Gjykimi i festimit të natës së 15 të muajit Shaban – Beraetit

Shejh Abdurrazak el-Bedr (Allahu e ruajt) ka thënë: Lusim Allahun Bujar që me mirësinë dhe bujarinë e Tij të na e mundësojë të gjithëve arritjen e Ramazanit, të na pasurojë me mirësitë dhe begatitë e Tij dhe të na mundësojë një agjërim dhe namaz nate (teravi) sipas rregullave; me besim dhe duke llogaritur shpërblimin tek Ai, në atë formë me të cilën Ai është i kënaqur me ne!

Çështja e dytë që dëshiroj të vë në dukje ka të bëjë me natën e 15 të muajit Shaban. Nuk do zgjatem shumë në këtë pikë, por dua të tregoj se imami dhe shejhu Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka një broshurë me vlerë dhe shumë të dobishme në lidhje me natën e 15 të muajit Shaban. Kjo broshurë gjendet e botuar si libër më vete si dhe te përmbledhja me fetvatë e tij (Allahu e mëshiroftë).

Ai (Allahu e mëshiroftë) e fillon këtë broshurë me një parathënie ku i mëshon me forcë faktit për t’u kufizuar te suneti autentik i ardhur nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe paralajmërimi ndaj bidateve, dhe se çështja është ashtu siç ka thënë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush punon një vepër e cila nuk është në përputhje me këtë çështjen (fenë) tonë, ajo është e refuzuar.”

Më pas ai (Allahu e mëshiroftë) sqaron se s’ka asnjë argument të saktë nga Profeti fisnik (alejhis-salatu ues-selam) që të tregojë për legjimitetin e faljes së namazit të natës në natën e 15 të muajit Shaban, dhe as për ligjshmërinë e agjërimit të ditës së 15 të muajit Shaban. Çdo gjë që transmetohet në lidhje me këtë, nuk saktësohet nga Profeti fisnik (salavatullahi ue selamuhu alejhi).

Ai (Allahu e mëshiroftë) në këtë broshurë përcjell fjalë nga dijetarët, ku tregohet se nuk saktësohet asnjë hadith nga Profeti fisnik (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në lidhje me vlerën e faljes së namazit në natën e 15 të muajit Shaban, apo për vlerën e agjërimit të ditës së 15 të Shabanit. Të gjitha hadithet që transmetohen në lidhje me të nuk saktësohen nga Profeti fisnik (salavatullahi ue selamuhu ue berakatuh alejhi).

Ai (Allahu e mëshiroftë) sqaron në të se festimi i kësaj nate që veprohet nga disa njerëz është bidat për të cilin nuk ka asnjë bazë në udhëzimin e Profetit fisnik (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), dhe as në udhëzimin e sahabëve të tij të ndershëm.

Ai ka shkoqitur në formë të dobishme çdo gjë që lidhet me këtë natë në broshurën me titull; “Gjykimi i festimit të natës së 15 të muajit Shaban”.

 

Përktheu: Unejs Sheme