Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Daudit dhe Sulejmanit
1- Allahu i Lartësuar i tregon profetit të tij Muhamedit (alejhi selam) historitë e popujve të mëparshëm me qëllim që zemra e tij të forcohet dhe shpirti i tij të qetësohet. I tregon për adhurimet, durimin e fortë dhe pendimin e tyre, gjëra që nxisin për garim në afrimin tek Allahu. Ata garonin për t’u afruar sa më shumë tek Ai dhe për t’i përballuar lëndimet e popullit më shumë. Për këtë arsye, në fillim të sures Sad Allahu përmend fjalët e përgënjeshtruesve dhe lëndimeve të tyre dhe pas kësaj thotë: “Ti duroje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm Daudin, që përherë i drejtohej Zotit.” [Sad: 17]
2- Fjala e Zotit kur thotë: “Robin Tonë të fuqishëm Daudin, që përherë i drejtohej Zotit.” [Sad: 17]
Ky është lavdërim i madh nga Allahu për shkak të këtyre dy tipareve; forcën e zemrës dhe trupit në bindjen ndaj Allahut, dhe kthimin e brendshëm dhe të jashtëm tek Allahu. Të dyja bashkë realizojnë dashurinë ndaj Tij dhe njohjen e plotë. Tek Pejgamberët këto dy tipare vijnë për të treguar përsosmëri, ndërsa për ndjekësit e tyre do të ketë merita për aq sa i ndjekin (në këto dy tipare). Ndërsa lavdërimi që Allahu u bën këtyre dy tipareve nënkupton nxitjen për t’u pajisur me të gjitha shkaqet që ndihmojnë për të arritur forcën dhe kthimin tek Allahu, dhe se robi duhet të jetë gjithmonë i kthyer tek Zoti si në rastin kur është mirë po ashtu edhe kur është në gjendje të vështirë.
3- Nderimin që Allahu i bëri profetit Daud duke i dhënë zë të bukur dhe melodioz, duke bërë që malet dhe shpendët t’i përgjigjen atij në madhërimin e Allahut bashkë me të. Ky është tregues për shtimin e gradëve dhe pozitës së tij të lartë tek Allahu.
4- Mirësia më e madhe e Zotit ndaj robit është kur i jep dije të dobishme që i mundëson t’i japë drejtimin e duhur çështjeve ku njerëzit kanë kundërshtime, qoftë në fjalët apo ideologjitë e tyre, në ngatërresat apo hasmëritë që mbajnë. I Lartësuari thotë: “Dhe i dhamë mençuri e dije për të gjykuar.” [Sad: 20]
5- Mësojmë kujdesin që tregon Zoti i Lartësuar ndaj Profetëve dhe njerëzve të zgjedhur në rastet kur atyre u ndodhin gabime përmes sprovimeve që Ai u bën. Kështu Ai jo vetëm që ua largon atë por ata kthehen në gjendje më të plotë nga ç’ishin më parë, siç ndodhi në rastin e Daudit dhe të Sulejmanit.
6- Profetët janë të pagabueshëm sa i takon kumtimit (përcjelljes) që ata i bëjnë shpalljes së Zotit, sepse Allahu na ka urdhëruar për bindje të plotë ndaj tyre. Qëllimi i mesazhit hyjnor nuk arrihet ndryshe por tek ata mund të ndodhin ndonjëherë disa gjëra të natyrshme prej kundërshtive, e megjithatë Allahu i Lartësuar i pranon me butësinë e Tij dhe i korigjon (përmirëson) me anë të pendimit dhe kthimit tek Ai.
7- Shumicën e kohës Daudi (alejhi selam) e kalonte në faltoren e tij në shërbim të Zotit të Lartësuar, gjithashtu një pjesë të kohës e kalonte duke zgjidhur problemet që kishin njerëzit. Në këtë mënyrë ai plotësonte detyrimin ndaj Zotit dhe ndaj krijesave të Zotit.
8- Etika duhet të jetë prezente në momentin kur hyn tek të tjerët, sidomos kur bëhet fjalë për udhëhqësit dhe prijësit e shtetit. Në momentin kur dy personat u futën tek Daudi në një mënyrë jo normale dhe jo nga dera, ai u frikësua dhe u ndie keq dhe e quajti jo të mirë këtë veprim.
9- Udhëheqësin nuk duhet t’a pengojë nga gjykimi i drejtë sjellja e keqe e kundërshtarit apo veprimet e tij jo të hijshme.
10- Mësojmë butësinë e plotë të Daudit sepse ai nuk u zemërua me dy personat që hynë tek ai pa marrë leje, nuk i ndaloi e as nuk i qortoi për atë që bënë.
11- Lejohet që njeriu i shtypur t’i thotë të padrejtit ‘Ti më ke bërë padrejtësi!’ Apo t’i thërrasë ‘O zullumqar’ ose: ‘O i pafytyrë’ nisur nga ajeti: “Një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit.” [Sad: 22]
12- Ai që këshillohet edhe pse gëzon pozitë dhe dije të madhe nuk duhet të ndihet keq apo të zemërohet por duhet të nxitojë t’a marrë këshillën, pse jo dhe t’a falënderojë atë që i’a dha këshillën si dhe të falenderojë Allahun që i’a mundësoi këshillimin tek ai person. Daudi nuk u ndie keq nga fjalët e dy të kundërshtuarve kur i thanë: “Prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë.” [Sad: 22] Pra, ai gjykoi me të drejtën e vërtetë.
13- Përzierja me të afërmit, shokët, punëtorët si dhe marrëdhëniet që kanë në mes çështje pasurie, në shumicën e rasteve sjellin armiqësi dhe shumë herë njerëzit i hyjnë në hak njëri-tjetrit. Këtë epidemi shkatërruese e largon vetëm devotshmëria, durimi, imani dhe veprat e mira që fatkeqësiht janë të rralla në mesin e njerëzve.
14- Mësojmë nderimin që Allahu i bëri Daudit dhe Sulejmanit duke i afruar në gradë të larta dhe duke u dhënë strehim të mirë (në botën tjetër), në mënyrë që të mos hamendësojë dikush se ajo që u ndodhi ishte mangësi për ta në pozitën që gëzonin tek Zoti. Kjo tregon mëshirën dhe butësinë e plotë të Allahut ndaj njerëzve të sinqertë, sepse kur Ai i fal dhe ua largon gjurmën e mëkateve u largon gjithashtu edhe pasojat që vijnë si pasojë e mëkateve me qëllim që kjo të mos ndikojë në zemrat e njerëzve. Kjo nuk është aspak e vështirë për Zotin i i Cili është Bujar i Madh!
15- Grada e gjykimit mes njerëzve është pozitë fetare të cilën e kanë marrë përsipër pejgamberët e Allahut dhe njerëzit e zgjedhur. Ai që merr përsipër një detyrë të tillë duhet të gjykojë me drejtësi dhe të mos ndjekë dëshirat e tij. Të gjykosh me të drejtën do të thotë të kesh njohuri rreth çështjeve legjislative dhe të kesh një ide të plotë për atë që je duke gjykuar, si dhe të dish si t’a ndërthurësh me gjykimet e përgjithshme legjislative. Ai që nuk njeh qoftë edhe njërën prej këtyre që thamë nuk i lejohet të marrë përsipër gjykimin mes njerëzve.
16- Sulejmani konsiderohet fryt i babait (Daudit) dhe mirësi e Zotit që i’a dhuroi atij (Daudit). Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i falëm Daudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej Zotit gjithnjë me pendesë!” [Sad 30] Këto fjalë janë rekomandimi më i mirë dhe krenaria më e madhe për Sulejmanin.
17- Mësojmë mirësitë e shumta që Allahu u jep njerëzve të zgjedhur, duke u mundësuar morale të bukura dhe vepra të mira pas të cilave i lëvdon duke u siguruar edhe shpërblimin e lloj-llojshëm, edhe pse në realitet Ai ishte që u mundësoi shkaqet dhe solli pasojat (shpërblimet).
18- Sulejmani i dha përparësi dashurisë ndaj Zotit para çdo dashurie tjetër dhe i vrau kuajt të cilët e hutuan nga përmendja e Zotit derisa dielli humbi mbas malit.
19- Çdo gjë që e pengon njeriun nga bindja ndaj Zotit konsiderohet vepër e kobshme, prandaj le të distancohet dhe të shkojë pas diçkaje që është më e dobishme për të.
20- Mësojmë se kur Sulejmani i vrau kuajt e shpejtë të cilët e hutuan nga bindja ndaj Zotit, si për t’ia zëvendësuar Allahu i nënshtroi erën dhe shejtanët (me të cilët i kryente gjërat më shpejt). Kushdo që bratktis diçka për hir të Allahut, Ai i’a zëvendëson me diçka shumë më të mirë.
21- Nënshtrimi i djajve dhe i erës që i ndodhi Sulejmanit nuk ka për t’i ndodhur askujt tjetër që do të vijë pas Sulejmanit (alejhi selam).
Për këtë arsye, Profeti (alejhi selam) kur deshi t’a kapte dhe t’a lidhte shejtanin në një shtyllë të xhamisë sepse një natë pështyu drejt tij, tha: “M’u kujtua lutja e vëllait tim Sulejmanit dhe e lashë atë.” [1]
22- Sulejmani ishte edhe mbret edhe profet dhe i lejohej të bënte çfarë të donte, por për shkak të cilësive që mbante ai synonte vetëm të mirën dhe drejtësinë. Ndryshe nga ç’mund të bëjë ai që është vetëm profet i cili nuk ka vullnet të pavarur, vullneti i tij është i lidhur me atë që do Allahu dhe nuk vepron apo nuk lë vetëm se duke ndjekur urdhërin, siç ishte rasti i Profetit tonë Muhamedit (alejhi selam).
23- Allahu i dha Sulejmanit pushtet të madh, pushtet i cili nuk mund të arrihet me shkaqe normale por vetëm me caktimin e Sunduesit Dhurues siç ishte nënshtrimi i erës e cila lëvizte sipas urdhërave të tij. Nënshtrimi i shejtanëve apo ushtria e përbërë nga xhinët, njerëzit dhe shpendët. Këta të fundit i shërbenin shumë sepse ai i dërgonte në vende të ndryshme për të çuar apo për t’ë sjellë lajme prej vendeve nga vinin. Zoti u kishte dhënë edhe aftësinë për t’a kuptuar gjendjen e njerëzve siç na tregoi Zoti i Lartësuar në këtë histori, apo si rasti i atij që kishte njohuri nga libri kur u bë gati që t’a sillte fronin e mbretëreshës së Shebës para se të hapte apo të mbyllte sytë. Këto janë mrekullitë e Pejgamberëve, prandaj sado që krijesat të arrijnë zhvillimin në njohuritë shkencore, apo në shpikjet dhe aftësitë e tyre, përsëri nuk mund të arrijnë tek ajo që i’u dha Sulejmanit.
24- Mbretërit apo udhëheqësit duhet të interesohen për gjendjen e sunduesve të tjerë dhe njerëzve të dalluar, dhe jo të mjaftohen vetëm duke pyetur për ta. Duhet t’i vendosin në provë dhe të zbulojnë njohuritë dhe zgjuarsinë që zotërojnë siç veproi Sulejmani me mbretëreshën e Shebës. Ai e provoi për të parë logjikën dhe zgjuarsinë e saj dhe nuk u mjaftua vetëm duke pyetur për të. Kjo metodë solli dobi të mëdha dhe kjo ishte mëse e nevojshme, sepse sundimi i plotë është ai që udhëhiqet nga njerëz me tipare të plota.
Përktheu: Fatjon Isufi
—————————————–
[1] E përcjell Buhariu me nr. 461, Muslimi me nr. 541 dhe 39 nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: Një Ifrit prej xhinëve pështyu drejt meje mbrëmë që të ma ndërpriste namazin. Allahu më mundësoi që t’a kisha nën pushtetin tim prandaj e mora dhe desha t’a lidhja tek një shtyllë prej shtyllave të xhamisë që t’a shihnit të gjithë, por m’u kujtua lutja e vëllait tim Sulejmanit: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje!” – ndaj e lashë të largohej i poshtëruar.