Gjashtë shkaqet që zbusin zemrën e besimtarit
Të dashur besimtarë! Feja jonë Islame nxit në përmirësimin e zemrës dhe çlirimin e saj nga sëmundjet e rrezikshme që e godasin, dhe këtë e bën përmes mirësisë dhe devotshmërisë. Zoti i ka zbritur librat dhe i ka dërguar pejgamberët për t’i përmirësuar, pastruar dhe dlirësuar këto zemra. Me zemër të shëndoshë robi njeh Zotin e Tij, urdhrat dhe ndalesat e Tij. Me këtë lloj zemre ai e do Zotin dhe i frikësohet Atij, dhe gjen prehje në Madhështinë e Tij.
Kësisoj, zbutja e zemrës arrihet me besimin e vërtetë sepse me këtë besim zemra bëhet e përulur dhe i frikësohet Zotit të Lartësuar.
Në Kuranin famëlartë Allahu i Lartësuar thotë:
إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ الَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ اللَّهُ وَجِلَتْ قُلُوبُهُمْ وَإِذَا تُلِيَتْ عَلَيْهِمْ آيَاتُهُ زَادَتْهُمْ إِيمَانًا وَعَلَى رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ * الَّذِينَ يُقِيمُونَ الصَّلاةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ يُنْفِقُونَ * أُولَئِكَ هُمُ الْمُؤْمِنُونَ حَقًّا)[الأنفال: 2-4].
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata zemrat e të cilëve kur përmendet Allahu fërgëllojnë, dhe kur u lexohen shpalljet e Tij u forcohet besimi, dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten. Ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë.”
Me përmirësimin e zemrës drejtohen gjymtyrët, veprat bëhen të mira dhe fjalët bëhen të sakta. Ndërsa një zemër e ngurtë qëndron larg nga Allahu dhe larg prej mirësive të Tij.
Të dashur besimtarë! Butësia e zemrës ka shkaqe dhe shkaku më i madh për butësinë e zemrës është:
Shkaku i parë: Besimi i vërtetë. Pra; besimi në Allahun, besimi në të Dërguarit dhe Librat e Tij, besimi në ditën e fundit dhe besimi në paracaktimin (kaderin) e Zotit. Sa më shumë që besimi zë vend në zemër, sa më i fortë të jetë aq më e butë dhe më e ndieshme është zemra. Besimi i sinqertë dhe i vërtetë e bën zemrën të butë dhe të ndjeshme për të bërë çdo vepër të mirë dhe të lavdëruar.
Shkaku i dytë: Leximi i Librit të Allahut. Leximi i Kuranit dhe meditimi i tij e bën zemrën të butë dhe të përulur. Allahu i Lartësuar thotë:
اللَّهُ نَـزَّلَ أَحْسَنَ الْحَدِيثِ كِتَابًا مُتَشَابِهًا مَثَانِيَ تَقْشَعِرُّ مِنْهُ جُلُودُ الَّذِينَ يَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ ثُمَّ تَلِينُ جُلُودُهُمْ وَقُلُوبُهُمْ إِلَى ذِكْرِ اللَّه.
“Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre, e mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre kur përmendet Allahu.” | Ez Zumer: 23 |
Sa më shumë që robi e lexon Librin e Zotit dhe sa më shumë i dëgjon ajetet që lexohen, aq më i fortë është besimi në zemrën e tij. Po ashtu, sa më shumë që largohet ngurtësia nga zemra e tij aq më afër mirësisë do të jetë. Leximi dhe meditimi në Librin e Allahut i ngjall zemrat dhe largon prej tyre shkaqet e prishjes dhe ligësisë.
Shkaku i tretë: Prej shkaqeve që sjellin butësinë e zemrës është përkujtimi i vdekjes dhe asaj që vjen pas saj. Në hadithin e Profetit alejhi selam thuhet: “Përkujtojeni shumë atë që ua shkatërron dëshirat.” I Dërguari i Zotit e porosit muslimanin që të vizitojë të sëmurët, të përcjellë të vdekurin dhe të vizitojë varrezat. Ai thotë: “Vizitoni varrezat sepse ato iu përkujtojnë ahiretin.” Dhe në një version tjetër thuhet: “Ju përkujton vdekjen.”
Sa herë që një musliman viziton varrezat për të përshëndetur banorët e këtyre varreve dhe për t’u lutur për mëshirë dhe falje për ta, në atë moment ai e kupton se ky varr herët ose vonë do të jetë vendbanimi i të gjithëve. Në varre njerëzit janë të barabartë: të moshuarit dhe të rinjtë, të pasurit dhe të varfërit, sundimtarët dhe të sunduarit. Të gjithë do të shkojnë aty dhe do të qëndrojnë në to derisa Zoti të japë leje për shkatërrimin e botës dhe të lejojë ringjalljen e njerëzve nga varret.
Kushdo që përkujton vdekjen dhe viziton varrezat e kupton se aty do jetë vendbanimi i robit pas vdekjes, dhe patjetër kjo do t’i shtojë besimin, butësinë në zemër dhe dëshirën për punë të mira.
Shkaku i katërt: Prej shkaqeve që zbusin zemrën është përmendja e shpeshtë e Allahut të Lartësuar.
Në Kuranin Famëlartë Allahu i Lartësuar thotë:
الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُمْ بِذِكْرِ اللَّهِ أَلا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ * الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ طُوبَى لَهُمْ وَحُسْنُ مَآبٍ
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve kur përmendet Allahu qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut! Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira ka çdo mirësi dhe vendbanim të mrekullueshëm!” | Er Rad: 28-29 |
Shkaku i pestë: Prej shkaqeve që zbusin zemrën është këmbëngulja në dua (lutje), që Zoti ta përforcojë zemrën e tij dhe të mos e devijojë atë pasi ta ketë udhëzuar. Prej lutjeve që bënte më shpesh i dërguari i Allahut ishin këto fjalë: “O Zot, Ti që i ndryshon dhe i rrotullon zemrat! Bëji zemrat tona të qëndrueshme në fenë Tënde!”
Shkaku i gjashtë: Prej shkaqeve që zbusin zemrën është mëshira për të varfrit dhe jetimët dhe dashamirësia ndaj tyre. Sa më shumë që robi u gjendet njerëzve, zemra i zbutet dhe mirësia i shtohet. Për këtë arsye, kur u pyet Pejgamberi alejhi selam nga dikush që i ankohej për ngurtësinë e zemrës, i tha: “Ushqeje një të varfër dhe ledhatoje kokën e një jetimi.”
Sa më shumë që njeriu interesohet për nevojtarin, të varfërin dhe fukarain, sa më shumë që tu bëjë mirë atyre, aq më shumë i zbutet zemra dhe aq më shumë i shtohet mirësia dhe besimi. Sa herë që ai plotëson nevojat e nevojtarëve, sa herë që ndërmjetëson për ata që kanë nevojë dhe sa herë që bën favore dhe dashamirësi ndaj tyre, kjo është shenjë e butësisë së zemrës dhe afërsisë së tij me veprat e mirësisë.
Xhemat i nderuar! Sa herë që mban lidhjet me të afërmit, tregohesh i mirë me ta dhe kujdesesh për lidhjet farefisnore, aq më shumë zemra zbutet dhe aq më shumë kraharori zgjerohet. Sa herë që tregon mirësi ndaj prindërve, kujdesesh për ta, i respekton dhe sillesh në mënyrën më të mirë, aq më shumë zemra do zbutet dhe mirësia do afrohet.
Pastërtia e zemrës nga zilia dhe urrejtja është dëshmi e butësisë së zemrës tënde. Kur je i kënaqur me atë që të jep Zoti dhe kur tregon dashuri ndaj muslimanëve, e pastron zemrën nga egoja dhe dëshira për tu dukur, në këtë rast gjendja jote do përmirësohet dhe zemra jote do zbutet.
Muslimani duhet ta dijë se të gjitha veprat e mira janë dëshmi e butësisë dhe mirësisë së zemrës së tij, dhe se veprat e këqija janë dëshmi e ngurtësisë së zemrës.
Kur Allahu na shikon, Ai shikon zemrat dhe veprat tona. I dërguari i Allahut ka thënë: “Zoti nuk shikon fizionominë dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.”
“Një copëz mishi gjendet në trupin e njeriut. Nëse është e mirë i gjithë trupi është i mirë, dhe nëse është e prishur i gjithë trupi është i prishur. Ajo është zemra.”
Një zemër e shëndoshë quhet ajo zemër që ruhet nga dyshimet dhe epshet, dyshimet në argumentet që vijnë prej Allahut dhe epshet që kundërshtojnë urdhrin e Tij. Kjo lloj zemre e ruajtur do të gjejë shpëtim në ditën e kijametit: “Ditën kur nuk do të bëjë dobi as pasuria e as fëmijët, përveç atij që vjen te Zoti me zemër të pastër.” | Esh-Shuara: 88 – 89 |
Hytbe 2
Besimi ynë shtohet me shtimin e veprave të mira dhe pakësohet me shkeljen e kufijve të Zotit. Besimi forcohet kur veprat e mira janë të shumta dhe pakësohet kur praktikohen ato vepra që Zoti i ka ndaluar.
Prej shenjave që tregojnë imanin e fortë dhe butësinë në zemër është kur të shihni besimtarin duke u kujdesur për pesë namazet, duke u dhënë atyre (namazeve) të gjithë kujdesin dhe duke i vlerësuar ato në mënyrën më të mirë.
Namazi është ai që e ndalon njeriun nga e keqja dhe pastron zemrat dhe shpirtrat. Zemra e besimtarit jeton gjatë atëherë kur i bindet Allahut, kur kryen obligimet e Tij, kur tregon kujdes ndaj dhikrit, kur jep kontribut në fushat e mirësisë dhe kur është anëtar pozitiv i shoqërisë ku jeton.
Besimtarin do ta shohësh gjithmonë; duke pajtuar mes palëve, duke ndihmuar nevojtarin, duke lehtësuar një problem, duke larguar pikëllime ose duke ia plotësuar nevojat fukarait. Gjithmonë do ta shihni besimtarin duke nxituar drejt gjërave të mira pa treguar syfaqësi, pa kërkuar reputacion dhe famë, pa patur interes dhe pa kërkuar lavdërime, por duke ecur pas fjalëve të Zotit që thotë:
إِنَّمَا نُطْعِمُكُمْ لِوَجْهِ اللَّهِ لا نُرِيدُ مِنْكُمْ جَزَاءً وَلا شُكُورًا * إِنَّا نَخَافُ مِنْ رَبِّنَا يَوْمًا عَبُوسًا قَمْطَرِيرًا * فَوَقَاهُمُ اللَّهُ شَرَّ ذَلِكَ الْيَوْمِ وَلَقَّاهُمْ نَضْرَةً وَسُرُورًا
“Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një ditë të ashpër që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura. Allahu do t’i ruaj ata nga tmerret e asaj dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim.”
Shkëputje nga hytbja e myftiut të Arabisë Saudite: Shejh Abdul Aziz al Esh Shejh Allahu e ruajt.
Përktheu: Fatjon Isufi