmija, Allahu u thotë engjëjve të Tij: A e morët fëmijën e robit Tim? Ata thonë: Po. Ai thotë: A i morët thelbin e zemrës? Ata thonë: Po. Ai thotë: Po robi im çfarë tha? Të falenderoi Ty dhe tha se të Allahut jemi e te Ai do të kthehemi. Allahu thotë: Ndërtojini robit Tim një shtëpi në xhenet e quajeni “Shtëpia e falënderimit”.[27]

Jo vetëm kaq, por fëmija i dështuar që del prej barkut të nënës së tij pa mbushur afatin e duhur bëhet shkak që nëna të hyjë në xhenet. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, fëmija i dështuar do t’a tërheqë nënën e tij për në xhenet me kordonin e kërthizës së tij nëse ajo bën durim dhe shpreson shpërblimin.”[28]

Për faljen e gabimeve transmetohet në hadith të saktë se: “Çdo musliman që e mundon diçka, qoftë edhe një gjemb a më shumë se aq, Allahu me to i shlyen gabimet ashtu sikurse pema lëshon gjethet e saj.”[29] Në një hadith tjetër të saktë thuhet: “Çdo mundim që e godet muslimanin, apo lodhje, stres, mërzi, bezdisje, brengë, apo gjembi që e shpon, Allahu i shlyen atij gabimet.”[30] Po ashtu: “Fatkeqësitë i  vazhdojnë besimtarit dhe besimtares në vetvete, fëmijë e pasuri, aq sa kur takohet me Allahun nuk i mbetet asnjë gjynah.”[31]

Fatkeqësitë i mundësojnë njeriut të ngrihet në grada të larta. Njeriu me anë të durimit arrin pozitë që nuk mund t’a arrinte dot me vepra të tjera. Në Musnedin e imam Ahmedit përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse Allahu ka caktuar për robin një pozitë por që ai nuk e arrin dot me veprat e tij, atëherë Allahu e sprovon në fizikun e tij, në pasurinë e tij, në fëmijën e tij, e robi duron e kështu arrin pozitën që Allahu i kishte caktuar më herët.”

Një ditë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) pyeti shokët e tij: Çfarë konsideroni shterp tek ju? Ata thanë: Atë që nuk lind fëmijë. Ai tha: Kjo nuk është shterpësi, por shterp është një person që nuk përcjell askënd prej fëmijëve të tij. [32]

Pra që nuk i ka vdekur ndonjë fëmijë para tij. Ky hadith tregon shpërblimin dhe sevapin që përfiton një njeri që i vdes dikush prej fëmijëve të tij. Në këtë rast shpërblimi dhe dobia janë më të mëdha për njeriun sesa fatkeqësia.

Kjo mund të jetë edhe shkak për shpërblim e kompensim më të mirë. Një person që humb të shtrenjtin e vet kompensohet me diçka tjetër më të mirë. Kush humbet një fëmijë mund të kompensohet me një fëmijë më të sjellshëm e më të dobishëm. Sa e sa sprova mbartin mirësi.

Umu Seleme tregon se kishte dëgjuar të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Çdo musliman që e godet ndonjë fatkeqësi dhe thotë atë që urdhëron Allahu; Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi! O Allah, më shpërble në këtë fatkeqësi e m’a kompenso me diçka më të mirë se ajo. Allahu do t’ia këmbejë fatkeqësinë me diçka më të mirë.” Ajo thotë: Kur vdiq Ebu Seleme unë me vete thashë: Cili prej muslimanëve mund të jetë më i mirë se Ebu Seleme, familja e parë që emigroi për tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem)? Megjithatë, më vonë unë e thashë atë lutje e Allahu m’a zëvendësoi me të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).”[33]

Kështu që vdekja e ndonjë fëmije mund të jetë mirësi për prindërit në disa aspekte.

Ndoshta, sipas dijes së Allahut një fëmijë që vdes mund të kishte qenë problematik dhe i mundimshëm ndaj prindërve, si rasti i Hidrit me djaloshin e vogël. Durimi i treguar prej prindërve në raste të tilla mund të sjellë kompensim më të mirë, si rasti i UmU Selemes (Allahu qoftë i kënaqur me të).

Lutjet e ngushëlluesve dhe vizitorëve tek dy prindërit: O Allah zëvendësoja atyre me diçka më të mirë, rikuperoja dhimbjen me gëzim dhe këmbeja humbjen me më të mirë. Këto lutje mund të jenë shkak që të përmirësohen fëmijët e tjerë dhe të bëhen të suksesshëm e më të sjellshëm.

Së teti: Frenimi i vetvetes nga përkujtimi i fatkeqësisë.

 Një njeri që ka kaluar një fatkeqësi duhet të frenojë vetveten nga përkujtimi i saj, nga përmendja dhe vërtitja e saj nëpër mend. Ai duhet t’i mënjanojë mendimet dhe ndjenjat ngulfatëse e jo t’i ushqejë e t’i përjetojë, sepse ato shndërrohen në shpresa të kota pa asnjë lloj dobie. Këto shpresa janë si kapitali i të falimentuarve sepse ai që ka vdekur nuk kthehet më dhe ajo që ka mbaruar nuk kthehet pas. Umer ibnul Khatab transmetohet se ka thënë: “Mos i nxisni lotët me përkujtime.”

Shumë njerëz që kanë humbur të dashurit dhe të afërmit e tyre mundohen të ruajnë disa gjëra që i përkasin të vdekurve me qëllim që t’a kujtojnë atë në çdo moment. Kjo pengon mjekimin e plagës së fatkeqësisë dhe ripërtërin brengat dhe mërzitë.

Së nënti: Largimi prej distancimit dhe vetmisë.

 Ti o njeri që të ka goditur fatkeqësia mos u distaco nga njerëzit e mos rri në vetmi, sepse vesveset ndjekin atë njeri që distancohet dhe rri kot pa ndonjë angazhim. Shejtani e ka më të lehtë të godasë një njeri të vetmuar. Ti duhet t’a angazhosh veten me gjëra të dobishme. Mblidhe veten, angazhoje atë në mënyrë të vazhdueshme; në lexim, në përmendje të Allahut, në namaz etj. Ato bëji prehje dhe shoqëruesit e tu sepse me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.

Së dhjeti: Mos e shfaq pikëllimin e mos u anko.

Bëni kujdes në fatkeqësi, mos e shfaqni pikëllimin e mos i shtoni ankesat, sepse kush nuk tregon kujdes ndaj ngushëllimit dhe veprimet që lehtësojnë përballimin e fatkeqësisë do t’i shumëfishohet vështirësia e fatkeqësisë, brenga dhe pikëllimi. Njeriu me këtë sjellje i ngjan atij që përpiqet të shkatërrojë e t’i japë fund vetes. Një njeri që sillet në këtë mënyrë nuk mund t’a përballojë fatkeqësinë e nuk gjen ngushëllim.

Ai që e di se caktimi i Allahut do të ndodhë dhe vendimi i tij do të kryhet, e ka të kotë shfaqjen e pikëllimit, madje kjo është një fatkeqësi tjetër. Allahu i Madhërishëm thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe juve e që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) para se t’a krijonim atë. Kjo për Allahun është e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) Që ju të mos dëshpëroheni për atë që u ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai u ka dhënë.” (Hadid; 22-23)

Tregohet se një beduine e ardhur nga shkretëtira dëgjoi ulërima në një shtëpi dhe tha: Çfarë është kjo? Thanë se u ka vdekur një njeri. Ajo tha: Mendoj se ata sikur po kërkojnë të mbrohen prej Zotit të tyre, prej caktimit të Allahut po ankohen e prej shpërblimit të Tij po largohen.

Dijeni se shfaqja e pikëllimit nuk e kthen pas atë që ka ikur, por ai mërzit mikun dhe gëzon armikun. Mërzisë së ngjarjes mos i shtoni humbjen e shpresës sepse kur ato bëhen bashkë nuk ka më vend për durimin e nuk ka kraharor që i përballon.

Për këtë është thënë: Fatkeqësia e humbjes së durimit është fatkeqësia më e madhe.

Një burri dhe një gruaje u vdiq djali që e donin aq shumë. Burri i tha gruas së tij: Kije frikë Allahun, shpreso në shpërblimin e Tij dhe bëj durim! Ajo tha: Fatkeqësia ime është shumë më e madhe se t’a humb atë me shfaqjen e pikëllimit e të jem e paduruar.

Disa të mençur kanë thënë: I mençuri kur i ndodh fatkeqësia bën atë që e bën budallai pas një muaji.  Përderisa fundi do të jetë durim e njeriu në atë rast nuk lëvdohet për të, a nuk është më bukur që të sillet në fillim ashtu si sillet budallai pas njëfarë kohe?

Grada e durimit në fatkeqësi fitohet me ato gjëra të cilat njeriu i zgjedh vetë. Ai fitohet; duke lënë paraqitjen e pikëllimit, shqyerjen e rrobave, goditjen e faqeve me shuplaka, ekzagjërimin në ankesa, shfaqjen e pamjes së zymtë dhe ndryshimi i zakonit në veshje, në fjetje e në ushqim. Njeriu duhet të shfaqë pranimin e caktimit të Allahut. Ai duhet të besojë se ajo ka qenë një amanet që po kthehet tek Poseduesi i vet. Le të veprojë besimtari si Umu Sulejm (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur i vdiq i biri. Ajo i tha burrit të saj Ebu Talha (Allahu qoftë i kënaqur me të): Ca njerëz nëse i japin hua diçka një shtëpie e më vonë e kërkojnë atë, a i lejohet njerëzve të kësaj shtëpie të refuzojnë e të mos e japin huan? Ai tha: Jo, nuk i lejohet. Ajo pastaj i tha: Bëj durim për djalin tënd e shpreso shpërblimin. Kur u njoftua me këtë ngjarje i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Allahu u bekoftë në natën e kaluar.[33]

Së fundmi: Durimi ndaj fatkeqësive i jep rehati durimtarit dhe shpërblim. Ai ose do të arrijë durim duke qenë në bindje ndaj Allahut, ose brengë të vazhdueshme, ose durim me imponim për të cilin konsiderohet gjynahqar. Kush nuk duron në fatkeqësi si një fisnik do të harrojë e do t’a përballojë si kafshët.

Ali ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Po të durosh, lapsi më parë ka shkruar për ty e ti do shpërblehesh mirë. Por nëse je i paduruar, lapsi më parë ka shkruar për ty e ti ngarkohesh me gjynahe. [34]

Umer ibnul Hatab (Alahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Ne kemi gjetur jetesën tonë më të mirë, durimin.

Transmetohet se Ali ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Durimi në lidhje me besimin është si pozicioni i kokës në trup, kështu që nuk ka besim ai i cili nuk ka durim.

Hasan El Basri ka thënë: Robi nuk merr ilaç më të mirë se ëmbëlsia në zemërim, e ilaç më të mirë se durimi në fatkeqësi.

Umer ibn Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu i jep mirësi robit e ja heq atë, pastaj në vend të saj i dhuron durim. Dije se ky këmbim në këtë rast është më i mirë se mirësia që kishte më parë.

Allahu na bëftë durimtarë dhe mirënjohës! Allahu na mjafton mbi çdo gjë, e sa Ndihmës i mirë është Ai!

Ahmed Salih El Khalif

Shqipëroi: Arjan Haskasa/

[1] Buhari, Muslim.

[2] Buhari, Muslim.

[3] Muslim.

[4] Musned Ahmed.

[5] Sunen Tirmidhij.

[6] Buhari.

[7] Muslim.

[8] Ebu Daud, Ibn Maxheh, Ahmed.

[9] Buhari.

[10] Sijer Ealam Nubela.

[11] Buhari, Muslim.

[12] Musned Ahmed.

[13] Muslim.

[14] Tefsir ibn Kethir.

[15] Buhari, Muslim.

[16] Tirmidhij, Ibn Maxheh.

[17] Buhari.

[18] Tirmidhij, Ibn Maxheh.

[19] Tirmidhij, Ibn Maxheh.

[20] Musned Ahmed.

[21] Buhari, Muslim.

[22] Buhari.

[23] Buhari.

[24] Muslim.

[25] Musned Ahmed.

[26] Musned Ahmed.

[27] Tirmidhij.

[28] Ibn Maxheh.

[29] Buhari.

[30] Buhari.

[31] Tirmidhij.

[32] Muslim.

[33] Muslim.

[34] Muslim.

Dosje:

Loading...