Disa Sunete të përditshme që neglizhohen nga muslimanët

February 12, 2016

Disa Sunete të përditshme që neglizhohen nga muslimanët (1)

  1. Të flesh duke pasur abdes.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha El-Bera bin Azib radijAlalhu anhu: “Kur të shkosh në shtrat, merr abdes si për namaz…[1]

  1. Leximi i sures “El-Ikhlas”, “El-Felek”, dhe “En-Nas” para gjumit.

Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem çdo natë kur binte të flinte i bashkonte duart e pastaj frynte në to dhe lexonte” Kul huvAllahu ehad”, “Kul eudhu bi rabbil-felek” dhe “Kul eudhu bi rabbin-nas.” Pastaj fërkonte me duart e tij pjesët e trupit që mund të prekte. Fillonte nga koka, fytyra dhe pjesët e përparme të trupit. Këtë gjë e bëntë tri herë.”[2]

  1. Përmendja e Allahut para gjumit.

Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu se: I Dërguari i Allahut sal-lAlalhu alejhi ue sel-lem i tha Fatimes radijAllahu anha kur ajo kërkoi nga ai një shërbyes: “A t’ju tregoj për diçka që është më e mirë për ju sesa shërbyesi? Kur të shkoni për të fjetur thoni “Allahu Ekber” tridhjetë e katër herë, “SubhanAllah” tridhjetë e tre herë dhe “El-hamdulilah” tridhjetë e tre herë. Kjo është më e mirë për ju sesa shërbyesi.”[3]

  1. Leximi i sures “El-Kafirun”.

Transmetohet nga Neufel el-Eshxhai radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem më tha: “Lexo Kul ja ejuhel-kafirun” pastaj fli, sepse ajo është largim (pastërti) prej shirkut.” [4]

  1. Shtirja në anën e djathtë.

Transmetohet se El Bera bin Azib radijAllahu anhu ka thënë: I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dëshiron të shtrihesh në shtrat, merr abdes si për namaz dhe bjer në krahun e djathtë.”[5]

  1. Vendosja e dorës nën faqje.

Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shtrihej për të fjetur e vendoste dorën e tij të djathtë nën faqe.”[6]

  1. Shikimi lart në qiell dhe leximi i dhjetë ajeteve të fundit nga surja “Al-Imran”

Transmetohet se Ibën Abasi radijAllahu anhu ka thënë: “Një ditë qëndrova tek tezja ime Mejmuneh. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bisedoi me familjen e tij dhe pastaj u shtri për t’u qetësuar. Kur ishte një e treta e fundit e natës, u ul dhe po shihte lart në qiell.[7]

Në një transmetim thuhet: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u zgjua, u ul dhe fërkoi-preku me duart e tij fytyrën për ta larguar gjumin dhe pastaj lexoi dhjetë ajetet e fundit nga surja Al-Imran.”[8]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai një natë qëndroi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u ngrit në fund të natës, doli dhe hodhi shikimin lart në qiell. Më pas lexoi këtë ajet nga surja Al-Imran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës”, derisa arriti tek ajeti: “Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit!” U kthye në shtëpi, përdori misuakun dhe mori abdes. Më pas u fal dhe u shtri. U ngrit, doli dhe hodhi shikimin lart në qiell dhe lexoi këtë ajet (Al-Imran 190-191). U kthye në shtëpi, përdori misuakun dhe mori abdes. Pastaj u ngrit dhe u fal.[9]

Imam En-Nevevij (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Në këtë hadith bëhet e qartë se është e pëlqyeshme  të lexohen këto ajete kur ngrihesh nga gjumi.”[10]

  1. Pastrimi (shkundja) e shtratit kur dëshiron të flesh.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Profeti sal-lAlalhu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të shkoni te shtrati për të fjetur, shkundeni (pastrojeni) atë me pjesën e brendshme të rrobës suaj, sepse nuk e dini se çfarë ka rënë aty pas jush.”[11]

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Mutefekun alejhi (6311-6882)

[2] Buhariu (5017)

[3] Mutefekun alejhi (6318-6915)

[4] E transmeton Ebu Daudi (5055) në “El Edeb”, Et Tirmidhij (3400-3401) në “Ed Deauat”, Ahmedi në “el Musned” (5/456), Ed Daramij në “Fadailul Kuran” (3430) etj. E ka saktësuar Ibën Hibbani (2363), El Hakimi (2/538) dhe e ka aprovuar Edh Dhehebiu. Po ashtu, e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu et Tergib” (604) dhe në “Sahihul Xhami” (1161). El Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) e ka bërë të mirë (hasen) në “El Futuhat” (3/156).

[5] Buhariu dhe Muslimi.

[6] Et-Tirmidhi, Autentik.

[7] Buhariu dhe Muslimi.

[8] Buhariu dhe Muslimi.

[9] Muslimi.

[10] Në “Sherhu Muslim”.

[11] Buhariu (6320)

Loading...