Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimet qofshin për pejgamberin tonë Muhamedin, familjen dhe mbarë shokët e tij!
Kjo është një përmbledhje e shkurtër rreth mënyrës së kryerjes së Haxhit, përmes së cilës jemi munduar të shpjegojmë shumicën e çështjeve që u nevojiten haxhilerëve.
Lusim Allahun ta bëjë këtë vepër të sinqertë për fytyrën e Tij fisnike dhe të dobishme për gjithë muslimanët!
Kushtet e pranimit të adhurimit.
Adhurimi nuk është i pranuar tek Allahu vetëm se kur plotësohen dy kushte:
1-Sinqeriteti (ihlasi): që do të thotë qëllimi të jetë për kënaqësinë e Allahut dhe për botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “E nuk ishin urdhëruar për gjë tjetër përveçse ta adhurojnë Allahun duke qenë të sinqertë në fe dhe duke iu shmangur idhujtarisë.” | El Bejjineh: 5. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘‘Veprat vlerësohen nga qëllimet dhe secilit i takon ajo që ka patur për qëllim.” Transmeton Buhariu me nr. 1 dhe Muslimi me nr. 1907.
2-Pasimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në adhurim me fjalë dhe me vepër. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘‘Ai që shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, nuk do t’i pranohet.” Transmeton Buhariu me nr. 2697 dhe Muslimi me nr. 1718. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: ”Ai që bën një vepër që nuk mbështetet nga feja jonë, nuk do t’i pranohet.”
Forma e Haxhit dhe rregullat e tij.
Së pari: Rregullat e mikateve.
Mikatet janë vendet (kufijtë) që ka caktuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si pika nga ku duhet të hyhet në gjendjen e ihramit për këdo që synon kryerjen e Haxhit ose të Umres. Kush kalon në njërin prej tyre me nijet për Haxh ose Umre, është i detyruar të hyjë në ihram nga ai vend dhe nuk i lejohet ta kalojë atë pa hyrë në ihram. Ai që ndodhet më afër Mekës se mikatet, mikati i tij është vendi ku ai ndodhet, dhe prej andej hyn në ihram për Haxh ose Umre. Populli i Mekës dhe ata që banojnë në të hyjnë në ihram për Haxh nga vetë Meka, ndërsa për Umre duhet të dalin jashtë kufijve të saj në një vend të lejuar si p.sh. Ten’imi, dhe aty të hyjnë në ihram.
Ai që është në aeroplan hyn në ihram (bën telbijen) kur avioni kalon paralel me mikatin. Kështu që ai duhet të përgatitet dhe të veshë rrobat e ihramit para se ta kalojë atë. E kur ta kalojë e bën nijetin menjëherë dhe nuk lejohet ta shtyjë për në aeroport. Për siguri mund të fillojë ta shqiptojë telbijen pak para se ta kalojë mikatin për shkak të shpejtësisë së avionit.
Së dyti: Llojet e riteve të Haxhit dhe rregullat e tyre.
Llojet e riteve janë tre: Temettu, Ifrad dhe Kiran.
Temettu është më i miri për atë që nuk ka sjellë kurban me vete. Temettu realizohet në këtë mënyrë; njeriu hyn në ihram për Umre gjatë muajve të Haxhit, kryen tavafin dhe sa’jin, pastaj del nga ihrami. Më pas, në po të njëjtin vit hyn në ihram për Haxh.
Ifradi realizohet duke hyrë në ihram vetëm për Haxh. Kur të arrijë në Mekë është e preferuar të bëjë tavafin e ardhjes dhe sajin për Haxh. Ai nuk i pret flokët dhe nuk del nga ihrami, por qëndron në ihram deri pas hedhjes së gurëve në ditën e Bajramit. Nëse e shtyn sajin për pas tavafit të Haxhit është në rregull.
Kirani realizohet duke hyrë në ihram për Umre dhe Haxh së bashku, duke thënë: “Lebbejke Allahumme umreten ue haxhen.”
Veprimet e atij që bën Kiran janë si ato të atij që bën Ifrad, por ai që bën Kiran ka për detyrë të therë kurban, ndërsa ai që bën Ifrad jo.
Së treti: Mënyra e hyrjes në ihram dhe rregullat e tij.
Ai që dëshiron të hyjë në ihram rekomandohet të bëjë këto gjëra:
– Larja e cila është sunet i fortë për burrat dhe gratë, madje edhe për gratë me menstruacione apo lehonë.
– Parfumosja. Burri parfumoset me aromat më të mira si vaj udi apo të tjera në kokë dhe në mjekër. Nuk prish punë nëse aroma mbetet edhe pas hyrjes në ihram. Gruas nuk i lejohet të parfumoset me aromë që mund ta ndiejnë meshkujt e huaj.
– Veshja e ihramit. Për burrat është izari dhe ridaja (dy pëlhura të bardha e të pastra). Gruaja mund të veshë çfarë të dojë nga rrobat modeste për sa kohë që nuk zbukurohet. Nuk lejohet të veshë nikab apo doreza, por duhet të mbulojë fytyrën dhe duart me diçka tjetër kur ndodhet pranë burrave të huaj.
Të hyjë në ihram pas një namazi, qoftë namaz farz apo nafile. Kjo nuk është detyrë por e pëlqyeshme.
– Pastaj bën nijetin dhe thotë: “Lebbejke Allahumme umreten” nëse është për Umre. “Lebbejke Allahumme Haxhen” nëse është për ritin e Ifradit. “Lebbejke Allahumme umreten ue haxhen” nëse është për ritin e Kiranit.
Nëse njeriu që po futet në ihram ka frikë se mund të pengohet pa e përfunduar haxhin, ai mund të vendosë një kusht duke thënë: “… nëse më pengon diçka, vendi im i lirimit nga ihrami është aty ku pengohem.” Nëse e pengon diçka vërtet, ai del nga ihrami pa pasur ndonjë detyrim.
– Pas kësaj duhet thënë sa më shpesh telbija: “Lebbejke Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk, inne el hamde uen-ni’mete leke uel-mulk, la sherike lek.” Burri e thotë me zë të lartë. Po ashtu dhe gruaja por e ul zërin nëse është pranë burrave të huaj. Telbija duhet të thuhet sa më shpesh sidomos kur ndryshon situata ose koha; si gjatë zbritjes, ngjitjes, kur fillon nata apo dita. Kuptimi i fjalëve të telbijes “Lebbejke Allahumme”, do të thotë; “Të përgjigjem Ty o Zot herë pas here në kryerjen e adhurimeve”. “El hamd”: pohimi i përsosmërisë për Allahun me dashuri dhe madhërim. “En-ni‘meh”: të mirat që u jep Zoti robërve të Tij si plotësimi i kërkesave dhe largimi i së keqes. “El mulk”: zotërimi dhe sundimi janë vetëm për Allahun. “La sherike lek”: askush nuk është ortak me Ty në cilësitë e Tua, përfshirë sundimin, krijimin, përkujdesin dhe hyjninë. (Marrë shkurtimisht nga “Mexhmu fetava ue resail el Uthejmin”, vëll. 22, fq. 96.)
Telbija është e pëlqyeshme të bëhet në umre nga hyrja në ihram deri në fillim të tavafit. Ndërsa në haxh nga hyrja në ihram e deri kur fillon hedhja e gurëve të xhemretul Akabesë ditën e Bajramit.
Muhrimi (personi në ihram) duhet të ruhet nga ndalesat e ihramit derisa të dalë prej tij.
Së katërti: Ndalesat e ihramit.
Gjërat e ndaluara gjatë ihramit janë:
Rruajtja, shkurtimi apo shkulja e qimeve nga çdo pjesë e trupit.
Prerja plotësisht apo pjesërisht e thonjve të duarve apo të këmbëve.
Mbulimi i kokës me diçka që prek kokën (për meshkujt), si; kapele, shall, çallmë, rrobë, shami, batanije, karton apo diçka tjetër që përdoret për të mbuluar kokën. Ky rregull është specifik për meshkujt dhe jo për femrat.
Veshja e rrobave të zakonshme të qepura sipas trupit, si; këmisha, pantallonat, çorapet dhe dorezat. Kjo gjithashtu është specifike për meshkujt.
Ndërsa femrat ndalohen nga veshja e nikabit, perçes ose e shallit që përngjan me nikabin. Por duhet ta mbulojnë fytyrën në prani të burrave të huaj (nëse beson në obligimin e mbulimit të fytyrës) me mbulesën e zakonshme (shaminë e kokës), edhe nëse mbulesa prek fytyrën. Nuk bën të vendosin një leckë apo diçka tjetër në kokë për të shmangur prekjen e fytyrës, ngase një gjë e tillë nuk ka argument.
Ndalohet dhe veshja e dorezave të duarve. Ato duhet t’i mbulojnë duart në prani të burrave të huaj me rrobën e tyre (për femrat që besojnë se duart janë auret).
Parfumosja e trupit ose e copës së ihramit.
Vrasja e gjahut të tokës ose kapja e tij edhe nëse nuk e vret.
Propozimi për martesë për vete apo për dikë tjetër.
Kryerja e aktit martesor.
Prekja apo puthja e bashkëshortes me dëshirë seksuale.
Marrëdhëniet seksuale.
Së pesti: Mënyra e kryerjes së tavafit.
Kur muhrimi hyn në xhaminë e shenjtë (Qabe) është e rekomanduar të hyjë me këmbën e djathtë dhe të thotë lutjen e hyrjes në xhami. Versioni më i saktë i lutjes që përcillet në këtë kuadër është: “O Allah, m’i hap dyert e mëshirës Tënde!” Kjo lutje thuhet kur hyn në çdo xhami dhe jo vetëm në Qabe.
Kur të fillojë tavafin bën idtibanë (zhveshjen rituale të supit të djathtë që është vetëm për meshkujt). Forma e idtibasë është: ta vendosë mesin e pëlhurës së sipërme nën sqetullën e djathtë dhe dy cepat e saj mbi shpatullën e majtë duke e lënë supin e djathtë të zbuluar. Pasi ta përfundojë tavafin e kthen përsëri pëlhurën në gjendjen e mëparshme, sepse idtibaja bëhet vetëm në tavaf.
Pastaj afrohet te Guri i Zi, e prek me dorën e djathtë dhe e puth. Nëse nuk ka mundësi ta puthë, e prek me dorë dhe pastaj e puth dorën. Nëse nuk mund ta prekë as me dorë, e prek me ndonjë mjet që mund ta ketë me vete si shkop apo diçka tjetër dhe e puth atë. E nëse nuk ka mundësi ta prekë as ashtu, atëherë kthehet me fytyrë nga Guri i Zi dhe bën shenjë drejt tij me dorë pa e puthur dorën. Është më mirë të mos shtyhet me të tjerët për të prekur Gurin e Zi që të mos i lëndojë ata dhe të mos lëndohet as vetë.
Kur e prek gurin apo kur i bën shenjë thotë: “Allahu Ekber” (Allahu është më i Madhi).
Pastaj merr djathtas duke e pasur Qaben në anën e majtë. Kur arrin te këndi jug-perëndimor (el rukn el Jemani) e prek atë pa e puthur. Nëse nuk mund ta prekë nuk duhet të shtyhet për ta prekur dhe nuk i bën shenjë me dorë.
Ndërmjet këndit jug-perëndimor dhe Gurit të Zi thotë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër, dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.”
Çdo herë që kalon pranë Gurit të Zi i bën shenjë me dorë dhe thotë: “Allahu Ekber.”
Gjatë pjesës tjetër të tavafit lejohet të bëjë çfarëdo dhikri, lutje apo të lexojë Kuran.
Sipas sunetit në tre xhirot e para të tavafit ecet shpejt me hapa të shkurtër (reml). Në katër xhirot e tjera ecet normalisht.
Pasi e përfundon tavafin afrohet tek vendi i Ibrahimit (mekami i Ibrahimit) dhe lexon: “Dhe merreni vendin e Ibrahimit si vend faljeje.” Pastaj fal dy rekate pas tij nëse ka mundësi, përndryshe i fal në cilindo vend tjetër të xhamisë. Në rekatin e parë pas Fatihasë lexon suren “Kul ja ejjuhel Kafirun,” dhe në të dytin suren “Kul Huvallahu Ehad.”
Së gjashti: Mënyra e kryerjes së sa’jit (vrapimit mes Safasë dhe Mervas).
Pasi përfundon tavafin dhe dy rekatet, del për në vendin e sa’jit. Kur afrohet te kodra Safa, lexon: “Vërtet, Safa dhe Merva janë shenja të Allahut.” Pastaj thotë: “Filloj me atë që ka përmendur Allahu së pari.”
Pastaj ngjitet në Safa derisa ta shohë Qaben ose drejtimin e saj, kthehet me fytyrë nga ajo dhe e madhëron Allahun duke thënë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe i pashoq. Atij i përket sundimi dhe falënderimi dhe Ai është i fuqishëm mbi çdo gjë. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut! Ai e përmbushi premtimin, ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti i vetëm aleatët.” E përsërit këtë tri herë duke bërë lutje mes tyre.
Pastaj zbret nga Safa për te Merva duke ecur. Kur arrin te shenjat e gjelbra (dy shtyllat e gjelbra) ecën me nxitim (hapa të shpejtë). Kur kalon shtyllën e dytë e ul shpejtësinë dhe ecën normalisht. Për gratë nuk është e rekomanduar ecja e shpejtë.
Kur arrin në Merva është e pëlqyeshme të bëjë njësoj si në Safa.
Pastaj kthehet nga Merva për në Safa duke ecur, dhe te shenja e parë e gjelbër vrapon me hapa të shpejtë ndërsa te shenja e dytë e gjelbër e ngadalëson vrapin dhe ecën normalisht.
Kështu vazhdon derisa të plotësojë shtatë xhirot. Shkuarja nga Safa në Merva është një xhiro, dhe kthimi nga Merva në Safa është një xhiro tjetër.
Gjatë sajit mund të bëjë dhikër, lutje dhe të lexojë Kuran sipas dëshirës.
Së shtati: Mënyra e qethjes (rruarjes) apo shkurtimit të flokëve.
Kur umrexhiu përfundon tavafin dhe sajin i bëhet obligim të rruaj apo të shkurtojë flokët nëse është mashkull. Suneti është që rruarja apo shkurtimi të përfshijë gjithë kokën.
Rruarja është më e pëlqyer se shkurtimi përveç nëse koha e haxhit është afër dhe nuk ka kohë që flokët të rriten sërish, atëherë shkurtimi është më i mirë.
Ndërsa gruaja i shkurton vetëm pak majat e flokëve sa mollëzat e gishtave.
Ai që është në ihram për haxh (si haxhi i ifradit apo me umren bashkë si ai i Kiranit), nuk duhet t’i presë flokët deri ditën e Bajramit pas hedhjes së gurëve në Xhemret el Akabeh.
Me këtë umrexhiu e ka përfunduar umren, dhe njësoj edhe ai që kryen haxhin e temettu e ka kryer pjesën e umres.
Mënyra e kryerjes së haxhit.
– Veshja e ihramit për Haxh.
Është sunet për atë që dëshiron të kryej haxhin që të veshë ihramin paraditen e ditës së Teruijes (dita e tetë e Dhul Hixhes), nga vendi ku është nisur për haxh nëse është në Mekë ose brenda kufijve të mikateve. E nëse është jashtë mikateve e vesh ihramin nga mikati që kalon.
Ai vepron gjatë veshjes së ihramit për haxh ashtu siç ka vepruar për umre: larje, parfumosje, falje namazi etj. Pastaj shpreh nijetin për haxh dhe fillon të thotë telbijen. Forma e telbijes është si ajo e umres, por këtu thotë: “Lebbejke haxhen” në vend të “Lebbejke umreten”.
Nëse ka frikë se mund ta pengojë diçka pa e përfunduar haxhin i lejohet të vendosë kusht gjatë ihramit duke thënë: “…dhe nëse më ndalon ndonjë pengesë atëherë vendi i lirimit tim nga ihrami është aty ku më ndalon ajo.” Nëse i shfaqet pengesa, ai mund të lirohet nga ihrami dhe nuk ka asnjë detyrim.
Pastaj e thotë sa më shumë telbijen: “Lebbejke Allahume lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejke. Innel-hamde uen-ni’mete leke uel-mulk, la sherike lek.” Burri e thotë me zë të lartë, gjithashtu dhe gruaja kur nuk gjendet pranë burrave të huaj. Është e rekomandueshme që telbija të përsëritet shpesh, sidomos kur ndryshojnë rrethanat si zbritja apo ngjitja në vende të ndryshme, ardhja e ditës ose natës.
Telbija vazhdon që nga ihrami dhe vazhdon deri kur fillon hedhja e gurëve në Xhemretul Akabe ditën e Kurban Bajramit.
Muhrimi (personi i veshur me ihram) duhet të ruhet nga veprimet e ndaluara në ihram derisa të dalë prej tij.
Qëndrimi në Mina.
Është sunet të shkohet në Mina ditën e tetë dhe atje të falë namazin e drekës, ikindi, aksham, jaci dhe sabah. Të gjitha me shkurtim por pa i bashkuar mes vete, sepse kështu ka vepruar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Qëndrimi në Arafat dhe kalimi i natës në Muzdelife.
Kur lind dielli në ditën e nëntë (dita e Arafatit) niset nga Minaja në drejtim të Arafatit, dhe qëndron në Nemira deri në mesditë nëse është e mundur. Nëse jo nuk ka problem sepse qëndrimi në të është sunet.
Pasi të kalojë mesdita, falet dreka dhe ikindia nga dy rekate të bashkuara në kohën e drekës, siç bëri Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Pas kësaj i përkushtohet lutjeve, përkujtimit të Allahut dhe përgjërimit duke u lutur kah kibla. Mund të bëjë çfarëdo lutjesh që i pëlqejnë.
Lutja më e shpeshtë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këtë vend ishte: “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue huve ala kul-li shej’in kadir.”
Nëse lodhet mund të bisedojë me shokët për gjëra të dobishme ose të lexojë libra sidomos ato që lidhen me bujarinë dhe begatitë e mëdha të Allahut të Lartësuar, në mënyrë që t’i shtohet shpresa në atë ditë në mëshirën dhe bujarinë e Allahut të Lartësuar. Pastaj të vazhdojë sërish me lutje veçanërisht në fund të ditës, pasi më e mira e lutjeve është ajo e ditës së Arafatit.
Kur perëndon dielli i ditës së Arafatit niset për në Muzdelife.
Kur mbërrin aty fal akshamin me tre rekate dhe jacinë me dy rekate të bashkuara.
Nëse frikësohet se do të mbërrijë në Muzdelife pas mesnatës atëherë i fal para se të arrijë, por nuk lejohet ta vonojë namazin deri pas mesnate.
Në Muzdelife kalon natën, e në mëngjes sapo të agojë fal sabahun herët me ezan dhe ikamet.
Pastaj shkon te Mesharil-Haram (një vend në Muzdelife rrugës për në Mina), e njëson dhe e madhëron Allahun dhe i bën lutjet që dëshiron derisa të zbardhë mirë dita. Nëse nuk mund të shkojë atëherë lutet aty ku është, sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Qëndrova këtu (në Mesh’ar el-Haram) por e tërë Muzdelifeja është vendqëndrim.” Gjatë dhikrit dhe lutjes i drejtohet kiblës dhe i ngre duart.
Veprimet në ditën e Bajramit.
Kur zbardh mirë dita niset nga Muzdelife drejt Minasë para lindjes së diellit. Kur të kalojë nëpër luginën e Muhassirit i shpejton hapat.
Kur arrin në Mina hedh shtatë guraleca në Xhemretul-Akabe e cila është e fundit sipas radhës nga krahu i Mekës. Guralecat i hedh një e nga një. Madhësia e tyre duhet të jetë sa madhësia e një bërthame hurme, dhe thotë “Allahu Ekber” me çdo guralec.
Pastaj ther kurbanin nëse ka mundësi.
Pastaj rruan flokët ose i shkurton. Nëse është burrë rruajtja është më e mirë. Ndërsa gratë nuk lejohet të rruhen por ato shkurtojnë vetëm një pjesë të vogël të flokëve.
Pas hedhjes së guralecëve dhe rruajtjes muhrimi lirohet nga ndalesat e ihramit dhe i lejohet gjithçka përveç marrëdhënieve bashkëshortore.
Pastaj zbret në Mekë dhe bën tavafin e Ifades, dhe më pas bën sa’jin nëse është duke bërë haxhin e Temettu. Nëse është duke bërë haxhin e Kiranit apo Ifradit dhe nuk e ka bërë më parë sa’jin pas tavafit të mbërritjes, lejohet ta shtyjë tavafin dhe sa’jin deri kur të vijë nata apo deri në ditën tjetër sipas mundësisë.
Veprimet në ditët e Teshrikut.
Pasi të ketë përfunduar hedhjen e guralecëve, rruajtjen, tavafin dhe sa’jin, lirohet plotësisht nga ndalesat e ihramit dhe i lejohet gjithçka përfshirë dhe marrëdhëniet bashkëshortore.
Kthehet në Mina dhe fle atje netët e ditës së 11, 12 dhe 13 nëse nuk largohet më herët.
Në të trija Xhemeratet i hedh guralecat pas mesditës.
Ditën e 11 hedh fillimisht shtatë guralecat në Xhemren e parë e cila është më e largëta nga Meka dhe më e afërta nga xhamia e Hajfit. I hedh një e nga një duke thënë “Allahu Ekber” në çdo hedhje. Pastaj qëndron dhe lutet gjatë për çfarë të dëshirojë. E nëse lodhet dhe nuk e përballon qëndrimin e gjatë, atëherë të bëjë lutje të shkurtra por të mos kalojë pa u lutur në mënyrë që të zbatohet suneti.
Pastaj hedh guralecat në Xhemren e mesme dhe lutet pas saj.
Pastaj hedh guralecat në Xhemren e Akabesë dhe largohet pa bërë lutje.
Ditën e 12 bën njësoj si në ditën e 11. Nëse dëshiron mund të largohet nga Minaja pas hedhjes së guralecave.
E nëse dëshiron mund të qëndrojë dhe të kalojë edhe natën e 13 në Mina, dhe të nesërmen hedh guralecët pas mesditës njësoj si në ditët e tjera. Qëndrimi në Mina natën e 13 është më i preferuar se largimi.
Nuk është i detyrueshëm qëndrimi në Mina deri në ditën e 13. por nëse dielli perëndon në ditën e 12 ndërsa është ende në Mina, duhet të qëndrojë dhe të hedhë guralecët ditën tjetër pas mesdite.
Por nëse është nisur të largohet nga Minaja para perëndimit të diellit dhe është vonuar për shkak të trafikut, nuk e ka për detyrë të rrijë sepse nuk quhet vonesë me dëshirë.
Tavafi i lamtumirës.
Kur dëshiron të largohet nga Meka për në vendlindjen e tij nuk largohet pa bërë tavafin e lamtumirës. Nga ky rregull përjashtohen gratë me menstruacione ose lehonë të cilat nuk e bëjnë tavafin e lamtumirës dhe nuk është e nevojshme të qëndrojnë te porta e Qabes për t’u përshëndetur me Qaben, sepse nuk transmetohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem diçka e tillë.
Tavafi i lamtumirës duhet të jetë veprimi i fundit në Qabe para udhëtimit.
Nëse pas tavafit të lamtumirës vonohet për të pritur shokët, për të ngarkuar bagazhet ose për të blerë ndonjë send, nuk ka asgjë të keqe dhe nuk e ka për detyrë ta përsërisë tavafin e lamtumirës. Por nëse e bën tavafin e lamtumirës dhe më pas ndryshon qëllimisht kohën e udhëtimit duke e kthyer nga fillimi i ditës në fund të ditës, atëherë duhet ta përsërisë tavafin e lamtumirës në mënyrë që tavafi në Qabe të jetë gjëja e fundit që bën në Meke.
Përgatiti: Komisioni shkencor pranë qendrës për shërbimin e mesazhit Islam në gjuhë të ndryshme.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: Haxhi
Të Ngjashme
- Disa adhurime dhe rregulla të veçanta të këtij 10 ditëshi Udha e Besimtarëve
- Mirësitë dhe veçoritë e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes Udha e Besimtarëve
- Vlerësimi i 10 ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe Udha e Besimtarëve
- Nijeti për fillimin e ritualit të Haxhit Udha e Besimtarëve
- Dobi të përmbledhura nga kapitulli i Haxhit – Pjesa e dytë Udha e Besimtarëve