Gjykimi i Islamit për 8 marsin, “festën e nënës”.

Dëgjova atë që kishte shpërndarë gazeta “En-Nedueh” në numrin e saj me datë 30/11/1384 hixhri, me titull: “Nderimi i nënës . . . dhe nderimi i familjes” dhe vura re se autori kishte marrë disa gjëra nga gjërat që i kanë shpikur perëndimorët, të cilët kanë veçuar një ditë prej vitit për të festuar për nënën. Dhe përmendi diçka që e kanë anashkaluar atë mendimtarët të cilët e kanë shpikur këtë festë e cila është: gjendja e fëmijëve të cilët nuk e kanë nënën e tyre, mjerimin e tyre dhe mërzitjen kur shikojnë se si fëmijët e tjerë e festojnë festën e nënës së tyre, ndaj dhe solli si ide që të festonte e gjithë familja dhe e arsyetoi se përse Islami nuk e ka bërë këtë festë; sepse Islami e ka bërë të obligueshme nderimin e nënës dhe mirësjelljen ndaj saj në çdo kohë, ndaj nuk është e nevojshme që të veçohet një ditë e vitit ku të nderohej nëna.

Autori ja qëlloi kur solli këtë arsyetim për Islamin dhe kur tregoi të këqijat që ka ky festim, të këqija që i kanë anashkaluar ata të cilët e kanë shpikur këtë festë, por ai nuk tregoi se në këtë risi ka kundërshtim të qartë ndaj argumenteve që kanë ardhur nga i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem -, si dhe nuk ka përmendur dëmet, përngjasimin me idhujtarët e mohuesit.

Ndaj dëshiroj që me këtë shkrim të shkurtër t’i tërheq vërejtjen autorit dhe të tjerëve, për gjërat e shpikura që ka kjo festë dhe festat e tjera të ngjashme me të, prej festave që i kanë shpikur armiqtë e Islamit dhe ata që nuk kanë njohuri rreth tij, derisa e prishën imazhin e tij dhe i larguan njerëzit prej tij. E për shkak të kësaj pati dëme dhe përçarje që i di vetëm Allahu i Lartësuar.

Është vërtetuar në hadithet e sakta nga i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – se ai ka tërhequr vërejtjen prej risive në fe, si dhe prej përngjasimit me armiqtë e Allahut prej çifutëve, të krishterëve dhe armiqve të tjerë prej idhujtarëve.

I dërguari i Allahut –salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Ai i cili shpik diçka në çështjen tonë e cila nuk është prej saj ajo është e refuzuar” transmeton Buhariu dhe Muslimi, kurse në tekstin e Muslimit: “Ai i cili vepron diçka që nuk është prej çështjes sonë është e refuzuar” kuptimi i kësaj është: se ajo vepër është e refuzuar personit që e shpiku atë.

I Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – thoshte në fjalimin e xhumasë: “ E më pas: Fjala më e mirë është fjala e Allahut, e udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit – salallahu alejhi ue selem – dhe punët më të këqija janë risitë në fe, e çdo bidat (shpikje në fe) është humbje” transmeton imam Muslimi në sahihun (të saktin) e tij.

Nuk ka dyshim se veçimi i një dite të vitit për të festuar në të nderimin e nënës, apo të familjes, është prej risive të cilat nuk i ka vepruar i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – e as shokët e tij ndaj të cilëve është kënaqur Allahu, ndaj është e obliguar që mos ta kryejmë atë festim dhe tua tërheqim vërejtjen njerëzve prej tij, e të mjaftohemi me atë që ka lejuar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

E përmendëm më parë se autori tha se: “Legjislacioni Islam e ka nderuar nënën dhe ka nxitur për mirësjellje  ndaj saj në çdo kohë”, dhe ai ka thënë të vërtetën për këtë. Është obligim që muslimanët të mjaftohen me atë që ua ka lejuar Allahu atyre prej: mirësjelljes ndaj nënës si dhe ta respektojnë atë, të sillen mirë me të, si dhe t’i binden asaj në çdo kohë, por duhet që të ruhen nga gjërat e shpikura për të cilat Allahu ua ka tërhequr vërejtjen, e të cilat të shpien në përngjasimin me armiqtë e Allahut, duke i pasuar ata e duke konsideruar të mirë atë që ata e konsiderojnë të mirë prej gjerave të shpikura.

Dhe kjo nuk duhet të jetë e veçantë vetëm për nënën, sepse Islami e ka obliguar mirësjelljen ndaj të dy prindërve, nderimin e tyre dhe bamirësinë ndaj tyre si dhe mbajtjen e lidhjeve me të gjithë të afërmit. Ai – i Lartësuari – i ka ndaluar fëmijët që të tregojnë mosbindje ndaj tyre, apo t’i shkëpusin lidhjet me të afërmit e tyre. Por i ka dhënë nënës më shumë vëmendje dhe mirësjellje, sepse kujdesi i saj me fëmijën është më i madh si dhe ajo ka më shumë mundim në barrën e tij, gji-dhënien dhe edukimin e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij dhe të silleni mirë me prindërit” (Isra: 23).

Po ashtu ka thënë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj” (Lukman: 14).

Gjithashtu ka thënë: “A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërprisni lidhjet farefisnore? Të tillët janë ata që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verboi të parit e tyre” (Muhamed: 22-23).

Si dhe është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – se ka thënë:
A t’ju tregoj për gjynahet më të mëdha?!” i thanë: Gjithsesi o i Dërguari i Allahut. Tha: “T’i bësh shok Allahut dhe mos tu bindesh prindërve”, ai ishte i mbështetur dhe u drejtua dhe tha: “Si dhe dëshmia e rrejshme dhe shpifja”.

Një person e pyeti të Dërguarin e Allahut – salallahu alejhi ue selem – dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, cili prej njerëzve ka më shumë përparësi që të kujdesem për të? Tha: “Nëna jote” tha: Po pas saj? Tha: “Nëna jote” tha: Po pas saj? Tha: “Nëna jote” tha: Po pas saj? Tha: “Babai yt, e më pas njerëzit që ke më afër e pastaj ata që vijnë pas tyre (në afërsi farefisnore)”.

I Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili i shkëput lidhjet me të afërmit e tij”.

Është saktësuar se ai – salallahu alejhi ue selem – ka thënë: “Ai i cili dëshiron që t’i shtohet risku i tij dhe t’i shtohet jeta e tij le t’i vizitojë të afërmit e tij”.

Argumentet nga fjala e Allahut dhe hadithet e të Dërguarit – salallahu alejhi ue selem – që tregojnë për mirësjelljen ndaj prindërve dhe mbajtjen e lidhjeve me të afërmit janë të shumta dhe të njohura, dhe ato që përmendëm janë të mjaftueshme. Ai i cili i mediton këto argumente, shikon qartë se është e obligueshme nderimi i prindërve dhe mirësjellja ndaj tyre, si dhe ndaj të afërmve të tjerë.

Këto argumente gjithashtu tregojnë se mosbindja ndaj prindërve dhe prerja e lidhjeve me të afërmit, janë nga cilësitë e ulëta dhe nga gjynahet e mëdha, të cilat e bëjnë të obligueshme dënimin e Zjarrit dhe sjellin zemërimin e Allahut ndaj atyre që i shkelin ato. E lusim Allahun të na ruajë prej kësaj.
Kjo është më e rëndësishme se ajo që kanë shpikur perëndimorët në festimin e një dite të vitit në nderim të nënës, dhe mospërfillja e saj gjatë gjithë vitit, si dhe ata e kanë anashkaluar mirësjelljen ndaj babait dhe të afërmve.
Një njeriu të mençur nuk mund t’i fshihet dëmi i madh që vjen prej kësaj, duke qenë se kjo është edhe në kundërshtim me fenë e Allahut si dhe të çon në atë që i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – ka tërhequr vërejtjen prej saj.

Të njëjtin gjykim kanë edhe festat e tjera të shpikura që i veprojnë shumë prej njerëzve si: festimi i ditëlindjeve, festës së pavarësisë, apo marrjes së detyrës si kryetar apo mbret dhe festat e ngjashme me to. Të gjitha këto janë të shpikura dhe njerëzit kanë imituar në to armiqtë e Allahut dhe e kanë lënë pas shpine, ligjin e pastër të Allahut i cili ndalon nga këto gjëra.

Kështu është vërtetuar hadithi i saktë i Pejgamberit – salallahu alejhi ue selem – që thotë: “Do të pasoni traditat (zakonet) e atyre që kanë qenë para jush, pëllëmbë për pëllëmbë derisa, nëse ata hyjnë në folenë e hardhucës edhe ju do të hyni” i thanë: O i Dërguari i Allahut, të çifutëve dhe të krishterëve? Tha: “Po të kujt tjetër”?! E në një transmetim tjetër: “Do të ndjekë umeti im rrugën e popujve që ishin para tyre, pëllëmbë pas pëllëmbe dhe pash pas pashi” i thanë: O i Dërguari i Allahut, të persianëve dhe romakëve? Tha: “Po të kujt tjetër”?! Kuptimi është: e kush mund të jenë veç tyre?!

Ajo që na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut – salallahu alejhi ue selem – po ndodh, në pasimin që po i bën umeti ynë – përveç atyre që i ka mëshiruar Allahu – rrugën e atyre që ishin para tij, prej çifutëve, të krishterëve, zjarrputistëve dhe të tjerëve prej pabesimtarëve, në shumë prej sjelljeve dhe veprave (zakoneve) të tyre, derisa po çon në zbehjen e Islamit.  Dhe (ka arritur puna deri aty, sa) metoda e mohuesve në sjellje dhe vepra, – tek shumë njerëz – shikohet si më e mirë se edukata që ka sjellë Islami. Kështu që e mira u bë e keqe dhe e keqja e mirë, suneti bidat dhe bidati sunet, tek shumica e njerëzve; dhe shkaku i kësaj është injoranca dhe mos impenjimi me atë që ka ardhur Islami prej sjelljeve të larta, punëve të mira e të drejta. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! (Shprehje dëshpërimi, që thuhet në raste të fatkeqësive)

E lus Allahun që tu japë sukses muslimanëve që ta kuptojnë fenë, si dhe tua përmirësojë punët dhe gjendjen e tyre, t’i udhëzojë udhëheqësit e tyre si dhe tu japë sukses dijetarëve dhe shkrimtarëve në mënyrë që të përhapin të mirat e fesë sonë si dhe të tërheqin vërejtjen nga risitë dhe bidatet të cilat e prishën imazhin e fesë, dhe të cilat bëhen shkak që njerëzit të largohen prej saj. Vërtetë Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.

Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi robin e Tij dhe të Dërguarin e Tij Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz (Ish myftiu i përgjithshëm i Arabisë Saudite, Allahu e mëshiroftë)

Përktheu: Ylli Rama.

Marrë nga: http://www.binbaz.org.sa/mat/8284