El Gafleh – Shkujdesja

June 29, 2019

El Gafleh (Shkujdesja)

 Falënderimet dhe lavdatat i takojnë Allahut! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë!

I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona!

Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e humb, dhe kë e lë në humbje s’ka kush që e udhëzon në udhën e drejtë.

Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër që e meriton adhurimin përveç Allahut, Një, të Vetmit, dhe dëshmoj se Muhamedi ishte rob i Allahut dhe i dërguari i Tij.

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُون 

“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut me një frikë të denjë, dhe vdekja të mos u gjej ndryshe por veçse duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)

يَاأَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمْ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَتَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا 

“O ju njerëz! Frikësojuni Zotin tuaj që u ka krijuar prej një njeriu të vetëm, dhe prej tij krijoi palën (bashkëshorten) e tij e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe frikësojuni Allahut me emrin e të Cilit përbetoheni, dhe ruajini lidhjet farefisnore. Padyshim që Allahu është Mbikqyrës mbi ju!” (En-Nisa: 1)

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَنْ يُطِعْ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا

“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai u mundëson të bëni vepra të mira dhe ua shlyen mëkatet. Cilido që e respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab: 70-71)

S’ka dyshim se fjala më e mirë dhe më e bukur është fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi që e solli Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Zoti i tij. Veprat më të këqija janë sajesat në fe. Çdo sajesë është bidat, çdo bidat është humbje dhe devijim nga e vërteta, ndërsa devijimi nga e vërteta e çon njeriun në zjarr. Allahun e lus që të më ruaj mua dhe juve nga zjarri i xhehenemit!

Vëllezër besimtarë!  Allahu i Madhëruar thotë:

اقْتَرَبَ لِلنَّاسِ حِسَابُهُمْ وَهُمْ فِي غَفْلَةٍ مُّعْرِضُونَ  مَا يَأْتِيهِم مِّن ذِكْرٍ مِّن رَّبِّهِم مُّحْدَثٍ

 إِلَّا اسْتَمَعُوهُ وَهُمْ يَلْعَبُونَ   لَاهِيَةً قُلُوبُهُمْ ۗ

“Njerëzve u është afruar koha për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur nga e vërteta. Sa herë që atyre u vjen nga Zoti ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë dhe e pasojnë me tallje. Zemrat e tyre janë të hutuara.” (Enbija: 1-3)

Jeta e njeriut në këtë botë sado që të zgjasë përsëri do të mbarojë një ditë. Kënaqësia dhe të mirat e kësaj bote janë të përkohshme dhe nuk janë aspak të qëndrueshme. Sa e sa njerëz jetuan mbi këtë tokë, hëngrën e pinë dhe u kënaqën me të mirat e dynjasë, pastaj u transferuan për në botën tjetër e nuk morën asgjë me vete përveç veprave të mira apo të këqija që kishin punuar.

Nëse hedhim vështrimin në gjendjen e njerëzve do të na bëhet e qartë se njerëzit janë shumë të shkujdesur përsa i përket përgatitjes për jetën pas vdekjes. S’ka dyshim që premtimi i Allahut është i vërtetë, vdekja është e vërtetë, ringjalla është e vërtetë. Do të qëndrojmë para Zotit të gjithësisë i Cili ka përfshirë me dijen e Tij gjithçka, e i Cili do të na marrë në llogari për çfarë kemi punuar në dynja.

Është për të ardhur keq kur shikon se shumica e njerëzve janë tërësisht të shkujdesur ndaj jetës së amshueshme. Sëmundja e shkujdesjes është sëmundje e rëndë dhe pasojat e saj janë të kobshme. Shkujdesja është ndër shkaqet që e çojnë njeriun në zjarrin e xhehenemit (Zoti na ruajt).

Allahu i Madhëruar na ka treguar rreth fundit të atij njeriu, që ambicjet e tij jepen vetëm pas dunjasë, dhe kënaqen me të duke i’a kthyer shpinën ahiretit (botës tjetër). Allahu i Madhëruar thotë:

 إِنَّ الَّذِينَ لَا يَرْجُونَ لِقَاءَنَا  وَرَضُوا بِالْحَيَاةِ الدُّنْيَا  وَاطْمَأَنُّوا بِهَا

 وَالَّذِينَ هُمْ عَنْ آيَاتِنَا غَافِلُونَ أُولَٰئِكَ مَأْوَاهُمُ النَّارُ بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ

 “Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur (vetëm) me jetën e dynjasë duke gjetur prehje në të, dhe që janë të shkujdesur ndaj argumenteve Tona, do të kenë si vendstrehim zjarrin e xhehenemit për shkak të asaj që kanë vepruar.” (Sure Junus, 7-8)

O ju që keni besuar! Kush tregohet i shkujdesur me kohën e tij do të dëshpërohet pa masë, pasi koha është kapitali më i çmuar. Betohem në Allahun se do të vdesim ashtu siç biem në gjumë dhe do të ringjallemi ashtu siç zgjohemi në mëngjes, pastaj do të dalim para Zotit të gjithësisë dhe do të shpërblehemi sipas asaj që kemi punuar.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَجَاءَتْ كُلُّ نَفْسٍ مَّعَهَا سَائِقٌ وَشَهِيدٌ  لَّقَدْ كُنتَ فِي غَفْلَةٍ مِّنْ هَٰذَا

 فَكَشَفْنَا عَنكَ غِطَاءَكَ فَبَصَرُكَ الْيَوْمَ حَدِيدٌ

“(Ditën e gjykimit) Çdo shpirt do të vijë i shoqëruar me një (engjëll) shoqërues dhe një (engjëll) dëshmitar.

(Të shkujdesurit do t’i thuhet) T’i ke qenë i shkujdesur ndaj kësaj dite!

Tani t’a kemi hequr perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.”(Kaf: 22)

Hasan el Basriu i shkroi një letër Omer bin Abdul Azizit kur ky u zgjodh halife i muslimanëve. Ai e këshillonte duke i thënë: “O prijësi i besimtarëve! Dynjaja është vend-kalimi dhe jo vend-qëndrimi. Babai ynë Ademi u soll këtu si ndëshkim (për mëkatin e bërë), prandaj ki kujdes o prijës i besimtarëve që të mos mashtrohesh prej dynjasë dhe bukurive të saj.

Do të poshtërohet ai njeri që e vendos veten në shërbim të saj, e do të varfërohet ai që e mbledh atë (dhe nuk i intereson jeta pas vdekjes). Ki kujdes nga kjo botë mashtruese! Sikur Krijuesi ynë të mos tregonte për të as edhe një lajm e të mos jepte asnjë shembull, ajo çfarë na shohin sytë do të mjaftonte për të zgjuar të përgjumurit dhe për të kthjelluar të shkujdesurit. Por e vërteta është se Allahu na ka tërhequr vërejtjen, ndaj mos u mashtro nga të mirat e kësaj bote!”

O ju që keni besuar!  Jeta  në këtë dynja nuk është gjë tjetër veçse një grumbull ditësh, dhe çdo ditë që ikën të afron më pranë vdekjes.

وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلَّا مَتَاعُ الْغُرُورِ

“Jeta në këtë botë nuk është gjë tjetër por veçse një përjetim mashtrues.” (Hadid: 20)

Ditët e jetës tonë ecin pa u ndalur, ashtu bëjnë edhe muajt edhe vitet…

Të vegjëlit me kalimin e kohës rriten, dhe të rriturit me kalimin e kohës vdesin, ky është proçes që nuk ndalet. Të shpejtojmë të punojmë vepra që e përmirësojnë zemrën, pasi zemra kur bëhet e mirë e do Zotin e saj dhe i bindet Atij. Lumturia e vërtetë është jeta e kaluar në bindje ndaj Zotit ndërsa pasuria e vërtetë është lumturia e zemrës dhe qetësia e shpirtit.

O ju që keni besuar!  Sëmundja e shkujdesjes është sëmundje e rëndë. Shkujdesja e mban njeriun larg nga Zoti i tij dhe e pengon nga veprat e mira të cilat do t’i nevojiten në Ditën e Gjykimit. Njeriu që jeton i shkujdesur në lidhje me qëllimin për të cilin është krijuar, i cili nuk e njeh Zotin e tij dhe nuk e adhuron Atë, do të jetojë jetë të vështirë në dynja ndërsa dënimi në botën tjetër do të jetë edhe më i hidhur.

Ky njeri e kalon jetën i hutuar, i dehur dhe larg udhëzimit të drejtë derisa e befason vdekja. Pastaj atij i largohet perdja dhe i bëhet e qartë se ka mbetur peng i neglizhencës dhe shkujdesjes së tij. Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَقَدْ ذَرَأْنَا لِجَهَنَّمَ كَثِيرًا مِّنَ الْجِنِّ وَالْإِنسِ ۖ لَهُمْ قُلُوبٌ لَّا يَفْقَهُونَ بِهَا وَلَهُمْ أَعْيُنٌ لَّا يُبْصِرُونَ بِهَا

وَلَهُمْ آذَانٌ لَّا يَسْمَعُونَ بِهَا ۚ أُولَٰئِكَ كَالْأَنْعَامِ بَلْ هُمْ أَضَلُّ ۚ أُولَٰئِكَ هُمُ الْغَافِلُونَ

“Ne kemi caktuar për në xhehenem shumë nga xhinët e njerëzit sepse ata kanë zemra por nuk kuptojnë, ata kanë sy por nuk shohin, dhe kanë veshë por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë madje edhe më keq, të tillët janë të shkujdesurit.” (Araf: 179)

Shkujdesje është kur zemra nuk i’a njeh Zotit madhështinë që i takon. Njeri i shkujdesur është ai i cili është larg nga Zoti, nuk i bindet urdhëresave të Tij dhe nuk i’u përmbahet dispozitave të Tij. Ky njeri i jep përparësi plotësimit të qejfeve të veta më tepër sesa realizimit të atyre veprave që kënaqin Allahun. Qëllimi i tij kryesor është të mbledhë sa më shumë nga të mirat e dynjasë, a thua se do të jetojë në të përgjithmonë.

Allahu i Madhëruar na tërheq vërejtjen në Kuran, neve dhe mbarë njerëzimit kur thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّ وَعْدَ اللَّهِ حَقٌّ ۖ فَلَا تَغُرَّنَّكُمُ الْحَيَاةُ الدُّنْيَا ۖ وَلَا يَغُرَّنَّكُم بِاللَّهِ الْغَرُورُ

“O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë (premtimi se Zoti do t’i ringjallë njerëzit dhe xhinët), pra të mos u mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë ndaj Allahut ai i mashtruari (shejtani).” (Sure Fatir, 5)

بَلْ تُؤْثِرُونَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا  وَالْآخِرَةُ خَيْرٌ وَأَبْقَىٰ

“Po ju i jepni përparësi jetës së dunjasë, ndërsa ahireti (jeta e amshueshme) është më i mirë dhe i përjetshëm.” (Eala: 16-17)

Për të shkujdesurit Allahu i Madhëruar thotë:

ذَرْهُمْ يَأْكُلُوا وَيَتَمَتَّعُوا  وَيُلْهِهِمُ الْأَمَلُ ۖ فَسَوْفَ يَعْلَمُونَ

“Lëri ata të hanë, të dëfrehen dhe t’i preokupojë shpresa  (se do të jetojnë gjatë), e më vonë do t’a kuptojnë.” (Hixhr: 3)

Lusim Allahun e Madhëruar të mos na bëjë nga të shkujdesurit!

Lusim Allahun e Madhëruar, të mos na privojë nga mirësita e Tij të shumta!

Lusim Allahun të na dhurojë të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, e të na ruajë nga dënimi i zjarrit!

Elhamdulilahi Rabbil Alemin! Ues saletu ues selem ale sejidil enbija’i uel murselin, Nebijine Muhamedin ue ale elihi ue sahbihi exhmein!

O ju që keni besuar!  Janë disa shkaqe që e bëjnë njeriun të shkujdesur ndaj besimit dhe veprave të mira. Ndër ato shkaqe janë:

1. Mendimi se do të jetosh gjatë dhe mbajtja e shpresave se vdekja nuk ka për të ndodhur, por edhe nese do te ndodhë ajo ka për të ndodhur shumë vonë! Mbajtja e shpresave se do te jetosh gjatë është mashtrim prej mashtrimeve të shejtanit.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) na ka tërhequr vërejtjen që të mos mashtrohemi nga shpresat e kota. “Kujtojeni vazhdimisht atë që ua prish kënaqësitë, e ajo është vdekja!”

“Sikur t’a dinit atë që di unë do të qeshnit pak e do të qanit shumë.”

Aliu (radijallahu anhu) ka thënë: “Dy gjërave ua kam frikën për ju: Të mashtruarit me mendimin se do të jetoni gjatë dhe shkuarjen pas qejfeve.”

Ndërsa Hasani thoshte: “Kush ushqen shpresë se do të jetojë gjatë ka për të qenë i shkujdesur dhe i pavëmendshëm ndaj veprave të mira.”

2. Ndër shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i shkujdesur ndaj besimit dhe veprave të mira është injoranca (mosnjohja e qëllimit për të cilin kemi ardhur në këtë dynja).

Allahu i Madhëruar thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.”

Njohja e qëllimit për të cilin jemi krijuar dhe të pajisurit me dituri fetare është ndër shkaqet kryesore që e largojnë shkujdesjen nga zemra.

3. Ndër shkaqet e shkujdesjes është braktisja e adhurimeve dhe lënia pas dore e leximit të Kuranit.

Shkujdesja është sëmundje e zemrës ndërsa Kurani është shërim për zemrat.

قُلْ هُوَ لِلَّذِينَ آمَنُوا هُدًى وَشِفَاءٌ ۖ وَالَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ فِي آذَانِهِمْ وَقْرٌ

وَهُوَ عَلَيْهِمْ عَمًى ۚ أُولَٰئِكَ يُنَادَوْنَ مِن مَّكَانٍ بَعِيدٍ

 “Thuaj: Ai (Kurani) është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët. Por ata që nuk besojnë janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.” [Fussilet, 44]

Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë:

وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ ۙ وَلَا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلَّا خَسَارًا

 “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” [El Isra, 82]

4. Ndër shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i shkujdesur janë gjynahet të cilat i’a nxijnë dhe ngurtësojnë zemrën. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë[1]:

“Me të vërtetë, kur besimtari bën mëkat do t’i bëhet atij një pikë e zezë në zemrën e tij. Nëse pendohet, largohet nga mëkati dhe kërkon falje, atëherë i largohet pika e zezë (i pastrohet zemra).

Nëse njeriu i shton mëkatet i zmadhohet pika e zezë në zemër, (dhe vazhdon kështu) derisa t’i nxihet zemra e t’i bëhet katran i zi ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:

“Nuk është siç thonë ata, por veprat e tyre (të këqija) ua kanë nxirë zemrat (si të ishin të lyera me katran).” (Mutafifin: 14)

5. Ndër shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i shkujdesur është shoqëria e keqe.

Nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij prandaj le të ketë kujdes me kë shoqërohet.”[2]

Një poet musliman ka thënë:

Mos pyet për të, pyet për shokun e tij,

se njeriu në gjurmët e shokut shkon.

Shoqërohu me të mirët e largohu nga i ligu,

se i ligu në të liga të çon.

Të parët tanë të mirë nga dijetarët e hershëm kanë thënë:

  • Shoqërohu me të mirët që t’i ruhesh ligësisë së të këqijve.
  • Të qëndrojë njeriu i vetëm është më mirë për të se të jetë në shoqërinë e njerëzve të shthurur.
  • Shokët që zgjedh njeriu janë tregues i pagabueshëm për vlerën e mendjes së tij.
  • Nuk ka krijuar Allahu asnjë krijesë më të dëmshme për njeriun se sa shokun e keq.

6. Nga shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i shkujdesur është braktisja e namazit, e veçanërisht braktisja e namazit të xhumasë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ose do jeni të kujdesshëm me namazin e xhumasë, ose do t’ua vulosë Allahu zemrat e do bëheni nga të shkujdesurit.”

 Vëllezër besimtarë!  Deri kur do jetojmë të shkujdesur e të pavëmendshëm? Mjerim i madh është për atë njeri të cilit sa më shumë i shtohet ymri (vitet) aq më shumë i shtohen gjynahet, dhe sa më shumë i zbardhet koka nga thinjat aq më shumë i nxihet zemra nga mëkatet.

A nuk ka ardhur koha që t’i kthehemi Allahut, Krijuesit, Mëshiruesit, Pranuesit të Pendimit, dhe të hapim faqe të re me Allahun?

أَلَمْ يَأْنِ لِلَّذِينَ آمَنُوا أَن تَخْشَعَ قُلُوبُهُمْ لِذِكْرِ اللَّهِ  وَمَا نَزَلَ مِنَ الْحَقِّ

“A nuk ka ardhur koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetë që zbriti (me Kuran)?” (Hadid: 16)

Lus Allahun e Madhëruar të na bëjë prej fatlumëve të shpëtuar në dynja dhe në ahiret!

Lus Allahun që t’a kalojmë jetën si musliman dhe vdekja të na gjejë me iman!

Lutja jonë e fundit është: Paqja, mëshira dhe bekimet  e Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!

 

Shumica e materialit është shkëputur nga libri: “Xhamiu shejhil Islam Ibën Tejmije”.

Përshtati nga gjuha arabe: E. Ajdini

————————————————

[1] (Shënon Tirmidhiu (3334), Nesaiu, Ibn Maxhe (3244), dhe Ibn Hibani në sahihun e tij (930). Tirmidhiu thotë se hadithi është sahih).

[2] E transmeton Ebu Daudi në “Sunenin” e tij me nr. 4833, Et Tirmidhi me nr. 2378, Ahmedi me nr. 8010 dhe El Hakim, vëllimi IV, fq. 171. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Sahiha” 927 e ka vlerësuar këtë hadith si të mirë (hasen), po ashtu edhe në “Sahihu suneni Et Tirmidhi”.

Loading...