Disa rregulla dhe norma të lutjes:
1- Sinqeriteti i cili është prej kushteve më të rëndësishme. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Lutjuni Allahut duke qenë të sinqert në adhurimin ndaj Tij, edhe nëse të pafetë e urrejnë këtë gjë.” | Gafir: 14.
2- Shmangia e haramit në ushqim, në pije dhe në veshje. Në hadithin profetik thuhet: “Mandej ai (Profeti) përmendi personin i cili udhëton gjatë. Flokët i ka të shprishur, trupin të pluhurosur, i cili ngre duart e tij drejt qiellit dhe thotë: ‘O Zot, o Zot!’ Por, ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram dhe është ushqyer me haram. Si mund t’i pranohet atij lutja!?” Muslimi
3- Mospërgjigja e lutjes: Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “I pranohet lutja secilit prej jush për sa kohë që nuk nxitohet e të thotë: Jam lutur por nuk më është pranuar!” Buhariu dhe Muslimi.
4- Lutja të bëhet me vendosmëri dhe shpresë: Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Kur të lutet dikush prej jush të mos thotë: ‘O Allah, më fal po deshe!’ Por le të lutet me vendosmëri dhe me shpresë të madhe, sepse asgjë që Allahu jep nuk është e madhe për Të.” Muslimi.
5- Ngritja e duarve kur lutemi drejt qiellit: Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu i Madhëruar është i Turpshëm dhe Bujar. Ai do që kur robi i Tij t’i ngrejë duart drejt Tij, të mos i kthejë ato bosh!” Transmeton Ahmedi. Albani e ka vlerësuar si hadith të saktë. Shiko “Sahihul xhami” 1757.
6- Kthimi me fytyrë nga kibla gjatë lutjes. Profeti, paqja qoftë mbi të, është kthyer me fytyrë nga kibla në vendet e mëposhtme: Kur ishte mbi Safa dhe Merva, në Arafat, në meshari haram dhe pas hedhjes së guralecave te Xhemreja e vogël dhe Xhemreja e mesme. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
7- Të lutet në fillim për veten e tij sepse Profeti, paqja qoftë mbi të, kur lutej për dikë e niste me veten e tij. Albani e ka vlerësuar të saktë në “Sahihul Xhami” 4720.
8- Përsëritja e lutjes deri në tri herë. Profeti, paqja qoftë mbitë, kur lutej e përsëriste lutjen deri në tri herë, dhe kur kërkonte diçka e përsëriste deri në tri herë. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
9- Lutja nëpërmjet emrave të bukur të Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur andaj lutjuni Atij me to!” |A’raf: 180.
10- Lutja për mirëqënie dhe të kërkuarit sa më shumë. Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “O Abas, o xhaxhai i të Dërguarit të Allahut! Lutu sa më shumë për mirëqënie!” Shejh Albani e ka vlerësuar të saktë në “Vargun e haditheve të sakta” me nr. 1523.
“Kur ndonjëri prej jush të kërkojë diçka prej Allahut le të kërkojë sa më shumë, sepse ai është duke kërkuar nga Zoti i tij!” Hadith i saktë sipas kritereve të Buhariut dhe të Muslimit.
11- Dërgimi i salavateve ndaj Profetit, paqja qoftë mbi të, gjatë lutjes. Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Të gjitha lutjet janë të penguara derisa t’i dërgohet salavat Profetit, paqja qoftë mbi të!” Hadith hasen. E transmeton Bejhakiu.
Marrë nga libri: “Orientimi i muslimanëve”
Autor: Xhemil Zejno
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: Duaja, etika, Lutja, rregulla