FJALA E SINQERITETIT DHE PËRMBUSHJA E DOMETHËNIES SË SAJ

PJESË NGA LIBRI ‘’FJALA E SINQERITETIT DHE PËRMBUSHJA E DOMETHËNIES SË SAJ’’

 

Fjala ‘’i adhuruar’’ është përdorur edhe për epshin që ndiqet nga njeriu. Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’A e ke parë atë, i cili e bëri epshin e tij të adhuruar të tijin’’ (El Xhathijeh; 23)

Ka thënë Katadeja(1): ‘’Ai është ai njeri, i cili sa herë që dëshiron diçka e bën atë, nuk e frenon atë as ndershmëria e as devotshmëria’’

Transmetohet nga Ebu Umameh(2) një hadith me zinxhir transmetuesish të dobët: ‘’Nuk gjendet nën qiell zot i rremë që adhurohet më i madh se epshi që ndiqet nga njeriu’’

Në një hadith tjetër ceket: Fjala ‘’La ilahe il-lell-llah’’ do të vazhdojë t’i mbrojë ata që e thonë atë derisa ata t’i japin epërsi jetës materiale mbi fenë e tyre. Kur ta bëjnë një gjë të tillë atëherë do t’u kthehet mbrapsht dhe do t’u thuhet; ju gënjeni.(3)

Këtë e mbështet hadithi i saktë që përcillet nga Profeti: ‘’U poshtëroftë robi i dinarit, u poshtëroftë robi i derhemit, u poshtëroftë robi i pelerinës, u poshtëroftë robi i mantelit! U poshtëroftë e më keq u bëftë! E halli kurrë mos iu plotësoftë!

Kjo dëshmon se ai që është i apasionuar pas diçkaje dhe i nënshtruar ndaj saj dhe ajo është kthyer në qëllimin dhe pikësynimin e tij, miqësohet dhe armiqësohet me të tjerët për hir të saj, padyshim që ky njeri konsiderohet si rob i saj dhe ajo konsiderohet si idhull dhe zot i tij. Për këtë dëshmon poashtu fakti se Allahu e ka cilësuar bindjen ndaj djallit në mëkat si adhurim ndaj djallit, sikurse ka thënë ‘’A nuk ju pata porositur o bij të Ademit që të mos e adhuroni djallin’’ (Jasin;60)

Gjithashtu ka thënë duke cituar fjalët e mikut të Tij Ibrahimit drejtuar babait të tij ‘’O ati im, mos e adhuro djallin, padyshim djalli është i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit’’(Merjem;44)

Ai që nuk e realizon adhurimin e të Gjithëmëshirshmit dhe bindjen ndaj Tij, ai adhuron djallin me bindjen që shfaq ndaj tij. Nga adhurimi i djallit shpëton vetëm ai që është i sinqertë në adhurimin e tij ndaj të Gjithëmëshirshmit. Këta janë pikërisht ata për të cilët Allahu ka thënë ‘’Padyshim që ti nuk ke pushtet mbi robërit e Mi’’(El Hixhr;42) Janë pra, ata të cilët i kanë dhënë hakun fjalës ‘’La ilahe il-lell-llah’’ duke qenë të sinqertë në shqiptimin e saj dhe duke e vërtetuar atë me vepra. Ata të cilët nuk i kushtuan vëmendje askujt tjetër veç Tij, as në dashuri e as në shpresë e as në frikë apo bindje apo mbështetje. Ata të cilët ishin të sinqertë në thënien ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’ Ata janë me të vërtetë robërit e Allahut. Ndërsa ai që thotë ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’ me gojën e tij dhe më pas i bindet shejtanit dhe egos së tij ‘’E kush mund të jetë më i humbur se ai që ndjek epshin e tij pa pasur ndonjë udhëzim nga Allahu?’’(Kasas;50) ‘’Mos e ndiq epshin sepse ajo të devijon nga rruga e Allahut’’ (Sad;26)

O njeri, bëhu rob i Allahut, mos u bë rob i epshit! Sepse epshi e flak njeriun në Zjarr. ‘’A zotra të ndryshëm janë më të mirë apo Allahu Një i Vetëm i Gjithëpushtetshëm?’’ (Jusuf;39)

I poshtëruar qoftë robi i derhemit! I poshtëruar qoftë robi i denarit! Pasha Allahun, nesër nga dënimi i Allahut do të shpëtojë vetëm ai që e ka realizuar domethënien e të qenurit rob i Allahut të Vetëm, i cili nuk i ka kushtuar vëmendje asgjëje tjetër. Kush e di se Allahu është i adhuruari i tij i vetëm atëherë le të jetë adhurimi i tij veçmas për Të(4) ‘’Le të mos shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij’’(Kehf;110)

Një njeri i urtë teksa ishte duke këshilluar disa prej nxënësve të tij mbi majën e një mali tha: Askush nuk ka për t’a arritur qëllimin e tij derisa aparenca e tij të jetë njësh me të brendshmen e tij. Papritur atë e kapën të dridhura aq të forta saqë nxënësit e tij pandehën se u shembën shkëmbinjt. Ai qëndroi një kohë të caktuar në këtë gjendje dhe kur erdhi më vete dukej si të ishte ringjallur nga varri.

Fjala ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’ kërkon që njeriu të mos dojë dikë veç Tij sepse ‘’i adhuruar’’ është ai të cilit njeriu i nënshtrohet dhe të cilin nuk e kundërshton nga dashuria, frika dhe shpresa. Pjesë e përsosmërisë së dashurisë së Tij është që të duash atë që Ai e don dhe të urresh atë që Ai e urren. Ai që don diçka që Allahu e urren apo urren diçka që Allahu e don nuk e ka plotësuar teuhidin e tij e as sinqeritetin e tij në thënien ‘’Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut’’

Tek ai gjendet prej shirkut të fshehtë aq sa është urrejtja e tij ndaj asaj që Allahu e don apo sa është dashuria e tij ndaj asaj që Allahu e urren. ‘’Kjo, sepse ata ndoqën atë që e hidhëronte Allahun dhe urryen atë që i pëlqente Atij, e për rrjedhojë Ai ua asgjësoi atyre veprat’’(Muhamed;28)

Lejthi (5) ka transmetuar nga Muxhahidi(6) në lidhje me fjalën e Allahut të Madhëruar ‘’Të cilët nuk më bëjnë asgjë ortak’’(Nur;55) se kuptimi i saj është: ‘’Nuk duan dikë tjetër veç Meje’’

Në Sahihun e Hakimit(7) shënohet nga Aisheja(8) (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Shirku në këtë umet është më i fshehtë se ecja e milingonës mbi gurë në natën e errët. Më e pakëta e tij(e shirkut të fshehtë) është që ta duash dikë për një padrejtësi që ai e bën ose ta urresh dikë për drejtësinë që ai mban. A është feja gjë tjetër veç dashurisë dhe urrejtjes?’’

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Thuaj, nëse e doni Allahun më ndiqni mua e Allahu do tju dojë juve’’(Ali Imran;31)

Ky ajet është argument konkret se të duash atë që e urren Allahu apo të urresh atë që e don Allahu duke ndjekur epshin, dhe të miqësohesh apo të armiqësohesh për hir të saj bën pjesë në shirkun e fshehtë.

 

Hasani ka thënë: Dije se ti nuk mund t’a duash Allahun derisa të duash bindjen ndaj Tij!.

E pyetën Dhun Nun El Misrin(9): Kur mund të konsiderohem që e dua Zotin Tim? Ai i tha: Kur të jetë për ty ajo që Ai e urren më e hidhur se fruti i fikusit.

Bishr Es Sirri(10) ka thënë: Nuk është prej shenjave të dashurisë që të duash atë që i dashuri yt e urren!.

Ebu Ja’kub En Nehraxhuri(11) ka thënë: Cilido që pretendon se e don Allahun ndërkohë që veprat e tij nuk përputhen me urdhërin e Tij, pretendimi i tij është i pavërtetë!.

Jahja ibën Muadhi(12) ka thënë: Nuk është i sinqertë ai që pretendon dashurinë e Allahut ndërkohë nuk respekton ligjet e Tij!.

Ruvejmi(13) ka thënë: Dashuria e vërtetë është dakordësia në të gjitha situatat. Pastaj ai recitoi:

Unë të them lepe peqe, në më thënç vdis

Dhe lajmëtarit të vdekjes i them mirë se të vish!

 

Për këtë dëshmon fjala e Allahut: ‘’Thuaj, nëse e doni Allahun më ndiqni mua dhe Allahu do tju dojë juve’’(Ali Imran;31)

Hasani ka thënë: Shokët e Profetit (Paqja qoftë mbi të) thanë: Ne e duam shumë Zotin tonë. Atëherë Allahu deshi që të vendosë pë dashurinë e Tij një shenjë dhe për këtë shpalli ajetin në fjalë.

Nga kjo mësohet se dëshmia ‘’La ilahe il-lell-llah’’ nuk plotësohet pa dëshminë ‘’Muhammedun Resulull-llah’’ Kjo sepse nëse dashuria ndaj Allahut nuk plotësohet vetëm nëpërmjet dashurisë ndaj asaj që Ai don dhe urrejtjes së asaj që Ai e urren atëherë e vetmja mënyrë për të njohur atë që Ai e don dhe atë që Ai e urren është Profeti (Paqja qëftë mbi të) i cili është ai që përcjellë nga Allahu ato që Ai i don dhe ato që Ai i urren duke ndjekur urdhëresat dhe duke shmangur ndalesat e Tij. Në këtë mënyrë dashuria ndaj Allahut e bën të pashmangshme dashurinë ndaj Profetit (Paqja qoftë mbi të) si dhe besimin dhe ndjekjen e tij.

Prandaj Allahu ka ndërlidhur midis dashurisë për Të dhe për  Profetin e Tij(Paqja qoftë mbi të) në fjalën e Tij: ‘’Thuaj, nëse etërit dhe vëllezërit tuaj janë…më të dashur për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij…’’(Teubeh;24) Dhe prandaj Allahu i Madhëruar ka ndërlidhur midis bindjes ndaj Tij dhe bindjes ndaj Profetit të Tij në vende të shumta.

Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Ai tek i cili gjenden këto tri gjëra shijon ëmbëlsinë e besimit; Të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur për të se kushdo tjetër. Ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut. Dhe të urrejë që të kthehet në kufër pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij siç urren që të hidhet në zjarr.’’(14) Kjo ishte gjendja e magjistarëve pasi hyri në zemrat e tyre dashuria(për Allahun). Ata ishin të kënaqur që të flijonin veten e tyre dhe i thanë Faraonit: Gjyko si të duash! Në çastin që në zemër zë vend dashuria, gjymtyrët e trupit janë të prirura që t’i binden Zotit.

Kjo ishte gjendja e magjistarëve pasi hyri në zemrat e tyre dashuria(për Allahun). Ata ishin të kënaqur që të flijonin veten e tyre dhe i thanë Faraonit: Gjyko si të duash! Në çastin që në zemër zë vend dashuria, gjymtyrët e trupit janë të prirura që t’i binden Zotit. Ky është dhe kuptimi i hadithit kudsi të cilin e ka përcjellur Buhariu në Sahihun e tij ku thuhet ‘’Robi Im vazhdon të Më afrohet me veprat e mira vullnetare derisa Unë t’a dua atë. Dhe kur Unë e dua atë, bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin sheh, dora e tij me të cilën prek dhe këmba e tij me të cilën ecën’’ (15) Thuhet se në një version tjetër teksti i këtij hadithi është kështu ‘’Falë Meje ai dëgjon,sheh,prek dhe ecën’’ Kuptimi i kësaj është se kur dashuria për Allahun e mbush zemrën dhe mbizotëron në të, gjymtyrët bëjnë vetëm atë që i pëlqen Zotit. Shpirti gjen prehje në përparësinë që i jep vullnetit të Zotit mbi vullnetin dhe dëshirën e vet. O njeri, adhuroje Allahun për të përmbushur vullnetin e Tij ndaj teje, e jo për të përmbushur vullnetin tënd ndaj Tij! Ai që e adhuron Allahun për të përmbushur vullnetin e vet ndaj Tij, ai është nga ajo kategori e njerëzve që adhurojnë Allahun për interesat e tyre, nëse e gjenë ndonjë e mirë qetësohet, e nëse e gjenë ndonjë sprovë kthehet në origjinën e tij, ky njeri ka dështuar në të dyja jetët. Nëse njohja e Zotit dhe dashuria për Të është e fortë, vullneti i robit nuk bie ndesh me vullnetin e Zotit të tij. Në një libër të hershëm thuhet: Gjëja më prioritare për atë që e don Allahun është kënaqësia e Tij ndërsa gjëja më prioritare për atë që don dynjanë është epshi i tij.

Ibën Ebi Ed Dunja(16) ka përcjellur nga Hasani se ka thënë: Nuk kam parë me sytë e mi e as kam folur me gojën time, e as kam prekur me dorën time, e as jam ngritur në këmbë derisa të sigurohem se po e bëj për t’iu bindur Allahut apo për t’a kundërshtuar Atë? Nëse ajo gjë ishte vepër e mirë atëherë vazhdoja, e nëse ishte mëkat zbrapsesha.

Kjo është gjendja e kategorisë së ashikëve të vërtetë. Kuptojeni këtë (Allahu ju mëshiroftë!) sepse kjo është prej çështjeve të imëta dhe të ndërlikuara të Teuhidit. Për këtë e kishte fjalën Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) kur tha me rastin e mbërritjes në Medine: Duani me gjithë zemër!(17) Këtë transmetim e ka përmendur Ibën Is’haku(18) dhe të tjerë veç tij. Nëse zemra e tij mbushet me dashurinë për Allahun atëherë asgjë nuk do të jetë më boshe për të se dëshirat dhe egot e tij:

Për këtë e kishte fjalën poeti(19) në vargjet e mëposhtme:

Eci me zemër të kyçur nga dashuria që kam për ty

Askënd tjetër s’lejoj të banojë në të me ty

Sytë mbyllur do të doja t’i mbaja derisa të shihja ty

Çdo qelizë e qenies sime është mpirë nga dashuria për ty

Jo të gjithë ashikët janë të sinqertë në mallëngjimin e tyre

Lotët që rrjedhin çurg mbi faqe janë dalluesi më i mirë midis tyre

Ashikët e sinqertë nga mallëngjimi treten, e ashikët e shtirur s’frenojnë dot as gjuhën e tyre

Nuk janë ashikë ata që pretendojnë se kanë fuqi në duart e tyre

Ashikë janë ata që ç’shikojnë e ç’dëgjojnë ia atribojnë të Dashurit të tyre!

 

Fusnotat

1) Ebul Hattab, Katadeh ibën Diameh Es Sedusi El Basri, memorizuesi i haditheve,komentatori i Kuranit, eksperti i arabishtes, i  gjenealogjisë dhe i historisë së arabëve. Lindi më 61.h dhe vdiq më 118.h në qytetin e Vasitit në Jug të Irakut.

2) Sahabiu madhështor, Ebu Umameh Sudejj ibën Axhlan ibën Uehb. Pseudonimi i tij ishte Ebu Umameh El Bahili. Sipas Sufjan ibën Ujejneh ai ishte sahabiu i fundit që ndërroi jetë në Sham. Vdiq më 86 h ose 81 h. (Allahu qoftë i kënaqur me të)

3) E ka përcjellur Ibën En Nexhari nga Zejd ibën Erkami. Nuk është i saktë. Ndodhet në librin ‘’El Xhamië El Kebir’’

4) Shiko broshurën ‘’el ubudijjeh’’ të Ibën Tejmejjeh sepse autori ka cituar këtu një pjesë të madhe nga broshura në fjalë.

5) Imami i madh Lejth ibën Sa’d, imami i popullit të Egjiptit në kohën e vet në fushën e hadithit dhe jurisprudencës. Origjinën e kishte nga Horasani. Lindi në Kalkashendeh. Vdiq në Kairo. Ishte prej fisnikëve bujarë. Vdiq më 175 h (Allahu e pastë mëshiruar)

6) Ebul Haxhaxh Muxhahid ibën Xhebër. Bënte pjesë në brezin e tabi-inëve. Ishte prej profesorëve të mëdhenj të këndimit të Kuranit dhe interpretimit të tij. Lindi më 21 h dhe ndërroi jetë më 104 h.

7) Imami Ebu Abdilah Muhamed ibën Abdilah Ed Dabbij En Nejsaburij, memorizuesi i madh i haditheve, i njohur si El Hakim. Autor i shumë librave. Ishte imam i besueshëm. Imam Dhehebiu ka thënë në librin El Mizan: Por, ai shpesh në librin e tij El Mustedrek cilëson të saktë hadithe që janë tepër të dobëta. Kishte tendenca shiite por pa e sulmuar Ebu Bekrin dhe Umerin. Vdiq më 405 h. (Allahu e pastë mëshiruar) Hadithi në fjalë është i dobët siç e kam sqaruar në librin tim ‘’Vargu i Haditheve të Dobëta’’ nr;3755.

8) Nëna e besimtarëve Aisheja e bija e të Sinqertit Ebu Bekër (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) Ishte bashkëshortja e Profetit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) Profeti i vuri asaj pseudonimin nëna e Abdullahit. Ishte më e ditura ndër gratë e tij në fushën e jurisprudencës. Përcolli nga Profeti një numër prej 2210 hadithesh. Vdiq më 58 h dhe u varros në varrezat e Bekiës. Shiko gjithashtu librin e imam Zerkeshiut ‘’El Ixhabeh Tima Istedraket’hu Aisheh Ales Sahabeh’’ botim i shtëpisë botuese El Mekteb El Islami me recenzimin e Profesor Afganit, sepse në të është nxjerrur në pah dija e saj mahnitëse.

9) Dhun Nun El Misri, asketi i mirënjohur, quhej Theuban bën Ibrahim ose Fejd ibën Ibrahim. Imam Dhehebiu në librin El Mizan ka thënë: Ka përcjellur disa hadithe mbi saktësinë e të cilave ka pikëpyetje. Origjinën e kishte nga Nubia. Vdiq më 245 h.(Allahu e pastë mëshiruar!)

10) Bishr ibën Es Sirrij El Ef’ueh, Ebu Amr Predikuesi. Lindi në Basra dhe më pas u zhvendos në Mekë. U akuzua se mbronte konceptin e Ibën Xhehmit, nga i cili u pendua dhe hoqi dorë. Mbante këshilla dhe predikime. Ishte mutekel-lim(teolog) Hadithet e tij gjenden në gjashtë burimet e hadithit. Vdiq më 195 h në moshën 63 vjeçare (Allahu e pastë mëshiruar!)

11) Is’hak ibën Muhamed Ebu Ja’kub En Nehraxhurij, nga Nehra Xhurij që ndodhet midis Ahuazit dhe Mejsanit. Ishte prej dijetarëve sufij. Mësoi prej Xhunejdit, Amr ibën Uthman El Mekkij,Ebu Ja’kub Es Susij dhe të tjerë. U vendos në tokën e shenjtë pranë Qabes për vite me rradhë. Vdiq më 330 h (Allahu e pastë mëshiruar!)

12) Predikuesi asket, Ebu Zekerija Jahja Ibën Muadh Er Razi. U shpërngul në Belh ku qëndroi disa kohë. Më pas u rikthye në Nejsapur ku vdiq në vitin 250 h.

13) Ebu Muhamed Ruvejm ibën Ahmed El Bagdadi. Ishte nga populli i Bagdadit. Ishte jurist i shkollës Dhahirite të Davud El Esbehanit. Ishte ekspert i këndimeve të Kuranit. Shkencën e këndimit të Kuranit e mësoi nga Idris ibën Abdul Kerim. Vdiq më 303 h.(Allahu e pastë mëshiruar)

14) Përcjellur nga Buhariu dhe Muslimi nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të)

15) Hadithi është i saktë siç e kam shtjelluar në vargun e haditheve të sakta nr.1640.

16) Imami Ebu Bekër Abdullah ibën Muhamed ibën Sufjan El Bagdadi, memorizuesi i madh i haditheve, i njohur si Ibën Ebi Ed Dunja. Ishte i besueshëm. Shkroi disa libra. Vdiq më 208 h. (Allahu e pastë mëshiruar)

17) E ka përcjellur Ibën Is’hak pa zinxhir transmetimi sikurse është në librin biografia Profetike e Ibën Hisahmit.

18) Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Jesar, i liruar nga skllavëria nga njerëz të fisit El Muttalibi. Njëri ndër imamët e mirënjohur të popullit të Medines dhe historianët më të vjetër të historisë së arabëve. Është autor i librit Biografia Profetike nga i cili e ka përcjellur Ibën Hishami. Dhe autor i librit Kitabul Hulefaë. Bënte pjesë në rrymën kaderite. Si dhe ishte një nga memorizuesit e mëdhenj të haditheve dhe ishte nga ata transmetimi i të cilëve është argument me kusht që të deklarojë se e ka dëgjuar nga ai prej të  cilit e transmeton hadithin. Jetoi dhe vdiq në Bagdad më 151 h.

19) Ahmed ibën Husejn El Mutenbbij, në poemën e tij e cila nis me vargjet:

Në t’u bëfshin ata që nuk të arrijnë dot fli

Nuk mbetet mbret pa u bërë për ty fli

 

Libri كلمة الاخلاص وتحقيق معناها

Autor: Ibën Rexheb El Hambeli

Fusnotat: Shejh Albani

Përktheu: Rexhep Milaqi