Drejtësia – ky moral që mungon mes njerëzve

October 20, 2023

O besimtarë! Feja Islame është feja e moraleve të larta dhe sjelljeve të hijshme. Është një fe që sanksionon e obligon sjelljet fisnike dhe i edukon bijtë e saj me to.

Morale me nektarin e të cilave kurohen popujt, sjellje me vesën e të cilave njomen shpirtrat.

Morali është bazë e fortë e besimit të vërtetë. Dijetari i Islamit Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, duke sqaruar rrugën e selefëve (të parëve tanë të mirë) ka thënë: Ata bëjnë thirrje për moral fisnik e për vepra të mira. Ata besojnë fort në fjalën e të Dërguarit të Allahut alejhi selam që thotë: “Besimtarë me besim më të plotë janë ata besimtarë që kanë moralin më të mirë.” (Këtu mbaron fjala e tij.)

Për pozitën dhe vendin e moralit tregon fakti që Profeti alejhi selam e ka kufizuar profecinë e tij në plotësimin e moraleve të larta. Ai ka thënë: “Unë jam dërguar për të plotësuar moralet e larta.” E shënon imam Ahmedi dhe e ka saktësuar Hakimi.

Profeti alejhi selam ka qenë në pozitën më të lartë për virtyte të larta dhe sjellje të mirë. Allahu i lartësuar duke e lavdëruar atë ka thënë: “Se ti je me virtyte madhore.” |El Kalem: 4.

Aishja radijAllahu anha është pyetur për moralin e tij dhe është përgjigjur: “Morali i tij ishte Kurani.” E shënoi imam Ahmedi.

O robër të Allahut! Në krye të moralit fisnik dhe virtyteve madhështore qëndron një virtyt i lëvduar dhe një cilësi e bukur e cila sjell ndriçim e mirësi. Personi që e posedon atë e arrin të vërtetën.

Ky virtyt është drejtësia. Drejtësia, Allahu qoftë kujdestari juaj, është të vendosësh diçka në vendin që i takon. T’i japë njeriu personit tjetër atë që ai e meriton ashtu sikundër dëshiron të marrë prej tij atë që i takon.

Tekstet fetare nxisin dhe urdhërojnë fort për këtë virtyt. Allahu i madhërishëm thotë:

“O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Të mos ju nxit urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë se kjo është më afër devotshmërisë, dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni.” |El Maide: 8. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu urdhëron drejtësi dhe bamirësi.”

Allahu thotë për profetin e Tij: “Dhe jam urdhëruar të mbaj drejtësi mes jush.” |Esh Shura: 15.

Amar ibën Jasir ka thënë: “Kush i arrin tre gjëra e ka arritur tërë besimin; të tregohesh i drejtë në vetvete, të përshëndesësh me selam të gjithë njerëzit, dhe të shpenzosh për bamirësi edhe kur je i varfër.” E shënon Buhariu mualakan.

Ebu Zinad, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Njeriu i drejtë nuk lë borxh pa i larë Zotit të tij dhe distancohet prej çdo gjëje që i ka ndaluar Zoti i tij. Kjo i përmbledh shtyllat e besimit.

Imam Ahmedi ka thënë: Sa e bukur është drejtësia ndaj çdo gjëje. Ajo është tregues i shpirtit të lartë dhe i zhveshjes prej egoizmit dhe prej interesit personal.

Fundi i saj sjell ambicje të lartë dhe pafajësi. Drejtësia përhap dashuri mes njerëzve. Ajo është një faktor i rëndësishëm në rehatinë dhe lumturinë e tyre.

Të nderuar besimtarë! Drejtësia ka disa nivele.

I pari dhe më parësori është drejtësia me Allahun e lartësuar duke e adhuruar Atë të vetëm pa idhujtari (pa i shoqëruar askënd në adhurim), sepse idhujtaria ndaj Tij bie ndesh me drejtësinë. Idhujtaria është padrejtësia më e shëmtuar dhe më e rëndë.

Allahu thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” |Lukman: 13.

Ibën Mesudi e pyeti të dërguarin e Allahut alejhi selam: “Cili është gjynahu më i madh? Ai tha: T’i bësh Allahut të ngjashëm e Ai të ka krijuar!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

I dyti është drejtësia ndaj Profetit Muhamed alejhi selam duke kryer të gjitha detyrimet ndaj tij; në besimin ndaj tij, në dashurinë për të, në madhërim, bindje dhe respekt, duke i dhënë përparësi urdhërit dhe fjalës së tij përpara urdhrit dhe fjalës së çdo njeriu tjetër.

I treti nivel është drejtësia e personit në vetveten e tij. Ky është një nivel i lartë. Kush nuk mundet të jetë i drejtë në veten e tij nuk mund të jetë i drejtë ndaj të tjerëve. Siç thonë: Kush nuk posedon gjë ska çfarë të japë.

Personi është i drejt në vetvete kur nuk pretendon për të atë që nuk i përket. Gjithashtu, nuk e njollos veten me vese të ndyra e me gjynahe por e ngre lart atë me bindjen ndaj Allahut të madhërishëm, me dashurinë, frikën, shpresën tek Ai, me mbështetjen në Të, me kthimin tek Ai, duke i dhënë gjithmonë përparësi kënaqësisë së Allahut ndaj kënaqësisë së të tjerëve.

I katërti nivel i drejtësisë është drejtësia me njerëzit. Muslimani duhet të mbaj drejtësi mes vetes së tij dhe të tjerëve, dhe të jetë i paanshëm në gjykim ndaj fjalëve që dëgjon prej tjetrit apo në fjalët që i mbërrijnë prej tij. Kështu duhet të qartësohet e të sigurohet përpara se të jap gjykim.

“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm u sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë) për të mos i bërë dëm ndokujt padashje e të pendoheni për atë që keni bërë.” |El Huxhurat: 6.

“O besimtarë! Kur të shkoni në luftë në rrugë të Allahut shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: Nuk je besimtar.” |En Nisa: 94.

Muslimani e shfaq drejtësinë ndaj tjetrit kur mendon mirë ndaj tij dhe kur i mbart fjalët e tij në anën më të mirë kuptimore.

Said ibën el Musejib, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Disa vëllezër të mi prej shokëve të të Dërguarit të Allahut alejhi selam më kanë shkruar: Vendose çështjen e vëllait tënd në anën më të mirë për aq sa nuk të vjen diçka e pakthyeshme. Nga fjala që del prej një muslimani mos mendo të keqen e saj nëse mundesh t’i shohësh anën e mirë.”

Drejtësia e pakët largon të afërmit e vëllezërit prej njëri-tjetrit. Sa mosmarrëveshje kanë lindur mes vëllezërish e mes shokësh për shkak se ndonjëri prej tyre ka mohuar vlerat që posedon tjetri, apo për shkak se i ka refuzuar mendimin ose transmetimin e një ngjarjeje ndërkohë që e di se ai është i saktë në mendim dhe i sinqertë në transmetim. Drejtësia e pakët vazhdon të jetë ndarëse mes njerëze edhe pse ata janë farefis me njërit-jetrin.

O Allah, na udhëzo drejt sjelljeve më të mira se vetëm Ti na udhëzon drejt tyre! Na largo prej sjelljeve të këqija se vetëm Ti na largon prej tyre! O Allah, na jep begati në traditën profetike dhe në Kuran, e na mundëso të kemi dobi në udhëzimet dhe sqarimet që gjenden në to!

I kërkoj falje Allahut për vete dhe për ju e për gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahu e çdo gabimi. Kërkojini falje Atij sepse Ai është Falës ndaj atyre që kthehen me pendim për tek Ai.

Hutbja e dytë

O robër të Allahut! Popujt që synojnë ngritje dhe progres, shpirtrat e bijve të tyre kanë nevojë të pajisen me zahire të mirë e të këndshme prej moraleve të larta e prej virtyteve të lëvdueshme. Pra  ashtu sikundër kanë nevojë trupat e tyre për ushqim të mirë që të kenë energji në kërkim të mjeteve të jetesës, e për këtë drejtësia është një ushqim i domosdoshëm.

Kush synon të pajiset me virtytin e drejtësisë të hetojë në veten e tij për dy sëmundje; smira dhe egzagjërimi në egoizëm. Nëse vëren gjurmë të tyre atëherë të përpiqet ta nënshtrojë vetveten e ta rikthejë në natyrshmërinë e saj të pastër.

Mënyra më e mirë për të larguar smirën është fakti që Allahu është Ai që me urtësinë e Tij ka vendosur një mirësi të gjendet tek ky apo tek ai njeri. Kështu që nuk bën të kundërshtohet apo të urrehet ajo që rrjedh prej urtësisë hyjnore se përndryshe njeriu bie në mëkat.

Ndërsa mjekimi i egzagjërimit në egoizëm është pastrimi i vetes që ajo të jetë e ndjeshme ndaj të tjerëve dhe e ekuilibruar. T’i sjellë të mira vetvetes e të urrejë dëmin ndaj të tjerëve.

Ibën Hazmi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush dëshiron drejtësi le të imagjinojë sikur është në vendin e kundërshtarit, se kështu do t’i ndryshojë drejtimin furtunës së tij.”

Dosje:

Loading...