Sexhdja e harresës (سجود السهو):
Shumë prej njerëzve janë të painformuar lidhur me dispozitat e shumta që lidhen me sexhden e harresës gjatë namazit. Disa prej tyre e lënë këtë sexhde në rastet kur ajo është e detyrueshme, disa të tjerë e kryejnë atë në vende ku nuk është e ligjësuar, disa e bëjnë para selamit edhe kur vendi i saj është pas selamit, dhe disa të tjerë e kryejnë pas selamit edhe nëse ajo duhet bërë përpara tij.
Për këtë arsye, njohja e rregullave të sexhdes së harresës është mjaft e rëndësishme, veçanërisht për imamët që udhëheqin besimtarët dhe mbajnë përgjegjësi për ndjekjen e rregullt në faljen e tyre.1
Është e ditur se sexhdja e harresës është ligjësuar për të përmirësuar mangësitë që mund të ndodhin gjatë faljes, qofshin ato për shkak të pakësimit, shtesës apo dyshimit. Po ashtu, në ato dy sexhde ndodh edhe poshtërimi ndaj shejtanit, duke shtuar edhe më shumë hidhërimin dhe dështimin e tij, ngase ai nuk është i kënaqur me sexhden që refuzoi ta bëjë qysh herën e parë…
Nga i Dërguari i Allahut ﷺ është transmetuar në mënyrë të saktë, siç është shënuar në “Sahih Muslim” nga Ebu Seid el-Hudri – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush dyshon në namazin e tij dhe nuk e di a ka falur tri apo katër rekate, le ta hedhë tej dyshimin dhe le të veprojë sipas asaj që është i sigurt, pastaj le të bëjë dy sexhde para se të japë selam. Nëse ka falur pesë rekate, ato (dy sexhdet) ia plotësojnë faljen e tij; e nëse ka falur katër të rregullta, ato janë dhe mbeten poshtërim për shejtanin.”
Disa çështje të rëndësishme lidhur me sexhden e harresës:
Mënyra e kryerjes: janë dy sexhde që namazliu i kryen para selamit, ose pas tij, siç do të sqarohet më poshtë.
Shkaqet e sexhdes së harresës janë tre:
1. Kur shton diçka në namaz
2. Kur pakëson
3. Kur dyshon
Momenti dhe vendi i kryerjes së sexhdes së harresës:
Në këtë çështje ka disa mendime të njohura:
Disa dijetarë kanë thënë se sexhdja e harresës gjithmonë bëhet para selamit.
Të tjerë thonë se ajo bëhet gjithmonë pas selamit.
Disa bëjnë ndarjen midis rastit të shtesës dhe të pakësimit në namaz.
Një mendim tjetër shprehet se parimi i përgjithshëm është që sexhdja e harresës të bëhet gjithmonë para selamit, përveç rasteve ku ka tekst të qartë (nga Profeti ﷺ) që e vendos atë pas selamit. Kjo është ajo që është transmetuar nga Imam Ahmedi dhe që është më e përhapur prej tij.
Ahmedi ka thënë: “Unë them: Çdo rast harrese për të cilin është transmetuar se Profeti ﷺ ka bërë sexhde pas selamit, atëherë edhe ne bëjmë pas selamit. Ndërsa për të gjitha rastet e tjera, sexhdja bëhet para selamit. Ky është mendimi më i saktë në kuptim.”2
Ky është gjithashtu edhe përfundimi më i mirë që mund të thuhet në këtë kapitull:
Të veprohet sipas asaj që e kërkojnë tekstet e sakta të thëna dhe të bëra nga Profeti ﷺ, që kanë të bëjnë me sexhden para ose pas selamit.
Ajo që është e kushtëzuar të bëhet para selamit, bëhet para tij.
Ajo që është e kushtëzuar të bëhet pas selamit, bëhet pas tij.
E ajo për të cilën nuk ka përcaktim të qartë, falësi është i lirë të zgjedhë: ta bëjë para ose pas selamit, pa bërë dallim nëse arsyeja është shtesë apo pakësim.
Kjo mbështetet në hadithin që e transmeton Muslimi në “Sahih” nga Ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur me të – se Profeti ﷺ ka thënë: “Nëse njeriu shton apo pakëson diçka (në namaz), le të bëjë dy sexhde.” 2
Sepse hadithet e sakta tregojnë për dobësinë e mendimeve që përgjithësojnë, duke thënë se sexhdja bëhet gjithnjë para ose gjithnjë pas selamit.
Pra, përfundimi i saktë është ndarja:
Ligjvënësi është i Urtë, dhe Ai nuk bën dallim mes dy gjërave pa arsye.
Kështu që nuk ka vendosur që disa sexhde të bëhen pas selamit dhe disa para tij, veçse sepse midis tyre ka një dallim real. 3
Rastet ku sexhdja e harresës bëhet para ose pas selamit:
1. Nëse namazliu lë mangut nga namazi dhe jep selam para se ta përfundojë:
Kjo mangësi mund të jetë:
Lënie e një shtylle (rukni),
Lënie e një detyrimi (vaxhibi),
Lënie e një suneti.
a) Nëse është lënie e një shtylle (rukni): Nëse është tekbiri fillestar, atëherë namazi nuk është i vlefshëm – pavarësisht nëse është lënë me vetëdije apo nga harresa – sepse falja nuk ka nisur realisht.
Nëse është ndonjë shtyllë tjetër përveç tekbirit fillestar dhe falësi ka vazhduar derisa ka arritur në të njëjtin vend gjatë rekatit tjetër, atëherë rekati ku mungoi shtylla anulohet dhe zëvendësohet nga ai që vjen pas.
Nëse nuk ka arritur ende në të njëjtin vend të rekatit tjetër, ai duhet të kthehet dhe ta plotësojë atë shtyllë dhe të vazhdojë me pjesën pas saj.
Në të dyja rastet, sexhdja e harresës duhet të bëhet pas selamit.
Dallimi mes shtyllës (ruknit) dhe detyrimit (vaxhibit):
Shtylla është themeli i rekatit, dhe nëse mungon, rekati nuk llogaritet. Ndërsa detyrimi, nëse harrohet dhe nuk rikuperohet brenda rekatit, nuk e anulon rekatin, por kërkon sexhde harrese. 4
Argumenti për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës:
Profeti ﷺ një ditë na fali njërin prej namazeve të ditës vetëm me dy rekate dhe dha selam. Pastaj u mbështet në një shkop në xhami dhe dukej sikur ishte i zemëruar. Disa njerëz dolën menjëherë nga xhamia. Në mesin e të pranishmëve ishin Ebu Bekri dhe Umeri, por nuk guxuan t’i flisnin. Një njeri i quajtur “Dhu-l-Jedejn” tha:
“O i Dërguar i Allahut! A harrove apo është shkurtuar namazi?”
Ai tha: “As nuk harrova e as nuk është shkurtuar.”
Pastaj pyeti të pranishmit: “A është siç thotë ky?”
Ata thanë: “Po.”
Atëherë Profeti ﷺ u ngrit, e plotësoi pjesën që kishte lënë, dha selam, pastaj bëri dy sexhde si sexhde të harresës, të ngjashëm ose më të gjatë se sexhdet e zakonshme. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Ky hadith është një dëshmi e qartë se në namaz ndodhi mangësi, por Pdodeti e plotësoi dhe pastaj bëri dy sexhdet e harresës.
Rastet kur shtohet diçka në namaz:
Nëse një person që falet shton në mënyrë të pavetëdijshme një rekat, një shtyllë (rukn) nga shtyllat e namazit apo një detyrim tjetër (vaxhib), dhe e kujton këtë në fund të namazit, atëherë ai duhet të bëjë dy sexhde harrese pas selamit. Kjo bazohet në hadithin e transmetuar nga Ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili rrëfen se Profeti ﷺ fali pesë rekate, dhe i thanë: “A është shtuar (diçka) në namaz?” Ai tha: “Çfarë është kjo?” Ata thanë: “Ti fale pesë rekate.” Atëherë Profeti ﷺ bëri dy sexhde pas selamit. (Transmetuar nga të gjithë autorët e suneneve.)
Edhe selami i dhënë para përfundimit të plotë të namazit llogaritet nga rastet e shtimit në namaz. Nëse namazliu jep selam qëllimisht para se të përfundojë namazin, namazi i tij prishet.
Por nëse e bën këtë nga harresa dhe e kujton pas një kohe të gjatë, ai duhet ta përsërisë të gjithë namazin nga e para. Ndërsa nëse e kujton pas një kohe të shkurtër (si p.sh. pas dy apo tre minutash), atëherë ai e plotëson pjesën e mbetur të namazit, jep selam dhe bën dy sexhde harrese, pastaj përsëri jep selam. 5
Argumenti për këtë: Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), ku thuhet se Profeti ﷺ fali drekën ose ikindinë me shokët e tij dhe dha selam pas dy rekatesh. Pastaj njerëzit e nxituar dolën nga xhamia duke thënë: “Namazi është shkurtuar.” Profeti ﷺ u ngrit dhe u mbështet në një shtyllë të xhamisë si i zemëruar. Një burrë u ngrit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! A harrove apo është shkurtuar namazi?” Profeti ﷺ tha: “Nuk kam harruar dhe as nuk është shkurtuar.” Burri këmbënguli: “Jo, vërtet ke harruar.” Profeti ﷺ u kthye nga sahabët dhe tha: “A është e vërtetë ajo që thotë ky?” Ata thanë: “Po.” Atëherë ai ﷺ vazhdoi namazin duke plotësuar pjesën që kishte mbetur, dha selam, pastaj bëri dy sexhde harrese dhe dha selam përsëri. (Muttefekun alejhi).
3. Në rast harrese të teshehudit të parë:
Rreth këtij veprimi ekziston një mospajtim mes dijetarëve: a është teshehudi i parë nga sunetet apo nga obligimet e namazit (vaxhibet)? Ky nuk është vendi për të trajtuar në detaje këtë çështje. Por, nëse namazliu harron teshehudin e parë dhe e kujton para se të ngrihet plotësisht në këmbë, atëherë ai duhet të rikthehet, të ulet, ta shqiptojë teshehudin, ta plotësojë më pas namazin, të japë selam dhe të bëjë dy sexhde harrese dhe të japë prap selam.
Por nëse e kujton pasi është ngritur plotësisht në këmbë, atëherë teshehudi i parë i bie nga përgjegjësia, nuk kthehet më për t’u ulur, por vazhdon namazin, dhe bën dy sexhde harrese para selamit.
Është thënë ky dallim për të mos ndodhur shtesë në namaz, sepse sexhdet e harresës janë për të plotësuar një mangësi. Prandaj, nëse namazliu nuk është ngritur ende plotësisht në këmbë dhe kthehet për të qëndruar ulur, vetë përgatitja për ngritje përbën një shtesë. Kështu, nuk është e përshtatshme që kjo shtesë të bashkëekzistojë me sexhdet e harresës brenda vetë trupit të namazit – prandaj, sexhdet bëhen pas selamit. Ndërsa nëse është ngritur plotësisht dhe nuk kthehet për teshehud, atëherë ai e ka lënë teshehudin (pra ka ndodhur një mangësi), e për pasojë i përshtatet që dy sexhdet e harresës t’i bëjë para selamit.”
Argumenti për këtë: Hadithi i transmetuar tek Buhariu nga Abdullah ibn Buhajneh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), ku thuhet se Profeti ﷺ fali me shokët e tij drekën dhe pas dy rekateve nuk u ul (pra, e la teshehudin e parë). Edhe njerëzit u ngritën me të. Kur e përfundoi namazin dhe njerëzit prisnin që ai të jepte selam, ai u ul, bëri tekbir ndërsa ishte ulur dhe bëri dy sexhde para se të jepte selam, pastaj dha selam. (Transmeton Buhariu dhe të tjerët).
4. Harresa e një suneti prej suneteve të namazit
Bazuar në fjalën e Pejgamberit ﷺ që ka thënë: “Për çdo harresë ka dy sexhde.”
Ky është një hadith i mirë, që është transmetuar nga Ebu Daudi, Ahmedi dhe të tjerë. 6
Vendi i sexhdes (për këtë rast) është para selamit, sepse kjo është origjina.
5. Sexhdja e harresës në rast të dyshimit gjatë namazit
Dyshimi gjatë namazit nuk del jashtë këtyre dy gjendjeve:
Gjendja e parë:
Kur namazliu ka një prirje më të fortë për njërën nga dy mundësitë që i janë paraqitur. Në këtë rast, ai vepron sipas asaj që i është bërë më e qartë, e plotëson namazin mbi këtë bazë, jep selam, pastaj bën dy sexhde të harresës dhe përsëri jep selam.
Shembull: Një njeri është duke falur drekën dhe dyshon nëse është në rekain e dytë apo të tretë, por ka një ndjesi më të fortë se është në rekatin e tretë. Në këtë rast, ai e llogarit atë rekat si të tretin, fal pas tij edhe një rekat tjetër, jep selam, pastaj bën dy sexhde të harresës dhe jep përsëri selam.
Argumenti për këtë: Është ajo që ka ardhur në dy “Sahih”-ët dhe të tjerë, nga hadithi i Abdullah ibn Mes’udit (radijAllahu anhu), i cili transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Nëse ndonjëri prej jush dyshon në namazin e tij, le të kërkojë më të saktën nga mundësitë që ka dhe le të ndërtojë (namazin) mbi këtë, pastaj le të japë selam, pastaj të bëjë dy sexhde.”
Ky është transmetimi i Buhariut.
Gjendja e dytë:
Kur namazliu nuk ka ndonjë prirje të qartë për njërën nga dy mundësitë. Në këtë rast, ai vepron me sigurinë, që do të thotë: e merr për bazë më të paktën nga mundësitë, plotëson namazin dhe bën dy sexhde të harresës para selamit, pastaj jep selam.
Për këtë dëshmon hadithi: “Nëse ndonjëri prej jush dyshon në namazin e tij dhe nuk e di nëse ka falur tre apo katër rekatë, le ta hedhë poshtë dyshimin dhe le të ndërtojë mbi atë që ka të sigurt, pastaj të bëjë dy sexhde para se të japë selam…” Transmeton Muslimi dhe Ahmedi.
Në fund, kthehemi dhe themi:
Çështja është e gjerë, dhe të dyja format janë të lejuara – sexhdet para apo pas selamit – sepse transmetimet nga Pejgamberi ﷺ kanë ardhur në të dy format.
Mirëpo forma më e preferuar është që sexhdet e harresës të jenë para selamit, me përjashtim të dy rasteve:
Rasti i parë: Nëse falësi jep selam pa e plotësuar një ose më shumë rekatë, atëherë më e mira është që sexhdet e harresës të jenë pas selamit që jep pas plotësimit të namazit.
Kjo duke ndjekur shembullin e Pejgamberit ﷺ, i cili, siç transmetohet në hadithin e Ebu Hurejrës për dy rekatë që kishte lënë, dhe në hadithin e Imran ibn Husajnit për një rekat që kishte lënë, e ka bërë sexhden e harresës pas selamit.
Rasti i dytë: Nëse namzliu dyshon në namaz: nuk e di nëse ka falur tre apo katër rekatë, apo dy ose tre në aksham, apo një apo dy në sabah – dhe ka prirje më të fortë për njërën mundësi (qoftë mangësi apo plotësim) – atëherë ai vepron sipas asaj që i duket më e saktë dhe më e mira është që sexhdet t’i bëjë pas selamit. Për këtë është hadithi i Ibn Mes’udit (radijAllahu anhu).
Allahu është Mbrojtësi i suksesit.
– Mbarimi i fjalës së shejh Abdul Aziz Ibn Baz (Allahu e mëshiroftë), nga revista “ed-Daʿwa”, nr. 1665.
Përshtati: Fatjon Isufi
Referencat:
1. Risale fi Suxhudi es-Sehw – Traktat mbi sexhden e harresës, nga shejh Muhammed ibn Salih el-Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.
2. Mexhmu’ el-Fetaua, vëllimi 23, fq. 17 – me disa ndërhyrje redaktuese.
3. Shejhul-Islam Ibn Tejmije – referenca i takon të njëjtit burim të mëparshëm (d.m.th. Mexhmu’ el-Fetaua).
4. Ndaria ndërmjet shtyllës (ركن) dhe detyrimit (واجب) është karakteristike e metodologjisë juridike të medhhebit hanbelit.
5. Risale fi Suxhudi es-Sehw – e njëjta vepër e përmendur më sipër, që mbetet referencë bazë në këtë fushë.
6. Shih: er-Rauda nga dijetari Sadik Hasen Khan, Allahu e mëshiroftë.
Dosje: Sexhdeja