Shejh Ibn Utjhejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur:
A është dërguar ndonjë Profet nga lloji i xhindëve? Çfarë mendoni për ata që argumentohen me ajetin Kuranor: “O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj.” [Enam: 130]? Se xhindëve u është dërguar Profet, nga mesi i tyre?
Ai u përgjigj:
Jo, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sigurisht, Ne dërguam Nuhun dhe Ibrahimin e u dhuruam trashëgimtarëve të tyre Profecinë dhe Librin.” [Hadid: 26], e xhindët nuk janë nga pasardhësit e Nuhut e as të Ibrahimit, ndaj dhe nuk mund të ketë të dërguar prej tyre.
Sa i përket fjalës së Allahut: “O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj.” [Enam: 130]?
Për shpjegimin e këtij ajeti kanë thënë: Ajeti u drejtohet një togu prej xhindve e jo të gjithëve, ndaj ai u drejtohet atij grupi duke thënë: “A nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj.” dhe qëllimi është një pjesë e dy grupeve, kështu kuptohet ajeti, sepse ajetet e tjera tregojnë se të dërguarit janë prej pasardhësve të Ademit, e duke pasur parasysh se qëllimi nga të dërguarit është paraljmërimi dhe kështu qëllimi i të dërguarve prej xhindëve është paralajmërimi. Si rasti i atyre xhindëve që u kthyen tek populli i tyre si këshillues: “Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë.” [Ahkaf: 30].
Përktheu Ylli Rama