Pasi mësuam kushtet e namazit, shtyllat (ruknet), detyrimet dhe sunetet e tij, tani do mësojmë çfarë e prish namazin.
Namazin e prishin tetë gjëra:
1. I foluri i qëllimshëm dhe me vetëdije gjatë namazit.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Në këtë namaz nuk lejohet të fliten fjalët e njerëzve.”
Pra kush flet dhe nga fjala e tij kuptohet diçka me kuptim të qartë, duke qenë i vetëdijshëm për atë që po bën dhe duke e ditur se është në namaz, atëherë namazi i tij prishet.
Dijetarët thonë se kriteri për të prishur namazin është shqiptimi i dy shkronjave që kanë kuptim. Ata thonë: “Nëse shfaqen dy shkronja, namazi prishet.”
P.sh. nëse ai thotë “la”, “lem”, “len” me qëllim dhe duke qenë i vetëdijshëm se është në namaz, atëherë namazi i tij është i pavlefshëm.
Ndërsa nëse është harresë apo padije, namazi nuk prishet.
Po ashtu, nëse është i detyruar apo flet pa qëllim nuk i prishet namazi. Për shembull: Një njeri është në namaz dhe i bie diçka mbi trup dhe i shkakton dhimbje, ndaj thotë “ah!”, pra ai i shqipton dy shkronja. Në këtë rast a të themi se namazi i tij është prishur? Jo, sepse ai është detyruar ta nxjerrë atë dhimbje pa vetëdije dhe në mënyrë spontane.
Pra fjala është për atë që me vetëdije zgjedh të flasë duke e ditur se është në namaz dhe duke qenë i vetëdijshëm për gjendjen e tij.
Ndërsa nëse flet duke menduar se e ka përfunduar namazin, si për shembull: dikush fal drekën tre rekate dhe jep selam, pastaj bisedon me fqinjin e tij i cili i thotë: “Ti u fale vetëm tre rekate.” Ai përgjigjet: “Jo, unë fala katër.” Më pas ata diskutojnë derisa ai bindet se ka falur vetëm tre, atëherë ai e plotëson rekatin e katërt dhe nuk e dëmton kjo bisedë namazin e tij.
Kjo është vërtetuar nga Pejgamberi ﷺ në hadithin e “Dhul-jedejnit”, ku ai fali një nga dy namazet e ditës vetëm me dy rekate dhe dha selam. Sahabët e pyetën: “A është shkurtuar namazi apo ke harruar?” Ai tha: “Nuk kam harruar dhe nuk është shkurtuar.”
Pastaj foli me ta dhe ata i kujtuan se kishte falur vetëm dy rekate. Më pas ai i plotësoi rekatet dhe vazhdoi namazin.
2- I qeshuri. Edhe të qeshurit e prish namazin sepse ai bie ndessh me qëllimin e tij. Qëllimi i namazit është që njeriu të qëndrojë i përulur para Zotit, me nënshtrim, përulësi dhe lutje të përzemërt. Ndërkohë, i qeshuri bie ndesh me shpirtin dhe thelbin e namazit.
Kur themi se të qeshurit e prish namazin nuk do të thotë se e prish edhe abdesin, siç thonë dijetarët hanefi. Hanefitë thonë se nëse dikush qesh me zë të lartë gjatë namazit i prishet abdesi e jo vetëm namazi. Ata e mbështesin këtë në një hadith të dobët i cili është i njohur për dobësinë e tij tek shumica e dijetarëve.
3-4- Të ngrënit dhe të pirit gjithashtu e prishin namazin. Disa prej selefëve kanë treguar lehtësi tek pirja gjatë namazit vullnetar (nafile), por besimtari duhet të jetë i kujdesshëm në namazin e tij, qoftë ai farz apo nafile. Nuk ka dallim mes farzit dhe nafiles përveç në atë që është përjashtuar nga ndonjë argument i saktë.
Njeriu është duke qëndruar para Zotit të tij duke iu drejtuar me lutje si në farz ashtu dhe në nafile, prandaj duhet të ketë kujdes në namazin e tij, të drejtohet me gjithë qënien kah Zoti, të jetë i përulur para Tij dhe të përkulet me modesti.
Si ngrënia ashtu dhe pirja të dyja e prishin namazin.
5 – Zbulimi i avretit iç e kemi thënë më parë: Mbulimi i pjesëve të turpshme (avretit) është kusht për vlefshmërinë e namazit. Më herët e kemi përmendur se cilat pjesë përbëjnë avretin.
Nëse zbulohet avreti i rëndë, domethënë pjesët intime (organet gjenitale), atëherë namazi prishet menjëherë.
Ndërsa nëse zbulohet ndonjë pjesë më e lehtë (jo pjesët intime direkte), atëherë nëse zbulimi zgjat për një kohë të gjatë namazi prishet, por nëse ai e mbulon menjëherë namazi mbetet i vlefshëm.
6 – Devijimi i madh nga drejtimi i kibles. Siç thamë të kthyerit nga kibla është kusht për vlefshmërinë e namazit, ndërsa largimi i lehtë nga drejtimi i kibles nuk e prish namazin sepse ajo që kërkohet është drejtimi kah Qabja dhe jo që të kapet pikërisht vetë Qabja (Ajnul Kabe).
Ndryshe mendojnë shafitë të cilët thonë se duhet me siguri të jesh i drejtuar nga vetë Qabja (Ajnul Kabe), por mjafton që kjo të jetë me bindje që e kapërcen dyshimin (galebetu dhan).
Sipas shumicës së dijetarëve (xhumhurit) mjafton të jesh i drejtuar kah drejtimi i Qabes, dhe për këtë sjellin si argument hadithin: “Midis lindjes dhe perëndimit ka kibël.”
Kjo do të thotë se nëse e ke një nga anët (lindjen ose perëndimin) në të djathtën tënde, tjetrën në të majtën dhe fytyrën kah kibla, atëherë je brenda drejtimit të kibles edhe nëse anohesh pak majtas apo djathtas për sa kohë nuk e ke bërë qëllimisht.
Ky rregull vlen për atë që është larg nga Qabja dhe nuk e sheh atë.
Ndërsa ai që e sheh me sy Qaben e ka obligim të drejtohet saktësisht kah drejtimi i saj, dhe nuk i lejohet të devijojë prej saj as sa një majë gishti.
7 – Lëvizjet e shumta dhe të njëpasnjëshme gjatë namazit.
Kjo vlerësohet në bazë të zakonit të njerëzve. Nëse njerëzit i konsiderojnë ato lëvizje të shumta, atëherë ato janë të shumta dhe e prishin namazin.
Një grup dijetarësh e kanë përcaktuar këtë me tre lëvizje në të njëjtën pjesë të namazit (rukn); nëse ndodhin tre lëvizje në të njëjtin rukn konsiderohet lëvizje e tepruar.
8 – Prishja e abdesit.
Prishja e abdesit e prish pa dyshim namazin, sepse Allahu i Lartësuar nuk e pranon namazin e atij që nuk ka abdes derisa të marrë sërish abdes.
Gjithashtu, pastrimi (abdesi) duhet të zgjasë gjatë gjithë kohëzgjatjes së namazit.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij të ndershëm!
Shkroi: Abdul Kerim el Hudajr
Marrë nga libri: “Shpjegimi i mësimeve të rëndësishme për masën e gjerë të umetit”.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: namazi
Të Ngjashme
- Prej veprave të pëlqyera gjatë eklipsit Udha e Besimtarëve
- Dispozita që lidhen me sexhden e harresës Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
- Lutja në ruku Udha e Besimtarëve
- Tekbiri i përgjithshëm dhe tekbiri i kufizuar Udha e Besimtarëve
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 7 – Udha e Besimtarëve