Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin tonë Muhammed, familjen dhe gjithë shokët e tij.
O muslimanë! Tek ne mbërriti një muaj bujar, që përmban mirësi të mëdha për atë që garon në punë të mira dhe bindje. Mirëpo shumë prej njerëzve janë të pavëmendshëm ndaj tij. Ky është muaji Sha’aban. Po. Shumë prej njerëzve janë të pavëmendshëm ndaj tij. Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka njoftuar për të, siç ka ardhur në Sunen të Nesait dhe tek Bejhekiu në Shua’ab, nga hadithi i Usames (Allahu qoftë i kënaqur me të), se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Sha’abani është midis Rexhebit dhe muajit të Ramazanit. Njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj tij. Në këtë muaj ngjiten punët e robërve. Prandaj unë dua që të ngjitet puna ime dhe të jem agjërues.”
Në këtë hadith tregohet se njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj disa kohëve që kanë mirësi, prandaj nuk janë vigjilentë ndaj tyre, ngaqë angazhohen me atë që është e njohur.
Gjithashtu, ky hadith përmban pëlqyeshmërinë e mbushjes me bindje të kohës ndaj të cilës njerëzit janë të pavëmendshëm dhe se kjo gjë është e dashur tek Allahu i lartmadhëruar. Prandaj ka ardhur se disa nga të parët tanë faleshin midis magribit dhe ishait, duke thënë se kjo është orë ndaj të cilës njerëzit janë të pavëmendshëm, siç ka përmendu Ibën Rexheb në librin e tij “Lataiful-Mearif”.
Prandaj pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) agjërontë pjesën më të madhe të muajit Sha’aban. Në dy Sahihët transmetohet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Nuk e kam parë asnjëherë të Dërguarin e Allahut të plotësojë ndonjë muaj me agjërim, me përjashtim të Ramazanit, dhe nuk e kam parë të agjëronte në ndonjë muaj, aq sa agjëronte në Sha’aban.” Në këtë hadith tregohet se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) agjëronte ditët më të shumta të muajit Sha’aban.
Prej mirësive të muajit Sh’aban është fakti që Allahu i Lartmadhëruar i fal të gjitha krijesat në natën e mesit të muajit Sha’aban, me përjashtim të mushrikut (idhujtarit) dhe mushahinit (ai që ka mllef dhe urrejtje ndaj vëllait musliman).
Në Sunen të Ibën Maxhes, transmetohet nga Ebu Musa El-Esh’arij (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu i Lartësuar vështron në natën e mesit të muajit Sha’aban dhe i fal të gjitha krijesat e Tij, me përjashtim të mushrikut dhe mushahinit.” Prandaj muslimani duhet t’i largohet të gjitha gjynaheve në përgjithësi, e veçanërisht këtyre dy gjynaheve të mëdha, që u përmendën në këtë hadith: Shirku dhe shahnaja. Shirku (t’i bësh shok Allahut), me të cilin nëse dikush vdes me të ka për të qenë përgjithmonë në zjarr, dhe për atë nuk ka asnjë mbrojtës, ndihmues dhe ndërmjetësues. Dhe shahnaja, që është mllefi ndaj muslimanit dhe urrejtja e tij, për shkak të një epshi në vetvete.
Në anë tjetër, ajo që bëjnë disa njerëz duke veçuar natën e mesit të muajit Sha’aban me falje natën dhe lutje dhe që veçojnë atë ditë me agjërim, dije -Allahu të ruajtë-, se këto nuk janë të ligjshme, aq sa konsiderohen si bidate tek ndjekësit e Sunetit, që hyjnë në fjalën e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Çdo bidat është humbje.”
Përgatiti Ebu Ismail Ahmed Abdul-Alijmi.
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve