Gjykimi për atë që e sheh hënën i vetëm

 

Sejjid Sabik thotë: “Imamët e fikhut janë në konsensus se kush e sheh hënën e agjërimit (Ramazanit) i vetëm le të agjërojë.”

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!): Kjo nuk merret në formë të përgjithshme, por për këtë ka sqarim, të cilën e ka përmendur dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) në fetuat e tij (25/114) ku thotë: Nëse personi sheh hënën e agjërimit (Ramazanit) i vetëm ose hënën e përfundimit të tij (hënën e Shevalit), a duhet të agjërojë apo ta çelë (përfundojë) agjërimin në bazë të shikimit të tij? Apo nuk duhet të agjërojë dhe as ta çelë (përfundojë) Ramazanin veçse me njerëzit? Në lidhje me këtë çështje përcillen tri fjalë që transmetohen nga Ahmedi.

(Albani thotë) Pastaj i përmendi ato. Por, ajo që ka rëndësi dhe na intereson të përmendim këtu prej këtyre fjalëve dhe që përputhet me hadithin është fjala e tij:

E treta: Ai duhet të agjërojë bashkë me njerëzit dhe ta çelë (përfundojë) agjërimin bashkë me njerëzit. Kjo është fjala më dominuesi. Bazuar në fjalën e Profetiti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Agjërimi fillon ditën kur agjërojnë njerëzit, festa është në ditën kur festojnë njerëzit dhe kurbani është në ditën kur bëjnë kurban njerëzit.[1] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë: Hasen garib.

Ka thënë: Disa dijetarë e kanë shjeguar hadithin duke thënë: Kuptimi i tij është se agjërimi dhe çelja (përfundimit) i tij bëhet me bashkësinë (xhematin) dhe shumicën e njerëzve.

Ky hadith gjendet në “Es Sahihah” (244) dhe në “El Irvau” (905) nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu. Kush dëshiron le t’u kthehet librave të mësipërm.

Pastaj dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!)  thotë: Ndërsa kush gjendet në një vend, në të cilin nuk ka njerëz të tjerë veç tij, nëse ai e sheh hënën agjëron, sepse në vend ku është nuk ka njerëz të tjerë veç tij.

 

“El Ikhtijaratul fik’hijeti”

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Hadith autentik. Tirmidhiu 697, Irvaul Galil 905.