Eklipsi në kohën e Profetit

August 7, 2017

Dielli dhe hëna në librin e Allahut.

Allahu i madhëruar në Kuran njofton: “(Allahu) është Ai i cili krijoi natën, ditën, diellin dhe hënën. Secili lundron në trajektoren e tij.” El-Enbija: 33.
Ky ajet përmban dy njoftime:
1- Nata, dita, dielli dhe hëna janë prej krijimit të Allahut. Ibn Abasi (radiallahu anhu) tregon: “Allahu e krijoi natën para ditës.” E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë. Kjo do të thotë se dita është ndarë nga nata pas krijimit të diellit.

2- Dielli dhe hëna janë trupa që lundrojnë në trajektore. Kjo do të thotë se ato janë në lëvizje të vazhdueshme dhe kjo lëvizje është rrethore, siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu-: “Rrethore siç lëviz koka e boshtit.” E transmeton Ibn Ebi Hatim.
Në librin e Allahut gjithashtu thuhet: “Allahu është Ai i Cili i ngriti qiejt pa shtylla mbajtëse që shihen, pastaj u lartësua mbi arsh dhe nënshtroi diellin dhe hënën; secili prej tyre ecën për në afatin e caktuar. Ai i rregullon çështjet, i sqaron mrekullitë në mënyrë që ju të jeni të sigurtë në takimin me Allahun.” Suretu Rrad: 2.
Kurse në një sure tjetër thuhet: “Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj, dhe të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.” Suretu El-Isra: 12.
Këto ajete njoftojnë edhe dy gjëra të tjera:
1- Dielli dhe hëna janë mrekulli të Allahut për banorët e tokës, dhe fjala mrekulli sipas gjuhës së Kuranit do të thotë shenja treguese të fuqisë së Allahut, Krijuesit të botës.
Këtë mrekulli ndoshta njeriu nuk mund ta ndiej ashtu siç duhet veçse nëse e humb atë, dhe për këtë arsye Allahu i madhëruar në Kuran supozon duke thënë:
“Thuaj: Nëse Allahu do t’ua bënte natën të përhershme deri në ditën e kiametit, cili zot veç Allahut do t’u sillte dritë?! A nuk dëgjoni?! * Thuaj: Nëse Allahu do t’ua bënte ditën të përhershme deri në ditën e kiametit, cili zot veç Allahut do t’u sillte natën që të preheni në të?! A nuk shikoni?! * Prej rahmetit të Tij është se Ai ua ka bërë natën dhe ditën që të preheni dhe të kërkoni prej mirësive të Tij, në mënyrë që të falënderoni.” Suretu El-Kasas: 71-73.
2- Nëpërmjet diellit dhe hënës llogaritet koha. Nëpërmjet diellit llogariten ditët dhe stinët, kurse nëpërmjet hënës llogariten muajt dhe vitet.

Eklipsi i diellit dhe i hënës.

Dielli dhe hëna janë trupa që lëshojnë dritë mbi tokë, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Allahu është Ai i Cili e bëri diellin ndriçues dhe hënën vezulluese.” Suretu Junus: 5. Ato lindin, perëndojnë dhe ndajnë me njëri-tjetrin ditën dhe natën, dhe kjo është gjendja e tyre normale sipas të cilës Allahu i ka krijuar ato që në ditën e krijimit të tyre. Mirëpo nëse drita e tyre ikën dhe ato dalin nga zakoni i tyre atëherë diçka ka ndodhur me këta dy trupa qiellorë dhe kjo quhet [Kusuf] ose eklips.
Ikja e dritës së diellit dhe hënës është një shfaqje e madhe e fuqisë së Allahut, madje ajo të kujton edhe kiametin. Nëse Allahu ka mundësi të prishë adetin e tyre në ndriçim dhe vezullim, ka mundësi të prishë edhe ketë botë kur t’i vijë ora e saj e fundit.
Çdo shenjë treguese e fuqisë së Allahut që shfaqet ne tokë si: eklipset, tërmetet, vullkanet, stuhitë, tufanet etj. Allahu i madhëruar i dërgon ato për frikësim, siç thotë në Kuran: “Ne nuk i nisim shenjat veçse për frikësim.” Suretul-Isra: 59.
Katade -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e këtij ajeti thotë: Allahu i madhëruar i frikëson njerëzit me çfarëdo lloj shenje që do në mënyrë që ata të zënë mend, të kujtohen dhe të kthehen tek Allahu.

Eklipsi i diellit në kohën e Profetit (alejhi selam).

Eklipsi është një dukuri që ka ndodhur një herë në kohën e Profetit (alejhi selam), dhe duke qenë e tillë kemi mundësi të njihemi me çfarë ka bërë ai në këtë ditë.

1- Eklipsi ka ndodhur në ditën që ka vdekur Ibrahimi, i biri i Profetit Muhamed (alejhi selam).
Profeti (alejhi selam) ka pasur një djalë me emrin Ibrahim i cili mendohet t’i ketë lindur në vitin e tetë të hixhretit dhe Profeti (alejhi selam) është gëzuar pa masë për të.
Enesi (radiallahu anhu) thotë: “E kam parë Profetin (alejhi selam) duke e shtrënguar dhe puthur, dhe më pas e kam parë atë kur po jepte shpirt dhe Profeti tha: Syri loton, zemra mërzitet, por ne nuk themi veçse fjalë që kënaqin Zotin tonë. O Ibrahim, ne me ndarjen tënde jemi të mërzitur.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
El-Mugira bin Shu’be (radiallahu anhu) tregon: “Është zënë dielli në kohën e Profetit (alejhi selam) në atë ditë që vdiq Ibrahimi (biri i tij).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
El-Uakidij dijetari i madh i historisë profetike i vdekur në vitin 207 H, e përcakton këtë ditë dhe thotë: Ibrahimi ka vdekur në vitin e dhjetë të hixhretit kur ai ishte 18 muajsh.
Pra, eklipsi i diellit në kohën e Profetit (alejhi selam) është ngjarje që ka ndodhur në vitin e dhjetë të hixhretit.

2- Profeti (alejhi selam) harron mërzitjen e tij për të birin dhe niset për në xhami.
Aisha (radiallahu anha) tregon: “U zu dielli në kohën e Profetit (alejhi selam) dhe ai menjëherë doli për në xhami, i rreshtoi njerëzit mbrapa vetës, mori tekbir dhe lexoi (Kuran) gjatë.” E transmeton Buhariu.
Një tjetër sahab që quhet Ebu Bekra (radiallahu anhu) tregon për atë ditë: “U zu dielli në kohën e Profetit (alejhi selam) dhe ai doli duke tërhequr zvarrë rrobën e tij, derisa mbërriti në xhami. Pastaj njerëzit u mblodhën pas tij dhe ai fali me ta dy rekate.” E transmeton Buhariu.
Kjo do të thotë se Profeti (alejhi selam) sapo ka parë zënien e diellit ka dalë menjëherë për të bërë atë që kërkohet në këto momente, kur shfaqen shenjat e shprehjes së fuqisë së Allahut. Sepse siç thamë më lart, Allahu nuk i çon ato veçse për frikësim.

3- Kur mbërrin në xhami thërret njerëzit për në namaz me shprehjen: “Ejani për në namazin me xhemat!”
Abdullah bin Amr bin El-Asi (radiallahu anhu) tregon: “Kur u zu dielli në kohën e Profetit -alejhi selam- është thirrur për në namaz me fjalën: Ejani për në namazin me xhemat!”
Në këtë lloj mënyre bashkoheshin njerëzit sa herë që lipsej nevoja për bashkim jashtë kohëve të pesë namazeve.
Pra, sipas traditës profetike për namazin e eklipsit nuk ka ezan, dhe njerëzit mblidhen për në namaz me fjalën: “Ejani për në namazin me xhemat!”

4- Njerëzit i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij namazi.
Esmaja (radiallahu anha) thotë: “Shkova te Aishja (motra e saj) dhe e gjeta atë duke u falur. I thashë: Ç’kanë njerëzit? Ajo bëri me shenjë nga qielli dhe nga njerëzit që ishin të gjithë në këmbë duke u falur. I thashë: Subhanallah, mrekulli?! Ajo bëri shenjë me kokë se po. Atëherë unë hyra në namaz dhe u fala (gjatë) derisa po më binte të fikët, dhe hodha ujë mbi kokë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, kërkohet t’i kushtojmë këtij namazi një rëndësi të veçantë siç i kanë kushtuar sahabët në kohën e Profetit (alejhi selam). Nuk duhet të merremi me dukurinë se si ndodh siç ndodh në shumicën e rasteve sot, por të merremi me domethënien e dukurisë e cila është nxitja e njerëzve për kthim nga Allahu.

5- Profeti -alejhi selam- fal me njerëzit një namaz të gjatë.
Aishja -radiallahu anha- tregon: “U zu dielli në kohën e Profetit -alejhi selam- dhe ai menjëherë doli për në xhami, i rreshtoi njerëzit mbrapa vetës, mori tekbir dhe lexoi gjatë. Pastaj mori tekbir dhe ra në ruku dhe qëndroi gjatë. Pastaj tha: Semiallahu limen hamideh, -u ngrit dhe nuk ra në sexhde dhe lexoi gjatë por më shkurt se i pari. Pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë por më shkurt se në rukunë e parë. Pastaj tha: Semiallahu limen hamideh, rabena ue lekel-hamd. Pastaj ra në sexhde. Ai të njëjtën gjë bëri dhe në rekatin e dytë dhe kështu plotësoi katër ruku me katër sexhde.” E transmeton Buhariu.

Pra, ky namaz ndryshon nga namazet e tjera sepse ka katër lexime, katër ruku, katër sexhde, dhe të gjitha këto në dy rekate. Ky namaz siç shihet dhe nga forma e kryerjes së tij është i gjatë, bile aq i gjatë sa njëri prej këtyre leximeve tregohet se ka qenë i barabartë me suren El-Bekare.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon: “U zu dielli në kohën e profetit -alejhi selam- dhe ai fali një namaz të gjatë aq sa mund të lexohet surja El-Bekare. Pastaj ra në ruku dhe qëndroi gjatë, pastaj u ngrit dhe lexoi gjatë por më shkurt se leximi i parë.” E transmeton Buhariu.
Nëse njëri prej katër leximeve ishte sa surja El-Bekare dhe të tjerat pak më të shkurtra, i bie që profeti -alejhi selam- të ketë lexuar shumë gjatë Kuran. Prandaj Esma -radiallahu anha- tha në hadithin e mësipërm: “… derisa po më binte të fikët”.
Aishja -radiallahu anha- thotë: “Nuk kam bërë as ruku dhe as sexhde më të gjatë se ato.” E transmeton Muslimi.

6- Profeti -alejhi selam- në namaz bën lëvizje që nuk kanë lidhje me namazin.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon se profetin -alejhi selam- e kanë parë në këtë namaz duke lëvizur sikur donte të kapte diçka, pastaj e kanë parë duke u zmbrapsur. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Këto lëvizje nuk janë lëvizje të namazit dhe prandaj janë çuditur sahabët se cili ishte shkaku i tyre, gjë për të cilën do të pyesin pas namazit siç do të vijë më poshtë.

7- Profeti -alejhi selam- qëndron në namaz deri në përfundim të eklipsit.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon se kur profeti -alejhi selam- mbaroi namazin ishte shfaqur dielli.
Qëndrimi në namaz deri në shfaqjen e diellit apo hënës ka ardhur edhe në porositë e profetit -alejhi selam-. Siç tregon Ebu Bekra, El-Mugira bin Shuebe dhe Xhabiri -radiallahu anhum- se profeti alejhi selam ka thënë: “Kur ti shihni se u zunë (dielli dhe hëna) faluni derisa të shfaqen!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

8- Profeti -alejhi selam- pas namazit tregon për veprimet e bëra në namaz dhe që nuk kanë lidhje me të.
Aishja -radiallahu anha- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Pashë në këtë namaz çdo gjë që më është premtuar, derisa pashë një bistak (rrushi) prej bistakëve të xhenetit dhe tentova ta marr atë, dhe prandaj më patë duke ecur përpara. Pastaj pashë xhehenemin duke coptuar veten dhe prandaj më patë duke u larguar.” E transmeton Buhariu.
Pra, profeti -alejhi selam- ka parë xhenetin dhe xhehenemin dhe ky ka qenë shkaku i lëvizjeve të tij në namaz.
Përsa i përket xhenetit, në një hadith tjetër thuhet se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më është shfaqur çdo gjë ku keni për të hyrë (në botën tjetër). Mu shfaq xheneti dhe mora prej tij një bistak, por duart nuk ma mbajtën dot.” E transmeton Muslimi.
Në një transmetim tjetër thuhet: “Pashë xhenetin dhe u mundova të marr një bistak, të cilin sikur ta kisha marrë do të kishit ngrënë prej tij deri në fund të dynjasë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa përsa i përket xhehenemit profeti -alejhi selam- në hadithin e lartpërmendur të Aishes -radiallahu anha- tha se e kishte parë atë duke e coptuar vetveten nga egërsia, dhe përveç saj ka parë edhe gjëra të tjera.
a- Në një transmetim tjetër thotë: “Pashë zjarrin dhe nuk kam parë pamje më të egër sesa sot.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
b- Në një transmetim tjetër thotë: “Mu shfaq zjarri dhe unë i fryva nga frika mos t’ju kaplojë, dhe fillova të lutem duke thënë: O Zoti im, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh ata kur të jem në mesin e tyre?! O Zoti im, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh kur ata janë duke të kërkuar falje?” E transmeton Ibn Hibani dhe e saktëson shejh Albani.
Kjo dua e profetit -alejhi selam- ishte një garanci që ia kishte dhënë Allahu në Kuran: “Allahu nuk do t’i dënojë ata (njerëzit) kur ti të jesh mes tyre, dhe nuk do t’i dënojë kur janë duke kërkuar falje.” Suretu El-Enfal: 33.
Këto dy gjëra i ka quajtur garanci Ebu Hurejra -radiallahu anhu- kur u thoshte njerëzve: “Keni pasur mes jush dy garanci, njëra ka ikur dhe ka mbetur tjetra: Allahu nuk do t’i dënojë ata (njerëzit) kur ti të jesh mes tyre, dhe nuk do t’i dënojë kur janë duke kërkuar falje.” E transmeton Hakimi. Pikërisht këtë garanci profeti -alejhi selam- e shfrytëzon në këtë moment të vështirë.
c- Profeti -alejhi selam- gjithashtu njofton se ka parë se kush ishin shumica e banorëve të zjarrit, dhe thotë: “Pashë se shumica e banorëve të zjarrit ishin gra. E pyesin: Pse o i dërguar i Allahut? – Sepse ato mohojnë. I thonë: Mohojnë Allahun? Ai u thotë: Mohojnë mirësinë. Sikur t’i bësh mirësi ndonjërës prej tyre gjatë gjithë kohës dhe pastaj sheh prej teje diçka (jo të mirë), thotë: Nuk kam parë kurrë hajër prej teje.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
d- Profeti -alejhi selam- njofton gjithashtu se ka parë në zjarr një grua prej Beni Israilëve, dhe tregon: “Mu shfaq zjarri dhe pashë aty një grua prej Beni Israilëve duke u dënuar për një mace të cilën e kishte lidhur, e cila as nuk i kishte dhënë të hajë dhe as nuk e kishte lënë të lirë të hante vet në tokë.” E transmeton Muslimi.
e- Profeti -alejhi selam- ka parë në zjarr vjedhësin.
“….derisa pashë aty atë që vjedh me shkop duke tërhequr zorrët e tij në zjarr, i cili vidhte haxhilerët me shkopin e tij. Nëse e dallonin u thoshte: U kap vet pas shkopit, dhe nëse nuk e dallonte njeri e merrte dhe ikte.” E transmeton Muslimi.
ë- Profeti -alejhi selam- ka parë në zjarr disa jobesimtarë duke u dënuar:
“Pashë në të Ebu Thumame Amr bin Malik duke tërhequr zorrët e tij në zjarr.” E transmeton Muslimi.
Amr bin Malik ose Amr bin Luhej është arabi i parë që ka ndryshuar fenë e Ibrahimit -alejhi selam- në mesin e arabëve.

9- Këshillat e profetit -alejhi selam- në këtë ditë.
a- Profeti -alejhi selam- i porosit shokët e tij se ç’duhet të bëjnë kur të ndodhë eklipsi, siç tregon Aishja -radiallahu anha- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur t’i shihni se u zunë; madhëroni Allahun, lutjuni Atij, faluni dhe jepni sadaka.” E transmeton Muslimi.
Sekreti i përmendjes së këtyre punëve është se secila prej tyre largon zemërimin e Allahut.
b- Profeti -alejhi selam- qartëson se eklipsi nuk ka lidhje me vdekjen apo lindjen e dikujt.
Profeti -alejhi selam- atë ditë ka thënë: “Njerëzit thoshin: Dielli dhe hëna nuk zihen veçse për shkak të vdekjes së një njeriu të madh. Jo, ato janë dy mrekulli të Allahut që ua shfaq juve, dhe kur të zihen faluni derisa të shfaqen!” E transmeton Muslimi.
c- Prej këshillave të asaj dite ka qenë edhe fjala e tij: “O ymet i Muhamedit, nuk është kush më xheloz se Allahu kur bën zina robi apo robëresha e Tij. O ymeti i Muhamedit, sikur ta dinit atë që di unë do qanit shumë dhe do qeshnit pak. A nuk i kam përcjellë porositë e Allahut?!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Pra, këshillimi i njerëzve pas namazit të eklipsit është traditë profetike, dhe është e pëlqyeshme që imami ta bëjë këtë gjë pas namazit dhe ta ruaj këtë traditë.

10- Profetit -alejhi selam- i është shpallur atë ditë se njerëzit do të dënohen në varr.
Aishja -radiallahu anha- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Më është shpallur se ju do të sprovoheni në varret tuaja afërsisht me sprovën e mesiu-dexhalit. Do t’ju thuhet: Ç’thua për këtë burrë? Për sa i përket besimtarit do të thotë: Ai është Muhamedi i dërguari i Allahut i cili na ka ardhur me fakte dhe udhëzim, dhe ne iu përgjigjëm dhe e ndoqëm. Atëherë do t’i thuhet: Fli i qetë se ne e dinim se e besoje atë. Kurse munafiku dhe dyshuesi thotë: Nuk e di, i dëgjova njerëzit duke thënë diçka dhe e thashë edhe unë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo është ajo çfarë ka bërë profeti -alejhi selam- atë ditë, dhe këto janë fjalët dhe porositë e tij për një dukuri e cila nuk ka ndodhur veçse njëherë në jetën e tij, por ama e ruajtur në detaje nga ana e shokëve të tij të nderuar. Allahu na bashkoftë me ta dhe me profetin tonë -alejhi selam- në xhenet! Amin!

 

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...