Dobitë e historive të pejgamberëve

December 6, 2014

Parathënie

Në Kur’anin famëlartë, Allahu i Lartësuar na ka treguar disa ndodhi të bukura që flasin për jetën e Profetëve dhe i ka cilësuar si historitë më të bukura. Ky cilësim (historitë më të bukura) që vjen nga Allahu i Madhëruar, është tregues se ato janë ndodhitë më të vërteta, më kuptimplotat dhe më të dobishmet për njerëzit.

Prej dobive kryesore që nxirren nga këto histori:

1. Me anë të këtyre historive, plotësohet edhe më tej besimi në Profetët e Allahut (alejhimu salatu ues selam). Edhe pse ne besojmë në mënyrë të përgjithshme (në total) tek të gjithë Profetët, por duhet ditur se besimi i detajuar që përfitohet nga historitë e tyre, pa lënë mënjanë faktin se si Allahu i ka cilësuar për besueshmëri të plotë dhe cilësi unike që konsiderohen prej më të ngriturave, si dhe për mirësinë dhe të mirat që kanë ndaj njerëzve madje deri aty sa kjo mirësi kalon edhe tek kafshët, për shkak të udhëzimeve që ata u kanë dhënë njerëzve sa i takon kujdesit ndaj kafshëve dhe angazhimit për detyrimin ndaj tyre. Pra nëpërmjet këtij besimi të detajuar në Profetët, robi arrin në besimin e plotë dhe kjo konsiderohet prej mjeteve që e shtojnë imanin (besimin).

2. Në historitë e Profetëve, pohohet besimi në Allahun, njësimi, sinqeriteti në adhurime dhe besimi në botën tjetër. Ashtu sikurse sqarohet mirësia e Teuhidit dhe domosdoshmëria e tij, po ashtu kotësia e shirkut (idhujtarisë) dhe se ai (shirku) është arsyeja e shkatërrimit në këtë botë dhe në botën tjetër.

3. Historitë e Pejgamberëve, janë mësim për besimtarët, udhëzohen përmes tyre në të gjitha pjesët (shkallët) e fesë: – Në pjesën e teuhidit dhe zbatimit të adhurimit. – Në pjesën e thirrjes (davetit), durimit dhe qëndrueshmërisë në të gjitha sprovat shqetësuese, për ti përballuar me qetësi, dinjitet dhe qëndrueshmëri të plotë. – Në pjesën e vërtetësisë dhe sinqeritetit ndaj Allahut në të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet, duke sjellë ndërmend shpërblimin tek Allahu i Lartësuar. Për të mos kërkuar nga krijesat shpërblim e as cmim dhe falenderim, por vetëm ato gjëra që janë në dobi të tyre (krijesave).

4. Nga këto histori mësojmë: Unanimitetin e Profetëve në një fe të vetme dhe në baza të njëjta. Mësojmë thirrjen e tyre në morale të mira dhe në punë të vlefshme si dhe qortimin ndaj veprave që bien ndesh me to.

5. Në historitë e Pejgamberëve, përfitojmë edhe dobi nga fikhu (jurisprudenca), dispozita fetare, fshehtësitë e të gjykuarit dhe shumë çështje madhore të cilat nuk mund ti anashkalojë një kërkues i dijes.

6. Tek historitë e Pejgamberëve, gjejmë këshillimin dhe përkujtimin, frikësimin dhe shpresdhënien, lehtësimin pas vështirësisë, zgjidhjen e çështjeve pas vështirësimit dhe frytet e mira që janë vënë re në këtë botë si dhe përmendjen e mirë dhe dashurinë në zemrat e krijesave. E gjithë kjo është përgatitje për të devotshmit, gëzim për adhuruesit, ngushëllim për të pikëlluarit dhe mësim për besimtarët. Përmendja e ndodhive të Pejgamberve nuk është për qëllim të tregohen si biseda të netëve të gjata. Përkundrazi qëllimi më i madh është që ato të jenë përkujtim dhe këshillë.

7. Para se të fillojmë duhet të dish se: Shumë prej historive të Profetëve, Allahu i ka përsëritur disa herë dhe me mënyra që përshtaten me gjëndjen e tyre. Ndoshta diku përmendet dicka që nuk mund ta hasësh në vendin tjetër, ose përmendet me terma që nuk përmenden në historinë tjetër, edhe pse kuptimet janë të njëjta dhe të përafërta.

8. Nisur nga ky shënim i shkurtër unë do t’i përmend këto ndodhi dhe do ti përmbledh në një vend të vetëm, duke treguar kujdes që të përdor termat që janë përmendur në Kur’an, nga fillimi i historisë e deri në fund të saj.

9. Historisë së Pejgamberëve, secilës prej tyre do i bashkangjis dobitë bazë dhe ato që kanë të bëjnë me degëzimet, moralet, mirësjelljen dhe shumë tema të tjera. Me shpresë tek Allahu që të më japë sukses në këtë punë dhe ti përmbahem shprehjeve të drejta dhe sinqeritetit të zemrës që të jetë në përputhje me kënaqësinë e Tij dhe të mundësojë nëpërmjet kësaj pune, dobitë e plota. Vërtetë Ai është Bujar dhe Fisnik (i përgjigjet lutjes).

“Kisasul Enbija” shejhu i nderuar Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...