HADITHI 2, 3, 4, 5 MBI DISPOZITAT E UJËRAVE
Libri: Bulugul Meram
2- Përcillet nga Ebu Seid el Khudri se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Padyshim se uji është pastrues dhe asgjë nuk e ndot atë.”
Burimet e Hadithit:
Këtë Hadith e ka transmetuar: Ahmedi: 3/31, Ebu Daudi: 66, Nesaiu: 174, Tirmidhiu: 66.
Grada e Hadithit: Këtë Hadith e ka saktësuar: Imam Ahmedi, Jahja bin Meini, Neveviu, Ibn Tejmije, Albani, Abdul Kadri, Shuajbi etj.
Ebu Seid El Khudri: Imami luftëtar, myftiu i Medines, Sadi i biri i Malikut. I ati ra dëshmor në betejën e Uhudit. Ebu Seidi ishte pjesëmarrës në betejën e Hendekut dhe në besëlidhjen e ‘Riduanit. Ka përcjellë prej të Dërguarit (alejhi selam) një pjesë të konsiderueshme hadithesh, si dhe nga Ebu Bekri dhe Umeri (radijAllahu anhume). Ai ishte një ndër juristët e pavarur. Vdiq në vitin 74 të hixhretit në moshën 84 vjeçare dhe u varros në varrezat e Bekies. (Dhehebiu në Sijer A’lam En Nubela dhe Ibn El Ethiri në Xhamiul Usul.)
3- Ebu Umameh el Bahili (radijAllahu anhu) ka transmetuar se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Padyshim se uji nuk ndotet nga asgjë, përveçse kur diçka dominon mbi erën, shijen, dhe ngjyrën e tij.”
Burimet e Hadithit:
Ibn Maxheh: 521. Darekutni: 47. Bejhakiu: 1/295.
Grada e Hadithit:
Ebu Hatimi, Bejhakiu, Albani dhe Shuajbi e kanë cilësuar si të dobët.
4- Imam Bejhakiu hadithin e lartpërmendur e ka transmetuar me tekstin: “Uji është i pastër për sa kohë që atij nuk i ka ndryshuar aroma, shija ose ngjyra nga ndonjë ndyrësirë që bie në të.”
Burimet e Hadithit:
Bejhakiu: 159-260.
Grada e Hadithit:
Ebu Hatimi, Bejhakiu, Albani dhe Shuajbi e kanë cilësuar si të dobët.
Ebu Umameh el Bahili: Shok i të Dërguarit të Allahut (alejhi selam). Ai përcolli dije të mëdha dhe kërkoi nga Profeti që t’i sugjeronte një vepër dhe Ai i sugjeroi të agjëronte. Pas kësaj ai dhe gruaja e tij nuk gjendeshin vetëm se agjërueshëm. Vdiq në vitin 86 të hixhretit. (Dhehebiu në librin e tij Sijer.)
5- Nga Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhu) transmetohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nëse uji arrin sasinë e dy ‘’kul-leh’’ atëherë ai nuk përmban më ndytësi.” Sipas një versioni tjetër; “…nuk ndotet.”
Burimet e Hadithit:
Këtë Hadith e kanë trasmetuar Ebu Daudi: 63,64,65, Nesaiu: 1/46, Tirmidhiu: 67, dhe Ibn Maxheh: 517.
Grada e Hadithit:
Ky Hadith është cilësuar i saktë nga Ibn Hibani, Ibn Khuzejme, Hakimi, Neveviu, Dhehebiu, Ibn Haxheri, Albani, Abdul Kadri, Shuajbi etj.
Abdullah bin Umeri; Imami shembullor, dijetari i Islamit. Pranoi Islamin qysh në vogëli dhe u shpërngul nga Meka për në Medine me të atin. Në betejën e Uhudit nuk i’u dha leje për pjesëmarrje ngaqë ishte akoma i vogël. Beteja e parë në të cilën mori pjesë ishte beteja e Hendekut. Ishte i pranishëm në besëlidhjen e Riduanit. Përcolli dije të mëdha dhe të dobishme nga Profeti (alejhi selam) dhe nga shumë Sahabë. Ishte i thjeshtë, altruist, pasues i përpiktë i Profetit (alejhi selam). Vdiq në vitin 73 të hixhretit në moshën 85 vjeçare. (Dhehebiu në librin Sijer.)
Dispozita mbi ujin e përzier me ndytësi të cilit i ka ndryshuar aroma, ngjyra ose shija.
Ibn el Mundhir ka thënë: Të gjithë dijetarët janë të të njëjtit mendim mbi ujin e pakët apo të shumtë në të cilin ka rënë ndyrësi, dhe për pasojë shija, ngjyra apo aroma e tij kanë ndryshuar. Ky lloj uji është i ndotur për sa kohë që është në këtë gjendje.
Dispozita mbi ujin e përzier me ndyrësi të cilit nuk i ka ndryshuar asnjë nga vetitë e tij.
Në lidhje më këtë lloj të ujërave ka dy mendime:
1- Shkolla Malikite:
Uji i përzier me ndyrësi që nuk ka pësuar ndryshim në asnjërën prej vetive të tij konsiderohet i pastër, sado që të jetë sasia e tij.
Argumenti i shkollës malikite është hadithi i lartpërmendur i Ebu Seid el Khudriut: “Padyshim se uji është pastrues dhe asgjë nuk e ndot atë.”
2- Tri shkollat e tjera juridike:
Uji i përzier me ndyrësi që nuk ka pësuar ndryshim në asnjërën prej vetive të tij konsiderohet i pastër kur është i bollshëm, dhe konsiderohet i ndyrë kur është i paktë. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu): “Asnjë nga ju nuk duhet të urinojë në ujin e parrjedhshëm që nuk lëviz, e më pas të lahet në të.” (Buhariu)
Gjithashtu hadithi tjetër i Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu): “Kur dikush prej jush të zgjohet nga gjumi le të mos e fusë dorën e tij në enë derisa t’a lajë atë tri herë, sepse ai nuk e di ku ka qëndruar dora e tij gjatë natës.” (Buhariu dhe Muslimi)
Nga këto dy hadithe kuptohet që uji i pakët ndotet nga ndyrësia që bie në të, edhe nëse asnjëra nga vetitët e tij nuk ka ndryshuar.
Kriteri që bën dallimin midis ujit të bollshëm dhe të pakët:
Shkolla Hanefite: Kriteri që e bën dallimin midis ujit të pakët dhe të bollshëm është dallgëzimi i ujit në të gjitha anët e tij kur fusim dorën në njërën anë të tij dhe e dallgëzojmë. Nëse dallgët përhapen në të gjitha anët atëherë kjo na jep të kuptojmë që ndyrësia depërton në të gjitha pjesët e tij, dhe për pasojë ai ndotet. Argumenti i Hanefive në këtë çështje është argument logjik. Sipas një versioni tjetër në shkollën hanefite kriteri i ujit të paktë dhe ujit të bollshëm lihet në dorën e personit që është sprovuar me këtë çështje.
Shkolla Shafiite dhe Hanbelite:
Kriteri që e bën dallimin midis ujit të paktë dhe të bollshëm është të qënurit e sasisë së tij dy ‘’kul-leh’’, bazuar në hadithin që transmeton Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhu) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nëse uji arrin sasinë e dy ‘’kul-leh’’ atëherë ai nuk mban ndyrësi.” Sipas një versioni tjetër; “…nuk ndotet.”
Këtë hadith e kanë trasmetuar Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Është saktësuar nga Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe të tjerë.
Dy ‘’kul-leh’’ janë përafërsisht të barabarta me 165 ose 190 litra ujë. (Gjithashtu ka dhe mendime të tjera të përafërta.)
Pra, nëse uji është më pak se dy ‘’kul-leh’’ dhe në të bie një ndyrësi e cila nuk i’a ndryshon erën, shijen apo ngjyrën, ai konsiderohet i ndotur ngaqë është i paktë. E nëse është dy ‘’kul-leh’’ e më shumë, ai konsiderohet i pastër për sa kohë që asnjëra nga vetitë e tij nuk ka ndryshuar.
Përshtati dhe përktheu: Rexhep Milaqi
—————————————-
Burimet:
Bulugul Meram (Ibn Haxheri)
Xhamiul Usul (Ibn Ethir)
Sier el a’lam en nubela (Dhehebiu)
Bidajetul Muxhtehid (Ibn Rushd)
El meusuatul el fikhijeh el kuuejtijeh
El hidajeh (Merginani)
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Namazi me xhemat Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve