Domethënia e tri llojeve të Teuhidit

– Pjesët e teuhidit –

Fetvaja me nr. 9772.

Pyetje: Çfarë është për qëllim me teuhidin er-rububijeh (veçimi i Allahut në Zotërim), me teuhidin el-uluhije (veçimi i Allahut në adhurim), dhe teuhidin el-esmau ues-sifat (veçimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij)?

Përgjigje: Teuhidi er-rububijeh është njësimi dhe veçimi i Allahut në veprat e Tij, siç janë; krijimi, furnizimi, dhënia e jetës dhe marrja e saj, e të ngjashme. Teuhidi el-uluhije është veçimi i Allahut me adhurim përmes veprave të cilat i kryejnë njerëzit, si; namazi, agjërimi, haxhi, zekati, zotimi (nedhr), bërja kurban, e të ngjashme me to. Teuhidi el-esmau ues-sifat është që Allahu të cilësohet (përshkruhet) me atë që Ai e ka cilësuar Veten e Tij apo që e ka cilësuar Atë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) (në hadithet autentike). Emërtimi i Tij me ato emra që Ai e ka quajtur veten e Tij apo e ka emërtuar i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) pa përngjasim, pa shëmbëllim (et-temthil), pa shtrembërim[1] dhe pa i mohuar ato.

Komisioni i përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva:

Kryetar: Abdulaziz bin Abdullah bin Baz

Zv/kryetar: Abdurrazak Afifi

Anëtar: Abdullah bin Gudejan

Përktheu: Unejs Sheme

————————————————–

[1] Është transformimi i kuptimit të tekstit, nga kuptimi i tij i drejtpërdrejtë dhe qartësisht i kuptueshëm në kuptime të tjera të pabaza.