Dispozitat e agjërimit
Shejh Uthman el Khamis (Allahu e ruajttë!)
Agjërim (nga ana gjuhësore) do të thotë: Privim.
Allahu Lartmadhëruar në lidhje me Merjemen tregon se ajo ka thënë: “Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” Pra, privim nga fjalët.
P.sh thua: “Jam privuar nga të shkruajturit”, “jam privuar nga biseda me njerëzit”, “jam privuar nga dalja”, “jam privuar nga të ngrënurit”.
Agjërimi është të privuarit nga diçka. Pra, të ndaluarit nga diçka i thuhet “jam privuar nga kjo apo ajo gjë.”
Privim nga biseda, nga fjalët, nga shkrimi, nga të ngrënurit, nga pirja.
Në legjislacionin Islam agjërim do të thotë: “Privim nga ngrënia dhe pirja (nga marrëdhëniet intime etj.) me nijet (për hir të Allahut). Duke filluar nga lindja e agimit (të dytë) deri në perëndimin e diellit.”
Allahu Lartmadhëruar e ka bërë agjërimin një prej shtyllave të kësaj feje madhështore. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Feja Islame është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhurar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjëirmi i ramazanit dhe kryerja e haxhit në Shtëpinë e Shenjtë (Qabe).” Pra, e ka bërë agjërimin prej shtyllave të kësaj feje madhështore.
Disa prej dijetarëve janë të mendimit se lënësi i agjërimit konsiderohet jobesimtar, sepse ai ka neglizhuar një prej shtyllave të Islamit.
Por, shumica e dijetarëve janë të mendimit se lënësi i agjërimit nuk konsiderohet jobesimtar, porse ai ka vepruar një prej mëkateve më të mëdha.
Dijetari Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur se: “Lënësi i agjërimit konsiderohet se ka bërë mëkat më të madh sesa ai që bën kurvëri, sesa alkolisti, sesa ai që vret veten e tij dhe ngrënësi i kamatës.”
Përse?
Sepse agjërimi i ramazanit është shtyllë (e fesë Islame).
Ai ka thënë: “Dijetarët nuk janë në kundërshtim në lidhje me alkolistin, me atë që bën kurvëri, me atë që vjedh, me atë që vret veten e tij dhe atë që ha kamatën se këta nuk konsiderohen jobesimtarë, -pra, bëhet fjalë për dijetarët e pasuesve të sunetit (ehlus sunneh)-, por ata janë në kundërshtim në lidhje me atë që lë agjërimin; a konsiderohet jobesimtarë apo jo?”
Kjo tregon se lënia e agjërimit konsiderohet mëkat më i madh se konsumimi i alkoolit, se bërja kurvëri, se vrasja e vetes dhe ngrënia e kamatës.
Agjërimi i muajit të ramazanit është shumë i rëndësishëm (ka pozitë të madhe në Islam). Siç ka thënë Allahu Lartmadhëruar: “Cdo punë e birit të Ademit është për të përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe vetëm Unë shpërblej për të.”
Kur Zoti ynë thotë: “Ai (agjërimi) është për Mua” ky është dedikim.
Dijetarët thonë: Allahu Lartmadhëruar ia ka dedikuar agjërimin Vetes së tij për shkak të madhështisë (pozitës) së tij tek Allahu i Madhëruar. Ai nuk ia ka dedikuar Vetes së tij veçse për shkak të rëndësisë madhore të tij (agjërimit).
Pastaj tha: “vetëm Unë shpërblej për të” duke mos e kufizuar shpërblimin.
Dijetarët thonë: Po ashtu dhe mospërmendja e shpërblimit nga ana e Allahut, tregon për madhështinë e këtij shpërblimi.
Pra, agjërimi ka rëndësi të madhe përsa i përket dedikimit të tij tek Allahu i Lartmadhëruar po ashtu dhe përsa i përket mospërmendjes së shpërblimit të tij.
Kështu që, Allahu i Lartmadhëruar i ka dhënë madhështi këtij adhurimi nga të dyja aspektet që përmendëm më herët.
Allahu i Lartmadhëruar, agjërimin e ka bërë obligim dhe për popujt e kaluar. Agjërimi nuk është obligim vetëm për këtë popull.
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”
Agjërimi ka qenë obligim te popujt e mëparshëm më pas u bë obligim dhe për këtë popull.
Obligimi i agjërimit ka kaluar në disa etapa derisa përfundimsht u caktua ashtu siç ne e praktikojmë sot, e ai është agjërimi i muajit të Ramazanit.
Etapa e parë: Ka qenë në Meke para emigrimit (hixhretit). Në këtë periudhë ka qenë obligim vetëm agjërimi i ditës së ashuras. Siç është hadithi që e transmeton Aisha, hadith që gjendet në dy “Koleksionet e haditheve autentike” se: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka agjëruar ditën e ashuras kur ishte ne Meke.” Pra, agjërimi i ditës së ashuras ka qenë obligim për muslimanët në Meke.
Ata agjëronin vetëm ditën e ashuras, e cila korespondon me ditën e dhjetë të muajit Muharam. Kjo, në Meke para emigrimit (hixhretit) në të cilën ka qenë obligim për ta agjërimi i një dite të vetme në vit. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e agjëronte këtë ditë.
Pas kësaj, ndodhi emigrimi (hixhreti) nga Meka për në Medine. Po ashtu në Medine vazhdoi agjërimi i ditës së ashuras. Ditën e ashuras, thirrësi i të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thërriste: “Kush ka ngrënë, atëherë të vetpërmbahet (mos të hajë pjesën e mbetur të ditës).” Për shkak të obligueshmërisë së agjërimit të ditës së ashuras. Pra, edhe në Medine muslimanët e agjëronin këtë ditë.
Etapa e dytë: Është Shpallja e fjalës së Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.”
Muslimani ka qenë i lirë të zgjedhë mes agjërimit ose ushqimit të një të varfëri. “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër” nëse nuk agjërojnë. Pra, njeriu ka qenë i lirë të zgjedhë ose të agjërojë ose të ushqejë një të varfër.
“Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.”
Agjërimi është më e mira, porse njeriu nuk ishte i obliguar të agjëronte por ishte i lirë të zgjidhte; nëse dëshironte agjëronte e nëse donte ushqente një të varfër.
Vazhdoi kjo periudhë për një kohë të shkurtër e pastaj u shpall fjala e Allahut të Madhëruar: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” Me këtë ajet agjërimi i muajit të ramazanit u bë obligim.
Kur Allahu Madhëruar e bëri detyrë agjërimin e ramazanit, thirrësi i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thirri: “Kush është i agjërueshëm sot, atëherë le të hajë.” Pra, ditën e ashuras.
Kështu agjërimi i ditës së ashuras nga obligim u kthye në diçka të pëlqyeshme; kush donte agjëronte e kush donte nuk e agjëronte.
Pra, në fillim agjërimi i ditës së ashuras ka qenë obligim, pastaj agjërimi i ramazanit ka qenë mes zgjedhje për të agjëruar dhe mes ushqimit të një të varfëri. Më pas kur u bë obligim agjërimi i ramazanit, agjërimi i ditës së ashuras nga obligim u kthye në diçka të pëlqyeshme. Kush donte agjëronte e kush donte nuk e agjëronte këtë ditë.
Pastaj vjen etapa e tretë: Pak kohë para vdekjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në vitin e nëntë- thuhet: dhe para kësaj- se Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i erdhi lajmi se çifutët e agjëronin ditën e ashuras. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha: “I pyesni, pse e agjërojnë këtë ditë?” Kështu që i pyetën: Pse e agjëroni këtë ditë? Thanë: Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musën. Prandaj dhe ne e agjërojmë këtë ditë si falënderim ndaj Allahut (për këtë mirësi).
Këtë ditë Allahu shpëtoi Musën nga mbytja, ndërsa faraonin (bashkë me ushtrinë e tij) e mbyti.
Thanë: Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musën. Prandaj dhe ne e agjërojmë këtë ditë si falënderim ndaj Allahut (për këtë mirësi).
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ne jemi më meritorë për Musën sesa ju.” Dhe urdhëroi për agjërimin e ditës së ashuras.
Por këtu urdhri për të agjëruar tregon pëlqyeshmërinë. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjërimi i ditës së ashuras i shlyen mëkatet e vitit të kaluar.”
Kështu që, agjërimi i ditës së ashuras u kthye në mustehab (pëlqyeshmëri). Në fillim agjërimi i kësaj dite ka qenë obligim, më pas kush donte e linte dhe kush donte lejohej të agjëronte, e më pas në mustehab pasi Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mësoi se çifutët e agjëronin atë ditë.
Një vit para vdekjes së tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Nëse do jetojë deri vitin tjetër, atëherë do agjëroj ditën e nëntë.” Si kundërshtim ndaj çifutëve.
Profeti sal-lAlalhu alejhi ue sel-lem në fillim nëse nuk i transmetohej diçka në lidhje me ndonjë çështje, ai vepronte në përputhje me pasuesit e librave, sepse këta ishin më afër sesa mushrikët. Ndërsa në fund të jetës së tij ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tregonte kujdes maksimal që t’i kundërshtone pasuesit e librave. Ai tha: “Nëse do jetojë deri vitin tjetër, atëherë do agjëroj ditën e nëntë.” Pra, bashkë me ditën e dhjetë. Ose ditën e nëntë në vend të ditës së dhjetë.
Dijetarët janë në kundërshtim në lidhje me këtë: “do të agjëroj ditën e nëntë” në vend të ditës së dhjetë ose “do të agjëroj ditën e nëntë” bashkë me ditën e dhjetë.
Por, caktimi i Allahut dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk jetoi vitin tjetër. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vdiq në fillim të vitit njëmbëdhjetë dhe ne nuk arritëm të mësonim se çfarë kishte për qëllim ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Nëse ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem do jetonte dhe vitin tjetër, atëherë do na e kishte sqaruar se: duhet agjëruar dita e nëntë bashke me të dhjetën apo ditën e nëntë në vend të ditës së dhjetë. Por ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vdiq.
Disa nga dijetarët kanë thënë: Duhet agjëruar dita e nëntë bashkë me të dhjetën. Ndërsa disa të tjerë kanë thënë: Agjërohet dita e nëntë në vend të ditës së dhjetë. Sido që të jetë çështja është e gjërë inshaAllahu, sepse në fund agjërimi i saj dite është e pelqyeshme dhe nuk është obligim.
Përktheu: Unejs Sheme